Letërsia artistike është një ndër dhuratat kryesore që intelekti e krijoi për të mos lënë injorancën të bëjë kërdinë e paraplanifikuar. Njerëzit e ngarkuar me këtë detyrë madhështore, që ka për qëllim shpëtimin e universit mendor dhe vetëdijes që di të kap parimisht të bukurën e jetës, edhe pse janë viktimë e vetes dhe rrethit për të cilin bartin përgjegjësi, duhet të bëjnë ditirambe të përditshme për hir të misionit që kanë!
Injoranca është pronare e pashmangshme e përkohësisë. Nuk ka epokë, në të cilën ajo nuk është zgërdhyer poshtërisht mbi kufomën fizike të etikës intelektuale. Detyra e saj, për të mjegulluar mendjen e çdo shekulli me qëllim të moszbulimit të kutisë ku fshehet çelësi i shpjegimit të zanafillës së universit, është gropa hadiane që gëlltit çdo përpjekje të intelektit. Përpjekje kjo, që ka për qëllim njohjen definitive të harmonisë ndërmjet botëve të ndara të gjithësisë. Injoranca është kundër çdo përbashkimi. Psiqika e copëzuar humane është ushqimi që garanton ekzistencën e saj në çdo kohë. Këmbëngulësia e artit për të personifikuar ate me djallin është më se e drejtë. Injoranca ka po të njejtat veti: depërton në çdo shpirt, ka aftësinë e përkryer të manipulimit me kohën, është pronare e drejtëpërdrejtë e religjioneve, besimeve të ndryshme, etikës kodike, më në fund, ajo që duket absurde; pronëson gjithashtu një pjesë të trupit të intelektit, kundërshtarit të përbetuar e të përjetshëm të saj.
BOTA INTELEKTUALE NË PARAKTHINËN HISTORIKE
Idiotizmi, si kategori parësore në mekanizmin e trurit të pashfrytëzuar, shumë më lehtë i dorëzohet injorancës se sa jetës stërmunduese të intelektit. Ndoshta edhe ka të drejtë, kur kemi parasyshë krenarinë që ka kjo kategori dhe mundësitë e pakufizuara për të zhvilluar ate deri në marrëzi në gji të injorancës. Këtu qëndron edhe shkaku, jo vetëm i mosdepërtimit në fijet e origjinës së botës ekzistuese, por edhe ai i pamundësisë për krijimin e sistemit harmonik të gjëve të gjalla me ligjet e natyrës. Kjo është gjeneratori që mban të gjallë luftën shkatrrimtare në mes pjesëve të universit. Ndër gjëtë e gjalla, injoranca ka shpallur njeriun si zëvendës të vet. Dhe kjo për arsye të ineteresit që ka nga ai. Kjo qenie është arma më përfide për realizimin e qëllimeve të saja që ka karshi mendjes mondane. Prodhimet e intelektit që pretendojnë për të bërë mirësinë, bukurinë dhe harmoninë e përbotshme të elementeve universale sa më të dukshme, përvjidhen dhe përvetësohen që në kthinën e parë të veprimit të tyre.
Si perëndeshë e krimit, pavetëdijes, mashtrimit, intrigës dhe kohës në prezent ajo sundon mbi pjesën më të madhe të zemrës së epokës së papërmbajtshme në raport me pasionin për të shkatrruar të gjitha ligjet që lidhin logjikën e karakterit pozitiv të jetës me mekanizmin estetik e paqësor të universit. Shërbetorët e saj- njerëzit boshtkurrizor të pajisur me maskën e politikanit, priftit, magjistarit të shkencave, biznismenit, moralistit etj. parapëlqejnë mënyrën e ngjitjes së tyre shkallëve të famës si princër që sundojnë mbi intelektin e shtrirë për toke, qoftë edhe përkohësisht, i cili vazhdon të mbetet gjithmonë një hap prapa arritjeve vertikale të injorancës. Pritja e përjetshme e botës intelektuale në parakthinë për të dënuar injorancën për krimet që është duke i bërë jetës së saj, është shndrruar në neveri që gërryen optimizmin e gjeneratave ende të palindura.
KRIJUESI SI SHPËTIMTAR I UNIVERSIT TË COPËTUAR
Individi krijues është e vetmja mundësi dhe armë që ka intelekti nën kontroll e sipër. Ate qenie që është në gjendje të parakuptojë dhëmbët e mprehtë të injorancës, rrezikun e saj në çdo skut të jetës. Atij i është falur gjenialiteti për t`u zhytur në thellësitë më të skajshme të arteve. Poeti, shkrimtari apo të gjithë ato qenie që janë të shpallura, që nga paralindja e tyre, si edukatorë sentimentalë të epokës në të cilën do të jetojnë. Kuptohet, që në këto beteja të përgjakshme që inicon injoranca fizikisht e pëson kjo kategori njerëzish, robër të shpirtit të pastër. Mirëpo, a nuk është për t`u habitur para faktit se kjo gardë madhështore e intelektit është e pashtershme! Prej ku gjithë kjo energji gjigante për t`i përballuar një jete të tillë? Cili Zot është ai që përmbush me forcë vullnetin e kësaj sorte njerzore, sa herë që të gjysëmrrëzohen para këmbëve të armikut të tyre? Intelekti apo urrejtja ndaj pozitës nënçmuese që ua shkakton ekzistenca e përdhosur e kundërshtarit të tyre? Gjenialiteti! Patjetër të jetë gjenialiteti i tyre, i pathyeshëm përballë çdo kokëfortësie të fatit.
Edhe në kohën e zhvillimeve të mëdha industriale, teknike, e tekonologjike që ne kemi mjaftë dëshirë për ta mbiquajtur si postmoderne, vazhdon lufta e këtyre artistëve për të shpëtuar vetëdijen nga kthetrat e ndyra të injornacës. Ajo përsëri është prezente kudo: parimisht në politikë e fè, mëpastaj e veshur me kostume të të gjitha profesioneve ekzistuese. Ajo merret edhe me artin. Veçse fatkeqësia e saj, mungesa e intelektit gjenial i pamundëson për të bërë mzamët e saj artistë. Fat! Po të mundej injoranca të përvetësojë edhe këtë mjeshtri do t`ia bënte fytyrën universit copë, dhe harmoninë e tij do t`a shndrronte në sistem vetvrasës. Do të paravdiste çdo qenie me zemër dhe mendje të butë duke shfrytëzuar kufomën e saj të spiritosur si shembull për tallje dhe gosti me konfliktin dhe kontradiktën, dy ushtarët më të përbetuar të saj.
NË MES PËRKOHËSISË DHE TË PËRJETSHMES
Pra shpresa dhe shpëtimi i këtij globi vetdjegës qëndron tek mundësia e përjetimit të së bukurës, e cila mund të demostrohet vetëm nëpërmjet krijimtarisë artsitike. Nuk ka shkencë që mund aq denjësisht t`ia heq pluhurin nga fytyra jetës së baltosur nga injoranca, se sa gjenilaiteti i vijave, ngjyrave dhe shkronjave që dalin nga shpirti i artistit, në çdo kohë, situatë dhe pozitë. Prandaj injoranca urren këtë soj qeniesh të përjetshme. Shpirti i të cilëve është e vetmja gjë e pakopjueshme, e paimitueshme dhe e paprekshme. Arsye kjo, që bën dallimin në mes jetës së përkohëshme të injorancës dhe asaj të përjetshme të intelektit.
Letërsia artistike është një ndër dhuratat kryesore që intelekti e krijoi për të mos lënë injorancën të bëjë kërdinë e paraplanifikuar. Njerëzit e ngarkuar me këtë detyrë madhështore, që ka për qëllim shpëtimin e universit mendor dhe vetëdijes që di të kap parimisht të bukurën e jetës, edhe pse janë viktimë e vetes dhe rrethit për të cilin bartin përgjegjësi, duhet të bëjnë ditirambe të përditshme për hir të misionit që kanë. Pavarësisht nga presioni i djallëzishëm që u bën paradoksi i përditshëm. Ata janë kreatorët e filozofisë shpirtërore të mbijetimit. Pa energjinë e tyre gjeniale injoranca do të bënte shpirtin tim varr të çdo përjetimi të këndshëm të universit që më rrethon. Dhe unë nuk do të mundesha të shoh vlerat e këtij detashmenti hyjnor pa syzat e urretjes dhe xhelozisë. (1996)