Dialektika e vetësabotimit

Dy shumica që kanë frikë nga njëra tjetra nuk mund ta shpëtojnë një shtet që del inkompatibël me çdo version të demokracisë. Shumica e konstruktuar konsideron padrejtësisht shtetin pronë të saj, ndërsa shqiptarët nuk e dinë se ku jetojnë dhe çka duan.

I.

Vendimi i Titos dhe Dimitrovit për të krijuar Maqedoninë si Republikë, nuk ishte i prirë nga e drejta e popujve, por doli si rezultat i kalkulimit, i cili synonte konfederatën ballkanike ku kombet me origjinë sllave do të përbënin shumicën absolute. Vendimi për krijimin e një kombi maqedon në fakt u mor në „Kongresin Pansllav“ që u mbajt në Moskë gjatë vitit 1942 dhe i cili u udhëhoq nga Tito dhe Stalini. Kjo sepse Maqedonia luante një rol shumë të rëndësishëm gjeostrategjik për thyerjen e kompaktësisë territoriale shqiptare që e mundësuan fashistët dhe nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke filluar nga viti 1945 e deri kah mesi i viteve të shtatëdhjeta – edhe pas braktisjes së idesë për konfederatën – në këtë hapësirë do të ndodhin lëvizje intenzive demografike: nga Greqia, Bullgaria dhe nga brendësia e Jugosllavisë do të instalohen grupe të ndryshme sllave (kroate, serbe, boshnjake) viseve e kryesisht qyteteve të vendit me qëllimin për të kulmuar bikulturalitetin (sllav dhe shqiptarë) në favor të një shumice joshqiptare. Po në konto të kësaj politike hyjnë edhe tjetërsimi fillimisht amzor i shqiptarëve ortodoksë dhe proturk në torbeshë, turq dhe maqedonë ortodoksë.

Këto janë faktet historike. Përgjatë periudhës jugosllave edhe pse jomjaftueshëm u „konsolidua“ nga një konglomerat identitetesh e kulturash intersllave një etni shumicë përballë tjetrës- asaj shqiptare. Përkundër tërmeteve identitare që e shoqërojnë Maqedoninë që nga rënia e monizmit, ajo, shumica solidare prosllave tregohet e vendosur dhe kategorike për të ruajtur kompaktësinë dhe prioritetin në shoqëri. Dhe analizuar problemet që sjellin opcionet politike dhe doktrinat kulturore brenda shumicës shihet kullueshëm se atë e mban lidhur më pak dashuria gjenoetnike e kulturore e më shumë e kryesisht frika nga mundësia që shteti të përfundojnë në duart e shumicës tjetër etnike, asaj shqiptare. Mu këtu duhet kërkuar edhe arsyet se pse Republika e Maqedonisë vazhdon të mbetet inkompatibël me instalimin eventual e të plotë të demokracisë qytetare.

Cili është reaksioni historik e aktual i shqiptarëve në këtë paranojë të shumicës?

II.

Po aq ambivalente, e pasigurtë dhe pa opcione të qarta është edhe shumica shqiptare. Ajo ka qenë gjithmonë e pavendosur, pa strategji dhe pa vizione konkrete rreth të nesërmes së saj. Që nga shembja e grupeve të fundit të rezistencës antikomuniste në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë – në masë – nis faza jo vetëm e diskriminimit ekstern, por edhe ajo e vetëvegjetimit, dorrëzimit. Episodet si në 68-at e kah mesi i viteve të 80-ta (demonstrimi i grupeve) nuk u kapën nga masat as si sinjal zgjimi. Studiuar pesë dekadat e socializimit të ashtuquajtur real madje në këtë hapësirë as elementë të një „lost cause“ kulture nuk u zhvilluan – asaj kulture që shpërthen brenda popujve që humbin dhe justifikon palirinë me vajin e viktimës. Ndjenja kolektive e inferioritetit mor dhénë veç pas rënies së federatës jugosllave, atëherë kur u detyrua hyrja në pluralizëm. Çka për masën plasi një „epokë e re“ dhe dinamike, mirëpo jo apriori edhe konstruktive, sepse partitë që i përfaqësonin nuk ishin të traditës demokratike, pa përvojë dhe nuk patën kapacitetet e nevojshme që të piqen intelektualisht dhe politikisht përbrenda as deri sot e kësaj dite. Subjekte që po ua shpove fasadën, kozmetikën euforike dhe etnopatriotike vetëm ajër i konservuar ta zë frymën.

III.

Partitë politike në Maqedoni në realpolitikë janë dëshmuar si integraliste. Mirëpo në raport me bazat e tyre ruajnë politikën e ekskluzionit ndaj shumicës. Konkretisht: gjatë zgjedhjeve, në kongrese, mledhje e gjithandej ato gjithmonë kanë fabrikuar kulturën e papërcaktimit rreth së ardhmes së Republikës në të cilën jetojnë. Kjo skizofreni politike i ka bërë masat të mos dijnë asnjëherë qartë se a duhet të ëndrrojnë që nesër të jenë të barabartë në një shtet e demokraci qytetare; a duhet të ëndrrojnë se pas disa viteve do të shtypin vertikalisht natalitetin dhe intelektualitetin për ta përvetësuar shtetin apo; duhet t’i mprehin bajonetat dhe t’i vajosin pushkët për ta shpartalluar „krijesën e Titos dhe Dimitrovit“? Vetvetiu mirëpo „turmat» janë të paraprira të jenë irracionale dhe esktreme, të reagojnë në afekt dhe mosgatishmëria e shumicës së shqiptarëve për ta parafytyruar Maqedoninë shtet të vetin, është krejt e natyrshme.

Kjo politikë e papërcaktuar, me shumë opsione sipërfaqësore dhe pa asnjë opcion konkret dhe real – si gjithandej – është vetëpërjashtuese, getoiste dhe më e keqja vetëbllokuese, vegjetuese dhe depresive. Në një gjendje të tillë fshatrat, qytetet, komunat furniozojnë, legalizojnë dhe paguajnë shtetin, mirëpo nuk marrin asgjë prej tij e lere më ta kushtëzojnë, sanksionojnë apo detyrojnë të ecë drejt demokracisë qytetare e jashtë koncepteve retarde etnokratike.

IV.

Nga njëra anë kemi shumicën që konsideron për pronë të vete shtetin dhe nga frika bllokon çdo përparim të mundshëm dhe nga ana tjetër kemi shumicën e dytë që lidhje s’ka se ku e ka vendin dhe matematika është më se e thjeshtë: që të dyja sabotojnë shtetin, respektivisht veten dhe gjithçka që aktualisht mund të ofrojnë është show, ulërimat teatralike për komb, atdhe e fé për të fituar vota.

Kjo gjendje do të jetë e pafund ose do të marrë fund me përmbysjen e shtetit. Ata që duan të kundërtën, pra koekzistencën pa frikë dhe me përcaktimin për një shoqëri demokratike qytetare, do të ishin ulur bashkë dhe do të kishin reviduar së pari kushtetutën, do të kishin bërë marrëveshje politike, sociale nëpërmjet të cilave në krye të çdo dokumenti do të valonte garancioni i të drejtave qytetare – e jo etnike.

Ose e prishin pra.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...