Në rrugë, pa strehë dhe pa bukë

Duke filluar nga 1 prilli i vitit 2004 të gjithë azilkërkuesve që u është refuzuar kërkesa u është ndërprerë ndihma sociale. Shumica prej tyre kanë përfunduar rrugëve, në ilegalitet ose në krim. Ndër to edhe shumë shqiptarë nga Kosova.

Bernë, 1 qershor – «Shteti prodhon vetë kriminelë» kështu akuza e të majtëve, kishave dhe organizatave që merren me mbrojtjen e refugjatëve. Vetëm brenda 1 prillit dhe 31 dhjetorit të vitit 2004, 3804 persona kanë marrë vendim negativ nga organet e azilit. Ndër to 60 përqind janë nga Kosova. «Që nga vënia në fuqi e këtij ligji numri i azilkërkuesve ka rënë më shumë se 50 përqind e sidomos harxhimet e enteve të përkujdesjes», lavdërohet me bilancin pozitiv sa u përket financave ministri i drejtësisë dhe policisë zvicerane Christoph Blocher në një konferencë shtypi. «Gjithë kjo është në kurriz të skamnorëve», proteston Markus Sahli nga Lidhja e Kishave Reformiste të Zvicrës. Për Sahlin çështja është e qartë «me këto ligje shkelen të drejtat themelore njerëzore. Hallexhinjve t’iu ndërpritet ndihma elementare vetëm pse nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë gjithë dokumentet në vendin ku përndiqen, është kulminacioni i shkeljes së traditës së solidaritetit». Kështu mendojnë të gjithë përveç qeverisë «masat tona janë preventivë për të eliminuar keqpërdorimin e azilit» na deklaruan dje në Entin Federativ për Migracion. Po akuza se shteti prodhon kështu kriminelë, pasi njerëzit kur nuk kanë as të hanë dhe përfundojnë në rrugë duhet ta sigurojnë ekzistencën? «Sa për një copë buke për të mos vdekur kujdesen komunat», na përgjigjen në Entin e sipërpërmendur.

Ali Mehmetaj (27) nga Peja e Kosovës qe tre vjet si azilkërkues në Zvicër, ka tetë muaj që sillet nga një mik te tjetri, nga një kishë të tjetra për të mbijetuar. Edhe ky nuk druan shumë që t’i bashkëngjitet ndonjë rrjeti dilerësh apo hajnash «e si të jetojë unë bre burrë»? Nga banesa dydhomëshe me të ardhura të mira për tre muaj përfundova, pa bukë në «asfalt», thotë ai. «Fillimisht më nxorën nga puna. Pastaj s’më dhanë as ndihmë sociale», rrëfen shqiptari që i ka humbur dy vëllezër dhe babain në luftë. «Pse nuk shkoni në komunë së paku për ta marrë „ndihmën e detyrueshme“? E pyesim ne. Ai qeshet. Tund kokën dhe «një ditë shkova aty dhe i thash asaj zonjës në komunë. Ajo më tha prit. Dhe pas disa minutash, unë duke pritur ndihmë, dy policë nga mbrapa mi vunë prangat dhe më sollën në stacionin e policisë së Bernës për të parë se a mund të më dëbojnë. O Zot me t’çu me pranga mes për mes stacionit të trenave pa bë gjë. Thash hapu tokë.» Aliu thotë së paku nëse kishte fituar pare ose kishte bërë ndonjë gjë të palejueshme atëherë as që do mërzitej ama kështu «turp i Zotit». Që nga ajo ditë Aliu nuk shkon më për të marrë 10 frangat. Ai për çdo ditë shkon në një kishë për të ngrënë bukë.

«Gjithë këto janë të vërteta. Historia e Aliut është ajo më e buta. Ne përjetojmë raste shumë më dramatike. Shumë më të tmerrshme thotë Yvonne Schepperle nga Shërbimi Social i Kishës Protestante. Raste edhe më dramatike? Ku e ka ndërmend të shkojë Zvicra? 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...