Robert Elsie dhe rrugët e Shqipërisë

Si duhet të shkruajnë shqiptarët që t’i përligj bota perëndimore? Studiuesi i nderuar Robert Elsie thotë se letërsisë shiptare i mungon cilësia, prandaj edhe mosnjohja e saj. Sa qëndron kjo tezë?


Letërsia shqipe nuk përkthehet fare në gjuhët e huaja. Ose fare pak. Aq pak sa edhe letërsitë e shumë popujve tjerë anembanë globit që nuk janë as më të mirë e as më të këqinj se shqiptarët. Kur flasim për gjuhët e huaja kryesisht mendojmë në ekipin e etabluar të perëndimit: anglishten, gjermanishten, frengjishten dhe italo-spanishten. Nëse një shkrimtar ngadoqoftë ai shkruan apo përkthehet në njërën nga gjuhët e lartëpërmendura atëherë e merr vesh Stokholmi dhe e fut në listën e kandidatëve për shpërblim. Shkrimtari bëhet i njohur dhe e pati puna. Në të kundërtën edhe vetë Homeri të ringjallet, do ta mbulojë terri i anonimatit, nëse nuk ka shfrytëzuar bashkëndejën me Shekspirin, Gëten apo Balzakun në varret e Parnasit për ta mësuar njërën nga «gjuhët e botës» se me gjuhën e tij të vjetër greke s’do ta kuptoj kush në këtë botë.
Do të thotë kjo se Perëndia u ka falur dhuntinë e shkrimit të bukur vetëm ca racave të zgjedhura? Që nga koha kur u nis të shkruhet në gjuhët e kombeve e deri sot duket sikur kjo të jetë e vërteta e pakontestueshme. Si të kuptojmë ndryshe primatin, që kanë letërsitë e gjuhëve si frengjishtja, anglishtja, gjermanishtja e ca të tjerave përreth, në botën e artit?
Shkrimtarët, respektivisht letërsitë që arrijnë të përkthehen, me këtë edhe të pranohen e çmohen, nga kulturat e gjuhëve të përmendura mund të konsiderohen si letërsi me vlera universale, të tjerat jo.
Siç u tha në fillim letërsia shqipe nuk është e preferuara e kësaj aleance. Pse?

2.
Më shtruar me këtë temë është marrë studiuesi i mirënjohur i letërsisë shqiptare dr. Robert Elsie. Në kumtesën e tij të mbajtur në Shkodër me 10 tetor të 2003-it me titullin «Letërsia shqiptare në tregun ndërkombëtar: ëndrra dhe realiteti» i numëron disa nga shkaqet që pengojnë afirmimin e letërsisë shqiptare në botën e jashtme. Faktorët kryesorë, sipas tij, janë: mungesa e përkthyesve, mungesa e interesimit nga ana e botuesve jashtë Shqipërisë, mungesa e interesimit nga ana e lexuesit dhe mungesa e cilësisë letrare në letërsinë shqiptare. Dr. Elsie i ka rradhitur faktorët – mendimet e tij në një rreth të paderë. Po përpiqemi ta hulumtojmë pakëz tezën e Elsiesë:
A mungojnë përkthyesit? Po. Ata janë të paktë.
A mungon interesimi i botuesve të huaj? Ata s’mund të kenë interes për diçka që nuk mund ta lexojnë, nuk e njohin.
A mungon interesimi i lexuesve jashtë? Lexuesve, ashtu si botuesve, fillimisht duhet t’u japish diçka për të lexuar e pastaj mund të shohish se a kanë interesim apo jo.
A i mungon letërsisë shqiptare cilësia? Kush e tha këtë? Dr. Robert Elsie, studies dhe përkthyes i letërsisë shqiptare në gjuhën angeleze. Dotëthotë se arsyeja pse nuk ka përkthyes të mjaftueshëm, pse s’janë të interesuar botuesit dhe lexuesit e huaj për letërsinë shqipe dhe pse ata përkthyes që janë nuk kanë vullnet të përkthejnë, qëndroka në mungesën e kualitetit. Kjo shqip e shkurtë do të thotë: shqiptarët s’dijnë të shkruajnë. Ose sipas Elsies ata shkruajnë «ashtu siç i kanë rrugët, infrastrukturën», etj. Për askund. Tash po e kuptojmë se pse letërsia e vjetër greke ka qenë aq pacilësore . Sepse nuk ka pasur rrugë të asfaltuara, infrastrukturë të mirëfilltë (hi!).
U tha: shqiptarët qenkan njëri nga ata popujt që Zoti nuk ua ka falë dhuntinë e të shkruarit bukur.
Po si duhet të shkruajnë shqiptarët që t’i përligj bota? Ose në bazë të çfarë kriteriesh vlerëson «bota» për të ardhur deri te konstatimi se cila letërsi është cilësore e jo? Cilat janë institucionet që e bëjnë të afirmueshme një letërsi, një autor etj?

3.
(Për të menjanuar një keqkuptim: shumëkush kur flet për afirmimin e letërsisë shqiptare në botë nuk e mendon letërsinë si tërrë, por i numëron se sa shkrimtar kanë depërtuar në gjuhët e huaj e sa jo. Si duket ky opinion rezulton nga paragjykimi se letërsitë tjera janë më të njohura se shqipja jashtë. E në të vërtetë nuk është ashtu).

Në fillim të gjithçkaje qëndron komunikimi. Nëse një letërsi nuk arrinë të komunikohet jashtë vetes ajo nuk ka pse të presë njohje nga të tjerët. Që një letërsi të mundet të depërtojë edhe në gjuhët e tjera janë të nevojshëm përkthyesit. Elsie thotë se ato janë fare pak. Dhe kështu është. Mirëpo kjo s’ka të bëjë fare me shkallën e kualitetit të një letërsie, por me nivelin e organizimit, kjo ka të bëjë me vullnetin e shoqërive se sa janë ato të interesuara për të bërë kulturën e tyre të njohur jashtë «gardhit» e sa jo. Numri i atyre letërsive që nuk njihen jashtë gjuhës së tyre është shumica e kapitalit letrar që ka kultura humane.
Ca shembuj: Çekët për shembull kanë mjaftë literaturë të përkthyer në gjuhët si frengjishtja, gjermanishtja e anglishtja, por a mund të flasim për një letërsi të njohur e afirmiuar në këto vende? Jo. Mund të flasim për një shkrimtar të tyre të njohur e të afirmuar në botë, për Milan Kunderën si shkrimtar çek. Letërsia italiane është poashtu me shumicë e përkthyer, por flitet vetëm për një Eco e ndonjë tjetër, e jo për të gjithë letërsinë italiane e të ngjajshme. Edhe shqiptarët e kanë në këtë plan Kadarenë e tyre. Ndërsa letërsitë e tyre si çekja, italianja janë çështje e qendrave të specializuara, si akadamitë, univerzitetet e të ngjajshme, ku ato janë të prezentuara mjaftueshëm e shqiptarja jo.
Në këtë plan shqiptarët kanë edhe shumë punë për të bërë. Atyre u nevojiten përkthyes jo vetëm të letërsisë aktuale por edhe të traditës dhe të historisë. Veç atëherë kur letërsia shqiptare të jetë përkthyher në atë masë si italishtja, çekishtja etj, mund të bëjm llaf për cilësinë e njërës apo tjetrës, sepse këtë nuk mund ta bëjë vetëm një njeri, dy apo tre prej tyre, qofshin ato edhe specialistët më të spikatur të botës.

4.
Nëse flasim për afirmimin e shkrimtarit si individ atëherë në horizont shfaqen ca rregulla të reja. Dhe ato rregulla nuk kanë të bëjnë gjithaq me vlerën e artit të autorit sipas standardeve tradicionale, por më shumë me « artin e modës» së epokës, ka të bëjë me atë se sa kompatibl është prodhimi i tij për mendësinë e adaptuar, modën që mbizotëron në hapësirën ku zhvillohet pazari e ku ndërmarrjet e ndryshme kombëtare shesin «aksionet» e tyre letrare. Të pasurit edhe këtu e kanë fjalën. Nëse një amerikan shkruan një storie të bukur për jetën e ndonjë të pastrehu të Brooklynit dhe arrijnë ta botojë atë shpejtë libri përkthehet edhe në gjuhët tjera. Tash krahasojeni këte me një shqiptar që e shkruan edhe më bukur artsitikisht një storie për ndonjë të pastrehë të Durrësit. Ku përfundon ky i dyti. E kjo s’ka të bëjë me vlerat, por me diçka tjetër.
Madje edhe institutet si ai që shpërndan çmimin Nobel e që llogariten si referenca dhe altari për shpalljen e shkrimtarëve të epokës, selskionimin nuk e bën sipas vlerës, por në bazë të ca kushteve tjera që s’kanë të bëjnë me vlerat e artit. Përndryshe nuk mund të shpjegohet shpërblimi i autores austriake Elfriede Jelinek me atë çmim. Akt që e bëri pothuaj çdo ekspert të letërsisë pa dallim ngjyre e race t’ia pshtesë murrit me krye a t’i shkul flokët nga tmerri. Një autorje që për nga vlera nuk mund të rradhitet as me ndonjë shkrimtar mesatar shqiptar. E lere më t’ia vemë atë anash ndonjë Kundere, Kadareje, Ecoje e ndonjë tjetri të konsojit të tyre.

5.
Faktorët që ndikojnë në mosdepërtimin e një letërsie në botë janë më shumë të natyrës teknike, ekonomike e sociale se sa të natyrës kualitative. Nëse kjo nuk mund të thuhet për ndonjë letërsi tjetër, për shqiptaren pa hamendje, veçanarisht nëse jetojmë duke konsumuar të dyja palët, atë që konsiderohet si botërore dhe atë që shkruhet shqip.
Jo gjithçka që i përshatet modës mbizotëruese dhe e ha pazari në perëndim (hapësirën e gjuhëve të përmendura) është letërsi cilësore. Letërsisë shqipe i mungojnë përkthyesit, por jo cilësia.
Po çka është vota e shkrimtarëve shqiptarë rreth kësaj teze. Pse heshtën ata? Nga respekti ndaj mikut të huaj, apo… (2004)

Related

Bobitë, Kadare dhe prometheu

Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob...

Shkrimtari si asocial

Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit...

Shkrimtar interneti?

«Shkrimtar interneti», «shkrimtar letre», ç'janë këto etiketa? Sipas logjikës...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Pledoaje për kritikën letrare

«Nëse deri tani nuk u ka rënë vetë ndërmend...