Dafina ose kronika e tragjedisë kosovare

Romani «Jetë e ndalur» («Sheshi», Prishtinë) i Rifat Haxhiajt është një pasqyrë reale e jetës shqiptare në mërgim, në Kosovën e para- gjatë dhe pasluftës. Përkundër mangësive që ka në planin artistik ai të shtyn të mendosh për shumë aspekte e defekte të shoqërisë shqiptare.

Romani «Jetë e ndalur» i Rifat Haxhiajt i përngjan një kronike reale mbi jetën e shqiptarit të sotëm. Po të multiplikohet epiqendra e stories, jeta e kryepersonazhes Dafina Mali, si rezultat do të përfitojmë, nga njëra anë: fatin si motor që dikton mënyrën e jetës së një individeje dhe nga ana tjetër shohim: fytyrën e gërvishtur, moralin e dyfishtë, defektet, peripetitë dhe shumë faktorë tjerë përbërës të shoqërisë shqiptare, respektivisht asaj kosovare.
Libri mund të konsiderohet edhe si një kritikë konstruktive – jo edhe aq e panjohur – ndaj fenomeneve të papërshtatshme që rëndojnë frymimin «normal» të shqiptarit pasmodern. Kritikë që bazën e ka në logjikën e qytetarisë properendimore. Konkretisht: Rifat Haxhiaj i denoncon fenomenet negative shqiptare si të tilla, pasi që i krahason ato me konvencionet etike të shoqërisë ku jeton, domethënë e sheh botën shqiptare nga distanca dhe me sy joshqiptarë. Rifat Haxhiaj ka bërë një roman, të cilin gjatë leximit na detyron vazhdimisht të parafytyrojmë historira të përjetuara.
Boshti i romanit, ose më mirë thënë ngjyra kryesore e rrëfimit është: Tragjedia formë sofokliane, sepse jo pak gjëra nga monologjet vajtuese të Dafinës kanë ngjajshmëri me dialogjet të Elektrës me Krizotemën, Orestin a Korifeun. Madje Dafina edhe «takohet» me Elektrën në faqen 238 të romanit.

Katër fazat e rrëfimit

Romani ndahet në katër faza kryesore të rrëfimit. Katër kapitujt që fillojnë romanin janë faza e parë e romanit.
Dafina, pas humbjes së familjes, dështimit të dashurisë, tradhtive që i ndodhin, presionit të padurrueshëm nga ana e farefisit vendos t’i jap fund jetës. Ajo vendos të «martohet me vdekjen kosovare», të bëj vetvrasje. Vetvrasje një boria e një kamioni e shndrron në akt eutanazie të pasuksesshme.
Faza e dytë fillon në kapitullin pestë. Haxhiaj e ndrron formën e rrëfimit sa i përket aspektit kohor. Dafina fillon të rijetojë në retrospektivë, pra në kohën e kaluar, kështu recipientit i jepet informacioni dhe shkaku se pse protagonistja kryesore e «Jetë e ndalur» do që të shporet nga sfera tokësore.
Jeta e familjes Mali shkon në rregull deri në çastet kur fiksimi i Sinanit – kryefamiljarit – për të pasur djalë pas dy vajzave dhe refuzimi i nënës Mervete fillojnë të sabotojnë idilën familjare. Fillojnë depresionet. E alkooli mezi që pret shkakun për të intervenuar. Ndodh një aksident dhe familja Mali (përveç Dafinës) humb jetën.
Dafina vjen në Kosovë dashurohet në të birin e një të burgosuri politik: Pasojnë rrahjet, izolimi, transferimet dhe më në fund nisja e një dashurie të rrezikshme, por simpatike, shpresdhënëse. As çastet erotike nuk mungojnë.

Në kapitullin katërmbëdhjetë nis faza e tretë, faza e dashurisë. Ajo dashuri që prejkëtej fillon të marrë trajtën erotike.

Me ndërhyrjen e Shaban Malit dhe sjelljen e çuditshme të Edit – përndryshe kokëfortë në planin patriotik, gjë që nxjerr në pah një paradoks – këputet lidhja mes këtyre dyve. Shkojnë muaj e vite dhe këta dy takohen në Prishtinë. Pas ca «ekceseve» erotike nëpër vetura dhe studion erëmykët të Edit Dafina mbetet shtatzënë. Ajo fluturimthi kërkon gjithandej Edin për ti treguar për frytin e dashurisë së tyre të shampanjizuar. Dafina nuk arrin t’i tregojë atij për këtë sepse Edi del më i shpejtë me kumtin e tij se e ka tradhtuar dhe se në Pejë ka grua dhe fëmijë. E dërrmuar nga gjithë ato dështime vendos t’i vë kapak tragjedisë. Zgjidhja: Vetvrasja!
Prej këtu hyjmë në fazën e katërt të rrëfimit. Ose më saktë: në mënyrë rotative kthehemi aty ku e lam rrëfimin në kapitullin e katërt, respektivisht në të 13-tin. Këtu përfundon tregimi retrospektiv dhe kthehet në kohën e tashme. Pranë shtratit të Dafinës së sëmurë ku se ç’na belbëzon diç Edi tashmë i vejë. Pas ca sqarimeve e lëvizjeve të përshpejtuara dy dashnorët më në fund martohen. Një Happy End? Jo. Mbitëgjitha rrëfimi nuk përfundon. Ç’u bë me Adin? Ai nuk i shfaqet Dafinës në grupin e fytyrave të ndjera që i dalin parasyve në formë siluetash. Kjo do të thotë se ai jeton. Po ku?
Mbyllet perdja, ndoshta dikur për t’u hapur sërish?

Fiziologjia tematike e librit

Dafina me fatin e saj tragjik është vetëm njëra nga shtresat e romanit «Jetë e ndalur» të Rifat Haxhiajt. Kjo është vetëm njëra nga temat e shumta që përbëjnë romanin, drama e Dafinës është ajo tema qëndrore që ia jep tekstit konstruktin, skeletin. Që ai mos të jetë akefal, që të mos jetë një si nga ato librat e shumtë që botohen kohëve të fundit e që recipienti nuk has në asnjë histori të kuptimtë përveç dëshirës sqimatare të autorit për të shkruar, shkruar e shkruar deri në alivanosje.
Paralelisht me historinë e Dafinës shkunden edhe segmente tjera sociologjike e filozofike të jetës kosovare, para, gjatë dhe pas luftës.
Një vend të veçantë zë raporti individ-familje-shoqëri që manifestohet nëpërmjet Dafinës-Sinanit, Shabanit  dhe gjithë orkestrit të personazhëve pjesmarrës në libër. Megjithatë temat që më së shumti bien në sy janë:
1.Përplasja e identiteteve (Dafina e Eros Ramazzotit në krahasim me Venerën e Gilit, Edin e Sabri Fejzullahut e kështu me rradhë) 2. Atmoserfa politike (patrioti Sami dhe shërbetori ideologjik Shabani, bashkë me Mimozën, profesorët etj) 3. Pesha e mërgimit (amaneti i Sinanit dhe shpërngulja e Samiut) 4. Hierarkia e sëmurë dhe absurde e patriarkalizmit në familjen shqiptare (Shabani ia vjedh pasurinë Dafinës vetëm pse është femër) dhe 5. Katër kategoritë e viktimave (a) I ati dhe familja e Edit si viktima fisnike, Shabani si viktimë agresive/psikopateske, Mimoza, porfesorët, drejtorët si viktima zuzare të një regjimi gjenocidal dhe Konvertitët si viktima të fatit) etj.
Tematikisht romani është tepër i pasur, i dendur dhe me shumë informacione.

Aspekti estetik e kritik

Është pikërisht kjo pasuria tematike e romanit që e ngarkon më shumë se sa duhet tekstin. E detyron autorin të kërcejë kohët me hapa javësh, muajsh e vitesh nga fjalia në fjali. E bën atë konfuz, sidomos me ligjeratat politike që herë pas herë shfaqen të instaluara si analiza politike e nacionale mbi çështjen e Kosovës. Analitika e thatë shkencore jorrallë ia suprimon veprës të drejtën e të qenurit prozë, roman dhe e nivelizon në gjininë e shkrimeve dokumentare, analizave gazetareske për fenomene të caktuara.

Rifat Haxhiaj ka rrëfyer me një gjuhë të disciplinuar skolastike ku s’kanë vend «dialektet» (me përjashtime të vogla, sepse nuk mungojnë shprehjet tironase dhe ndonjë paragraf pejançe). Kjo është në rregull, mirëpo kjo është bërë me një ngushtim të përpiktë saqë fjalitë dalin jo të natyrshme, pra tepër zyrtare si për shembull: «Në bazë të analizave që kemi bërë del se ti je shtatzënë. Je sigurisht e martuar apo jo?». E pyet dhe konstaton mjeku.
Autorit gjatë krijimit i ka munguar durrimi. Idetë dhe personazhët sapo shfaqen rrëmbehen e ndjeken nga ideja tjetër e autorit, kështu që summa summarum idetë nuk shtrohen mbi atë shtratin e nevojshëm artistik. Personazhët, që të gjithë, përveç Dafinës, Edit dhe aty këtu Shabanit janë episodik. Madje mbi njëzet prej tyre shfaqen e zhduken edhe më lehtë se sa statistët, përkundër faktit që disa prej tyre kanë funksione kapitale në roman.
Në roman elementi estetik dhe ai poetik është i rastësishëm e jo siç duhej të ishte: baza e tekstit që pretendon nivelin e prozës. Shtoi kësaj edhe përdorimin e kursyer të përshkrimit anësor e të nevojshëm që në roman mbeten vetëm në kufinjtë meteorologjik (moti, dita, nata…) atëherë duhet të konstatojmë: se përpjekja e autorit për të formuar stilin dhe identitetin e tij si prozator veç sa ka filluar!

Realizmi social

«Jetë e ndalur» në plan të parë është roman i realizmit social (Kujdes: jo socrealist). Emrat e vërtetë të njerzve të estradës, gazetave e faktorëve tjerë të përfolur e forcojnë këtë kualifikim. Ai të shtyn të mendosh për shumë çështje të jetës, kulturës, etikës, politikës etj. shqiptare në ditët e sotme. Është si një pasqyrë kolektive që sillet nëpërmjet fatit të një vajze të pafatë me emrin Dafina. Në këtë drejtim libri ka rëndësi:

Për fund edhe diçka: Titulli i librit «Jetë e ndalur» nuk përputhet me materien që përmban libri. E para dhe logjika: Deri në aktin e vdekjes jeta nuk ndalet dot. E dyta dhe faktikja: Në rastin e protagonistes Dafina jeta jo se nuk ndalet, por ajo lëviz me një intenzitet marramendës!

Related

Lùlu – demiurgu i subjektit të lirë!

Analizë romanit «Rebelimi i Lúlus» të autorit Albatros Rexhaj,...

Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë?...

Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia...

Revolta e shkronjave

ESE / Mbizotëron spekulimi se intelektualët vegjetojnë. Ata bëjnë poza dandish dhe janë vetëburgosur qelive të imagjinatës së tyre që është larg realitetit dhe brengave aktuale të masave. Sa qëndron kjo akuzë?

Poetja e (r)evolucionit të trëndafilave

Poetja Blerina Rugova Gaxha suksesshëm ia del të trajtojë dhe shpërfaq letrarisht një proces deri më tani të patrajtuar askund (ose fragmentarisht e dobët), në asnjë fushë, gjini arti përbrenda kulturës që fabrikohet shqip.