Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob Dylan-it. Ka njerëz që duan letërsinë, artin siç e kanë mësuar nga «klasikët» dhe ka të atillë që nuk shtrëngojnë trurin dot dhe kënaqen me rrëfime të lehta. Ajo mirëpo çka ndodhi pas dhënies së nobelit Dylanit s’kishte të bëjë me asnjërën nga kategoritë perceptuese të formave të artit: në sipërfaqe u bashkuan me shumicë religjiopatet, gjeoracistët dhe zombit e urbaniteteve që s’ekzistojnë. Ndërsa nobeli qëmoti është politik dhe synon rehabilitimin e letërsive periferike, kulturat e pazëshme e të ngjashme.
Kryevepra të Kadaresë nuk janë as «Pallati», as «Piramida» as «Gjenerali» apo ndonjë vepër tjetër e tij. Opus magnumi i tij është tregimi «Prometheu», ai është kurora e gjitha tjerave. Sipas meje natyrisht. Në pesë faqe A4, aq sa mund t’i ketë tregimi shkronja, është derdhur historia mijëvjeçare e keqkuptimit ndërmjet gjeniut dhe trupeshkut, ndërmjet qenies së pabotë dhe asaj me një univers paralel, është vizatuar aq mprehtë e kristaltë dallimi ndërmjet Xhingis Khanit me soldateskën e tij si gypa mobilë e me sharrë për tu prerë kokat tjerëve dhe Demiurgut terrestrik me ushtarët e tij që me gjuhë e figura ndërtuan perandorinë e tyre kulturore, aq jetëgjatë sa gati të përjetshme. Ajo ishte dje. Letërsia e madhe. Është sot. Duket se do të jetë edhe nesër. Tjerët? Dyshoj thellë. Moda e ka këtë pashpirtësi në vete; fustanin e viteve të 50 njeriu i nesërm e përqesh si retro edhe atëherë kur objekti a subjekti donë të riomodëzohet. Mbetet përjetësisht retro – nëse ka fat, artefakt muzeor.
A e meritoi Bob Dylan shpërblimin. Po. Më tepër ngase ai shpërblim, siç është bërë e jo siç proklamohet, do të ishte i padrejtë po t’i jepej ndonjë arterëndi eskilian, shillerian, tolstojan, xhojsian si Kadare. Reagimi kundër shpërblimit për Dylanin – dhe ai u bë nga gjithë emrat eminent të kritikës së letërsisë jashtë tokave shqiptare – nuk ishte kundër mjeshtërisë së tij në këngë e efekt, por ngase nuk përkon e as përmbush mbi 90% të kushteve të katalogut që vetë Akademia e Nobelit ka vënë për çmimin në fjalë. Shpërblimi nuk është i përcaktuar për muzikë e as për tekstet e saja. Prandaj kemi award-et e shumta e të ligjshme.
Ta lëmë nobelin se nuk ndryshojmë dot gjë. E as që i vlen kujt. Medaljonet nuk janë stampa e kualitetit e s’do të jenë kurrë. Kjo nuk është çështja jonë shqiptare brenda kësaj teme, por tjetërçka. Prandaj tematizimi i tregimit «Prometheu».
II.
Tregimi mu kujtua dje saherë që merrja iphonin në duar dhe vizitoja «odat e muret» virtuale të festuesve të Bob Dylanit. Pothuaj shumica e tyre shprehej me sugjerimin: fitoi gjenerata jonë e «Sex & Drugs & Rock & Roll«. Parasysh më dilnin mesazheshkruesit jo duke ruajtur lopët apo duke kaluar kohën koka-fshehtë rrugicave plotë baltë e gropa të Prishtinës, Gostivarit dhe Qytetit të Studentit (edhe sot janë ashtu) por si hipster-ë të viteve të 50-a, të cilët me shishe whisky ndërsjetull, femra gjokszbuluar dhe ndonjë broshurë të çegevarës në duar vërdallen lartë poshtë metropoleve amerikane, ashtu rokenrollshëm e plotë revoltë ndaj epokave konservative.
Mos na thoni se dikush atëherë ra në burg me akuzën për dekadencë properëndimore në Prishtinë, Tiranë e Prizren? Mos na thoni se Bob Dylani ishte arsyeja se pse shumica nuk i bënit gjëzhurmë robërisë , diktaturave dhe presionit serb, ngase ja i besonit atij kur ulërinte: «If God’s on our side / He’ll stop the next war». Brenda histerisë bobdylaneske i kuptova më së miri religjiopatet e disa medieve me mendësi të grilosur katakombeve të mesjetës e që natyrisht kur dëgjojnë psalmet biblike të Dylanit i përkthejnë sikur të ishin të Quran-it. Abrahami dhe Ibrahimi një janë. Ndërsa Kadare është tjetër: i urryeri i tyre që ua prish aurën e sulltanëve të tyre. Dhe o sa mirë që s’është kosovar, por…
Në thelb kjo nuk është pamje e keqe, ky parafytyrim sikur bijtë e ish funksionarëve të Titos dhe Enverit të popullonin katedrat me mandolina, kitara dhe lyra për të vrarë kohën e keqe. Mirë është poaq që shqiptarët më në fund mbërritën në vitet e 60-ta. Mendoj me mendësi. Jo, pamja ma irritoi ditën dhe datën, por snobizmi, mashtrimi dhe konstatimi: çka i katandisi shqiptarët e sotëm që represionin ekstern ta zëvendësojnë me depresionin intern, pse nuk munden të in – formohen, por vetëm të de-formohen, folur me teorinë më të re të Hanit? Pse nuk dinë të festojnë pa u tallur me atë që s’kanë as radakë e as takat për tu tallur? Për tu dukur më dylanistë se vetë bobi? Forma e reagimit na dëshmoi cullake se e kanë konsumuar vetëm nën ndikimin e alkoolit ose vetëm sa për të bërë poza moderne, prandaj as me një shenjë nuk manifestuan të dinë se lirika e tij është kolazh sekuencash të simbolistëve si Woody Guthrie (i cili në kitarë mbante të shkruar fjalinë: «Kjo makinë vret fashistë») Rimbaud dhe Baudelaire e më së tepërmi shkoq Biblën? Emrin me siguri ia dini Bobit, atë zyrtarin: Robert Allen Zimmerman – Bobi është hebre gjermano-ukrainaso- amerikan i evangjelizuar pas një krize të rëndë dhe njeri që i përkushtohet paqes që del nga „Predikimi në Mal“ i Dhiatës së Re – vetë-deklaruar! Kjo si info për islamiket turbo antikadareane që e lidhnin me antisilamizmin e tij.
III.
Shpërthimi aty ku nuk ishte gjeoracist ishte prokuroresk: Ka anatemuar shkrimtarët tjerë. Eseu im i vitit 1994 me titullin «Anathema» ka për motiv dhe personazh Ismail Kadarenë. Aty e mallkoj, duke besuar se vërtetë ka qenë pengesa e gjenive tjerë. Një vit më vonë, me një ese tjetër «Lufta e injorancës me intelektin» (1995) nuk e rehabilitoi atë, se nuk gjeta fakte konkrete edhe pas një hulumtimi të gjatë, por veten. Egoizëm pra. Përkundrazi me shfaqjen e Kasëm Tërbeshinës (Mekami = shqiptarët janë racë turkmene e ardhur nga Afganistani i sotëm i Adem Salihajt) dhe Resul Kapllanit (gjithë shqiptarët dhe letërsia e tyre janë me origjinë sllavo-malazeze) në vete e mallkova Kadarenë pse nuk ka qenë ashtu siç e akuzojnë. Jo pse këta dy dhe gjithë lubonjat, kaleshët e tyre janë antishqiptar e unë nacionalistë; porse ata gënjejnë, shpërfillin faktet, nuk janë objektiv, gënjejnë jo kundër ndonjë nacionalizmi por në favor të nacionalshovenizmit më të egër ballkanik, që edhe sot e kësaj dite zien e gatuan tmerre të reja.
Në tregimin Prometheu, në fund të tij Ismail Kadare shkruan kështu: «Kjo është krusma ime e tretë, ajo më e egra, që nuk ma di njeri. Ndaj është më vrastare se dy të parat, se e vuaj në heshtje, në kohën që të tjerët më dinë të lumtur. Ky është flijimi im i vërtetë. Ferri im në jetë të jetëve. Dhe pikërisht tani, kur fama ime ka nisur të zbehet, unë jam më Promethe se kurrë.» (Tiranë 1969 – reviduar në mars 1990). Ky paragraf është fundi i një rrëfimi ku Kadare përshkruan reagimin e masave të caktuara dhe zgjedhën e tij ndërmjet një titani të internuar dhe tjetrit botëbërës. Dhe ai është i dyti. Tjerët vazhdojnë brenda librit mental me tregimin e radhës; «Ëndrrën mashtruese». Ata besojnë se mund të tallen me të. Se triumfuan nëpërmjet Dylanit mbi të. Mbi kë? Që besojnë se me një këngëtar të mrekullueshëm si Bob Dylan do ta vdesin përfundimisht atë – të gjallë. Po pse? Në fakt ata, tallësit, religjiopatet besojnë se nëpërmjet ndonjë virtualiteti karcinomatik, duke qenë dimensioni i tij më virali do ta vrasin Letërsinë e Madhe me këngët e tipit: «Corrina, Corrina…I’m a-thinkin› about you, baby…I just can’t keep from crying». Uhuuu baby ika t’i pi do whisky!
Lexojeni tregimin e përfolur të Kadaresë se nuk është i gjatë dhe nuk kërkon gjithaq kapital intelektual! Po. Arroganca s’dinë të lexoj ndryshe e më thellë.