Kosova – shteti pa krye

KOMENT / Në esencë janë dhe veprojnë njëjtë – pozita dhe opozita. Ato sillen me të njëjtën mendësi ndaj shtetit ligjor, demokracisë, lirisë, politikës. Thyejnë ligjet në mënyrë industriale aty ku u jepet rasti. Të dyja nuk janë zgjidhje për Kosovën. Paradoksalisht mirëpo vetëm ato mund ta shpëtojnë vendin nga ndonjë katrahurë e radhës. Kush mund t’i kap për veshi e t’i ulë bashkë? Shoqëria civile si duket jo!

Opozita refuzoi dialogun. Disa interpretues të situatës politike saora dolën me udhëzimin e vjetër e formultimatumi: zgjedhje të reja! Pse? Për arsye se ftesa qenka me bisht (?!) dhe arsyetime tjera qesharake. Joserioze ngase „Marrëveshjet“ si baza e konfliktit ose janë në Gjykatën Kushtetuese ose janë adresuar mbi tavolinat e grupeve të ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë.

Çka nëse Gjykata e shpall të ritrajtueshme në Bruksel dokumentin pasi si i tillë shkelka ca parime ta zëmë të Kushtetutës? Kjo mund të ndodhë fare lehtë. Çka nëse Marrëveshja për Demarkacionin mbetet edhe gjatë në duar të ekspertëve? Do të thotë opozita atëherë sërish jo, ngase në thelb qenka kundër dialogut me Serbinë e „marrëveshjet“ janë përdorur vetëm si semantikë manifestimi e mobilizimi? Këtë strategji e kanë ushtruar mirë edhe në kushtet e politikës së brendshme: parimisht kundër dialogut shprehen edhe me instancat e shtetit të vetë e lere më me të jashtmit.

Dhe ja ta zëmë se qeveria dhe presidentja gjunjëzohen dhe caktojnë datën e zgjedhjeve. Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Çka nëse PDK del edhe më e fortë saqë do të mundet me një parti fare minore e sado destruktive ta bëjë qeverinë? Opozita nuk ka karta alternative: s’ka strategji konkrete; liderët i ka më shumë gjyqeve se sa në shtëpi ose perceptohen nga çdo i dyti kosovar të kenë punë me krimin e organizuar. I treti nuk përfill as ligj as integritet shëndetësor të tjetrit. VV-ja qysh në zgjedhjet e fundit absorboj çdo element të mundshëm proteste. Tash nuk ec më, pavarësisht auto-sondazheve siç i bënte dikur Hashim Thaçi për vete. Përkundrazi plotë aktivistë të VV-së tashmë kaluan pubertetin ideologjik dhe janë distancuar nga ajo – segmente të rëndësishme të saj.

Çka nëse zvarriten masat edhe një vit e më shumë për të ardhur aty ose edhe më poshtë se ku janë tani -në pashtegësi, me institucione gjysmë të bllokuara dhe pa asnjë problem të zgjidhur? Kush do ta bartë këtë përgjegjësi?

Në fakt opozita ka njëqind mijë tjera arsye të protestojë nateditë: vendet e premtuara të punës dolën mashtrim; shteti nuk ka asnjë strategji të veten konkrete se si duhet të sillet kundër dukurive kërcënuese si terrorizmi e të ngjashme; nepotizmi vazhdon në formën më të egër të tij; diplomacia (si organizim dhe strukturë) vazhdon të jetë jofunksionale (me përjashtime minimale); shkelet çdo procedurë e funksionalitetit të ekzekutivit dhe legjislativit duke u vërdallë botës e bërë nënshkrime pa përfillur askënd – ndërsa korrupsionin e kishim lënë për pak më vonë sepse nuk akuzohet dikush për korrupsion nga banka e të akuzuarit qoftë për të njëjtat e qoftë për shkelje tjera!

Nga kjo krizë nuk dilet me zgjedhje. Edhe pas zgjedhjeve do të jetë i nevojshëm dialogu, pavarësisht kush e ka shumicën. Të shpresojmë se opozita e ardhshme nuk bëhet si kjo e tashmja dhe ia nis me gaz lotsjellës, shishe, vezë e elemente tjera të dhunës dhe konfrontimit kundër çdo lloj forme të dialogut? Të lutemi që të mos jetë si kjo që shkelësit konkret të ligjit i konsideron patriotë të kauzave dhe të burgosur politikë. Si bëhet ligji sipas tyre? Duke u nisur nga statusi social i ligje-thyesit apo duke u nisur nga barazia e të gjithëve para ligjit? Kur ia fut dikujt spray-n apo bombën syve nuk përbën shkelje ligji? Si do të ishte nëse një qytetar t’ia lëshonte disa bomba gazi ndonjërës parti të opozitës në seli me arsyetimin se beson thellë që partia X apo Y të jetë tradhtare? Do të shpallej patriot, martir apo do të duhej ta kërkoj policia? Kjo mendësi karshi ligjit madje është indikatori bazik se pse askush racional nuk duhet të besojë se kjo opozitë ka kuptuar demokracinë, lirinë dhe shtetin ligjor. Përkundrazi eksponentët e saj u përngjajnë atyre banditëve socialë të Erick Hobsbawm-it në versionin më të egër të tyre. Në esencë nuk dallojnë aspak, përkundrazi dalin edhe më të rrezikshëm se ata në pushtet që e përdhunojnë ndryshe – pa gaz por duke lejuar krim e nepotizëm deri në zyrën më pak të rëndësishme të shtetit. 

Është paradoks por pa alternativë:  vetëm këta të këqij bashkë – si opozitë ashtu edhe pozitë – mund ta shpëtojnë vendin nga ndonjë katrahurë e radhës. Dhe të huajt duhet t’i japin zor edhe njëherë duke i trusë bashkë në tavolinë – ende nuk kanë mbërritur stadin për të kuptuar rëndësinë e dialogut në politikë!

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...