«Na mbytën portalet shqiptare me femra cullak», ulërijnë puritanët dhe i luten Zotit të tyre që mediat mos vendosin ndryshe!
Të gjithë i shikojmë, klikojmë, sodisim dhe pastaj i shajmë për pamoral: ato dhe mediat që i publikojnë. Cullaket e bukura, seksi, eksituese, ato që na zgurdullojnë sytë deri tek veshët, vënë në aksion epshet tona dhe si duket na tundojnë aq saqë pastaj i bëjmë temë diskursi. Puritanët janë më të zëshmit, ata të cilët – po u besuam psikanalitikëve – janë ndoshta frekuentuesit më besnik këndeve eroseksuale mediave shqipe.
Që nga shfaqja e tyre, përafërsisht më shumë se një dekadë pas rënies së monizmit politik, kritika më e shpeshtë që e dëgjon dhe lexon ndaj mediave, veçanërisht portaleve shqipe është ajo mbi pervertimin e tyre në aspektin moral dhe atë pikërisht për shkak të rubrikave të pagëzuara si; showbiz, showtime, lifestyle e të ngjashme, brenda të cilave redaksitë kanë ndarë vendin më dominant për femrat si Kardashian, Kallash, Shkëndije Mujaj dhe gjithë ato të botës që pranojnë të fotografohen zhveshur, me gjoksin, prapanicën jashtë, në bikini ose për të atilla që postojnë ndonjë selfie duke e bërë atë punë dhe çmendin e kënaqin totalisht miliona tifozë nga Alaska e deri në Bajnicë të Gostivarit.
Tash pyetja kapitale: Kush i ka fajet për këtë «(a)kulturë skandalizuese morale»? Ajo që bëri selfie nga shtrati në tërmet apo miliona recipientët që së paku për disa çaste e ndiejnë veten në kulmin e kënaqësisë, pa u interesuar se ç’bëjnë pastaj? Askush! Asnjëra palë nuk i ka fajet, ngase kështu është njeriu i programuar si qenie. Pse?
ASPEKTI HISTORIK
Kush e bind dhe si Enkidu-në gjysmanimal të zbres në Uruk tek Gilgameshi? Šamḫat-i ajo zonja me gjimnastikën aq të pasur seksuale që një javë e «terrorizon» luadheve të gjorin deri sa e bind të përballet me qytetërimin, të zbres poshtë, ngase i realizuar (seksi si portë drejt qytetërimit). Në Antikë e deri me rënien e Romës banjat publike ishin domicilet më prestigjioze ku skenat seksuale ishin të rëndomta dhe më të respektuarit ndër senatorët, filozofët ishin ata që pranë vetes kishin edhe ndonjë bukurosh. Epikurianët, pitagoreanët dhe shumë klube tjera antike na mësojnë për episode aq të hapura të shoqërive ndaj seksit, erotikës, duke e trajtuar atë si një aspekt të bionatyrshëm, të domosdoshëm të specieve, frymorëve. Ardhja predikuesve të religjioneve abrahamite në skenë (në veçanti) e ndryshon këtë qasje radikalisht. Mesjeta në këtë drejtim është e tmerrshme. Në skenë shfaqen eunukët, gratë klitorisprerë dhe predikuesit e ashpër që seksin e agjitojnë si vepër demonësh. Gjitha këto morale mirëpo nuk dëshmojnë për reduktimin e veprimit seksual të njerëzisë, përkundrazi ai shumohet, mirëpo i kriminalizuar, egërsuar, primitiv, sidomos ndaj grave dhe të pafuqishmëve. Saherë që të shëtisim Biblës ndeshemi me Davidët që ua marrin gratë tjerëve me zor e me dhunë dhe skena tjera brutaloseksuale. Sa herë të shëtisim botës gjeografikisht aq të kufizuar të Kuranit na parafytyrohet Muhamedi që vërdallet me një divizion grash gjysmë – të – zhveshura (poashtu disa të marra me dhunë nga tjerët) rrugëve. (Në këtë e sipër duhet të na kujtohet edhe vërejtja e një miku të tij që i thotë t’i mbulojë pak gratë se eksitohen meshkujt, prej ku edhe ideja e normës rreth mbulimit). Përtej synimit të kastrimit të së drejtës seksuale në emër të librave të «shenjtë», mirëpo në to direkt kemi aq lojëra të bukura seksuale saqë edhe erotikëve më me imagjinatë të së sotmes u merren mendtë. Kjo dëshmon se duhet ta ndajmë botën reale të Biblës dhe Kuranit nga interpretimet e tyre nga kohë në kohë.
Në komunizëm veprimi seksual u shndërrua në detyrë partie. Aty ku nuk ishte i tillë zhvillohej ashtu siç ishte trashëguar nga patriarkalizmi primitiv ose religjionet.
RACIONALIZIMI I SEKSUALITETIT
Pas Woodstock-ut në vendet e industrializuara nis revolucioni i njëmendtë i emancipimit seksual. Historianët që kanë shfletuar shtypin e viteve të 60-ta, 70-ta e dinë se si është dukur histeria e religjioneve, puritanëve dhe konservatorëve. As qe mund të krahasohet me reagimet paktymqitëse të shqiptarëve tolerantë dhe juglindorëve tjerë të kontinentit. Gazetat si ajo gjermania BILD, ajo zvicerania BLICK e të sojit kërcënohen me gjithçka, për shkak të fotografive tyre nudo. Në fund të viteve ë 80-ta u shua histeria dhe fotografitë me gjoksin jashtë të yjeve hollywood-iane i shihje të ngjitura vetëm traktorëve, buldozerëve e vinçave nga ndërtimtarët e huaj. Çka ndodhi? E braktisën mediat përfitimin nga seksi? Jo. U racionalizua perceptimi i shoqërisë në relacion me seksin. Mediat u ndanë në «bulevardeske» dhe në «serioze», të citueshme dhe të pa ndikim. Ato që trajtojnë seksin vazhdojnë edhe sot të kenë më shumë lexues, mirëpo ky është aspekti gati anësor i temës. Ajo që bëri epokë – sado paradoksale të duket – ishte revolucioni emancipues: nëpërmjet madje edhe banalizimit të seksualitetit si mall për treg njeriu postmodern edukoi veten me magjinë estetike të polit tjetër gjinor. Gruaja, ai «objekt i mistershëm», i mbuluar që pret pushtimin e egër, brutal të mashkullit paraeksplodues, atij që gjithë fiksimin e ka përqendruar tek verifikimi i virgjërisë nëpërmjet «atij sendit» transformohet në subjekt kompleks estetik që ka nevojë për soditje, përjetim, dashurim, njohje, domethënë «objekti i mistershëm« shndërrohet në një subjekt të barabartë i cili mund të «përvetësohet» vetëm nëpërmjet kritereve të nevojshme optike estetike dhe komunikimit si urë përafrimi fryme e shpirtrash. Në këtë revolucion u çlirua erotikja, u dekriminalizua seksualiteti nga demonizimi dhe eksploatimi i tij brutal që e trashëgoi humaniteti nga mesjeta.
SEKS ME TIRQE
Në kushtet shqiptare: revolucioni ndodhë në një hapësirë dhe kohë tjetër. Pasi nuk është i programuar (nuk ekziston ndonjë konferencë e kryeredaktorëve për ta seksualizuar shoqërinë) procesi del i natyrshëm. I vonuar por i domosdoshëm. Duket të jetë rrotë historike që nuk ndalet as nga puritanët më të çmendur, siç janë sot fetarët, sidomos ata që nuk e kanë lexuar si duket asnjëherë as Biblën e as Kuranin e lere më Gilgameshin apo historinë kulturologjike të njerëzimit.
Portalet shqiptare janë në funksion të një detyrë të domosdoshme historike. Është herët të kërkosh prej tyre të ndajnë «rubrikat në serioze dhe joserioze» ngase masat ende nuk janë të racionalizuara në atë shkallë saqë t’i shtysh ta lexojnë lajmin serioz pa i ngacmuar me prapanicën e Kardashianit apo gjoksin ende legjendar të Samantha Fox-it. Procesi i emancipimit sapo ka nisur dhe ai nuk ka pse mos të përfundojë si gjithandej: duke u edukuar shqiptarin me vlerat estetike të njeriut që ai, tjetri qoftë mashkull a femër, të mos kalkulohet si objekt seksual apo mjet për vetërealizim por si bashkëqenie komplekse me bukurinë, shëmtinë, frymën dhe botën e barabartë të tij e të saj.
Parasëgjithash: seksi është i shëndetshëm!
Ta mbyllim këtë muhabet e të vazhdojmë të na vijë lezet?
Mediat në Kosovë e dinë çka bëjnë dhe bëjnë mirë kështu!