Kolonia e kaotëve në burgun e Bentham-it

Si e sheh botën, jetën, politikën, shoqërinë kolonia e kaotëve në burgun e Bentham-it? Pse Qeveritë shqiptare nuk kanë luksin të mbeten kaq arrogante sa janë? Dialogu, në një vend ku kategoritë kryesore politikbërëse janë arroganca, kaotët pushtetomaniak dhe gjarpërinjtë që mezi presin helmimin e sistemit, është i pamundshëm. Si t’i iket kësaj krize – tash, sot!

KAOTËT – Në Kosovë nuk ka kaos; as politik e as të ndonjë natyre tjetër. Aty ka kaotë që ndihen të robëruar në njërin nga pavijonet e panoptikumit, atij burgut të Jeremy Bentham-it, të cilin e kontrolluakan ca politomafiozë fytyregër nga kabinat e tyre nënkulmore. Jeta aty qenka si në spital (=shoqëria), klinikë me të sëmurë mentalë që «kontrollohen, mbikëqyren dhe disiplinohen nëpërmjet dënimit» (Faucault:1975). Një pavend, Distopi, ku kalendari rri vetëm në një vit, më «1984», një «koloni të dënuarish» (Kafka) që duket «si fermë kafshësh» (Orwell) pasi nuk dalluaka zotat nga rojtarët e Hadit dhe votuaka vazhdimisht pushtetomaniakët, një shoqëri që nga padija dhe paaftësia për të bërë «Brave New World»-in (Aldous Huxley: 1932) me lule, dasmë dhe tamtame «pret ardhjen e barbarëve» (Cotezee) të radhës.

Kjo miksturë paradigmash e distopishë fiktive, si kuazikoncept për ta përshkruar jetën, botën, shoqëritë, vjen nga kafenetë erëshurre buzë Seine-s së Parisit, është gjellë e katedrave të atyre filozofëve neomarksistë që ende besojnë lufta e klasave të jetë «motori i historisë», atyre që vazhdojnë betejën e tyre qesharake me «ligjet e tregut» të Adam Smith-it edhe pse as neoliberalizmi vetë nuk e di më ku e ka adresën. Bota sot nuk përshkruhet më si në vitet e 60-70-ta (edhe atëherë e huqur fare) dhe si kurrë më parë receta weberiane e shpjegimit të botës në mënyrë multikauzale ka rezultuar e domosdoshme. Mirëpo për ta shpjeguar botën në këtë formë weberiane duhet njohja dhe respekti i të gjitha koncepteve dhe paradigmave të mundshme sado fragmentare të jenë ato. E kjo kërkon punë. Parasëgjithash kërkon elita, të cilat nuk kanë veshur mantelin e psikiatërve me misionin për t’i shëruar masat – shoqërinë, politikën, demokracinë. Reflektimi nga ky psikostad i problemeve sociale, politike (me ekonominë s’duan të puqen), kulturore nuk lejon, nuk toleron në asnjë episod (ose po kur iu afrohen hundët afër pushtetit eventual) veprimin e grupit apo individit si «zoon politikon», apo si qenie që «punon, krijon dhe vepron» (ponos, poiesis und prāxis) në favor të mirëqenies së shoqërisë, shtetit, vendit. Partive e individëve që gjykojnë e veprojnë nga ky automat i ndryshkur i çshpjegimit të botës askush nuk iu beson, s’ka mundësi racionale t’iu besojë se veprojnë politikisht në favor të ndonjë «Republike të përkryer». Psikogjendja e tillë përkundrazi është motor që ndan botën në bardh e zi: në të mirë dhe të këqij, në ata dhe ne, në ata që duhet shporrur për t’ua zënë vendin – pra është luftë puro darviniste për pushtet. (Vetëm kjo diagnozë e shpjegon metamorfozën aq të hëpërhëshme emancipatore të partive të ndryshme për të bashkëpunuar kokëmëkokë me armiqtë e tyre të mëparshëm e të mëvonshëm). Asnjëra parti politike në Kosovë – e më pak opozita – nuk bën politikë në favor të shoqërisë, secila gjendjet në modusin luftarak të asgjësimit të tjetrit për interesa të çfarëdollojshme por jo për mirëqenien, progresin, avancimin e vendit.

PRIMATËT – Është në natyrën e çdo pushteti të sillet me arrogancë. Qeveritë shqiptare mirëpo – në një garë të mundshme – shquhen për arrogancën më afektive dhe primitive të mundshme. Gjithë ata që kanë analizuar situatën nga brenda e jashtë që nga zgjedhjet e deri sot të kenë vërejtur se pushteti nuk është arrogant vetëm ndaj atyre që ia kërkojnë kokën në gijotinë, por edhe ndaj masave, mediave, temave e problemeve shoqërore akute. Vezët, gotat, fekalofjalori, policia në kuvend parasëgjithash duhet të trajtohen si zhvillime pse të mundshme e jo vetëm si akte të finalizuara nga ata të poanoptizmit foucaultian apo postpanoptikumit (hierarkia në rrugë) baumanian ose po deshtët nga ata të sojit të paranojakëve më të ri të panspectron-it të Branden Hookway-t. Guximi i kaotëve dhe pushtetomaniakëve apolitikë u morr pas lënies-në-terr të opinionit, masave për marrëveshjet sensible në Bruksel. Sjellja e primatëve pushtetorë shqiptarë nuk dallon as pas 30 viteve fare nga ajo e burokratëve stalinistë që po merrnin vesh të interesohesh se ku e kanë blerë pardesynë të rrasnin me dekada në burg. Qeveria kosovare u desh, para se të defilojë korridoreve globale politike, të flas me opozitën, me elitat, me shoqërinë civile, me mediat, ajo u deshtë të komunikojë me ata që i përfaqëson qoftë edhe dështueshëm. Ajo edhe sot kur shfaqet ekraneve televizive është e pakulturë, arrogante, linçuese, mendjemadhe, pa fije tolerance dhe e painteresuar për dialog – ngase e fundit nuk nxitet duke hapur fabrika të reja spiunesh e tradhtarësh.

GJARPËRINJTË – Kategoria e tretë, ajo që në shoqëritë normale ndërmjetëson në raste të krizave të llojit si në Kosovë, është e ashtuquajtura «shoqëri civile». Bëhet fjalë për institute, individë e grupe që deri më tani janë shquar vetëm për aderime masive nëpër parti të pushtetit e të opozitës, shtresë pra që poashtu ka dëshmuar se është pushtetomaniake, utililtariste (në kontekstin e egër të fjalës) e jo politike, idealiste, profesionale. Në kohë të krizës së re parlamentare sillet konform curriculumit: propozon zgjedhje, i bëhet krah kësaj apo asaj partie, pa analizën edhe më formale propozon zgjedhje, rrënim pushteti, forcim pushteti, ndonjë strategji dialogu rastësisht? Jo. Jo ngase largohet edhe për disa kilometra, vite ëndrra e aderimit, subvencioneve, komoditetit. Përderisa dy kategoritë e para që për pushtet ofrojnë formulën akoekzistencale «homo homini lupus» – jo sipas De Cive-s së Thomas Hobbes-it, por më shumë si në atë komedinë e Plautus «Asinaria« (Gomarllëqet) – këta të shoqërisë civile presin t’i hajë ujku mundësisht të gjithë për tu shfaqur me supra-alternativën politike që do ta shpëtonte kombin.

REALITETI SOT – Është trishtuese të pranojmë se Kosova dominohet nga këto tri kategori, mirëpo ky është realiteti, shikoje nga të duash: nga jashtë, nga brenda, nga lartë, nga poshtë, të njëjtit të shfaqen gjithandej si vampirë që lypin gjak ose me arrogancën dhe intolerancën e tyre vampirëzojnë edhe më të urtin e vendit. Asnjëra nga këto kategori nuk del e interesuar të bëjë politikë, të kuptojë dhe respektojë demosin dhe kratosin e tij, as institucionet – ende stabile dhe jo mëkeqas se në vendet tjera të rajonit – janë të paafta për respekt sepse besojnë masat, shoqëria, kultura, mentaliteti, opozita, opozita të jenë pacientë, të sëmurë, spiuj, rosofilë, serbofilë, tradhtarë – nga kjo buron edhe fakti se pse aq rrallë e gjen ndonjë kosovar, shqiptar që nuk  e mallkon vendin, popullin, shtetin e tij. Do të vazhdojnë kështu? Të shpresojmë, jo, të lutemi që njëra nga këto kategori ndryshon kursin në favor të paqes, lirisë dhe interesave të qytetarëve. Me kaq potencial njerëzor e intelektual duhet të disponojë Kosova saqë të shpëtojë nga vetvetja!

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...