Skuadrat efektive të BE-së

Shumë kohë më parë Vuçiç paska telefonuar gjithandej se mund të ndodhë një dramë gjatë lojës Shqipëri – Serbi? Nga e dinte Beogradi këtë punë? Kush brenda instancave të BE-së vendosi të dalë me qëndrim për eksesin? Emrat, personat? Çka bën BE kundër racizmit të shprehur nga primatët serbë kundër shqiptarëve? Shumë pyetje që presin përgjigje, pa to synimi i shqiptarëve për BE del i parashantazhuar nga vetë Brukseli!

Ivan Bogdanov është i sëmurë. Ai nuk vuan nga diabeti por nga fryma, mendësia tradicionale e një shoqërie, shteti që urrejtjen ndaj tjetrit e ka kishave, shkollave, qyteteve, gjithandej varur në murr. Millosheviçi, Bogdanovi, Nikoliçi, Shesheli dhe Vuçiçi janë fëmijë të asaj historie që lirinë e ligjëron të jetë kob e luftën Zot. Përmbajtja e atyre ulërimave në stadium a nuk ishin gjuha, programet, memorandumet e të parëve të tyre sot e mbi 100 vjet?  Po. Përndezja serbe e radhës nuk ishte e re. As për Evropën e më hiç për shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe pakicat tjera tashmë të mbytura. Ajo që nisi që në dogana e stacione policish u përqendrua për një moment brenda një stadiumi, një vendi që tërë kohën i përngjau  ndonjë subsfere ferri ku do të jenë të kafazuara shpirtrat e lugetërve më të egër të epokave. Viktimat e djeshme qysh gjatë sekondave të para të ndeshjes do ta kenë recituar Danten: «Non vi si pensa quanto sangua costa», duke i parafytyruar ballinat e gazetave që dolën të nesërmen, djegien e shitoreve shqiptare, xhamive, kërcënimet e primatëve të shtetit, kishës dhe çdo segmenti që përbën e përfaqëson qenien serbe. Ballkanasit e dinë se tërbimi serb saherë që zgjohet është reaktor për fusha urrejtjeje, gjaku dhe krizash. Ndaj kësaj përherë kanë reaguar me mobilizim, kontrahasmëri dhe luftë. Kësaj radhe ata, sidomos shqiptarët që janë konsideruar «me bisht e të pagdhendur» reaguan të zgjuar, me pjekuri. Jo nga frika, por nga keqardhja, nga trishtimi, nga brengosja se me serbët kështu siç kanë mbetur edhe ata gjatë do presin Evropë me liri në harmoni. Po Evropa, ç’bën ajo?

Tash merret vesh se Vuçiç qe disa ditë para ndeshjes nuk kishte lënë diplomat të BE-së dhe shteteve të perëndimit pa u telefonuar për t’i paralajmëruar për një provokim shqiptar që do të bëhet e që do të jetë dramatik. Nëse loja e Beogradit nuk ndezi në veshët e qeveritarëve të regjur gjermanë, zviceranë, amerikanë ajo preku në tel së paku shtresën e dytë, por vitale të Unionit; atë pjesë të burokracisë së BE-së që përbëhet nga zyrtarë e të deleguar nga shtetet si Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Sllovakia, të cilët në mënyrë pro-aktive i nisën «newsletter»-at qeverive e agjencive me storien e kamufluar sipas regjisë së (ose kishte planifikuar) Beogradit. Koçijançiç ishte më e zëshmja e këtij divizioni. Pikërisht ajo që duhej ta qepte e para për shkak të moskompetencës dhe dialogut, mirëpo ajo nuk do të sanksionohet sepse paska marrë leje me kohë nga britanikja në flirt me Daçiçin, zonja Ashton.

Thuhet se ky do të jetë një leksion i mirë për BE-në që të rimendojë çelësin e shpërndarjes së komisioneve, kështu duke evituar që një albanofobe rumune të mos jetë shefe e komisionit për Shqipërinë e që nxit e shpif vazhdimisht, që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën mos të jenë në poste kyçe për fatet e së njëjtës. Spekulime. Llafe. Këtë e thonë saherë kur ka ndonjë krizë të tillë, mirëpo asgjë nuk ndodh. Edhe po të ndodhte do të ishte e kotë; sepse e gjithë politika e zgjerimit të BE-së në Ballkan del joefektive, sepse e pasinqertë, e pavendosur dhe jo konform vetë ligjeve dhe synimeve të saja.

Specialistët perëndimit (NZZ, Speigel, Süddeutsche etj.) janë të sigurt: zgjerimi do të përfundojë i pasuksesshëm sepse BE nuk morri qëndrim të qartë ndaj etnocideve të Serbisë karshi popujve tjerë; nuk i detyroi serbët që të kërkojnë parimisht falje; nuk ka bërë – në vendet viktima madje me shumë – hiçgjë që Serbia të punojë ne metanojën e saj; në shuarjen e racizmit; miteve kriminele; historisë kundër Tjetrit; të mos fus zjarr duke deklaruar hyrjen në Evropë e duke e kërcënuar atë për çdo ditë duke u sjellë si satelite e paranojave të Moskës. Se shumica e këtyre kanë të drejtë u pa jo në reagimin e lojtarëve dhe tifozëve ndaj dronit me flamur shqiptar por më shumë në ballinat raciste të mediave dhe brenda gojës së parisë së Beogradit.

Histeria serbe nuk nisi në stadium. Aty shpërtheu manifestueshëm. Diplomatët perëndimorë që nga roli i Ramës në Berlin i janë nënshtruar një depresioni paranojak serb që për çdo ditë poston letra apokaliptike me hartën e «Shqipërisë së Madhe». Asistueshëm nga rumunët, grekët, sllovakët ajo mendon se gjendet në ndonjë betejë që mund ta fitonte. Gjasa të mëdha edhe do të kishte, poqëse shqiptarët edhe kësaj radhe do të hanin provokimin e tyre duke bërtitur «vdekje serbëve, duke sulmuar kishat e tyre në Kosovës, duke bërë ballinat si ato të Beogradit, mirëpo fatmirësisht jo. Përkundrazi; më shumë keqardhje se sa urrejtje për racistët e Beogradit dhe për Evropën që shitet aq lirë.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...