Politika në panoptikë

Shqiptarët nuk i kanë prek zhvillimet epokale si industrializimin, «Belle Époque»-n, konsumizmin e «epokës së artë» të Hobsbawm-it për shkak të qenies në kafaze të ndryshme ideologjike, tradicionale dhe eksterne (pushtimet) e të tjera.

1.

Utilitaristi dhe juristi Jeremy Bentham në skicën e tij arkitektonike «Panopticon» (panoptes = gjithçka në dukje) bën planin e një burgu formëarene, në rrathë, me një kullëvëzhgimi në mes. Ideja e filozofit anglez ishte që me sa më pak personel të kontrollohen qindra të burgosur dhe njëkohësisht të munden të mbikëqyren edhe gardianët për ta ushtruar detyrën në mënyrë më korrekte dhe të disiplinuar: Gjithçka dhe gjithkush pra nën kontroll! Bentham, përndryshe pionier i së drejtës së grave për votim dhe lirisë së shtypit anashkalon disa dimensione kapitale në skicën të tij: të drejtën e të dënuarit në interaksion (komunikimit me njerëz), në privatësi, dinjitet dhe çështjen se kush i koncepton rregullat e «Panopticon»-it, respektivisht kush është mandatari me pushtet për të kontrolluar të dënuarit dhe kontrolluesit. Shteti?

Vendasi i tij George Orwell me romanin e tij 1984 (1949) vë në vitrinë, në panoptikum pikërisht këtë, shtetin, për të demonstruar se çka donë të thotë kontrolli total i qytetarëve nga ana e tij. Filozofi francez Michel Foucault (Obersvo dhe dëno – Lindja e burgut: 1977) këtë sistem panoptiku e bartë si model përshkrimi të tendencës së kapitalizmit perëndimor (që nga shekulli 18 e këndej) që nëpërmjet kontrollit dhe disiplinimit të përkryej mekanizmat dhe teknikën e tij represive të kontrollimit të masave. Dhe ylli i ri i filozofisë gjermane (El Pais) Byung – Chul Han thotë të jemi qëmoti në një fazë të tillë foucaultiane kur çdokush, gjithkënd dhe çkadonë e kontrollon, vëzhgon dhe orienton. Këtë gjendje vetëzhveshjeje masive Han nuk e konsideron si Orwell pasojë e ndonjë regjimi totalitar, komunizmit apo diktaturave pushtetore apo shërbimeve sekrete, por më shumë rezultat i grupeve neoliberale globale (Psikopolitika, neoliberalizmi dhe teknikat e reja të sundimit: 2014), të cilat jo nëpërmjet instrumenteve fizike represionale skllavërojnë njeriun, por nëpërmjet ofertave për konsumim të domosdoshëm e bëjnë të varur, duke ia kushtëzuar komunikimin dhe realizimin individual që nga «Like buttoni» , iphon-i e deri tek sigurimi i ushqimit dhe partnerit. Kemi të bëjmë me teori histerike filozofësh apo vërtet qytetërimi ecë udhës së vetëskllavërimit?

Në cilin stad të këtij procesi gjendet shqiptari?

2.

Aktualisht është e pamundur të spekulosh mbi sjelljen kolektive të shoqërive shqiptare. Shqiptarët nuk i kanë prek zhvillimet epokale si industrializimin, «Belle Époque»-n, konsumizmin e «epokës së artë» të Hobsbawm-it për shkak të qenies në kafaze të ndryshme ideologjike, tradicionale dhe eksterne (pushtimet) e të tjera. Verifikimi i teorisë del i mundshëm vetëm në një segment; në atë të politikës! Respektivisht në sjelljen elitave të shoqërisë shqiptare që janë të deleguara të jenë përfaqësues të shtresave, profesioneve, lobeve, kulturës, ruralitetit, urbanitetit e të ngjashme kërkojmë paralelitetet ose diferencat . Le ta bëjmë për pak si odë eksperimenti, pra si «Panopticon»-in tonë «Parlamentin e Kosovës». Hapësira duket të jetë një agorë ku çdokush sheh gjithkë. Detyra e këtij forumi është ta kontrolloj qeverinë dhe grupet, konkurrencën. Dallimi formal ndërmjet panopticon-it dhe parlamentit qëndron diku tjetër: Fraksionet, grupet nuk duan të flasin me njëra tjetrën, jo sepse si në projektin bentham-ian është i ndaluar interaksioni dhe gardiani nga kullëvëzhgimi do ta gjuajë përvdekshëm deputetin llafazan, por se i fundit është i bindur, nuk ka vullnet është i armiqësuar me tjetrin aq thellë saqë ka humbur edhe vetinë më elementare të kulturës humane: të dialogojë me tjetrin! Madje edhe duke ushtruar një profesion të mandatuar për të komunikuar detyrimisht me synimin e mbrojtjes së interesave të atyre që përfaqëson. Deputeti kosovar as për nga zhvillimi individual, as për nga habitusi kolektivokulturor dhe historik nuk hynë dot në kategorinë e individit të skllavëruar nga procesi i teknikave sunduese kapitaliste, rrjedhimisht neoliberale dhe është në konfrontim pikërisht me argumentin qëndror të teorisë së Han-it mbi komunikimin e pakontrollueshëm (për shkak të cilit është i varur nga mjetet e tregut) sepse ai nuk komunikon fare dhe madje në fazën eskaluese të problemit zgjedh moskomunikimin si metodë koekzistence.

3.

Që kur filluan përhapjen e tyre televizorët e parë bardh-e-zi nuk pati pakë filozof që sajuan teoritë e tyre rreth manipulimit të masave nga ana e politikës nëpërmjet «kutisë së djallit». Tradita e këtij diskursi ka populluar biblioteka të tëra. Panopticon-i herë hapet herë mbyllet, herë intensifikohet e herë harrohet. E ç’ka na thotë kjo? Se jo teknikat janë problemi kryesor, por sjellja, kultura dhe niveli arsimor i shoqërive karshi lirisë. Gjersa perëndimorët vuajnë nga varësitë herë të narkotikëve, herë të aparateve e herë të banalizimit të jetës, lindorët vetëburgosen për shkak të pamundësisë për t’i mbërri tjerët në rrugëtimin e tyre drejt banalizimit apo pasurimit të pafré. Nëse filozofia, elitat, diskurset më shumë do të përqendroheshin të përgatisin masat se si të sillen me zbulimet më të reja e më pak të kultivonin teoritë fobike të tyre edhe deputetët e Kosovës do të ishin pak më të ngitur, më pak primitiv dhe nuk do ta ndienin veten në panoptikum.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...