Ciankalizimi i frymës

Pse aq lehtë u krijuan grupet radikale ndër shqiptarë? Ka kjo të bëjë me nivelin e ulët arsimor, me primitivitetin e përhapur apo se shqiptarët i përkojnë asaj kategorie të masave që lehtë kapen për modeleve të huaja kulturore dhe ideologjike sepse asnjëherë nuk kanë mësuar të merren me veten?

Si emigrim pra nga vetja kanë gjetur modelet e gatshme, konceptet kulturore e morale që bien vazhdimisht ndesh me natyrën e tyre? Një misionar austriak i viteve të 30-ta dhe Ortega y Gasett thonë se kështu veprojnë primitivët, ata që s’janë të aftë për të mësuar dhe që urrejnë shkollat. Sa qëndron kjo kur shqiptarët i bëjmë objekt eksperimenti?

1.

Misionari dhe etnologu austriak Paul Schebesta që hulumtoi në xhunglën tropike me besimin atje të jenë popujt më të vjetër të botës, në veprën e tij «Bambutët, xhuxhët e Kongo-s» (1932) shkruan: «Ata janë të paaftë në perqendrim. Ata janë aq thellë të mobilizuar nga ngjarjet e jashtme saqë e kanë të pamundur të ndjekin ligjërimin. Uljen në bankat shkollore e përjetojnë si tmerrin më të madh. Prandaj edhe detyra e mësuesit dhe misionarit me këta njerëz është e pamundur» (Cituar sipas José Ortega y Gasset në «El hombre y la gente»: 1957). Nëpërmjet këtij definimi Schebesta dhe Gassett mëtojnë të përshkruajnë stadin e kolektivit paraindividual, primitiv të njeriut, atë fazë kur njeriu nga mosnjohja e botës tëhuajësohet dhe jeton vetëm për të reaguar ndaj faktorëve të jashtëm.

Çka nuk shkon këtu?

Boshti i teorisë është gabim sepse Schebesta përjashton veten: a nuk është edhe ai një «faktor i jashtëm»? Nëse xhuxhët nuk janë të aftë të brendëzohen për shkak të orientimit të senzoriumit të tyre në favor të jashtësisë, atëherë pse nuk ndez interaksioni i Schabesta-s? Frustrimi i Shebestës pra është më shumë i një karakteri tjetër: xhuxhët janë rezistent ndaj ligjërimit të tij si misionar e jo natyrës, rrethit. Sipas tyre primitiviteti del të jetë ajo episodë humane ende jo e gatshme për perceptimin e programeve të shumta kulturore. Xhuxhët e Shebestas janë të paindoktrinueshëm. Mirë a keq? Ta provojmë një paralelizim me njeriun e këtij shekulli.

Në cilin stad gjenden shqiptarët kur kemi parasysh vijat e ngjashme të tyre me Bambutët?

Është e përbotshme se shqiptarët në përgjithësi nuk janë heronjtë e shkollës. Shqiptari historik deri tek ky i sotmi jo nga «primitiveti» si bambutët, por duket t’iu kenë rezistuar me shperqëndrim «ideologjive kulturalisht eksterne» për shkak të kauzës nacionale, kulturalisht interne të çlirimit fizik. Edhe atëherë, siç pamë pas rënies së monobotës së kuqe, kur janë treguar të intimizuar me këtë apo atë tufë ideshë ekspansioniste e kanë pasur për oportunizëm e jo si shpirtërim.

Kur fusim ekzaminueshëm teorinë e Shebesta-s dhe Gasset-i si metodë për të hulumtuar shqiptarët atëherë shohim se bambutët dhe shqiptarët jo nga primiviteti, por nga refleksi i mbrojtjes dhe me synimin për të mbetur brenda natyrës së vetë unikale kanë refuzuar modelet misionare. Ose kanë lejuar të influencohen vetëm nga ato ndikime që nuk kanë rënë ndesh me identitetin dhe formën e lirisë së tyre.

Për shkak të robërimit dhe kushteve të mbetjes pas dyerve të çdo zhvillimi shqiptari nuk njeh individualizmin. Gabimi fatal i komunizmit, që dërmoi në këtë drejtim edhe shqiptarët, ishte paftësia e tij që Njeriun e Ri ta ribëjë si Individ e jo siç e robotizoi në produkt të konstelacioneve kolektive, një për të gjithë e ansjelltas, pra pa i siguruar atij së pari lirinë njëshit për veten.

2.

Sot kemi një shqiptar që ka jetuar: a) Në fazën e tëhuajësimit brenda shablloneve të imponuara e kulturalisht të huaja sepse i ka kapur si metoda të çlirimit fizik; b) Kemi anëtarin e kolektivit që «vita activa»-n e tij e bazon në ato koncepte të lehta indoktrinuese që konsumohen më së lehti (fétë, ideologjitë, moda). Shqiptarëve iu mungon stacioni i mesit: ai i «vita conetmplativa»s (jo si aksion filozofik por personal, individual), ai korridor që e bën njeriun racional, që e mundëson individualitetin.

Institucionet e arsimimit, shteti, shoqëritë shqiptare pikërisht në këtë fazë dështuan. Ata dështuan ta kapin shqiptarin e dalur nga kazermat e ideologjive të ndryshme dhe ta ushtrojnë me racionalitetin: nuk arritën ta edukojnë atë që para se të përballet me konceptet e shumta tregut virtual e fizik që të hyjë brenda vetes. Ai bëhet shpejtë islamist i mirë, radikal i dhunshëm, shndërrohet saora në oksidental militant dhe intelektual neomarksist sepse gjitha këto janë oferta të gatshme, eksterne, skllavëruese që kërkojnë asketizëm për t’i pëlqyer Zotit, Perëndimit, konceptit të një rryme shoqërore, për të shkuar në parajsë e të ngjashme, por ato asnjëra nuk mund të jenë zgjidhja frymore, e aksionit, e individit në një situatë dhe kulturë krejt ndryshe nga ajo se ç’ e dëshironte Marksi, Adam Smith, apo siç e ligjërojnë profetët e para dy mijë viteve në një gjuhë krejt të largët. Vetëm homo rationalis-i është në gjendje që nga të gjitha këto të zgjedh të mirat për ta ndërtuar veten, për të qenë objektiv dhe t’i shfrytëzojë modelet e shumta për realizim të vetes, tjerët janë të instrumentalizueshëm, viktima të atyre që i kanë mësuar përmendsh shabllonet dhe i përdorin ato me synimin makiavelist që të krijojnë zona sundimi.

3.

Pindari në etikën e tij kondenzueshëm prodhon imperativin «Bënu ai që je». Paradoks? Jo. Një shembull konkret: Njëri që fal namazin për shembull parafytyron se si me një mercedes të tipit më të ri i kalon anash fqinjës dhe ajo i ngjitet në veturë dhe ia fusin për në Karibik. Sapo ia shpon veshët zëri i imamit trus kokën dhe bën «subhanallah» dhe lavdëron Zotin, pejgamberët, fukarenjtë etj. Ëndrra e mercedesit dhe fqinjës janë Ai, ndërsa recitimi i lutjeve lavdëruese për Zotin janë të religjionit. Të parat, të tijat e detyrojnë atë të punojë e të pasurohet që të mbërrijë deri tek vetura luksoze dhe fqinja e tij seksi, ndërsa religjioni i thotë se kjo botë s’ia vlen veç lutu e uluri që të mos përfundosh në ferr.

Pra nga ky shembull shohim se vegjetimi, ky ciankalizim i vetes nuk është rezultat, siç pandehet rregullisht i lapidares injorancë, primitivitet por efekt i dëshirueshëm i koncepteve apokaliptike fetaro-abrahamite, të cilat unisono njeriun e kanë shpallur që në genesisin e tij si qenie që vetëm e vdekur, përtejetës, në «parajsë» ia vlen të jetojë. Ideologji, të cilat mallkojnë jetën dhe finalen e mirësisë e nisin me aktin e vdekjes e jo me të të lindjes: njeriu si e keqja e kozmosit?

Dallimin ndërmjet këtyre dy botëve është në gjendje ta kuptojë vetëm reacionalisti, atë që kemi me shumicë në perëndim e gjen me mund në lindje. Tek shqiptarët poashtu rrallë. Këtyre shtegjeve duhet të ecin elitat dhe shkollat nëse duan shoqëri individësh të painstrumentalizueshëm. Ndryshe s’bën!

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...