Byung – Chan Han ka pjesërisht të drejtë. Në eseun e tij «Shoqëria e lodhur» filozofi koreano-gjerman thotë se që nga fundi i shekullit 20 e këtej humaniteti nuk lufton më me epidemitë, nuk ka frikë më nga neoimperatorë bestial dhe luftëra frontale me bajoneta dhe raketa, sepse ekzistencën e tij e sfidojnë pandemitë neuronale, agripale.
Jo infektimet bakteriale e virale shkallmojnë fizikun, frymën, harmoninë dhe stabilitetin social të njeriut pasmodern, por infarktet, të cilat eskalojnë si faturë e sindromeve dhe sëmundjeve si depresioni, hiperaktiviteti nga kompleksi i inferioritetit (ADHS), postraumat, «borderline» çrregullimet (BPS) apo «burnout» (BS) diagnozat e modës (Han. Berlin: 2010). Qenkan vërtet këto sindrome përcaktuesit e hartës patologjike të shekullit 21, siç pretendon Han? Sipas raporteve të ndryshme, sidomos zonave të pasura të globit, po. Teza qëndron. Megjithatë paskan lindur këto sëmundje veç pas emërimit të tyre? Disa edhe ndoshta. Historikisht mirëpo kemi të bëjmë me aspektin e priorizimit, sfidën e radhës së planetarëve: në kushte lufte kundër të tjerëve ose vetë natyrës, autodiagnoza është irrelevante sepse kauzë bëhet qenia apo mosqenia e jo me siqeniae njeriut.Nga çastet kur rreziku nga faktorët e jashtëm bëhet jo akut, kulturat, popujt, shoqëritë nisin luftën me frikat e shtëpisë.
Kjo fazë dukshëm ka përlarë edhe shqiptarët.
Pas mbarimit të diktaturës komuniste dhe luftës së fundit shoqëritë shqiptare nuk u senzibilizuan rreth çrregullimeve dhe bllokimeve që sjell me vete pastrauma kolektive. Ndodhi edhe më keq: dalja nga gropat e betejave kundër të tjerëve, kthimi në shtëpi dhe përballja me veten nuk startoi nga pozitat e viktimës së dëmtuar, por nga inskenimi i superioritetit së racës së mbijetuar; autoprojekti i konsolidimit në liri nisi pra në gjendje hipnoze. Në atmosfera të llojit zakonisht e vetevetiu suspendohet tashmëria dhe e ardhshmja në favor të shkuarës, asaj që konsiderohet histori. Sepse ajo është «e dhënë», e «muzeuar» dhe shërben si mjeti më adekuat i rikonfirmimit të vetes ashtu siç preferon të të pranojnë tjerët.
Në debatet rreth «Skënderbeut», «titistëve dhe enversitëve» dhe «UÇK» apo «FARK» dolën konturet e qarta dhe të sakta të hartës patologjike shqiptare. Jo versionet, «të vërtetat» ishin zymtësia, por mënyra e polemikës, debatit mediave, rrejteve sociale dhe gjitha kanaleve interaktive ku mund të shprehen sot shqiptarët. U përballëm me një shoqëri që ka frikë të mos jetë ndryshe nga ajo çka beson të jetë; me shtresa që nga presioni për t’u rehabilituar mezi marrin frymë, të tilla që falsifikimin biografik e shohin të vetmen alternativë riaktualizimi si njësi relevante të shoqërisë; kulturosferat shqiptare i pushtuan doktrinat më të çudtishme, të cilat besojnë se sa herë njerëzit gjenden në huti, depresion, përhumbje paskan etje për të identitet e të vërtetë sipas modelit të tyre – dhe ata e paskan të vetmit «të vërtetën absolute» që nga dita kur Adami bëri dashuri me Evën; atopia – jemi apo sjemi në Evropë, pra a jemi realisht këtu apo është iluzion – manifestoi madje edhe një skizofreni klaustrofobe të mentalitetit shqiptar, një gjendje tejet të vështirë psikike si kurrë më parë. Këto janë vetëm disa nga simptomet e sindromet që kanë kapur për fyti shoqëritë shqiptare. Po të kishin shqiptarët psikanalitikë, sociologë, antropologë do ta kishin bibliotekën më të pasur të kontinentit në këtë drejtim.
Gjersa demokracive perëndimore shërimi kërkohet në deklubizimin e kapitalit në favor të përhapjes së mirëqenies dhe barazisë drejt sa më shumë shtresave të shoqërisë, në Ballkan medikament është historia. Dhe atë jo si mësuese, siç na çajnë kokën vetë historianët, por si azil nga gjendja e sotme, nga e nesërmja që s’dinë dhe nuk duan ta bëjnë se kërkon mund, ajo, historia u vyen si fabrikë opiumi për të përballuar sëmundjet dhe frikat e shumta. Kjo mënyrë e të jetuarit mirëpo ka vetëm një rezultat logjik: jetën në gjendjen e pacientit që vetëm mund të jetojë, mirëpo jo edhe të veprojë. Historia si morbo laborare qenies shqiptare? Po. Politologu dhe filozofi holandez Johano Strasser (Shoqëria në frikë: 2013) ka të drejtë kur konstaton se shoqëritë që nuk arrijnë të racionalizojnë frikat, mitologjinë, religjionet dhe ideologjitë dhe atë në stilin e nihilistëve apo duke filluar si kartezianët që shkundën edhe më të shejntën nga vetja për ta rishikuar kthejllët, nuk arrijnë kurrë të ecin pa paranoja drejt së nesërmes. Në kontekst me shqiptarët – shumë të drejtë ka! Dhë pikërisht nga këtu duhet ta nis çdo projekt të saj inteligjencia shqiptare. Shtetet nuk do të investojnë në këtë drejtim sepse më mirë se frikat asgjë tjetër nuk i mban të skllavëruara masat.