Estetika e diskursit publik/ Pse në hapësirat si ajo frankofone, latinoamerikane dhe kjo shqiptare nuk ka sukses shtypi i verdhë? E kundërta është në Gjermani, Britani të Madhe dhe Serbi ku pikërisht shtypi i verdhë «bënë» opinionin dhe diskursin publik?
Konstatim dhe paradoks: Sa më shumë që të arsimohen masat aq më shumë banalizohen mediat! Banaliteti në këtë kontekst nënkupton zhveshjen ashtelëkurë, suspendimin pothuaj total të çdo dekori estetik nga komunikimit publik. Këtë trend, të filluar nga vitet e 80-ta e këtej, studiuesit kryesor të komunikimit masmedial (Bonfadelli, Meier, Berelson, etj.) e diagnostikuan si domosdo të imponuar nga kushtet agresive të tregut të lirë. Çshpirtëzimin e idesë së transferimit të dijes dhe (a)moralizimin e gjuhës, teoricienët e lidhën pra me procesin e sendëzimit edhe të sferave frymore humane nga ana e tregut. Teza qëndron, mirëpo vetëm si gjysmë e përshkrimit të problemit. Jo vetëm diktati kapitalist për ekonomizimin e çdogjëje është fajtor në krijimin e «njeriut pa përmbajtje» — siç thotë filozofi italian Giorgio Agamben (Milano; 1970) — por edhe vetë konsumatori, njeriu, i cili për nga natyra duket të jetë i paraprirë të garojë me shpejtësinë e kohës dhe në hektikë zgjedh si ushqim për formim dhe shumim përherë «fast food»-in, çkadoqoftë ai.
«American way of life», amerikanizmi ka thyer traditën perceptuese gatikontemplative të evropianit, përndryshe profund, dhe është në udhë e sipër të nxjerrë me dhunë nga çadrat edhe rrëfyesit dhe dëgjuesit e palodhshëm të përrallave orientale të «1001 netëve» – kjo është teza e dytë dhe më e përdorura që mëton të shpjegojë «banalizimin kulturor global» si proces me origjinë amerikane. Zakonisht e gojëplotë këtë e përsërisin amerikopatët e gjelbërt, ekstramajtistët e Evropës dhe ideologët e paradigmave pro-orientale. Padyshim se edhe kjo tezë është e njëanshme. Në kontekst me «mediat» dhe «diskursin publik» madje ajo nuk qëndron fare. Pse?
BANALITETI – MADE IN EUROPE
Bulevardizimi i mediave është specialitet evropian e jo amerikan. Adresa e themeluesve të biznesit me thashethemet e salloneve kah vërdallej Jetset-i gjendet në Industrinë e mediave britanike, italiane dhe gjermanofolëse. Edhe aktualisht, në këto tre vende shtypi i verdhë mban flamurin në tregun e mediave. Mjafton të përmendim titujt si «Bild» (Gjermani), «Blick» (Zvicër), «Kronen Zeitung» (Austri), «The Sun» (Britani) dhe kemi bërë listën jo vetëm të gazetave më të mëdha dhe më me ndikim në vendet përkatëse, por kemi renditur edhe «makinat kryesore për budallallosjen e masave kontinentale» siç i quajnë dy gazetarët dhe komunikologët gjermanë Markus Metz dhe Georg Seesslen (Fabrikimi i stupiditetit, Berlin:2011) titujt në fjalë. Po në këtë listë lokalizojmë edhe burimin e «zbavitjes deri në vdekje» të masave dhe kulturave konform teorisë së shkencëtarit amerikan Neil Postman (Amusing Ourselves to Death: 1985 – krijimi i opinionit në epokën e industrisë së mediave zbavitëse).
ANARKIA SI CAUSA FINALIS?
Nga fillimi i viteve të 70-ta e deri sot janë bërë qindra studime serioze rreth ndikimit të shtypit të verdhë në zhvillimin kulturor, politik (Alberts:1972), intelektual, arsimor (Prokop:1995) e gjuhësor (Rucktäschel:1987). Sipas rezultateve të shumicës se studimeve si «causa finalis» e këtij zhvillimi del konstatimi: Ky trend ka demontuar rëndë hierarkitë, kufijtë dhe vlerat e tre sferave ekzistenciale të shoqërive në fjalë — duke përdorur si filtër kategoritë e filozofit danez Søren Kierkegaard (në «Enten – Eller»:1843) — dhe atë; etikën (si konglomerat moralesh dhe identitetesh të veçanta), estetiken dhe (a)religjionet. Argumentit antropofilozofik se trendi në fjalë ka rezultuar nga lufta e mondanitetit për një «vullnet të lirë absolut, i cili nuk donë të orientohet më sipas mostrave etike, estetike e kulturore në fuqi» e jo si efekt i formës së komunikimit masmedial, moralistët, ideologët, konservatorët dhe estetët e shumtë i kundërpërgjigjen me gomarin e Buridan-it (filozof i skolastikës, të cilit i mëveshët autorësia e krahasimit): Po që se gomari, i cili gjendet në distancë të njëjte para dy tufash identike bari, nuk do të dispononte me ndonjë mekanizëm seleksionimi (të natyrshëm apo të ritualizuar), katërkëmbëshi do të cofte urie nga hamendja se cilës tufë t’ia mësyjë së pari. Përkthyer për dykëmbëshin: njeriu i paparime (estetike, etike, rituale, (a)religjioze apo diçka tjetër) s’ka ku të përfundonte tjetër përveç se në shpellë o si «Homo homini lupus est» i Plautus-it apo Thomas Hobbes-it në qoftë se nuk do t’iu nënshtrohej do parimeve e kondicioneve estetike gjatë perceptimit dhe shprehjes.
DEBATI MBI DISKURSIN PUBLIK
Në kushtet shqiptare paradoksi dhe konstatimi i fillimit të këtij teksti shfaqet i modifikuar: sa më shumë të arsimohen masat aq më pak lexohen mediat! Ka ndezur apeli i shkrimtarit Albatros Rexhaj për t’iu bërë «refuzim estetik» gjitha formave banale të komunikimit (Së fundi në «Zona e debatit», 25.04.2013) pavarësisht se nga vijnë ato; perëndimi apo lindja? Kjo do të implikonte që mediat shqiptare t’i kenë hyrë (me vonesë) stadit të zverdhjes, bulevardizimit. Përgjysmë po. Në Republikën e Shqipërisë gazetat nuk dallojnë nga simotrat e tyre që përbëjnë atë «sporco giornalismo»-n e famshme italiane. Në Kosovë situata është krejt ndryshe: disa nga titujt që e provuan bulevardizimin, banalizimin si stil transferimi informatash ikën ende pa hy mirë në treg. Mediat tjera duket ta kenë kaluar fazën e «imitimit» me çdo kusht të stilit bulevardesk perëndimor dhe ristabilizohen ose kanë nis rrugën e lamtumirës. Pse shqiptarët (si perceptues) dallojnë nga fqinjët e tyre serbë ku gazeta e verdhë «Blic» (produkt i «Blick-ut zviceran) ka përlarë tregun medial, pse dallojnë nga miliona lexuesit e «Hürriyet» (Turqi), Nový Čas-it (Blick – Sllovaki) e kështu me radhë? Nuk kanë «kulturë leximi» si të tjerët? Ose pyetur ndryshe: pse në Francë, SHBA, nuk ndez bulevardizmi dhe pothuaj në shumicën e kontinenteve të botës por vetëm në sferat gjuhësore që përmendëm më lartë? Qëndron teza, së cilës i vjen erë racizmi kulturor që thotë se; ka «kultura që kanë afinitet ndaj vetëdeformimit (ose mutimit), banalizimit dhe kultura me integritet që përballojnë madje edhe ndikimin e rrjeteve sociale që kanë thyer gjitha kufijtë estetikë, etikë e politikë? Hë për hë shqiptarët vërtetë duket sikur «refuzojnë» imponimet që do të banalizonin diskursin e tyre publik. Dhe mirë nëse është kështu!