Retrorevolucioni

Pati apo jo «pranverë arabe»? Skeptikët perëndimorë e mohojnë këtë. Optimistët si gjithmonë lusin të presim. Intelektualët arabë thonë se revolucioni ngjau. Dhe na ktheu ca shekuj pas!  Wael Ghonim- nxitësi i revolucionin egjiptian – ka botuar një libër, ku përshkruan veten dhe ditët e fundit të Husni Mubarakut.

Wael Ghonim, ylli i protestave masive në Egjipt ka botuar librin  «Revolution 2.0 -The power of the people is greater than the people in power: A Memoir  (Fuqia e popullit është më e madhe se njerëzit në pushtet – Kujtime, Harcourt, 2012). Titulli «Revolution 2.0» është simbiozë e protestave masive për rrëzimin e pushtetit dhe (nëpërmjet) mediave sociale (web 2.0).

Libri lexohet me zor. Jo se është i komplikuar, por sepse i përngjanë një protokolli chatroom-esh  banale. Tema dhe efekti e bëjnë atë megjithatë të rëndësishëm. Dhe atë në tre aspekte kryesore:  ai raporton  nga brenda mbi fiziologjinë e protestave masive në botën arabe;  rizgjoi diskutimet në lidhje me raportin ambivalent orient- oksident dhe detyroi akademitë të rishqyrtojnë teoritë e tyre mbi revolucionin.

LIBRILibri doli në një kohë kur imazhi i autorit pësoi rënie. Propaganda e  «vëllazërisë myslimane» ka fituar betejën. Gjë që shihet edhe nga toni i mediave në Kajro dhe gjithandej në botën arabe, kur flitet për librin dhe autorin. Wael Ghonim raportin e tij e nis duke u përpjekur ta përshkruajë jetën e egjiptianeve nën diktatin e frikës, terrorit dhe kontrollit politik. Kapitulli i dyte i librit është tejet domethënës. Titulli «në kërkim të një Shpëtimtari», edhe pse pa qëllim të autorit shpjegon arsyet se pse masat në lëvizje nuk i përfillën fare shtatë kërkesat e El Baradeit për zgjedhje të lira, të rregullta dhe me observim ndërkombëtar. Ato – masat – kërkonin profet e jo demokraci. Nga kapitulli i tretë raporti bëhet personal. Janë kujtimet e egjiptianit që ende festohet në perëndim për guximin e tij politik. Ai vetë mohon të ketë bërë diçka për politikë.

AUTORI

Më 6 qershor të vitit 2010 policia egjiptiane torturon  për vdekje të riun Khaled Said. Si të vetmen mënyrë revolte ndaj shtetit dhe policisë, familja e të vrarit publikon fotografitë e të ndjerit. Said është dy vite më i ri se Wael Ghonim- i lindur më 1980 në Kajro. Sapo sheh fotografitë Ghonim, gjatë viti 2010  hap një faqe në facebook me pseudonimin «El Shaheed» (Martiri). Titulli i blogut është apelativ: «Ne të gjithë jemi Khaled Said»! Qindra mijëra «like» dhe komente e vetëdijësojnë shefin për marketing në gjigantin google se në ç ‘ujëra ka nisur notin. Raportimet e njerëzve mbi krimet e policisë së Husni Mubarakut ndaj qytetarëve i hapin shteg shpërthimi vlimit të masave, intensiteti i të cilit paska nisur që nga viti kur ka lindur autori i librit: Prej vitit 1980 Egjipti ka jetuar nën diktatin e «ligjve të jashtëzakonshme», ligje të cilat u jepnin lirinë organeve të policisë, pa dhënë ndonjë arsye konkrete, të arrestojnë, torturojnë dhe të mbajnë dikë deri më gjashtë muaj burg. Duke u bazuar në protestat tuniziane Ghonim thirr një demonstratë masive për 25 janarin e 2011. Disa dhjetëra mijë egjiptianë të rinj i bashkëngjiten protestës. Policia civile arreston mbi 1500 prej tyre. Ndër ta edhe Wael Ghonim, arrestimi i të cilit filmohet me Handy dhe klipi plasohet në rrjet. Google nuk ri duarkryq. Gjiganti ndër makinat e kërkimit hap një hotline për dëshmitarët e rastit. «El Shahedi» i facebook-ut u bë ylli i lëvizjes egjiptiane. Më 18 shkurt 2011 kur Wael Ghonim u nis për tu ngjitur në podest që të flas para demonstruesve, truprojat e Yusuf al-Qaradawi – t, njërit nga shefat e «vëllazërisë myslimane» gati e përplasën përdhe dhe penguan paraqitjen e tij. Husni Mubarak ra. Vendin e tij zuri Mohammed Mohammed Mursi Isa Ayyat, njëri nga kokat e «vëllazërisë myslimane». Asaj organizate që për moto programatike ka: «Allahu është qëllimi jonë. Profeti është udhëheqësi jonë. Kurani është kushtetuta jonë. Xhihadi rruga jonë. Vdekja për Allahun është dëshira jonë më fisnike». Gjeti Egjipti profetin e vetë. Wael Ghonim pyetjes që së fundi ia parashtroi gazetarja amerikane Katie Couric se a e konsideron  ai veten si lider i një lëvizjeje për demokraci iu përgjigj po njëjtë siç bën qindra herë edhe në libër: nuk merrem me politikë dhe punoj për google.

Çka ka ndodhur në të vërtetë ditën e 18 shkurtit kur falangat  e Yusuf al-Qaradawi e kapën yllin egjiptian për fyti. Libri nuk thotë gjë për këtë. As autori nëpër intervista. Ekspertët spekulojnë.

 «REVOLUCIONI»

Oksidenti doli dyfishtë i zhgënjyer nga «pranvera arabe». Njëherë për shkak se ranë disa nga partnerët e tyre të sigurt me të cilët kishin kontrata dhe për së dyti sepse masat nuk përfillën thirrjen perëndimore për instalimin e demokracisë së shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut si sistem politik. Për këtë arsye nuk ndezën as kërkesat e El Baradeit të dërguar nga Vjena. Në të shumtën e vendeve arabe ndodhi e njëjta mostër me nuanca minimale, nga vendi në vend. Çfarë Revolucioni paska ndodhur atëherë – tundin kokën skeptikët karshi orientit. Avokatët e «pranverës» ngulin këmbë: ka ndodhur një revolucion, por jo siç donin perëndimorët. Reformistët «nga brenda» janë më kategorik (Bassam Tibi): nëse ka ndodhur një revolucion atëherë në kuptimin mesjetar latin të termit, pra ka ndodhur një rrokullisje përsëprapthi, një kthim prapa. Një revolucion në kuptimin e ndryshimeve, inovacionit nuk ka ndodhur. As kriteri kryesor i  revolucionit nuk është plotësuar – thonë skeptikët. Rrënimi me dhunë i sistemit politik nuk ndodhi për ta zëvendësuar një elitë të vjetër me të rejën, pro e kundërta, madje «revolucioni» ishte pa kokë, pa elitë, gjë që çoi deri te marrja e pushtetit nga vëllezërit arkaike të fundamentalizmit sunit. Se lëvizjet arabe nuk kanë qenë të prira nga elita dhe programe të caktuara intelektuale dëshmon edhe libri i yllit të protestave egjiptiane  Wael Ghonim, të cilin Time e futi në listën e 100 personaliteteve më me ndikim në botë.

BOTA ARABE

Ekspertja egjiptiane Amira El Ahl dështimin, pamundësinë e një «pranvere » sipas perspektivës perëndimore e sheh në dimrin e përhershëm social dhe arsimor të vendeve arabe. Sipas UNESCO 33% e egjiptianeve nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë (UNESCO, Kairo, 24-27. 1. 2010). Në këtë përqindje – thotë Amira El Ahl  – nuk numërohen vendet jashturbane dhe të rinjtë deri në moshën 15 vjeçare. Fenomeni i sabotimit të shkollave publike nga prindërit, që detyrojnë fëmijët në punë, është njëri nga problemet kyçe në vendin e faraonëve. Egjipti është vendi ku 60% e nënave janë analfabete. Një masë, me një strukturë të tillë, nuk dinë se ç ‘janë sistemet politike, të drejtat e njeriut, ajo kërkon autoritete, prijës, të cilëve detyrueshëm ka nevojë t’iu besojë. Aktualisht në modë është «vëllazëria myslimane», sepse ajo është e vetmja me një program politik. E demokracia dhe kërkesat e El Baradeit nuk përputhen në asnjë pikë me programin e organizatës së presidentit aktual Mohammed Mohammed Mursi. Pranimi i demokracisë do të thoshte prishje të hierarkive gjinore që kërkon kurani, do të thoshte respektimi i përpiktë i të drejtave dhe lirive të njeriut në politikë, religjion, gjini e kështu me radhë. Jo vetëm gazetarja gjermano-egjiptiane Amira El Ahl, por edhe shumë intelektualë tjerë nuk besojnë që vendet arabe (bashkërisht kanë 40% të analfabetizmit botëror) do të ishin të gatshme për sisteme të tilla politike.

Po elitat, ata që dinë të shkruajnë dhe lexojnë?

Duket sikur shumica e tyre të ishin si Wael Ghonim, i cili «nuk donë të merret me politikë» ose të dinë të lexojnë, mirëpo nuk kanë qejf të lexojnë më shumë se një libër të vetëm.

 

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...