Spinalongat shqiptare

Harta sociale dhe psikologjike shqiptare është përplot ishuj, ku mezi mbijetojnë të mallkuarit: të papunët, femrat e diskriminuara, fukarenjtë dhe të izoluarit. Ata vegjetojnë nëpër getot e tyre. Kush janë fabrikuesit dhe kush viktimat që bëjnë jetë bërrakoreve tona?

Bernë, shtator – Ai mezi pret ta sigurojë një vizë dhe të ikë sa më larg. Ajo as në ëndërr nuk i shpor dot shushuritjet perverse të fqinjëve. Asaj ia këputën shkollimin në mes dhe e detyruan ta fus në shtrat një gërmadhe skeletesh të huaj. Ata bëjnë jetë nëpër geto, të cilat jo vetëm shoqëria, por edhe zoti duket t’i ketë harruar: të hendikepuarit, matufët, pleqtë, të vejat e dëshmorëve, të papunët, femrat si viktima të semifeudalizmit, fukarenjtë, intelektualët që s’ia varrin fare ideologjie a religjioni dhe shumë tjerë të «kastave» të përtokëzuara shqiptare. Këta shtresa përbëjnë atë «underclass»-ën shqiptare, të cilën sociologu gjerman Martin Kronauer (Exklusion; 2002) e shpjegon kështu: «promotor përçarjesh masive shoqërore, ku eskalimi vonon, mirëpo sapo shpërthen demolon çdo strukturë», një lloj vullkani, llava e të cilit dikur do shkrumbojë edhe atë që s’duhet.

Kategoritë lartë përbëjnë copën më të madhe të fizionomisë aktuale, sociale të shoqërive shqiptare. Ekzistenca e këtyre shtresave natyrisht se është evidente gati në çdo shoqëri përreth apo edhe në ato me një kapitalizëm të zhvilluar, mirëpo asnjëherë me këtë brutalitet siç e hasim Sarandës, Shkupit, Prishtinës,Tiranës e gjithandej. Përderisa në shoqëritë perëndimore shteti “ndërron për çdo ditë” paradigmat për të gjetur modelin më të përshtatshëm se si të reduktojë padrejtësitë sociale, nënqiellit ballkanik qeveritë u ngjajnë uzinave që prodhojnë vetëm të kundërtën; getot e të përjashtuarve! Politikat shqiptaretë imponojnë përshtypjen sikur studimin fenomenal «Stigma» të Erwing Goffman-it (Londër; 1963) ta kishin lexuar përsëprapthi , me synimin për tëprodhuar sa më shumë devijime (kap.V) me sa më shumë viktima. Spekulimi se qeveritë nëpërmjet devijimeve (si strategji) duan të paralizojnë masat për t’i mbajtur nën kontroll duket se nuk është vetëm shpikje opozitarësh tëxhindosur.

TIRANË. QERSHOR, 2012.

Ndër vizatimin megadimensional, ku burra e gra shqiptare, me pushkë, harqe e shpata ia kërcënojnë mëngjesin kryeqytetit, në shkallët para Muzeut Kombëtar të Tiranës, ri ulur Iliri*. Ka derdhur trupin mbi një libër. Nga largkrijon imazhin e një thesi të hedhur nga ndonjë qytetar i papërgjegjshëm.Ashtu ndien veten edhe ai. Të hedhur, të lënë anash nga shoqëria dhe nga vendi, për të cilin ai para shumë vitesh, sapo mbaroi studimet, braktisi Zvicrën. Sytë i duken të shuar, sikur t’i ketë vdekur çdo shpresë brenda. «Po kush i pret këta socialistët të vijnë në pushtet?», thotë ai. Habitemi. Para 15 viteve, në aeroportin e Zürich-ut u ndamë nga një njeri me betimin në trastë se kur nuk do t’i bashkohet ndonjë partie a politike; «qoftë ajo edhe më eshenjta», na thoshte atëherë. Qesh kur e pyesim në mos ka ndryshuar bindjet. «Jo» mohon në mënyrë kategorike. Pse socialistët atëherë?

Iliri është biri i një ish-funksionari të sistemit të vjetër, atij të diktatorit Enver Hoxha. Që nga viti 2005, kur partia e «pasardhësve» – siç quhen socialistët e sotëm nga kundërshtarët e tyre – del në opozitë,  Iliri humbë punën dhe qëatëherë punon gjithçka për të mbajtur familjen “disi gjallë”. «Të majtët padrejtësisht mendojnë se jam i majtë, të djathtët më urrejnë se kam qenë bir i babait tim e unë në sandviç. Po nuk u pozicioneve edhe shumë më keq e ke», ankohet ai. Paragjykimet meskine ndaj tij kanë mbërritur efektin maksimal saqë ai mallkon çdo ditë të kaluar në vendin e tij. «Ndihem si në Spinalongën e 1913 këtu» thotë ai me cinizëm. (Aludon në atë ishullin e mallkuar grek (sot Kalydon) ku grekët deri në vitin 1957 dëbonin aty leprozët, të cilët jetonin kryesisht nëpër shpella. Koloni njerëzish që i përjashtoi shteti pa asnjë përkujdesje, duke i lënë në mëshirën e sëmundjes gjymtyrëngrënëse.)

Ai as nga «pasardhësit» e prindërve të tij – po që se ata vijnë në pushtet – nukshpreson ndihmë. «Atyre viteve të para u duhet kohë të sistemojnë militantët e tyre e pastaj shohin në mbetet diçka edhe për ne të mallkuarit» prognozon ai.

Sa Ilirë i ka Shqipëria?

PARAGJYKIMET

Iliri nuk është as socialist, as i djathtë, por një profesionist, demokrat,humanist i shkolluar  Europës perëndimore. Haraçi që ai paguan nuk ka të bëjë fare me habitusin e tij, por me biografinë e prindërve të tij. E kjo ështëdiskriminuese dhe shkel në asht çdo të drejtë e liri njerëzore – kështu do të bërtiste psikologu social, amerikani Gordon W. Allport (The Nature of Prejudice – Natyra e paragjykimit; 1954 /1979). Në hartën e psikologjisë dhe në efektin e veprimit shqiptar paragjykimi është zot shtëpie. Perceptimiskajshmërisht i historizuar (historia këtu jo si shkencë, por si arkivparagjykimesh) i ballkanasit nuk lejon deklaratën «nuk e di, nuk e njoh personalisht, të shohim pra biografinë» e individit në fjalë. Jo, ai automatikisht riprodhon atë që ka dëgjuar për fisin, prindërit a «gjakun» e personit në fjalë. Këtë formë paralinçimi e përdor aparati burokratik i shtetit, e djathta, e majta, masa, unë, ti, ajo, ata, të gjithë. Me këtë sjellje kundër rezonuese shoqëritë prodhojnë grupe të diskriminuarish, të cilat detyrueshëmose pranojnë statusin e të mallkuarve, vegjetojnë ose mobilizojnë veten (Steele, Claude; 1997) në rebelim.

TETOVË, GUSHT 2012

Në kokë, në qafë dhe këmbëve e kanë ngarkuar Feriden* me flori. Kur e përgëzojmë na thotë pëshpëritshëm se ndien veten si ata gomarët që mezi i mbajnë këmbët nga pesha e drunjve. Ajo qesh me zor. Lotët çajnë makijazhindhe krijojnë kanale. Largojmë sytë nga drama për në dasmë. Dhëndri ka marrë pozën e gjelit, drejton kollaren me motive të Disneylandit dhe mezi pret natën. Në turmë kërkojmë të atin e Ferides. Mustaqepërdredhuri «vesves», siç na e përshkroi shoqëruesi jonë, gati ua këput dorën uruesve. Kur shoqëruesi i thotë se njëri prej nesh është gazetar ai ashpërson shikimin. «Mos ia najsni ene ju si ki majku jem», na tërheq vërejtjen dhe «nauk lë unë të mbëhet cauca si ajo atje», bëri me gisht në drejtim të një zonje të bukur dhe të vetmuar në fund të oborrit. Ajo është një juriste që punon në një kancelari të qytetit, e pamartuar. «Shumë keq më vjen për Feriden» nis rrëfimin ajo dhe «gjithçka çka ajo donte ishte të përfundoj studimet. Edhe një vit e ka». Edhe e bukura fillon të qajë. Kjo e ka fituar luftën me familjen e saj dhe ka fituar lirinë, mirëpo: «shumica e femrave tona mbarojnë kështu. Detyrohen të martohen me ndonjë që as nuk e kanë parë kurrë. Uh! sa më larg këtij vendi». Juristja di se çka flitet për të poshtë e lartë. Ajo ka zgjedhur me vetëdije lirinë individuale dhe me këtë edhe shushuritjet neveritëse që jo rrallë e nxisin të ikë sa më larg vendit të lindjes.

Feriden e ka detyruar babai i saj autoritar të pranoj martesën dhe të ndërpresë studimet. Feridja nuk ka mbledhur atë guxim si shoqeja e saj që dramën (natyrisht e mllefosur) e sheh si rezultat të një «autoritarizmi semifeudal e religjioz që prish jetën e femrave të kësaj ane». Dhe Ramizi, babai i Ferides,përndryshe mësues katundi, personifikon përkryeshëm formulën e juristes.

Sa Feride i ka Maqedonia perëndimore

PATRIARKALIZMI SEMIFEUDAL

Autoritarizmi «privat», ai që vepron në emër të mbrojtjes së grupit, familjes në të shumtën e rasteve është injorues ndaj rregullave të humanitetit dhe rezultondomsdoshmërisht çnjerëzor, konstaton në studimet dhe eksperimentet e tijpsikologu i njohur Stanley Milgram (New York 1974). I njëjti autoritarizëm, shikuar në përgjithësi – të cilin Adorno në F- shkallën e tij madje e quante edhe fashist, për shkak të elementëve etnonacionale, religjiozë e kulturorë që përmban në vete – praktikohet edhe nga organizata që udhëhiqen nga autoritete; nga liderë partish, kryetarë shtetesh, monarkë. Gishtin e tyre,shumica e sociologëve të sotëm (si Altemeyer; 1981 / Schneider;1997/ Petersen; 2008 etj.) e vënë mbi rajonet, kulturat dhe shtetet nën ndikim të madh të religjioneve, mbi shoqëritë në diktaturë dhe ato që “sapo” u kanëshpëtuar sistemeve totalitare. Për këto të fundit, filozofët dhe sociologët thonë se nga lloçi kanë dalë vetëm ato vende që me seriozitet kanë mundur mendësinë e vjetër, duke e zëvendësuar me të drejtat dhe liritë humane individuale. Si Shembull merren Çekia, Polonia, Sllovenia dhe ca vende baltike. Rusët, serbët, grekët, shqiptarët ende nuk kanë mundur t ‘ikinpushtetit të autoritarizmit – kështu ekspertët – sepse nuk kanë probleme vetëm me atë se si të shporin elementet e diktaturës nga mentaliteti i tyre, por ata bëjnë luftë edhe me «mbeturinat arkaike semifeudale» që në kushtet e pluralizmit politik i kanë rikthyer edhe më fortë si formë veprimi social. Sa qëndron kjo tezë, kur kemi parasysh Ilirin dhe Feriden?

MALISHEVË, SHTATOR 2012

E shoqëronim një zvicerane, e cila në kuadër të një projekti zviceran, për vite me radhë kishte punuar fshatrave të Malishevës kosovare. Në fshatin shtëpishkapërderdhur gjejmë «kullën» e Hashimit*. Ndërtesa formëvile ishte e ndërtuar për merak; tre kate, arkitektura e brendshme dhe orenditë të shtynin të ndihesh si në shtëpinë e ndonjë aristokrati anglez. Zvicerania donë të dijë për ish-pacientët e saj; gjyshin dhe njërin nga vëllezërit e tij të hendikepuar nga dismelia (zhvillim i çrregullt i organeve dhe gjymtyrëve). «Cili, tre i kam tash»? – tha Hashimi duke aluduar në njërin nga vëllezërit e tij që kishte qenëpjesëtar i luftës kosovare-serbe. Në dhomë hyri babai i tij mbi 80-vjeçar që mezi ecte duke hequr zvarrë të birin e hendikepuar. Sa herë plaku – që ende merrte frymë rëndë  – donte të thoshte diçka aktivisti i njërës nga partitë më të mëdha politike, me diplomën e një shkolle të lartë pedagogjike në mur, ia priste fjalën: «pi duhan e trus ç ‘aty». Hashimi ankohej që shteti nuk ndihmon asgjë edhe pse partia e tij ka timonin në dorë. Me një rrogë të ulët mban gjithë familjen 12 anëtarëshe (deklaratë që nuk shkonte me komoditetin që kishte). Kur e pyetëm për vëllain që kishte luftuar, ai serbisht; «za ideale gine budale»(për idealë vdesin budallenjtë) dhe bëri me gisht nga një grua, në prehrin e së cilës ishin ulur tre fëmijë të moshës së re. Jo vëllain e vdekur, por ato që ai i kishte lënë pas i quante Hashimi gjithë bashkë si të hendikepuarin e tretë të familjes. Plaku nuk çonte shikimin nga dyshemeja. Herë pas here tundte kokën. Zvicerania, me kokë të futur në një shtëpizë gjysmë të demoluar dhe formëkasolle pyeti: «Ku i ke lopët»? Hashimi i pakënaqur që ajo ia ndërpreu ligjërimin Hashimit, që ato çaste ishte duke ligjëruar se si Kosova shumë shpejtë do të bëhet si Zvicra tha: «Nuk kam lopë më. Aty f lejnë këta sakatët e mi». E kishte fjalën për të atin e tij plak që ulërinte nga kurrizi duke hequr zvarrë të birin që tashmë ishte jargosur fundekrye.

Sa Hashimë i ka Kosova?

EKSKLUZIONISTËT

Qeveritë e ngatërruara në merimangën e korrupsionit, filcokracisë dhe injorancës së thellë politike e sociale nuk kanë as ide, as programe e as vullnet për t’iu dalë në krahë viktimave të shumta. Kjo punë tashmë është e qarte. Çkadiskurset tona ama si duket mbajnë qëllimshëm të tabuizuar është ajo gjysma tjetër e përgjegjësisë kolektive. Qeveria nuk është aty kur ne stigmatizojmë Ilirin sepse ka pasur prindërit funksionarë enveristë, kështu duke ia suprimuar apriori çdo të drejtë qytetare. Shteti nuk e shpëton dot Feriden duke ia rrëmbyer atë nga shtrati atij bylbylit me kollare të Disneylandit. Edhe po të ndërhyjë policia dhe ushtria Hashimi nuk do t’i hiqte «sakatët» e tij nga ajokasolle pa nxehje dhe e zhveshur nga çdo mundësi banimi njerëzor. Hashimi përtopte qeverinë (e tij) vetëm sa për ta lehtësuar ndërgjegjen e tij, se diku thellë, në ndonjë cep minor të trurit dhe të shpirtit të tij ndoshta gjendet një qelizë humane që e trazon dhe nuk e le të qetë.

«TJETRI» OSE EMPATIA

Dukuritë e trajtuara lartë janë reprezentuese dhe flasin vetëm për disa nga getot e shumta sociale e humane që përbëjnë gjeografinë e mentalitetit të«racës më të lashtë» ballkanike. Arsyetimi i tipit «kemi qenë gjithmonë të shtypur» del i shkriptë. Thjeshtë sepse është kontradiktor me vetëbesimin gati onanik «kemi mbijetuar sepse jemi raca më e qytetëruar e Ballkanit dhe kemi ruajtur identitetin tonë». Këto të dyja nuk shkojnë bashkë dhe demaskojnë ndoshta mentalitetin tonë historik si të deformuar në çdo kontekst të humanes dhe qytetares. Domethënë se në mentalitetin tonë virulojnë forma arkaike dhe destruktive të cilat kemi nevojë t’i lokalizojmë, identifikojmë për të dezinfektuar qenien tonë e për të siguruar mirëqenien e tjetrit.

Këto dukuri na mësojnë se ndërmejt pseudoaltruistit dhe egocentrikut, kulturës sociale shqiptare, i mungon empatiku i Jeremy Rifkin-it (The Empathic Civilisation; 2009). Ai njeriu i Michel Foucault që është në gjendje madje të bashkëndiejë edhe me të burgosurin, kriminelin e jo më me të afërmin e tij të hendikepuar; atij tipit të Niklas Luhmann-it që është në gjendje të futet në thelbin e idealeve dhe ëndrrave të vajzës së tij edhe atëherë kur duhet të flakë privilegjet si patriark i kopesë; atij nacionalisti që dinë të respektojë mendimin e komunistit; atij intelektuali që dinë të zbusë edhe shpirtin e fashistit; atij ateisti që dinë të drekojë edhe me fundamentalistin dhe kështu deri tek dialogu ndërmjet dy qenieve me kombësi të armiqësuara.

Ose e nxjerrim nga sirtari atë golden rule-n e etikës praktike: «trajtoji tjerët ashtu siç donë që të të trajtojnë ty». Natyrisht se nuk kërkojmë që të fusim shqiptarin në një inkubator prej ku do të dalin pas ca ditëve zogjtë e lirisë dhe demokracisë, mirëpo të prirë nga ky motiv sigurisht se Ilirët, Feridet dhe Hashimët do t’i kishim vetëm si eksese sociale e jo si fytyrë kolektive që demonstron dështimin tonë human.

*Emrat – të tjetërsuar nga autori.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...