Imazhi i shqiptarëve në Zvicër gjendet nën çdo nivel. Shkaktarë të kësaj gjendje janë delikuentët shqiptarë dhe paragjykimet e përgjithësuara nga mediat dhe institucione të caktuara të shtetit. Një problem që po merr përmasa drastike.
Numri i shqiptarëve të involvuar në kriminalitet vazhdon të jetë në ritje e sipër. Pothuaj për çdo ditë mediat publikojnë komunikata të policisë ku raportohet për plaçkitje, kontrabandim me narkotikë, ikje nga burgu e të ngjajshme. Kjo gjendje tashmë ka një histori dhjetvjeçare. Akseptimi i shqiptarëve nga zviceranët aktualisht gjendet nën çdo nivel.
Njëri nga problemet që kohëve të fundit ka krijuar kokëçarje është ai bandave të të rinjve nën moshën tetëmbëdhjetvjeçare e sidomos aktet e dhunës që po zhvillohen korridoreve të shkollave. Bëhet fjalë për pjestarë të komunitetit shqiptar në Zvicër që janë lindur këtu.
Paradokoshësh është botuar një studim i bërë nga profesori i shkollës së lartë të Zürichut ETH Manuel Eisner, i cili në kuadër të trajtimit të “kriminalitetit ndër të rinjtë” më së shumti flet për shqiptarët. Një libër që nga shumë studiues dhe shkenctarë social u konsiderua si një pamflet në interes të propagandës kundër të huajve, “një studim i bërë pa asnjë bazë shkencore” thotë një sociolog tjetër nga Berna që njeh këtë skenë. Edhe pse Eisner pranon që shifrat e tij janë informata dhe supozime të qendrave të ndryshme policore ai nuk heq dorë nga kryekonstatimi i tij: “Të rinjtë shqiptarë shumë shpejtë, më shpejtë se gjithë të tjerët janë të gatshëm të përdorin dhunën. Një dhunë e transportuar nga vendi i tyre, natyrisht për shkak gjendjes që ka mbizotëruar atje” – i thotë “Kohës ditore” profesori Eisner. Ndërkaq, kur ai konfrontohet me faktin se këta të rinjë kanë lindur e janë rritur këtu, ai vë buzën në gaz dhe i ikë temës. “Ai nuk do të pranojë se jo mentaliteti ballkanas por shoqëria jonë ka dështuar në këtë drejtim” – thotë sociologu Vatter që kritikon ashpër “tendencat” e Eisner.
Se ky studim i Eisnerit ka alarmuar zviceranët në dezinteres të integrimit të shqiptarëve është më se e dukshme. Këtë e dëshmon edhe ambineti të cilin e hasëm nëpër shkollat zvicerane që vizituam.
Thika në vend të librave
Ata ankohen se për çdo ditë ballafaqohen me provokime të tipit: “Jugo geh raus” (Jugo ikë jashtë) etj. Ndërsa nxënësit zviceranë thonë se kanë frikë nga shqiptarët, të cilët “çantat i kanë të mbushura me thika, gypa hekuri e deri te pistoletat” – thotë zvicerania Melanie (15), e cila nuk do as t’iu afrohet shokëve të saj të klasës me prejardhje nga Ballkani. Melanie pranon se vetë kur nuk ka shikuar në përmbajtjen e çantave të bashkëshkollarëve të saj, mirëpo: “Babi më tregon për çdo ditë se çka bëjnë shqiptarët” – shton ajo. E sa për ironi i ati i saj është polic. Christoph një shoqërues i saj duke treguar një plagë ende të pashëruar në qafë; “Pa i bërë asgjë Bekimit ai nxori një hekur nga çanta dhe më ra në qafë”. Gjatë rrëfimit të tij Sophie e të njejtës moshë që gjendej në grup bënte grimasa duke lënë përshtypjen sikur nuk dakordohet me atë që thoshte “kolegu” i saj: “Bekimi është një njeri i urtë. Nuk të ra me hekur por me atlas, pasi që ti gjithë ditën e ke tallur me atë “jugo, jugo”! Historira të këtij karakteri dëgjuam në njërën nga shkollat e Bernës, ku numri i shqiptarëve është i madh. Të njejtat i gjetëm edhe në Luzern e në Zürich.
Viktimat e paragjykimeve
Bujari (14) ka lindur këtu. Ai është nxënës i një shkolle sekundare të Zürichut. Para një muaji atë e kanë lidhur me pranga para shokëve të klasës dhe dy vetura policie e kanë sjellë në njërën nga komandat e tyre të qytetit. “Pasi më kontrolluan vazhdimisht më pyetnin se ku i kam armët. Unë asnjëherë nuk mbaj armë apo diç të tillë” – shprehet Bujari plotë nervozitet për vizitën e dhunshme të tij në njërën nga kazermat e Policisë. Drejtori i kësaj shkolle Anton K. Thirrjen në polici e arsyeton kështu: “Më duhej të marrë masa. Më shumë se gjysma e klasës së Bujarit kanë ardhur tek unë duke shprehur frikën ndaj tij dhe duke thënë se kanë parë armë tek ai. Nga përvoja e dij se një gjë e tillë tek nxënësit nga Ballkani është e mundshme”. Se Bujari është nxënësi më i mirë i klasës dhe pa asnjë një njollë në biografinë e tij – që do të jepnin shenja për një sjellje të tillë – për drejtorin këto të dhëna nuk luajn ndonjë rol të rëndësishëm. Në fund ai kallëzoi edhe burrimin e përvojës së tij rreth kësaj çështjeje; “Apo nuk lexoni gazeta e raporte për këtë punë”?
Për mësuesen e Bujarit, Antoinette Lehmann, rasti i Bujarit është një “hakmarrje e shokëve të tij të klasës për shkak të zotësisë së tij, mirëpo më shumë ajo vjen nga paragjykimet me të cilët fëmijët tanë janë të konfrontuar në shoqëri e familje. Sagat rreth brutalitetit të shqiptarëve kanë marë përmasa të çoroditshme. Shkollat duhet të ndërmarrin ndonjë gjë konkrete për të thyer këtë tabu, me qëllim që të ketë një informim korrekt për këta njerëz që nuk janë më të dhunshëm se sa vetë të rinjtë zviceranë”. Në krahasim me drejtorin Lehmann ajo numëroi disa raste që kohëve të fundit kishin ndodhur në këtë shkollë; autorët, shumica vendës!
Edhe vetë Bujari e di që një agresion paksa i tepruar i nxënësve me prejardhje shqiptare, sidomos endja e tyre formë bandash nëpër vende publike është një problem që i ndihmon atij imazhit të urryer që kanë vendësit për komunitetin shqiptar. “Ta them të drejtën pasi që më ndodhi ai rasti mendova edhe unë t’u bashkangjitem atyre. Provokimet dhe sherret nganjëherë më bëjnë të çmendem”.
Dy verzionet e policisë
Monique Esterman është police në sektorin për kriminalitetin e të rinjve në një komandë të Policisë së Luzernës. Ajo fillimisht nuk pranon se ekziston një fushatë kundër ish jugosllavëve, ku kryesisht mendohet në shqiptarët. Madje në fillim të bisedës ajo tha se nuk janë vetëm shqiptarët që kryejnë vepra kriminele, por se struktura është e përzier me të gjitha nacionalitetet. “Ne nuk bëjmë dallime racore e etnike”- konfirmon ajo. Në momentin kur ne ndalëm diktafonin ajo: “Po ju them diçka privatisht, sepse nuk kam të drejtë zyrtarisht të flasë për këtë problem më shumë se na lejon qendra për informim të mediave: Ne kemi verëtet një problem të rëndë me jugo – t (zyrtarisht kjo thënie është e ndaluar nga zyrtarët e policisë), mendoj me kosovarët, shqiptarët, boshnjakët. Ata janë të padurrueshëm dhe të papërshtatshëm për shoqërinë tonë. Nëse e them të vërtetën mund ta humb punën” – nxjer më në fund nga shpirti Esterman mllefin ndaj këtyre komuniteteve.
Sipas disa statistikave formale 16, 5 % e autorëve të veprave penale janë pjestarë të komunitetit shqiptarë, pra katërfish më shumë se sa ç’është përqindja e tyre prej 4,5 % në Zvicër. Ajo që pothuaj fare pak transmetohet publikisht në paraqitjen e këtyre shifrave është një studim zyrtar i cili thotë se: “Autorët e veprave penale janë kryesisht turistë, pra njerëz pa qëndrim të rregullt në Zvicër. Që të gjithë vijnë nga shtresa të ulta sociale dhe që kanë ikur nga luftërat që shpërbënë Jugosllavinë”. Edhe pse këto shifra flasin qartë, askush nuk mund të pengojë urrejtjen e krijuar ndaj komuniteteve në fjalë dhe mbi të gjitha materiali për krijimin e një imazhi të keq ekziston dhe atë mjaftueshëm.
Përmasat e urrjetjes
“Duhet punë publike si nga shteti ashtu edhe nga vetë komunitetet për të thyer këtë tabu dhe për të kërkuar mundësi përafrimi në mes këtyre dy poleve të armiqësuara ndër veti” – thotë eksperti i kësaj problematike Fredi Lüthin. “Urrejtja ka mbrrirë edhe nëpër majat e alpeve ku nuk banon asnjë i huaj. Po ua tregoj në rast rrëqethës sa për të shpjeguar përmasat e kësaj urrejtjeje: Para do muajsh bashkë me fëmijët isha për pushime në një vend malor të kantonit Jura. Fëmijët e mi iu afruan dy qenve të mëdhenj barinjsh. Nga frika u thashë që të kenë kujdes. Mirëpo bujku i sjellshëm tha se nuk ka asnjë problem ata mund t’i përkdhelin se janë të urtë ndaj njerëzve, me një përjashtim, ato nuk e durrojnë dot vetëm një racë njerëzish “jugot”. Sapo bujku bërtiti “Jugo”, qentë u çartën duke lehur”.
Në politikë nuk është më ndryshe. As në jetën e përditshme. Ka të shkosh vërrehet një mosdurrim i qytetarëve zviceranë ndaj njerzve nga ish Jugosllavia e sidomos ndaj shqiptarëve. Ata po izolohen dita-ditës sa më shumë. Nuk dihet edhe sa ditë Bujari do të qëndrojë jashtë grupeve e bandave, pa iu bashkangjitur ndonjërës prej tyre, përderisa shokët e tij të klasës nuk e lënë të qetë. Në anën tjetër mungon angazhimi më serioz i familjeve, mungon interesi i vendeve prej nga vijnë shqiptarët për t’i ndihmuar në këtë drejtim, edhe një organizim më profesional e preventiv i vetë komunitetit mungon. Pra mungon gjithçka. Eksperët kanë vetëm një apel: Integrim sa më të shpejtë!
* Nuk më kujtohet data e saktë e botimit të këtij teksti. Edhe pse fenomeni edhe sot e kësaj dite është më se aktual.