(Pa)aftësia e shqiptarëve për tu integruar

Diaspora shqiptare në Zvicër:  Përse shqiptarët nuk janë në gjendje të integrojnë veten në shoqërintë e huaja? P.sh. në vend që të punojnë nëpër ndërtimtari e firma pastrimi të jenë nëpër banka, spitale, firma marketingu etj. Ku qëndron problemi? Organet zvicerane thonë se ata nuk janë në gjendje të prezentojnë veten dhe as të bëjnë ndonjë projekt serioz për kyçjen e tyre në shoqëri. Ndërkaq shqiptarët pohojnë të kenë në Zvicër; qindra intelektualë, shkrimtarë, studiues e gazetarë shqiptarë, që do të thotë se nuk mungon potenciali intelektual. A ekziston mundësia e integrimit të shqiptarëve?

FAKTE: PJESA E PARË

Në Zvicër jetojnë rreth dyqind mijë emigrantë të ardhur nga trojet e ndryshme shqiptare. Në bazë të kësaj shifre ata janë komuniteti i dytë me rradhë për nga madhësia në këtë vend. Struktura e tyre sociale fillon që nga qëndrimi ilegal e deri tek grupi i atyre me shtetësi të fituar zvicerane. Pjesa dërrmuese e tyre janë të punësuar e sistemuar dhe përbëjnë një segment stabil në tregun e punës, duke kontribuar në mënyrë të barabartë me zviceranët në zhvillimin socio-ekonomik të shoqërisë. Në përbërjen e këtij komuniteti ekzistojnë mbi dhjetra klube e shoqata jopolitike, dhjetra degë partishë politike – të regjistruara në administratën përkatëse si shoqata humanitare. Zvicra  konsiderohet si bërthama intelektuale e diasporës shqiptare në perëndim.  Gjithë këto të dhëna (që janë vetëm një pjesë e tërrësisë së argumenteve) kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të komunitetit shqiptar. Organizim që demostron vullnetin e diasporës shqiptare për aktivitet dhe konsolidim të përgjithshëm.

FAKTE: PJESA E DYTË

Shqiptarët janë komuniteti numër një për nga atakimi i mediave për fenomene negative. Mbi një mijë shqiptarë (nga të gjitha trojet) gjenden për veprime penale nëpër burgjet e Zvicrës. Ata janë njëri nga elementet më të «preferuara» e të djathtës ekstreme në luftën e tyre kundër të huajve. Janë i vetmi komunitet pa organ përfaqësues e legjitim karshi institucioneve zyrtare të shtetit. Në krahasim me komunitet tjera ata kurrë nuk këshillohen nga zyrat e shtetit kur vendoset diçka mbi pozitën e tyre në këtë vend. Ka disa vite që nuk mund t`i përgjigjen kërkesës së Komisionit Federativ për Çështje të të Huajve, për të krijuar një delegacion reprezentativ dhe të pranuar nga të gjithë. Nuk kanë asnjë buletin apo gazetë informative për jetën e komunitetit në gjuhën e vendit. Kjo gjendje është krijuar falë izolimit të shqiptarëve në vetëvete si dhe mungesës së ofertave të shtetit për të lëvizur diçka në këtë drejtim. Organeve komptente të shtetit zviceran ndoshta u konvenon një situatë e tillë e komunitetit shqiptar me qëllim të degradimit të tij deri në reduktimin maksimal të numrit ekzistues. Ky është një paragjykim që ngadalë po shndrrohet në një fakt të pakontestueshëm. Ndërsa nga ana tjetër, paralelisht, paragjykimi se shqiptarët nuk janë të interesuar në integrimin e tyre në shoqëri shndrrohet si barrë e drejtëpërdrejtë e sateliteve politike shqiptare që stagnojnë këtë proces duke mos i lënë kohë mërgatës që të rregullojë problemet e veta të shumta në relacion me shtetin ku jetojnë.

BALANCI

Shqiptarët mbeten të paintegruar. Të atakuar për çdo fenomen negativ që ka të bëjë me kriminalitetin dhe si të tillë shpallen si element i padëshiruar që duhet sanksionuar nga shteti. Zvicra do të ketë gjithmonë një problem të brendshëm që pas një kohë do të shndrrohet në revoltë trazuese për demokracinë dhe politikën e të të drejtave të njeriut, kur kihet parasyshë se, 75 % përqind e komunitetit është me qëndrim të përhershëm në këtë vend, duke mos llogaritur numrin e atyre me shtetësi të fituar. Përveç turbullirave të brendshme ajo deficitin do ta përjetojë duke u dhënë krah elementeve ksenefobe dhe ekstreme për të fituar politikisht masën në kohën e sotme dhe duke i siguruar vetes edhe një «aktakuzë historike» për diskriminimin e një minioriteti. Aktakuzë që mund të ketë përmasën e njejtë si kjo që zhvillohet tani nga viktimat e holokaustit (indikacione të shumta paralelizimi, tashmë janë verifikuar nga ekspertë që merren me çështjen e integrimit).

Llogaritë e bëra sjellin një balanc konkret e kokëçarës për të dyja palët. Nga kjo del se që të dyja palët edhe nëse nuk janë të interesuara në zgjedhjen e problemit, ato janë kushtimisht të detyruara në një veprim të ndërsjellë për të filluar dialogun. Thjeshtë, për shkak të konfrontimit të shqiptarëve me faktin se gjenerata e dytë, e pjesërisht edhe ajo e para (duke përjashtuar në këtë kontekst dekalrativizimin romantik paushal mbi dashurinë e skajshme për atdheun) do të që të jetojë këtu me çdo kusht. Kjo do të thotë se shqiptarët do të jenë gjithmonë në këtë vend si dhe për shkak të konfrontimit të politikës zvicerane me faktin se tashmë ka perënduar koha e dëbimeve masive, që konsiderohet si shkelje brutale e të gjitha konventave ndërkombëtare si dhe parimeve të kushtetutës belge.

 HAPI I DOMOSDOSHËM

Hapi i parë që duhet të eliminohet si nga shqiptarët ashtu edhe nga zviceranët është ai i eliminimit të paragjykimeve dhe pengesave. Paragjykimet e krijuara se shqiptarët kolektivisht janë fenomen negativ për shoqërinë zvicerane menjanohen vetëm me krijimin e një mekanizmi informativ të përbashkët që do të prezentojë në mënyrë dinjitoze jetën e komunitetit, me qëllim të plasimit të së vërtetës tek qytetarët zviceranë që ata mos të mbeten nën kurthin e dezinformimit të qarqeve ksenofobe dhe partive antimultikulturore (të cilat parimisht bien ndesh edhe me politikën ekzistuese mbi emigracionin). Edhe shqiptarët duhet të informohen me sistemin e shtetit ku jetojnë, me ligjet dhe kushtetueshmërinë e tij, e sidmos me gjuhët e vendit. Është absurde të kërkosh përgjegjësi nga një individ për shkelje të ligjeve, kur je i vetëdijshëm se ai kurrë në jetë nuk ka dëgjuar për ekzistencën e tyre. Prandaj edukimi masiv, nëpërmjet infomacionit konkret, të komunitetit me ligjet dhe natyrën e jetesës në Zvicër është i domosdoshëm, gjë që mund të bëhet nëpërmjet mekanizmave që do të krijoheshin nga shteti. Vaji i politikanëve për mungesën e buxhetit, kur bëhet fjalë për integrimin, mund të shuhet me këtë dëshmi; shqiptarët si të gjithë zviceranët paguajnë tatim kantonal e shtetëror, me këtë edhe përqindjen  që shkon në favor të harxhimeve elektorale. Pasi ata nuk kanë të drejtë të votojnë, thjeshtë, le të hudhet ajo shumë në konton e fondit për integrim të tyre. Tekefundit përse të paguajnë biletën për në teatër kur ata nuk kanë fare të drejtë hyrjeje në të. Dhe ky është vetëm një segment i të hollave të të huajve që shkojnë në favor të atyre politikanëve që kundërshtojnë me ngulm integrimin. Ata janë dakrod që të huajt të pagujanë tatime në mënyrë të barabartë me zviceranët për shtetin, ndërsa kur kërkohen të holla për interesat e tyre bëhen kopracë të njëanshëm.

Përveç pengesës që paraqitet nga ana e qarqeve të caktuara politike zvicerane, një pengesë bukur të ashpër e bëjnë edhe asociacionet ekzistuese shqiptare, të cilat janë bindur nga paradoksi se po të krijohet një instancë e komunitetit mund të marrë karakterin e Lobit dhe do të avullonte qenien e tyre si dhe benificionet materiale që ata i përfitojnë falë kësaj shkapërderdhjeje. Subjektet kanë frikë nga mosshuarja e tyre në rast të krijimit të një institucioni gjithëprezentues për shqiptarët e Zvicrës. Ky qëndrim është i gabueshëm, pasi një institucion i tillë do të merrej ekskluzivisht me çështjen e integrimit dhe jetës së komunitetit shqiptar në Zvicër dhe për asociacionet politike, të lidhura me politikën e vendit të tyre, do të sillte vetëm dobi e jo pasoja, sepse ato atëherë do të fitonin më shumë vëmendje nga politika e shtetit ku gjenden. Në këtë kontekst nuk ka fare vend për frikë.

 FORMULA QË ZGJEDH PROBLEMIN

Shqiptarët duhet që në mënyrë intensive të kërkojnë njerëzit që njohin sistemin shiqëror zviceran, dhe që në një mënyrë mund të konsiderohen si ekspertë të problemeve të komunitetit shqiptar, të cilët do të përbënin stafin për krijimin e të gjitha dokumenteve të domosdoshme nismëtare si dhe do të ndërtonin disa projekte paraprake që do t`i plasonin që në start para organeve zvicerane.

Një nga problemet e para që do të paraqitet në rast të nisjes së këtij aktiviteti, si gjithmonë, edhe në këtë rast do të ishte çështja e financimit. Shteti këtu nuk financon nisma, por vetëm rezultatet e tyre, kështu që shqiptarët do të jenë të detyruar një punë të tillë ta financojnë vetë. Kjo, për rrethanat e shqiptarëve nuk do të duhej të ishte fare problem për dy shkaqe; 1. Këtu mund të ndihmojnë mekanizmat e shtetit të Kosovës dhe 2. Nëse çdo individ apo familje e mërguar paguan një frankë në muaj për fondin e integrimit, do të sigurohej (në muaj) mesatarisht 80 mijë franka, ndërsa në vit 960 mijë franka. (Atëherë nuk do të kishte nevojë të lutet Bloheri për të lëshuar 50 mijë franka për dy vjet me qëllim të integrimit të familjes shqiptare në Cyrih apo në Zvicër).

Këto janë, summa summarum, vijat kah duhet të ecin shqiptarët nëse duan që të integrohen. Pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve me organet zvicerane për ndihmë në këtë drejtim, ata duhet të kenë kuptuar se integrimin dhe gjetjen e një pozite më të mirë e jonënçmuese në këtë vend mund ta arrijnë vetëm duke lëvizur vetë diçka nga vendi, bile duke sakrifikuar edhe diçka «shumë të madhe»; të lënë përçarjet dhe të gjejnë trupin e tyre të përbashkët prezentues.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...