Pledoaje për moralin e ekonomisë

Profesori çek Tomáš Sedláček botoi librin «Ekonomia e së Mirës dhe së Keqes». Mediat evropiane e festojnë si intelektualin par exellance të kohës. Bestselleri që u proklamua në spikamë të ketë vënë kapitalistët, del si pledoaje, si mbrojtje të një morali historik ekonomik që nuk e gjejmë dot.

Bern, 9 gusht – Václav Havel e solli nga perëndimi në Çeki dhe e bëri këshilltarin kryesor për ekonomi. Që atëherë (2001) Tomáš Sedláček është komentatori më i kërkuar dhe autori më i përkthyer i vendit. Me librin e tij të fundit «Ekonomie dobra a zla» (Ekonomia e së keqes dhe së mirës, 2009) Sedláček hyri ceremonialisht në klubin e zgjedhur të elitës evropiane. Libri u përkthye gati paralelisht me origjinalin në anglisht e gjermanisht. Përtej suksesit personal libri i tij hapi, respektivisht rikonfiguroi debatin e nisur evropian mbi pushtetin e materialitetit (kapitalit) në vlerësimin apo çvlerësimin e identiteteve dhe kulturave të caktuara. Pikërisht në ato momente kur debatet kishin filluar të marrin konotacione asgjësuese për «mentalitetin e çoroditur grek» që sjell në greminë gjithë ekonominë kontinentale shfaqet  Sedláček me pledoajenë e tij për «homo economicus»- in e gabueshëm dhe të falshëm. Sipërfaqësisht duket sikur autori sugjeron që fajin ta postojmë atje ku e kërkon moda: tek menaxherët e paskrupullt që kanë harruar etikën, atë moral tradicional që e propozojnë të gjitha konceptet kulturore humane që nga Gilgameshi e deri sot. Në lexim e sipër të veprës mirëpo na imponohet paradigma ( e re dhe e vjetër) se jo matematikat e sistemet ekonomike nuk  janë të menduara suksesshëm e deri në fund, por njeriu, veçanërisht morali i tij i gjuetarit, grykësit dhe ekspansionistit të papërmirësueshëm krijon krizat si kjo që na ka përlarë kohëve të fundit.

Libri

Profesori i të famshmit Universitet «Karl» të Pragës viziton epoka e kultura për të bërë të qartë se «këmbimi me mallra», ekonomia, qoftë edhe në këtë formë të egër të spekulimit siç është sot, nuk është gjetje e menaxherit postmodern, porse rrënjët i ka që në Enkidunë e pacivilizuar të  Gilgameshit. Kapitulli i parë i librit trajton pikërisht këtë botë para katër mijë vjetësh. Nga këtu nis Tomáš Sedláček të na sjell idenë e tregtisë ndër njerëz si diçka krejt të natyrshme. Nëpërmjet të një interpretimi të pazakontë deri tani Gilgameshi dhe gjysmëkafsha Enkidu na dalin si qenie të një procesi krejt identik me atë të një bankieri që përpiqet me çdo kusht të shes hipoteka apo aksione në Wall Street. Nga anatomia e kësaj bote Sedláček kalon në ligjet e dhiatës së vjetër, duke krijuar kështu jo vetëm një kontinuitet tematik (lufta për kapital dhe sigurim të tij) por duke na sqaruar edhe një «huazim permanent e historik» nga kultura në kulturë dhe atë nëpërmjet arkës së Noa-s, i cili kujdeset që malli, speciet dhe metodat  të mbesin gjallë edhe atëherë kur planetit i kanoset rreziku i zhbërjes. Antika greke paraqitet si zonë akumulative e këtyre kulturave për të ndërtuar bazën deri tek pankrishterimi  justinianik  i Evropës. Fiziologjia mekanike (makinerike) e Descartes-it dhe teoria e bletëve të Bernard Mandevilles nuk kanë ndonjë vlerë më shumë si tendenca për ta sjellë diskursin deri tek farkëtari i ekonomisë moderne, pra tek kryeliberali historik Adam Smith. Veç në kapitullin 8 e deri 10 Sedláček na njofton për qëllimin e tij kapital, pra demonstrimin e të së «vërtetës se ekonomia bëhet nga njerëz. Se në ekonomi bëhet fjalë për të Mirën dhe të Keqen. Bëhet fjalë për njerëz që rrëfejnë historira për njerëz tjerë… Gjithçka është një parabolë, një storie, nëpërmjet së cilës ne përpiqemi ta kuptojmë botën përreth».

Kritika

«Libri është shkruar për mrekulli», shkruan Samuel Brittan i «Financial Times», i cili pranon se gjatë lekturës së librit nuk ka mundur më të lexojë diçka tjetër. «Der Spiegel» si zakonisht më kthjellët kap domenin qendror të autorit kur thotë se Sedláček përpiqet ta çlirojë moralin e bërë gërmadhë të ekonomistëve që kanë humbur çdo sens për realitetin  nga shifrat e tyre të përdhosura». I pazakontë është rasti për letrat intelektuale evroperendimore se për librin «Ekonomia e së Mirës dhe së Keqes» nuk gjejmë pothuaj as një recension të thelluar, të mirëfilltë, që do të ndihmonte recipientin të ecë anatomisë së librit edhe atëherë kur ndeshet me saga kulturologjike të panjohura si ekonomia e sabatit (?) apo katrahura e miteve të shumta që përlahen e groposen për qindarka të pavlershme.

Samuel Brittan ka të drejtë: libri është shkruar me një gjuhë dhe ritëm havelian. Si një prozë me një kapital të rëndë intelektual që kërkon përgjigjen në pyetjen se «sa moral lejon ekonomia?».

Defektet

Pikërisht kësaj pyetjeje nuk i përgjigjet Tomáš Sedláček. Ai i bën analizë historisë së moralit human, mirëpo duket sikur me çdokusht kursen aktualitetin. «Ai nuk flet për grumbullimin dhe monopolizimin e kapitalit nga një grusht grykësish që kanë buxhetin dhjetë herë më të madh se ekonomitë e dhjetëra shteteve bashkë», na thotë në një email marksisti dhe filozofi i papërmirësueshëm slloven Slavoj Žižek për Kohën Ditore. E kjo është e vërtetë sepse në veprën 500 faqesh të tij Sedláček na dhuron një ekskursion të bukur historisë së njerëzimit në lidhje me sjelljen e humanitetit ndaj kapitalit, mirëpo nuk na ofron edhe analizën e tij rreth «egërsisë tonë» (kapitulli i fundit) aktuale që nëpërmjet kapitalit ta ndajmë botën në të mjerë dhe në të priviligjuar.

Synimi

Ndoshta nëpërmjet nëntekstit Tomáš Sedláček përpiqet të na e lansojë apelin se qëllimi (si telos) nuk është i moralshëm, s’ka qenë kurrë i moralshëm kur ka qenë në pyetje kapitali. Mirëpo ai apel, nëse ka qenë i planifikuar, nuk duket konkretisht askund. Ky ndoshta edhe nuk ka qenë synimi i autorit çek, që aq me pompozitet festohet nga mediat evropiane, por siç shkuan Patrick Bernau i Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (19.02.12); «Tomáš Sedláček na ofron një udhëtim të mrekullueshëm nëpër historinë e qytetërimit dhe mendimit human». Këtë autori çek e ka bërë vërtet për mrekulli. Poashtu meritë e tij është që në mediat kryesore evropiane ka muaj që debatohet ashpër për etikën në ekonomi dhe për rebalancimin e kapitalit në aspektin global.

 *Për këtë tekst është përdorur libri në gjermanishte «Die Ökonomie von Gut und Böse», Hanser Verlag, München, 2012.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...