Lukiani në burgun e dëbimit

Zvicra ka ashpërsuar ligjin për azilkërkues. Sidomos ndaj atyre që nuk kanë dokumente të mjaftueshme identifikimi. Ata menjëherë arrestohen. Të drejtë ankese kanë vetëm 24 orë. Për kritikët, ky trajtim është skandaloz dhe kundërkushtetues. Vizitë tek një i arrestuar që pret dëbimin.

Mbi tavolinën e metaltë, të qelisë 217, të burgut të dëbimit në Kloten të Cyrihut ka mbetur i hapur një libër shqip, në faqen nëntë të tij. Titulli: »Lavdërimi i atdheut«. Pranë saj një shishe coca – cole gjysmë e shprazët, një tubë dokumentesh me logon e instancave zvicerane të azilit dhe një tubë letrash toaleti. Mbi shtratin e çrregulluar është shtrirë kosovari tridhjetepesë vjeçar Lirim Berisha*(emri i ndryshuar nga redaksia). «Sa herë që dëgjojë zhurmën e çelësave mendoj se vijnë të më marrin për të më deportuar», thotë azilkërkuesi shqiptar dhe shtrembëron kokën për ta nxjerë së paku shikimin e tij jashtë grilave të burgut, atje jashtë ku fillon ajo Zvicra tjetër, më e madhe se sa kjo tremetra katrorëshja ku gjendet Lirimi. «Si është Zvicra», pyet ai duke përqëndruar sytë në derën e blinduar të qelisë dhe duke vënë buzën në gaz. Një “mikpritje” e tillë e shtyn njeriun që të ketë më shumë respekt për atdheun e tij, menduam para se ta hapnim bisedën rreth eseut të Lukianit në librin e kaftë. »Atdheu…lem rehat…», Lirimi nuk e fsheh alergjinë ndaj vendit të vet. Lukiani kishte qenë para Lirim Berishës në qelinë e burgut të Cyrihut.

Ka disa vite që Zvicra është duke praktikuar një metodë të re sa i përket procedurës së trajtimit të kërkesave për azil. Nën presionin e partive të djathta ajo ka vendosur që më të mos i lë kohë vetes disa muaj deri sa të marrë vendimin pozitiv a negativ mbi kërkesën e refugjatit. Vendimi duhet të merret menjëherë, pra vetëm dy deri më tre ditë pas shfaqjes së të huajit para qendrave të lajmërimit, të cilat gjenden në Bazel, Kiasso, Vallorbe dhe Krojclingen.

Karl M., 54, shefi i ekipit të Entit Federativ për Migracion në Basel, bashkë me ekipin e tij pesantarësh ka pasur shumë pak kohë në disponim për të balansuar faktet se a e meriton Lirim Berisha qëndrimin në Zvicër apo jo. «Për azilkërkuesit që vijnë nga vendet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e vende të tjera e kemi lehtë që të vendosim menjëherë sepse ato gjenden në listën e vendeve të sigurta, ndërkaq për vendet…».

Edhe pse rasti i Lirim Berishës juridikisht është i komplikuar, kjo nuk ka penguar ekipin e qendrës pranuese të azilkërkuesve që për dy – tre ditë të marrë vendim në lidhje me fatin e refugjatit nga Kosova. Vendimi është negativ. Ai duhet të braktisë Zvicrën. Arsyetimi: Nuk ekzistojnë fakte konkrete që do të dëshmonin ndjekjen e tij politike, racore a fetare në vendin e tij.

Lirim Berisha as që ka pretenduar të paraqitet si i ndjekur politik. Në intervistën e tij para këtyre organeve Berisha kërkesën e tij e bazon në një zënkë personale me “një familje të rrezikshme e të përzier në struktura pushteti” dhe frikën nga hakmarrja. Nëse historia e tij është e vertetë atëherë është e rrezikuar jeta e tij, e cila është e para në listën e parakushteve për të fituar azilin, pas së cilës pasojnë kushtet si ato; politike, racore e fetare.

Në mesin e muajit gusht hyjnë Lirim Berisha, me një kofer të shkepur nga të gjitha anët, në qendrën e azilkërkuesve, në Basel. Ai s’njeh asnjërën nga gjuhët e vendit. »Pas një ore pritjeje në korridor më morën në pyetje«, fillon rrëfimin e tij Lirimi nga Peja e Kosovës. Edhe intervestimi me përkthyes nuk zgjatë më shumë. «E kam rrahur djalin e një funksioneri atje se ma ngucte motrën sa herë që ajo dilte për të shkuar në shkollë», kjo është fjalia e parë që qëndron në intervistën e tij për të vazhduar pastaj rrëfimi se si ata, pra familja e funksionerit, e kanë kërcënuar me vdekje; e kanë gjuajtur njëherë me revole; ia kanë rrahur të vëllaun e të ngjajshme. Çdo rrëfim ka mangësitë e veta. Ky i Lirim Berishës – edhe pse si rast është më se i mundshëm në rrethanat  e mentalitetit shqiptar – për shkak të elementeve kronologjike dhe njerzve që përmend ai në intervistën e tij, saga tejkalon çdo normë të së vërtetës dhe bëhet banale. Rrëfim të cilët nuk i besojnë organet zvicerane të azilit. Dy ditë më vonë, përderisa Lirimi ka qenë duke ngrënë mëngjesin, dy policë e fusin në një kamionetë dhe e sjellin në qelinë e burgut për personat që duhet dëbuar nga vendi, që gjendet pas aeroportit Kloten në Cyrih. Ai ka vetëm 24 orë kohë për të bërë një ankesë. Si do ta shkruajë ai atë? Shqip apo serbisht? Jo ankesa duhet të shkruhet në njërën nga gjuhët e vendit. Përkthimi i vendimit që i është bërë nga përkthyesi zyrtar shpejt e shpejt nuk i jep atij gjithaq mundësi sa për të ndërtuar një ankesë, qoftë madje edhe shqip. “Le të marrë avokat”, thotë njëri nga zyrtarët.

»Kjo është qesharake«, thotë Jürg Schertenleib nga Organizata për Ndihmë Refugjatëve SFH. Një azilkërkues që vijnë këtu e arrestohet brenda 72 orëve nuk ka as mundësi e as kushte për të orgnaizuar një avokat. Sipas tij një trajtim i tillë është jashtë «çdo norme të të drejtave të popujve dhe konventave tjera ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut». Vërtet është kështu? Profesori më reputativ i të së drejtës për azil, shpesh këshilltar në përpilimin e ligjeve në Zvicër, Walter Kälin konfirmon këtë akuzë: «Kjo sjellje, kjo procedurë nuk është vetëm kundër Konventës Evropiane mbi të drejtat e njeriut, por edhe kundër kushtetutës tonë». Edhe Karl Meyer e di këtë punë dhe: «me ligjin e ri ky afat do të zgjatet për pesë ditë». Pyetjeve se çdo do të ndodhë me Lirimin që do të depërtohet tani dhe se edhe me pesë ditë kohë një i burgosur i ka të gjitha mundësitë e kufizuara për të bërë një ankesë ai i përgjigjet me: «pyetni politikanët». E shumica e politikanëve aktualisht gjenden në pushime verore.

Berisha njeh Zvicrën si vend të barakave dhe qelive. Zvicra është vend i vogël, por jo aq i vogël se sa do të mbetet në kujtesën e azilkërkuesit kosovar. Faji i tij nuk është, por i një procedure «jonjerzore», siç e e quan Scherteneleib.

Lirim Berisha çohet në këmbë, kap shishen e coca – colës dhe e zbraz deri në pikën e fundit. E vë gishtin në titullin e eseut «Lavdërimet e atdheut» të Lukianit dhe ndal sytë aty për një çast. Për çka bëhet fjalë në këtë shkrim pyet ai. Lukiani thotë se s’ka asgjë më të shejntë se atdheu, i themi ne. Ai përsëri bën ca grimasa nënçmuese. Në korridor u dëgjua shushuritja e çelësave të gardianëve. Ai edhe njëherë nxori shikimin jashtë grilave dhe: «atëherë mirupafshim në atdhe», bëri para se të hapë koferin e tij të shkepur. Bashkë me sendet tjera futi edhe librin e hapur në mesin e këmishave dhe çorapëve të tij. Lirimi mori Lukianin me vete, jashtë burgut, për në Kosovë.

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...