Umberto Eco me romanin «Flaka misterioze e mbretëreshës Loana» ka bërë autobiografinë e ilistruar të postdmodernës evropiane. A mund ta finalizonte dikush tjetër një projekt të tillë më mirë se i urti gjenial nga Piemonti?
Mbreti i citateve, detektivi i epokave dhe kirurgu i shenjave e gjuhës Umberto Eco në romanin e tij më të ri «Flaka misterioze e mbretëreshës Loana» nuk na merr me vete për të zbuluar ndonjë murg vrasës brenda murreve të kishave mesjetare e as nuk na detyron të deshifrojmë pergamenët e pluhurosur bashkë me Baudolinon për të identifikuar vrasësin e perandorit Friedrih Barbarosa, kësaj rradhe ai na fton t’i bëjmë një eskurzion gjeografisë së Unit të tij. Atij Uni nëpërmjet të cilit mund të mësojmë jo vetëm intimitete biografike të autorit, por edhe të të ashtuqujaturës postmodernë vetë. Nëse si lexues kemi dilema me atë se çka në roman është reale e çka joreale, atëherë mund të shërbehemi me ilustrimet që shoqërojnë tekstin – kështu oferta e autorit.
Tashmë siç është bërë zakon, nuk shkoi as një muaj pas botimit të origjinalit në italishte «La misteriosa fiamma della regina Loana», romani u botua edhe në shumicën e gjuhëve të tjera perëndimore. Falë kolonisë jo të vogël të lexuesve të Ecos, në çdo vend, kulturë e gjuhë botuesit janë të sigurtë se firma e këtij autori është profitabile dhe nuk çajnë kokën më gjithaq me shushuritjet e lektorëve dhe kritikës. Përderisa kritika karshi romaneve të tij si «Emri i trëndafilit», «Baudolino» etj, ishte e ndarë në dy pole agresive (njëra palë asgjësuese e tjetra të bën të vjellësh nga përulja e tepruar para këpucëve të lustruara të shkrimtarit italian) kësaj here vërehet një ballafaqim më syçelë, më i argumetuar dhe më i angazhuar në deshifrimin e botës së komplikuar të autorit bestseler.
Në romanin e parafundit (dhe të tjerët) ishin të rralla skenat dhe imazhet nëpërmjet të cilave mund të hyjnim në sferën intime të krijuesit, botën e tij, madje edhe kur mendonim të kemi triumfuar e kemi dekoduar ngjashmërinë e tipareve të Baudolinës me Econ pas pakë duhej të dorrëzoheshim para maskimit mjeshtëror që pasonte në skenën e rradhës. Për këtë romani i fundit «Flaka misterioze…» është një roman tepër i rëndësishëm për ekspertët, paraprakisht të fenomenit Umberto Eco e pastaj edhe të temave tjera që vepra sjell me vete.
BODONI, ECO DHE NE
Storia: Antikuari milanez Giambattista Bodoni zgjohet nga koma. Ai nuk i njeh njerëzit që i qëndrojnë pranë shtratit. As gruan e tij të bukur Paola. Libri fillon me pyetjen: si e keni emrin? Pacienti nuk e di atë. Shtrrngon ballin dhe provon emra nga më të ndryshmit. Ia qëllova? Jo. Ai vërtet e ka humbur kujtesën. Ai nuk di se ku ka lindur, prej nga vjen dhe kush është. Yambo, e thërret gruaja që i qëndron pranë dhe ia shtrrngon dorën. Kot. Zotëri Bodoni, i cili pas një infarkti më 25 prill 1991 ka rënë në koma, është shndrruar në një qenie pa identitet. Më vonë bëhet e qartë se Yambo nuk ka humbur tërë kujtesën, por vetëm atë të personit të vetë (fenomen ekzistent në medicinë, për të cilin Eco si duket i ka konsultuar mirë neurologët), sepse ai me saktësi e di kush është Pitagora, Shën Augustini, Abrahami, ai e di shumë për Aleksandrin e Madh, por jo për nipin e tij Alessandro. Giambattista Bodoni nuk njeh vetëm antikuitetet dhe librat me të cilat është marrë si tregtar, por edhe historinë tyre, një personazh më i ditur se sa të gjitha enciklopeditë e Bertelsmannit, Brockhausit dhe Larousse–s bashkë.
Bodoni nuk pranon që jetën e tij t’ia rrëfejnë të tjerët. Rast i shkëlqyeshëm për Econ, i cili merr atë dhe ne për dore dhe – këtu nis ai investigimi i fashëm i Umbertos- dhe nisemi për të kërkuar gjurmët e identitetit të humbur të kryepersonazhit. Stacioni i parë: fshati Solara, në rrafshnaltën e Po-së, në Piemont, atje ku ka lindur Yambo. Në tavanin e shtëpisë së pararendësve të tij shfaqen shenjat e para të rinjohjes, të kthimit të kujtesës. Peisazhet e natyrës i njeh, por nuk e di prej ku (!). Mjegulla ende është shumë e dendur sa për të parë qartshëm. Duke bastisur kutitë dhe librat e gjen një leksikon të vitit 1905, pastaj një radio që s’funksionon, mirëpo që atij ia ngjall iluzionin sikur të dëgjoj muzikë klasike, operë, Chopin-in natyrisht dhe shumë këngë popullore të asaj epoke. I ngul sytë në inicialet RL të shënuara mbi rregullatorin e kanaleve të radios dhe bën «aha», «Radio London», pra. Gjyshi i tij paska dëgjuar radion e armikut me qëllim që informacionet pastaj t’i krahasojë me ato të regjimit për të zbuluar të vërtetën (vlerësimi dhe krahasimi i tekstit). Dikur lodhet Bodoni me Homerin, Manzonin dhe Flaubertin, madje edhe një botim origjinal të Sheksipirit që mban datën e vitit 1623 dhe i përveshet literaturës me nivel «më të ulët» si ajo e Emilio Salgarit (Karl May italian). Pikërisht me fletoret komike, në reklamat e atëhershme si Micky dhe Donald, Vespa, Esspresso, me figurat si Mussolini, Hitleri partizanët, fashistët dhe komunistët nis rikonstruimi i historisë. Pllakatet dhe sojet e kutive të cigareve Eco i boton krahas rrëfimit,.
Kur Bodoni hyjnë në fazën e pubërtetit shfaqet figura e dashnores së tij të paharueshme Lilës – po si ajo Luara e Petrarkës dhe Beatriçja e Dantes – e cila tragjikisht shpejt vdes në Brazil larg syve të kryepersonazhit. E kështu me rradhë pastaj Yambo duke hulmtuar vetveten na rrëfen historinë kulturore të epokës duke filluar nga vitet e para të vitit 1900 e deri kur ai bie në koma më 1991, në vitin e bomardimeve të Bagdadit nga amerikanët.
ANALIZË E IDENTITETIT KONTINENTAL
Rrëfimi për antikuarin që humbjen e kujtesës e shfrytëzon për të gjetur një identitet të ri është vetë biografia e Umberto Ecos. Dhe më shumë: si në asnjë vepër tjetër më parë – qoftë ajo shkencore apo artistike – profesori dhe intelektuali i famshëm italian përpiqet që ta njoftojë kohën me rëndësinë e prezencës së tij në kulturën postmoderne. Giambattista Bodoni lind një vit para Umberto Eco, ku tjetër veçse atje prej nga vjen autori, si fëmijë i ka po të njejtat lodra, në rini edhe ky ka simpati për fashistët e pastaj bëhet antifashist dhe gazetar e më vonë intelektual i pakrahasueshëm dhe enciklopedi e gjallë. Yambo na shpalon dialogjet që e kanë shpëtuar nga religjioni, na reciton poezi dhe anekdota që Eco i ka botuar më herët në përmbledhje eseshë.
Jashtë asaj personales, biografikes e pse mos të themi edhe narcisoides, Umberto Eco përnjëmendt ka bërë autobiografinë e ilistruar të postdmodernës në formë romani. Mbitëgjitha romani është analizë e kërkimit të identitetit që ka dhe po zhvillon kultura kontinentale. E kush mund ta bëntë një projekt të tillë më mirë se i urti gjenial nga Piemonti?
CITATE DERI NË ALIVANOSJE
Eco ka bërë një punë të mirë që kësaj rradhe në fund të librit ka botuar një glosar që sqaron terminologjinë e përdorur në libër, se për ndryshe lexuesin e tij mund ta paremendonim duke lexuar në tren me një valixhe të mbushur përplotë libra enciklopedikë dhe fjalorë të shumë gjuhëve. Ndoshta po për këtë arsye kapituj të tërë e bëjnë Yambon të përgjumshëm, të përsëritshëm dhe të mërzitshëm.
Edhe në «Flaka misterioze e mbretërshës Loana» citatet ta plasin trurin, duke filluar me Poen, Stevensonin dhe Mellvilin, pastaj vijnë Manzoni, Çehovi, Baudeleaire, Augustini e natyrisht pse të mungojnë edhe Montaleja, Lili Marleni, Shekspiri, Danteja, Floberit dhe pa e lënë anash patjetër Umberto Econ dorën vetë. Kollazhet, që burrimin e kanë nga biblioteka e madhe e autorit, nganjëherë ta krijojnë përshtypjen sikur duan t’ia marrin frymën prozës, ta zhveshin atë nga arti i bukur dhe ta degradojnë në shenja dhe fotografi si në ato librat e historisë për gjimnazistët.
Lexuesit që duan ta dijnë arsyen se pse Eco romanin e ka titulluar «Flaka misterioze e mbretëreshës Loana» duhet të kenë durrim dhe të presin deri në faqen 249 (të botimit origjinal, italian). Aty do të mësojnë shpejtë e sipërfaqësisht se bëhet fjalë për figurën kryesore të një «Cartooni» që zhvillohet në Orient, që Yambo e ka lexuar si fëmijë.