Autori në modë Michel Houellebecq e ka një program se si ta shpëtojë Europën: me vrasjen e gjithë intelektualëve të majtë, Marksit, Freudit, Nietzshes, mediave dhe me përmbysjen e islamit nëpërmjet krishterimit dhe judaizmit! Seriozisht. Lexoni fjalimin e tij gjatë shpërblimit nga gazeta gjermane FAZ.
Ai e ka një mision: ta shpëtojë Europën nga vetëvrasja! Fazat kryesore të këtij programi autori i rishpaloi së fundi gjatë fjalimit të mbajtur më 26 shtator, në pallatin e gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ku morri çmimin «Frank Schirrmacher», i cili iu ndahet «personaliteteve me kontribut të jashtëzakonshëm në zbërthimin e ndodhive të epokës».
Programi i autorit të romanit të famshëm «Pjesëzat elementare» (1998) është ky: Pas Marksit dhe Freudit synon ta vrasë përfundimisht edhe Nietzsche-n. Të mbyll gjitha mediat franceze, të cilat pas atyre suedezeve të vetmet financohen nga shteti dhe që «ndjekjen e shtrigave» e quajnë debat publik. Të ekzekutojë edhe intelektualin e fundit të majtë në Evropë. Të detyrojë mendësinë e kohës që të pranojë vetëm të vërtetat e trios profetike franceze si: sionistin e vetëdeklaruar Maurice Dantec, ekzorcistin spiritual Philippe Muray dhe atë personalisht, Michel Houellebecq-un. Të parandalojë shtetin në dënimin e shfrytëzuesve të prostitucionit, ngase vetëm kështu shpëtohet bashkëshortësia. Të pranohet nëse jo komplet si gjysmë profeti ngase parashikoi sulmet islamike në Francë. Europianët – e vërtetë – të nisin që sot me shtatëzënien masive të grave të tyre për të shpëtuar botën nga invadimi islam. Nga nata e fjalimit e tutje të shpallen të vdekur «lopët e shenjta», intelektualët, të mos dëgjohet më ajo kastë e «cofur» që nga Sartri e Levy, por vetëm shkrimtarët.
Ky është programi i Houellebecq me ultimatumin e huazuar nga miku i tij Maurice Dantec që iu bë kryeskandaloni nga mediat shtriga franceze e që përmblidhet këtu, citat: «Vetëm krishterimi dhe judaizmi janë të vetmet fuqi spirituale që mund ta përmbysin pushtetin e fuqisë tjetër spirituale -islamin»
Këto përmbledhtazi janë paragrafët kryesore të programit Houellebecq. Nëse dikush mendon se kjo pasqyrë është e hiperbolizuar mund ta lexojë fjalimin komplet në faz.net, dhe do të vërejë është se vetëm minimumi i programit.
II.
Për ta kuptuar një autor përtej asaj që e stampon me «vetërehabilitimin» pas ballinës së librit «Rrëfimi s’ka të bëjë asgjë me persona dhe ndodhi reale. Ai është produkt imagjinar i autorit», duhet t’ia lexosh biografinë. Kush është Michel Houellebecq? Ai lind në ishullin e kolonizuar nga Franca «Reunion» të oqeanit indian. Prindit nuk kujdesen fare për të. Si pasojë e kësaj ai detyrohet pesë vitet e para të fëmijërisë t’i kalojë në Algjeri tek njëra nga gjyshet. I ati alpinist gjithë kohën endet maleve. E ëma infermiere mbetet shtatzënë nga njëri prej dashnorëve të shumtë të saj. Prindit ndahen. Si 6 vjeçar Michel-i përfundon tek gjyshja tjetër; një komuniste e ashpër dhe e përbetuar, mbiemrin e së cilës e përdor edhe sot autori, si pseudonim.
Gjersa e ëma e tij Janine Ceccaldi, thotë Michel të jetë lindur më 1956, autori rinon vetën për dy vjet dhe thotë të jetë lindur më 1958. E ëma përbetohet i biri i saj të jetë skizofrenik, gënjeshtar dhe të bëjë jetë në një botë ireale, prandaj ka qenë e detyruar që si fëmijë ta dorëzojë në një internat, nga ku Michel-i mbërrin deri të regjistrohet në Institutin Nacional të Agronomisë. Si agronom me profesion themelon revistën letrare «Karamazov», ku boton kryesisht vjershat e veta. Qysh si student martohet. I lindë një fëmijë. Bie në depresione të thella. Ndahet nga e shoqja. Përfundon në një klinike psikiatrike. Pas rehabilitimit gjen punë në Ministrinë e Bujqësisë. Boton romanin e parë të pasuksesshëm «Zgjerimi i zonës luftarake». Martohet sërish. Boton romanin e dytë të njohur «Pjesëzat elementare». Kritika franceze e përtokë për dy arsye: E para: autori e quan religjionin islam si më idiotin nga fetë monoteiste dhe e dyta: shpëtimin e njeriut europian e sugjeron nëpërmjet gjenoteknikës, prodhimin e robotëve, më mirë të fundit se njerëz me besim islam. Jo me shtatëzënie masive si së fundi. Ikë në Irlandë. Ikë edhe nga gruaja e tij e dytë. Ikë sërish në Spanjë, në Almeria. Në vitin 2013 kthehet sërish në Paris. Izolohet. Rikthehet me romanin «Nënshtrimi». Sërish kritika të ashpra që për titullin e romanit të njëjtë me atë të filmit të regjisorit holandez Theo van Gogh, i cili u ekzekutua nga terroristët islamik. Romani vizionarizon Francën nën sundimin islam – «si pasojë krejt normale pas një epoke miterraneske, të majtë». Seksi dhe Islami janë temat boshte të romanit. Vetë FAZ, që e honoroi me shpërblimin, për romanin «Nënshtrimi», më 6 janar të vitit 2015 shkruante: «Ai luan me zjarrin, ai alimenton (financon imateralisht) teoritë më abstruze (të maskuara) të ideologjive ekstreme të djathta».
Dhe pikërisht këtij autori FAZ ia ndanë shpërblimin për të njëjtin roman?
III.
Po të ishte prostitucioni i lejuar në Algjerinë e viteve të 60-ta a do të kishte marrë rrjedhën e këtillë jeta dramatike e Michelit të rritur gjysheve e internateve? Ndoshta as ndarjet e shumta nga gratë nuk do t’i kishin ndodhur saherë të hynte-dilte pufeve parisiene, ngase edhe vetë shprehet t’i ketë pasur dashuri të njëmendta, prandaj edhe përfundoi në klinika psikiatrike. E të jesh pacient i këtyre «burgjeve më shkatërruese» siç i kulaifikonte Foucault dhe ta lexosh me objektivitet Freud-in do të ishte paradoksale. Po Marksi, pse urrejtja ndaj tij? Ai është babai i gjithë intelektualëve francezë, atyre që sot bashkë me mediat sabotojnë, parandalojnë dy luftërat që duhet bërë patjetër: atë frontalen me krishterim dhe judaizëm siç kërkonte miku i tij të Maurice Dantec për ta përmbysur islamin dhe atë që kërkon Houellebecq, qenien robotike gjenoteknike për ta populluar Europën, të cilët së paku nuk do të çmendeshin nga emocionet – jo lindjet masive? – do të ishin të paraprogramueshëm dhe do të përbënin pseudohumanitetin e ri. Nietzsche duhet të vdes që të jetoj zoti, ai i krishterë me bazë judaike, se pa të nuk ka luftë ndërmjet feve.
Defekti i kësaj mendësie është fakti se fetë e kërkuara nga Houellebecq poashtu ndalojnë prostitucionin. Apo autori gjitha i donë pas shuarjes së tij që sipas tij mezi ia pret gazeta «Le Monde»? Atëherë kur robotët e formuar nga pjesëzat elementare gjenetike mund të programohen të funksionojnë pa seks. E pse të lejohet prostitucioni atëherë? Në këtë drejtim mund të bëjmë shaka në mënyrë enciklopedike me autorin e «Nënshtrimit». Ai del si një kloun i narkotizuar deliriumshëm përballë edhe intelektualit më të lodhur marksist dhe humb lojën. I lejohet se është artist. Ai nuk mund të humb seriozitetin se nuk e ka pasur asnjëherë. Seriozitetin e humbi «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ngase realiteti serioz, ekzistent, terrorizmi islam nuk luftohet me esktremizma tjerë, me religjione luftarake (siç i koncepton Houellebecq ndryshe nga miku i tij Dantec që paqen e krishtere të Krishtit e kishte parim final) dhe me «Frontin National» të Le Pen-it, me gjitha këto bashkë që përbëjnë subjektin aktual Houellebecq, por me ato mjete që sugjerojnë intelektualët e gjithë taborëve: me njohjen reciproke, harmonizimin e botëve pa humbur identitetet dhe kulturat në favor të një ekspansioni siç kërkojnë të gjitha religjionet e sidomos këto të Abrahamit, Ibrahimit. Hë për hë me sekularizmin, këtë gjetje intelektuale në gjendje të kthjellur, e cila është e vetmja mundësi që garanton koekzistencën saherë çmenden fetë, ideologjitë dhe shkrimtarët si ky që e trajtuam këtu, mund të shpresohet në ndonjë frymë triumfuese.
Është Micheli profet apo maniak? Profet nuk është ngase letrarizon me dramatikë skenat e veprës «The Clash of Civilizations» të Samuel Huntington-it mbi një rrezik të dalë më shumë nga vepra në fjalë se sa nga librat e shenjtë. E maniak? Jo. Nuk është intelektual, por shkrimtar që ka të drejtë t’i shpalojë instinktet e tij, e ato i thonë se duhet të ketë frikë nga epidemia e terrorizmit islamik. Me kaq paranojë? Si duket Europa politike e mediale sot në këtë drejtim? Lexo FAZ-in dhe kupto shpërblimet e saja!