Saherë që përgatiten zgjedhje në Maqedoni shqiptarët janë në gjendjen më të mjerë të mundshme. Pse? Qëllimisht nuk mund të jetë se është vetëvarrim. Mësoni nga apelet e klubit të nizamëve.
Grupi politik «Besa» kamuflon instancën për të absorbuar grupet e vogla opozitare nën ombrellën e saj. Kjo do ishte mirë po të mos vepronte organizata me agjenda neo-osmane. Nëse ajo që nga themelimi i saj nuk do t’i kishte difamuar shefat e grupeve tjera si blasfemikë me birë në duar ose pse llafosnin me ortodoksët e Rekës. Nismë pra kot fare dhe po të realizohej – fatkeqe. PDSH me kryetarin e saj të përjetshëm e tekanjoz ka humbur terrenin edhe vetë në kryesinë e saj. Ajo është djegur aq keq e vetëlemerueshëm saqë nuk ia kthen besimin edhe po u ringjall Arbër Xhaferi apo ndonjë profet i shekullit 7. RDK e Rufi Osmanit ka mbetur vetëm firmë. Thelbi i saj është vetëm virtual dhe i parëndësishëm fare. BDI vazhdon të humb edhe «enklavat» më të përbindura të saj rajoneve me shumicë shqiptare. Do të pësojë anijethyerje totale nëse nuk mbërrin që me kohë para zgjedhjeve të vetëhigjienizohet nga të korruptuarit, farekotët, danditë dhe apolitikët me përgjegjësi politikë shumë më të madhe sa që ua kap truri.
Çuditërisht saherë të gjendet FYROM para zgjedhjeve shqiptarët i zatet në këtë gjendje të mjerë.
Pse? Që të jetë kjo qëllimisht nuk e beson kush. Ndonjë lloj taktike e zgjuar s’mund të jetë se është vetëvarrosëse. Atëherë çka është? Paaftësi totale. Në cilin drejtim?
Defekti nuk qëndron tek mosunifikimi, pra njëbërja e spektrit politik shqiptar atje. Do të ishte katastrofale, ngase do të përmbyste diversitetin e ky është i padëshirueshëm edhe brenda njësisë më të vogël përbërëse të një demokracie që për bazë ka pluralitetin.
Por a nuk do ishte mirë që partitë dhe organizatat serioze të mësonin nga kjo thirrje e nizamëve herë të Erdoganit e herë të Gylenit dhe të mendonin për një kongres të përbashkët kur do të bënin vijat e kuqe, ato me interes të etnokulturës dhe politikës së etnisë shqiptare rreth të drejtave elementare që ata duhet t’i kenë aty pavarësisht se a zgjedhet Zaevi, çohet Gligorovi prej varri apo Grusvski sjell në jetë Jane Sandanskin.
Fjalën e kemi për ato vijat e kuqe që nuk lejojnë implementimin e sistemit demokratik në shtet pa pranimin e shumicës së dytë si të barabartë – ngase ajo kurdo që të dojë kushtëzon jo vetëm funksionimin por edhe ekzistencën e vetë shtetit.
A nuk ndiheni pak inferiorë që një klub jeniçerësh donë t’iu gëlltisë brenda agjendave të tyre. Një klub që as s’ka ç’kërkon në kauzat e shqiptarëve aty se ka mision «më të madh», me synime globale për ta pan-turqizuar botën në mos edhe vijën e qumështit.
Para zgjedhjeve subjektet shqiptare, me synime për të përmirësuar jetën aty pra, e jo brenda perandorisë së cofur osmane, e kanë për obligim bashkimin dhe krijimin e një koncensusi në favor të atyre që ua marrin votën qe dekada e nuk arrijnë aty ku duhet.