Vallja e primatëve

Përderisa historia shkruhet nga subjektet nuk ka histori objektive. E rrezikshme bëhet ajo kur primatët e sotëm e përdorin atë si mjet rehabilitimi dhe shërimi nga paranoja e stampimit të gjurmës historike.  

Histori! Gjithandej nëpër media lexojmë tekste që zbulojnë, rizbulojnë e «ndriçojnë» skena në të cilat primatët (kupto këtë në aspektin biologjik), të urdhëruar nga perënditë dhe të përkrahur nga yjet e lazdruara të kozmosit luftojnë kundër djajve. Mbijetojnë, triumfojnë dhe gjithmonë lënë trashëgimtarë sizifianë që garantojnë lidhjen deri tek primati i fundit, ai primat që sot na dëshmon se si ka qenë puna deri dje, si është sot e si do të jetë nesër.

Historia si duket gjendet në kulmin e saj të popullaritetit. Jo vetëm te shqiptarët, ballkanasit, arabët, gjermanët, por vërtet gjithandej.

E kjo domosdo të shtyn të reflektosh e të kërkosh shkaqet se ç’ burimi ka kjo famë, cilat janë funksionet dhe efektet e saja.

Si bëhet kjo pa djegur këmbët  e duart në hithrat e shumta që i kanë mbjellë gjithë ato teori e hipoteza?

FESTAT KOMBËTARE

Kur kombet kanë festat e tyre kombëtare historia manifeston pushtetin e saj absolut. Zviceranët i sheh të turren rrugëve duke imituar Wilhelm Tellin, amerikanët ngjyrosin veten flamur, shqiptarët çojnë hundë e gjoks për tu dukur sa më skenderbenj se ç’ është e mundur, hungarezët për çdo ditë i janë nënshtruar diktatit të aktrimit në rolin e János Hunyadi-it, serbët vuajnë e vajtojnë për çdo ditë nga dashuria ndaj humbjes dhe dëshira për të hyrë në katalogun e sveti-ve të tyre që popullojnë kishat, e kështu me radhë deri në pafundësi.

Nga ky realitet syvrasës mësojmë diçka konkrete nga funksioni praktik i historisë: Të gjithë e përdorin atë për të manifestuar, demonstruar hyjninë e primatëve të tyre, rolin e tyre shpëtues të gjeneve, racës, turmës. Nëpërmjet tyre primatët sot t’i thënë botës, të tjerëve, se humaniteti keq do t’i kishte punët pa primatët e tyre. Jeta në planet do të ishte edhe më dramë pa të parët që kanë mundësuar ekzistencën tonë si primatë të ardhshëm, si pars pro toto të planetit.

TEORITË MBI KUJTESËN

Jo. Pa i djegur këmbët hithrave teorike nuk shpëtojmë dot. Aleida Assman  («Hapësirat e kujtesës», München 1999) do të thoshte se kombet, shtetet, politikat kanë nevojë për përdorimin e këtillë të kujtesës për të sforcuar identitetin e përqafuar. I shoqi i saj egjiptologu Jan Assman («Kujtesa kulturore», München 1992) do të ngulte këmbë për të na bindur se gjithmonë, që nga lashtësia kështu ka qenë dhe se nuk ekziston asnjë arsye e shëndoshë që do të na bindte se tash e tutje do të bëhet ndryshe. Benedict Anderson i shoqëruar nga Hobsbawm, Brubaker dhe gjithë ajo kompania e konstruktivistëve nuk na lënë të qetë me akuzat e tyre se po shpikim historira për qëllime të politikës së përditshme. Robert O. Paxton («Anatomia e fashizmit», New York, 2004) edhe më pamëshirshëm na akuzon se sillemi si fashistë ndaj tjerëve duke keqpërdorur qëllimshëm rrënjët dhe kujtesën kulturore, frymore dhe emocionale të masave për të «dëshmuar» një supermaci fiktive.

ORVELLIANËT QË NUK I KEMI

Pse tentojmë me çdo kusht të bëhemi si figurat e shekujve më parë? Sepse nuk ia besojmë vetes asnjë kualitet minimal për të lënë gjurmë në mbamendjen brenda kopesë, racës e botës? Pse jemi aq të sëmurë për të bërë gjurmë, duke imituar një kohë të paimitueshme? Sillemi me një besim të tillë sikur vetë të kemi qenë mijë vjet më parë pranë kësaj apo asaj figure historike. Kemi ndonjë problem mental?

Filozofi austriak Paul Watzlawick na ngushëllon aq sa mundet, duke na thënë se ne jemi viktima të një ideologjie që shpik realitete për të na mashtruar vëmendjen, që ajo të mos merret me realitetin siç është. Kjo, e ngjashme me atë thënien nihiliste: «bëjmë art për ta mbytur realitetin e egër». Filozofi italian Giorgio Agamben ideologjisë së Watzlawick jep emër, e pagëzon si «dorë e fshehur», e cila kujdeset për të mbajtur të fortë pushtetin. Kush është dora jonë e fshehur? Pushtetet që gatuajnë strategji në «pallatet e tyre të ëndrrave» se si më së miri të mbajnë nën kontroll trutë e qytetarëve të tyre?  Për fat pushtetet ballkanike nuk kanë pasur ndonjëherë një aftësi të tillë orvelliane. (Me gjithë përpjekjet që kanë bërë as nivelin e amatorëve nuk e kanë mbërrit).

Më lehtë iu besojmë shpjegimeve të Elias Canetti-t (Masa dhe pushteti) dhe Hannah Arendt-it (Elementet dhe origjina e pushtetit totalitar). Dirigjentët (Canetti) tanë nuk shpikin ideologji për të na shpëlarë trutë. Ata janë pjesë e jonë. Ata e dinë se çka duam ne. Ata e bëjnë të zëshme vetëm atë që ne e shfrytëzojmë si zjarr në gjoksin tonë: urrejtjen si motor kundër kompleksit të inferioritetit. Le të pyesim veten se çka do t’i bënim një politikani që do të sajonte një ideologji, e cila do të sugjeronte se një pjesë e madhe e shqiptarëve është e përzier me romët apo turqit dhe si pasojë një pjesë e konsiderueshme e popullit është me origjinë (gjene) të dy popujve në fjalë? Edhe po të kishte ai dëshmi të pakontestueshme ne do ta shpallnim idiot, armik, kriminel. Ndërsa i njëjti po të na bërtiste se ka gjetur ndonjë dëshmi (të pamundshme) se njëri nga djemtë e Adamit/Ademit është i pari banor i tokave shqiptare frenetikisht do t’i aplaudohej.  Ndoshta edhe më konkretisht: A do të ndezte fushata e ndonjë partie politike, e cila do të bënte çmos për të prezantuar një program ekonomik që premton se do t’i nxjerr masat nga lloçi social? Jo. Shumicën vazhdimisht e fitojnë parti e organizata, të cilat ulërijnë parulla nacionaliste, euforia patriotike mbetet receta më e efektshme për t’ia marrë votën ballkanasit.

Politikanët pra nuk bëjnë send tjetër vetëm se instrumentalizojnë arsenalin ndiesor të elektoratit për të fituar mandatin e sundimit sa më pa djersë.

DASHURIA NDAJ GËNJESHTRËS

Gjitha këto teori – dorën në zemër se janë interesante dhe të angazhuara deri në palcë – nuk ndikojnë as një milimetër  për të na prishur vallen, dasmën tonë, e cila si akt (jo si formë) ndoshta është ngjarja, historikisht , më e argumentueshmja. Dhe nëse dikush si kryeintelektuali izraelit Shlomo Sand («Shpikja e popullit hebrej», Tel Aviv 2008) donë të na prish orgjitë etnonacionale e lidhim këmbeduar dhe e fusim në qelinë e anonimitetit.

Nëse nuk duhet të festojmë, çka të bëjmë atëherë? Të praktikojmë si ai artisti amerikan Ryan Bingham metodën e Ascetic emptiness (nihilizmi praktik) dhe të vërdallemi qiejve ulur në frontin e «zogjve të hekurt» pa munduar trurin rreth statusit tonë historik dje, sot e nesër?

Jo. Ne jemi me devizën e Hannah Arendt-it. Ne jemi të lindur për një vita activa, e jo për një mortus vivendi. Le të festojmë deri sa të na mbajnë këmbët.

Nuk janë problem festat tona. Problemi qëndron diku tjetër. Pyetjeve pse dhe si festojmë duhet t’iu gjejmë përgjigjen adekuate. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë për të mirën e shëndetit tonë, për të mirën e sistemit tonë nervor dhe për hir të trurit dhe shpirtit tonë të përdhunuar.

Pse-ja dhe si-ja e festave ballkanike nuk ka nevojë për ndonjë mbikëqyrje shumëvjetëshe për t’u përshkruar, sepse ato janë të përditshme, të gjithandejshme.

Çka i nxit, motivon kryesisht festat kombëtare ballkanike. Kanë ato karakter tubimi qytetar, domethënë kujtohen heronjtë si shkak për një komunikim të nevojshëm social apo si akt respekti ndaj lirisë së fituar nga heronjtë e caktuar, apo na shërbejnë ato më shumë për të zbrazur frustracionet personale, grupore e kolektive?

E festojnë shqiptarët Gjergj Kastriotin në shenjë respekti sepse ka bërë çmos për lirinë, apo më shumë i nxeh ata, i bën t’i kërcëllojmë dhëmbët, i shtynë të krisin qiellit, i deh trimëria e tij, duke parafytyruar e kënduar atë si ua heq kokat fesëkuqe ushtarëve të sulltanëve osmanë. Ky model mund të transportohet edhe për festat e heronjve tjerë me armiq më aktualë. Festë pas festë shumëkujt i akumulohet e i betonohet bindja se si «paska qenë historia» për këtë apo atë luftë. Kështu e krijojmë kujtesën tonë. Në saj të kësaj kujtese unë, ti ai dhe gjithë kallamkusuret që dinë të kapin kalemin shkruajnë, jo, sakralizojnë të shkuarën deri në atë masë saqë as Zoti nuk u del dot në konkurrencë heronjve tanë. E meqë shkollat nëpër Ballkan ende janë institute në shërbim e jo për edukim të turmës dhe si të tilla nuk luajnë asnjë rol për të sqaruar, të parët e turmës kanë fjalën. Primatët. Këta primatë janë përgjegjës për krijimin e projeksioneve për nipërit e feskuqëve dhe gjithë të tjerëve pas tyre. Në të vërtetë ne vuajmë, digjemi nga urrejtja e tepruar ndaj gjithë atyre shumë armiqve nëpër histori, plotë nesh madje identifikojmë simptoma të një paranoje kolektive, megjithatë ne i dëgjojmë primatët, u duartrokasim, i votojmë, i duam se flasin nga zemra, nga shpirti jonë. Ata, primatët mbajnë gjallë dasmën tonë.

PËRDHUNIMI I HERONJVE

Përderisa historia shkruhet nga subjektet nuk ka histori objektive. Në këtë kontekst as marrëveshja që t’ia shkruajmë historinë njëri tjetrit nuk na shpëton nga monarkia e pathyeshme e emocioneve. Derisa historiani të ketë lirinë dhe të drejtën (që duhet gjithmonë ta ketë) e sistemimit dhe interpretimit personal të burimeve, askush nuk mund të vë dorën në zjarr për këtë apo atë version të historisë. Po edhe pse të vëmë dorën në zjarr? Historia nuk është kadastër ku popujt kërkojnë drejtësi për copë tokash që u paskan takuar stërgjyshërve të tyre. Historia është dije. Përpjekje  për të rikonstruktuar të shkuarën me synimin për të kuptuar si ecë rrota e kohëve. Madje edhe për të mësuar se nga, si dhe pse lindi gjuha, identiteti im. Është një metodë e natyrshme e humanitetit  në luftën e tij kundër harresës. E jo siç e përdorim ne; si luftë për ta mbytur të tashmen. Luftë kot. Historia nuk prodhon bukë. As siguri. Sapo të na dalë rakia nga gjaku përballemi me ndonjë ushtarë të NATO-s që është zgjuar keq, ose nga gjumi na zgjojnë trokitjet e para mbledhësit të firmave energjetike që kërkon t’ia paguajmë llogarinë për gjithë atë rrymë që kemi harxhuar duke festuar ditë e natë. As primatët nuk ndihmojnë dot në këto punë. Ata nuk «çajnë dërrasa» për shkak të masave, por për të bërë veten të durueshme si qenie. Ata i ndjek paranoja e gjurmës. Mendojnë se do të lënë gjurmë brenda kopesë në kurriz të heronjve, legjendave, martirëve dhe atë pa e lëvizur prapanicën, por vetëm duke ulëri nëpër media e dasma.

HISTORIA SI L…

Askush nuk ka të drejtë të kërkojë që njerëzit t’ dorëzohen harresës. As atëherë kur arkat e sigurimit shëndetësor nuk funksionojnë për shkak të numrit të lartë të pacientëve që vuajnë nga depresionet. Kujtesa i ka funksionet e saja pozitive, sidomos kur ajo nuk shfrytëzohet  për ta vrarë realitetin e sotëm dhe veten. Nuk vritet realiteti me kufoma, qofshin ato edhe të balsamosura e të bëra gurrë.

Po kuptojmë se popullariteti i historisë vjen nga keqpërdorimi i saj për interesat nga më të ndryshmet; politike, personale, shëndetësore, kulturore etj. Gjithë kjo na përkujton ato laviret klasike të romaneve franceze. Historia në shërbim të të gjithave e secilit.

Për t’i shpëtuar paranojës së primatëve nuk na mbetet tjetër përveçse; shkencës historinë, ne mirëqenien, lirinë dhe shëndetin. Amen!

Bernë, 1 gusht 2012

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...