«Ah-ti-fete k…», «Kosova është mafi», «O kte…vetëm plumbi e drejton», «hajna, tradhtarë, konopi u vjen hakut», «Ç’ kopili ore. Është mësuar ore kjo shkërdhatë Tropoje të na…» Këto janë disa nga shembujt e marrë nga forumet e ca mediave serioze shqiptare. Cybermobbing-u në formën më brutale të tij.
Ka mbaruar ajo kohë kur vuaje duke dërguar letra me gomar nga krahina në krahinë për ta fituar një mendim konfirmues apo refuzues për atë qe ke shkruar. Të rrallët merrnin ndonjë mesazh shpresëdhënës. Shumica ose vazhdonin të krijonin nga inati ose kërkonin me huti ndonjë profesion tjetër. Për ta bërë sa më vizuale këtë histori le të kujtojmë atë anekdotën rreth dilemës së Rousseau-së pas marrjes së letrës nga Voltaire. Kur Rousseau mori letrën e patriarkut të kulturës franceze të asaj kohe, i cili e uronte në shkrimin e radhës të ketë shpallur suksesshëm njeriun në kafshë, autori i kontratës sociale u rras në depresion saqë seriozisht kacafytej me dilemën të mos shkruaj më. Si do të qëndronte puna nëse Rousseau të jetonte në kohen tonë, në epokën tonë të Facebook-ut. Ndoshta nuk do të brengosej fare nga fjalët e ashpra të «Kandidit optimist» dhe do të ngushëllonte veten me shifrën e lartë mbi butonin «like». Miqtë do ta shpëtonin ndoshta nga dilema dhe depresioni.
Ndoshta?
Sot nuk besojmë se një histori e tillë i ndodhë madje edhe ndonjërit që as emrin dhe mbiemrin e vetë nuk arrin ta shkruajë si duhet. Ai nuk ka më nevojë t’i drejtohet askujt për të marrë analizë rreth kualitetit të shkrimit që ka prodhuar. Sot çdokush që ndez kompjuterin depërton si urith në labirintet komplekse të World Wide Web-it, me apo pa vullnet ai hynë në listat e google & Co. dhe amshon veten si tag, si keyword apo qoftë edh si hieroglifë e padekodueshme që ka gabuar epokën dhe modën dhe pa dashje multiplikohet qindra herë në ditë nga php-skriptet e automatizuara të makinave të kërkimit.
Individët që me qëllim dhe plan duan të krijojnë identitetin e tyre në rrjet shfrytëzojnë Facebook-un, Google+ apo formularët e kontaktit të mediave të ndryshme për tu shprehur, për të filozofuar, për të qenë aktiv apo edhe vetëm sa për të ndarë frustrimin personal duke ulëri bashkë me gjithë komunitetin e kyçur në forumin e një web-i.
Sa e shëndetshme është kjo cezurë? Kjo kulturë e re komunikimi publik?
Ka vite që ekspertë, filozofë e moralistë të ndryshëm kërkojnë përgjigje rreth këtyre pyetjeve dhe nuk dalin dot nga kafazi i botëkuptimeve të përvetësuara, të cilat shtrihen që nga anarkizmi total (Julian Paul Assange) e deri tek shpirtngushtësia totalitare e censorëve kinezë.
Debati pra i nisur që nga dita (1989) kur Sir Timothy John Berners-Lee hodhi hypertekstin e parë në rrjet, nuk do të përfundojë kurrë. Së paku jo deri atëherë sa planeti të popullohet dhe drejtohet nga dy këmbësorët. Prandaj edhe qëllimi i këtij teksti nuk mund të jetë dhënia e kontributit në këtë debat të mërzitshëm apo dëshira për të transferuar atë në diskurset shqiptare, synimi i këtij reflektimi ka për adresatë mediat me përgjegjësi kolektive; gazetat, mediat elektronike, botuesit e të ngjashëm. Deshën apo jo këto faktorë shoqërorë, po si institutet e arsimimit (madje edhe më efektshëm, sepse nuk varrën nga kusht i detyrimit dhe sanksionimit) bartin përgjegjësi, jo për fenomenet e pa shkaktuara nga to, si për shembull për atë vokabularin e egër të pseudoreperëve ose për « F… yourself» -stilin e SMS-gjeneratës, por kanë përgjegjësinë e tyre për legalizimin e kësaj (a)kulture komunikimi.
1. Fjala e lirë dhe anticensura
Një miku jonë që punon si redaktor në njërën nga gazetat relevante na tha kështu: «Paj nuk e di, ne nuk i përzihemi webmasterit. S’ka censurë më o mik, liri shprehjeje e mendimi. Le të bëjnë muhabet mileti». Ky ishte statement-i, përgjigja e tij pyetjes tonë se nëpër ç’ redakture kalojnë komentet e lexuesve.
Po nënvizojmë edhe njëherë kriteret; webmasteri, duke respektuar shprehjen e lirë dhe dëshirën e «miletit» për të bërë muhabet dhe duke manifestuar deri në skaj anticensurën gjykon se cilin koment duhet bërë publik e cilin jo.
Dhe ja rezultati:
«Ah-ti-fete k…», «Kosova është mafi», «O kte…vetëm plumbi e drejton», «hajna, tradhtarë, konopi u vjen hakut», «po hiqju ktij burrë se spiun tan jetën ka qenë», «Ç’ kopili ore. Është mësuar ore kjo shkërdhatë Tropoje të na…» e kështu me radhë. Këto janë disa nga shembujt e marrë nga forumet e ca mediave serioze shqiptare. Qëllimisht nuk janë zgjedhur ato më brutalet dhe ato që kanë të bëjnë me emra konkretë.
Më interesantja: Në shumicën e webfaqeve të gazetave shqiptare qëndron edhe kjo vërejtje:
«Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.»
Dhe problemi shikuar më thellë nuk qëndron vetëm tek «gjuha» perverse e user-ëve (kryesisht anonimë), por më shumë tek shpifjet e tyre « ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike». Shumica e komenteve qe analizuam ne as që kanë të bëjnë me temën ose e përdorin temën si shkas për të fyer ose për të …
Se monologët, shpifjet e cituara më lartë nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalën e lirë dhe luftën kundër censurës e kupton madje çdo gjysmanalfabet. Dihet përbotshëm se fjala (shprehja) para se të bëhet e lirë (publike) duhet që të mos kalojë kufijtë minimalë të nivelit kulturor. Qëndrimi i dikujt kundra apo pro dikujt tjetër nuk guxon të futet në mullinjtë e multiplikimit publik pa u konfirmuar parimisht në aspektin nivelor të shprehjes e pastaj, çka është me rëndësi, në rastet difamuese e denoncuese, nuk lëshohen komente pa u analizuar ana e tyre argumentuese. Se a mund të sjell dikush argumente për jetën seksuale të presidentes së Kosovës apo për atë se ç’ duhet menduar për një medium që nuk druan të publikojë edhe komente ku bëhen thirrje me «plumba e konopë» është çështje edhe më e ndërlikuar se sa kjo me të cilën merremi ne.
2. Terapia e user-ëve
«Pasha zotin më luajnë mëndët me nuk qenë interneti». Kjo është thënie e njërit të fisit tim për të cilin di se për çdo muaj e ndërron psikiatrin. I cili po ashtu herë pas here kërkon që t’ia lexoj ndonjë koment që ka shkruar për tekstin e këtij apo atij autori. Mendova se ai diskutimin forumeve e përdor për të lehtësuar depresionet. I çuditshëm në këtë histori është fakti antagonik se qoftë në faqen e tij të Facebook-ut e qoftë në websitin e tij personal për të cilin kujdeset nuk e gjen asnjë shprehje si ato që i shkruan në forumet e mediave që i frekuenton.
Nuk jemi kundër mundësisë (kur kemi parasysh rastin konkret) që forumet të luajnë edhe rolin pozitiv të terapisë psikike të user-ëve apo edhe të vetë webmasteri-ëve, mirëpo nuk besojmë se patjetër forumet e masmediave duhet të luajnë rolin e psikiatrit publik. Thjeshtë për shkak se lloji i diskutimeve të tilla nuk kontribuon asgjë tjetër përveç infektimit të diskutimit publik me shprehjet ë ordinere. Kuazipolemika qe s’janë hiçgjë tjetër përpos protokolle fyerjesh dhe përgojimesh që jemi mësuar t’i konsumojmë, rrugëve, kafeneve, pra atje ku edhe duhet të kenë domicilin.
3. Kultura e webmasterëve
Pa nënçmuar webmaster-ët si kategori profesionale. Shumica prej tyre janë gjuetarë hiperaktivë plugin-ësh, skriptesh, trojanësh e freeware-sh, ata fare pak kanë kohë të lexojnë komente e të rrallë janë ata që lexojnë e shkruajnë shqip si duhet. Homologet evropiane të masmediave shqiptare, madje as që u kërkojnë webmaster-ëve të luajnë ndonjë rol sa i përket publikimit apo mospublikimit të komenteve (edhe atëherë ku ata do ta plotësonin një kush të tillë). Çdonjëri medium serioz ka të punësuar një redaktor-online, i cili kujdeset për «higjienën» e forumeve. Kuptojmë situatën financiare të mediave tona (e cila nuk krahasohet me ato gjermane, zvicerane e të ngjashme), megjithatë problemin nuk duhet ta zgjedhin nëpërmjet metodës anarkike të publikimit. Madje disa nga mediat që në impressum pozojnë të kenë redaktorë të tillë kanë forume edhe më të pakontrolluara se ç’i kanë ato që nuk e bëjnë transparente këtë punë.
4. Përgjegjësia e masmediave
Edhe pse shumëkush dëshiron që masmediave (gazetat, televizionet etj.) tu mohojë pushtetin ato natyrshëm ato e kanë flamurin në formimin e kulturës së komunikimit publik. Me këtë edhe përgjegjësinë. Ato nuk duhet të imunizojnë lexuesin (secila për vete) me një komunikim ordiner, sepse automatikisht sugjerojnë shpifjen, sharjen, fyerjen dhe ofendimin si shtylla normale të anticensurës dhe fjalës së lirë. Edhe pse urrejmë çdo censurë, në këtë rast suspendimi i mundësisë së komentimit do të ishte shumë më e dinjitetshme se ç’ është gjendja aktuale e forumeve. Për krijuesin serioz sot është shumë më mirë të ndërsejë gomarët për ta siguruar një feedback, qoftë ai edhe dëshpërues, se sa të bëhet pjesë e një interaktiviteti nga më ordinerët që njeh historia e komunikimit. (Adelboden, 19.07.2012).