Jo shumë njerëz kanë fat të takojnë njërin nga gjenitë e kohës së tashme. Kur e takova unë ai më fliste për lopët e sëmura të Evropës
Si mendojnë njerëzit? Si mund të duket një gjeni? Me flatra, i gjatë dhe i bukur… Apo si një polic metropolesh ku pranohen mendimtarët e rinj pas provimit të tyre në shkencat e historisë së mashtrimit. Jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët flasin për një gjeni, të cilin unë nuk e pranoj si të tillë, sepse nuk me le përshtypjen e një përbindëshi që përdhunon përkufizimet e mendimit të djeshëm dhe të sotëm. E që del pa frikë para masës së përdhosur e të frymëzuar nga konceptet e kodifikuara të Zotërave pa pushtet. Për mua ka vetëm një gjeni. Ai që di të bëjë ndryshime në fuksionalitetin e universit mendor. Si funksionon ky univers? Krejt ndryshe nga ajo, se si e paraqet forma fizike e moralit të përqafuar nga shumica e animalitetit me dy këmbë dhe aftësi për të folur një gjuhë të caktuar. Universi ka filluar të realizojë ndëshkimin e vetëdijes që nuk përputhet me realitetin, të cilin jemi duke ndërtuar. Qëllimi i përbotshëm i misionit artsistik nuk pranon më kamuflimin dhe stërmaskimin e relaitetit ekzistues. Natyra ka filluar të shfaqë pakënaqësinë e vetë nëpërmjet çoroditjes së yjeve dhe dekompozimit të sistemit planetar. Toka përzihet në punët e brendshme të Jupiterit. Gjeniu na thotë: „Të kërkojmë strehim në atdhe, ai është shpëtimi jonë i vetëm….“.
TRURI I LOPËVE TË EVROPËS
Sofra ku është ulur gjeniu dhe ca bashkëkohës të mi shërbehet nga një rob pa fe, emër dhe përkatësi kombëtare. Dikush që këmbëngulte se e njeh, na tregonte së është ushtar i mbetur gjallë nga lufta evropiane për zbulimin e kripës në Indinë paqësore të Mbretit Ashoka. Në sofrën e gjeniut bëhej fjalë për lopët e çmendura të Evropës, trurin e kalbur të epokës sime, kulturat e humbura dhe librat e djegura të qytetërimit ilir. Gjeniu, paradokohësh kishte shkruar: „Sa të kushton puna e dorës të mbarosh një libër heretik?“. Sa është duke më kushtuar mua përpjekja për t`u futur në labirinthet e çmendura të botës së tij? Ka kohë që shpirti im kurvërohet pas shpirtit të tij dekadent, heretik dhe të pamëshirshëm. Rruga e dhimbjes për ardhmërinë mondane përmblidhet e kufizohet në dëshirë për të gjetur veten. Përhumbja nuk është sakrificë, as nuk justifikohet duke ia hudhur fajin tjetrit, ajo është rezultat i formimit tënd servil-thotë ai duke injoruar ekzistencën time pranë tij. Ku dijnë lopët e Evropës se ç`është gjenialiteti! Këtu, perendimit i është kalbur truri pikërisht në pjesën llogaritëse të tij. Tendenca e artit për të vetëdijësuar humanitetin e mbetur për rrezikun e vazhdueshëm nga virusët që krimbosin mendjen dhe shpirtin e ardhmërisë njerëzore përfundon në sheqerin e mbetur në fund të gotës së verës. Bota dehet vazhdimisht për të mbijetuar injorancën e vet mbi vetveten. Të gjithë kanë çuar duart lart nga procesi i vetnjohjes dhe përmirësimit. Gjeniu, më në fund përflak misionin e vet dhe kërkon përbashkimin me viktimat e modernitetit. Ai ka dhimbje për ta-për robërit. Për gratë shtatzëna të historisë humane, të cilat nuk arritën kurrë të zbulojnë prindërit e foshnjave që bartin në stomakun e tyre. Sofra, ngadalë po shprazet, gjeniu merr frymë më lehtë.
KUFOMA E INJORANCËS DHE PLEHËRI HISTORIK I QYTETËRIMIT
Me gjeniun u takova pikërisht në ditën e festës së robërve barkfryer dhe mendjedehur. Ajo festë për mua është njëfarë lloj obligimi ndaj stërgjyshërve. Shqiptarët janë ekspertë të mbijetimit. Po edhe të nënshtrimit poshtërues. Kishte thënë një i mençur i kohës sonë, por jo edhe gjeni. Asgjë nuk është përfekte përveç gjeniut dhe heshtjes së tij në situata të caktuara. A hesht gjeniu? Po, atëherë kur flet kërcënimi. I vetmi kërcënim për gjeniun është përjashtimi nga mbretëria e artit. Arti nuk do përleshjen e gjeniut me përbindëshat material të kohës. Arti nuk njeh ligjin e komprometimit, i cili në të shumtën e rasteve rezulton si domosdoshmëri për të ekzistuar. Kjo është e vetmja kontradiktë, që monarkia artistike ka në vete. Makiaveli përpiqej të bind administratën artistike për këtë fakt të pakontestueshëm, mirëpo Princi i Letërsisë së përjetshme dënoi ate për metodën kriminele të tij, me të cilën përpiqej të arrij qëllimin e tij final dhe ngadhnjeu debatin me këtë pretendent jashtëzakonisht të përgaditur që luftonte për të fituar amshimin. As arti nuk na qenka i përkryer ?! Pse? Sepse gjeniut të kohës sime i mërzitet të bëj përpjekjen e Makiavelit. I mungon guximi dhe vendosmëria. Ai hesht. Dhe pikërisht këtu fshehet arma e tij. Ai është gjeniu. Do të bindeni tek atëherë kur do të keni rastin të qëndroni, qoftë edhe një sekondë pranë tij! Gjeniu nuk ka nevojë të flasë, ai thotë gjithçka nëpërmjet shikimit të tij. Nëpërmjet ngulçimit, dhimbjes dhe përplasjes së tij mbi fatin e shifrave dhe formulave të gjuhës së tij! Gjuha e gjeniut helmon bukën zezë të injorancës dhe hudh kufomën e saj mbi plehrat historike të qytetërimit luftarak, në emër të të cilit ne njerëzit e këtij fundshekulli krenohemi.
NË KËRKIM TË HEROIT TË GJALLË
Heroi ka vetëm një karakter. Ai lufton për të thyer ligjin dhe zakonin e sunduesit në kohën kur të tjerët i nënshtrohen atij në mënyrë poshtëruese. Ai ia jep jetën aktit të dëshmisë kundër së keqes, negatives, kontraproduktives dhe djallëzores. Gjeniu është kundër asaj, që të dhurojë qënien e tij fizike e të bëhet hero. Ai do që në mënyrë të pavërejetshme t`ikë akrepit të orës në të cilën jeton, duke i shpallur vetes një orar të ri, ate të injorimit. Pse gjeniu nuk do të bëhet hero? Për arsye se urren luftën dhe mundësinë e dështimit, humbjes. Detyra e tij është që të jetë gjithmonë ngadhnjyes mbi mendimin e plehëruar të shekullit dhe vetëdijes së trishtueshme njerzore, së cilës ai është duke i paguar një haraç të lartë. Hero është vetëm qenia që vetekzekutohet në shenjë proteste kundër sistemit të papërkryer të organizimit të jetës nga ideologët- kryegabues, të cilët, fatkeqësisht, me shumicë përbëjnë parlamentin e literaturës zoologjike të kohës. Ka vetëm një hero të gjallë, një qenie që stërmundon melodinë e pafund të krimit në mendjen njerzore, gjeniu. Vetë mungesa e guximit të tij për të përjashtuar prezencën e tij nga bota dhe jeta e robërve dëshmon sakrificën e tij dhe sinqeritetin që ai bën ndaj viktimës. Viktimë, e cila sundohet nga pjesa e mbrapme e kokës së tij pa sy. Verbëria e viktimës i ndihmon gjeniut që të kënaq ate duke i folur edhe mbi bukurinë e fytyrës, të cilën gjeniu e ka humbur qysh në takimin e tij të parë me historinë e Adamit, Evës dhe Prometeut.
ËNDRRA E GJENIUT
Ende pa mos mbaruar biseda e sofrës gjeniun e kishte marrë gjumi. Një Zot e di se çfarë simbolesh gjysëm të errëta në ëndër do t`ia deshifrojnë qëllimin e shkuarjes sime në sofrën e tij. A thua do të zbulojë se momenti, gjatë qëndrimit me të më bëri të vetëdijshëm për potencën time të paskajshme për vjedhje fabulash të vdekura dhe se nga ai moment kam vendosur që më të mos marrë pjesë në festën tradicionale të robërve barkëplasur dhe klaneve të pites brum-baltë, që më rekrutuan duke iu falenderuar mungesës fizike të gjeniut në sofrën e konsolidimit të mendjes me barkun tim të mbushur plot shkronja librash të shkruar nga shkrimtarët që shërbejnë nëpër kështjellat e mendjes së ndryshkur të kohës sime. Gjeniu u zgjua. Unë mbeta me të, nuk hudha biletat duke ikur pas injorancës që të më mbajë pranë vetes. Nuk vazhdova traditën e stërgjyshërve të mi, të cilët i kishte përzënë gjeniu nga sofra e tij. S`kishte nevojë t`i rrëfej gjeniut për devijimet e mia shpirtërore përderisa ai flente, sepse ai gjithë këtë mundim shpirtëror që unë e bëja zgjuar, ai e kishte përjetuar duke fjetur.