Akulturimi

Çdokush që ka një mijë dollarë, dijnë alfabetin dhe posedon aftësinë e zhgaravitjes mund të bëjë një libër dhe ate me firmën e Lidhjes së Shkrimtarëve apo ndonjë institucioni tjetër që merret me afirmimin dhe botimin e krijuesve të rinj.

Duke u përpjekur që të çlirohemi nga kriteret dhe mënyra soc-realiste e seleksionimit të vlerave krijuese u rrëzuam në një gropë të pafund e të tmerrshme që është edhe më e rrezikshme se sa ajo e para-në humnerën e akulturimit. Një rrëshqitje gjatë këtij transformimi, nga kritikët e kohës, ishte paraparë. Por ne, jo vetëm që rrëshqitëm bile jemi duke bërë vetvrasje kulturore. Më e keqja e keqes: sipas të gjitha dëshmive të kohës, këtë e bëjmë me plotë vetëdije. Dhe ate me të vetmin qëllim: për të përfituar materialisht!

PSEUDOVLERA DHE SUPERIORITETI
Paradoksi është ushqyesi më frekuent i akulturimit. Shumë pena shqiptare u kanë shpallur luftë verbale e deklarative fenomeneve që dëmtojnë fizionominë e vlerave tona kulturore. Ndërkaq, në anën tjetër krijohet përshtypja se po të njejtët, njëkohësisht janë edhe në shërbim të bastardhimit kulturor. Viteve të fundit janë inkuadruar institucione e krijues, të cilët për hir të përfitimit material kanë kaluar nga pozita e mbrojtësit të vlerave kulturore e krijuese në ate të deformuesit të qëllimtë. Nuk ka njeri që s`e don popullin e vet si superior. Mirëpo superioriteti i një populli nuk ndërtohet me afirmimin e pseudovlerave dhe prodhimin e sa më shumë librave. Keni mëshirë për letrën dhe ngjyrën! Çdokush që ka një mijë dollarë, dijnë alfabetin dhe posedon aftësinë e zhgaravitjes mund të bëjë një libër dhe ate me firmën e Lidhjes së Shkrimtarëve apo ndonjë institucioni tjetër që merret me afirmimin dhe botimin e krijuesve të rinj.

I
Persët njihen si populli më koprac në dhënien e titujve letrarë. Firduzi, sot njihet si poeti më i madh i lirikës persiane në të gjitha kohët. Vepra e tij «Emri i Sundimtarit», e shkruar në 120 mijë vargje është një ndër perlat më me vlerë e historisë së letërsisë së përbotshme. Poeti tjetër pers, gjithashtu i famshëm Hafis, të cilin Gëte e konsideron si «ekspert për zbulimin e fshehtësive të tokës dhe natyrës», në ditarin e tij shkruan: «Firduzin tek shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, persët filluan aty-këtu ta quajnë poet. Prandaj, s`kam pse shqetësohem që askush nuk më konsideron si poet. Mos harroni! Firduzi është baba i lirikës perse. Kurse persët për pesë shekuj kanë shpallur vetëm shtatë krijues si poet». Rrëqethëse apo jo? Porsa pata lexuar «Emrin e Sundimtarit», në një gazetë shqipe lexoi raportin e një gazetari nga një mbrëmje poezie në Cyrih, ku merrnin pjesë, hiç më pakë se njëzet e dy poetë dhe dy poete. Mrekulli! Për një natë njëzet e katër poetë dhe ate jashtë vendit. Ahii, ç`janë persët e gjermanët që krenohen vetëm me një Gëte, Shiller apo Heine për ne. Krenari kombtare! U shkoqa deri kur gjeta librat e atyre njëzet e katër poetëve të natës së Cyrihut. Pas disa ditës shkova për të kontrolluar sytë. Mjeku më rriti dioptrinë e syzeve duke më thënë. «Paskeni qarë shumë». E si të mos qaja kur tërë kohën e kam kaluar duke shikuar se si vajtojnë shkronjat e fjalët e keqpërdorura në letrën e bardhë si bora nga përdhunuesit e mundësisë së tyre për të shkruar!

II
Mariana Alkoforado dhe Luiz de Kamoezi njihen si lirikët e parë portugez. Rilke pranon se veprën e vet më të dashur ka Sonetën e peotizuar të Alkoforados. Poeti xheloz spanjoll Gongora në njërin nga interpetimet e tij të shumta i ka shpallur që të dy si plagjiatorë të letërsisë antike. Dhe ate vetëm për një arsye: «ata trajtojnë dashurinë sikur të ishin zbuluesit e dhe pronarët e vetëm të saj. Në esencë çdo gjë që ata shkruajnë është kopje e këngëve antike» thotë ai në një letër të gjatë drejtuar vetes (është njëri nga ata të pashoqëri e pa miq, që kanë mbajtur korrespondencë me veten). Mos keqkuptohemi! Gongora është një ndër poetët më të rëndësishëm të lirikës spanjolle pavarësisht nga sëmundjet e tij si xhelozia dhe onania. Gjatë diskutimit me mikun tim Jurg— i cili rastësisht është spanjoll ( nëna e tij zvicerane e martuar poashtu me një bashkëkombës të vetin, gjatë një pushimi në Spanjë paska flejtë «padashur» me një kamarier spanjoll, kështu që ky e di që është spanjoll rasti për nga i ati) dhe njihet si ekspert i letërsisë latino-amerikane nga universitetet e Zvicrës— rreth kësaj teme, në bisedë u inkuadrua edhe një miku im gazetar i një reviste shqipe. Dhe jo vetëm kaq, ai është edhe poet (ka fat që nuk është pers). «Gongora për të fshehur plagjiaturën e vetë ka akuzuar të tjerët» ishin fjalët e para të tij. Unë, kisha lexuar mbi dhe prej Gongorës, mirëpo nuk kisha mundur të hetoj ndonjë plagjiaturë, ndoshta nga koka ime e trashë apo …. Eksperti mbeti pa fjalë. Gazetari për të na nxjerr nga heshtja vazhdoi: «Kur Gongora ka dashur të lëshojë Munihun, Gëteja i ka thënë; «mos bën tradhëti kombëtare. Nuk lëshohet gjermania kështu vetëm se je dashruar në Mariana Alkoforadon, së fundi ajo është ruse». Gongora se ka dëgjuar dhe ka ikur. Kjo është plagjiatura më e madhe që ka mund ta përjetojë historia e njerzimit». As qeshja nuk kishte më vend aty. Bashkëkombësi im gazetar s`kishte kuptuar dometëhënien e termit plagjiaturë, e emrave që ne ishim duke përmenduar, ua kishte ndërruar kombësinë. «A gazetar është ky?» pyeti miku im e unë i thashë: «Jo, ne u themi gazetar edhe atyre që ua pastrojnë tavolinat gazetarëve të vërtetë». E çfarë t`i thoja ndryshe?!

III
Pas dështimit të librit të parë, «Kromuellit», Balzaku hapi fabrikën e librit me qëllim për t`u pasuruar. Shkrimtarit gjenial shumica e kritikëve të kohës së re as që ia përmendin këtë shtëtije joserioze nëpër letërsi. Deshtëm të pranojmë apo jo, ky gabim i vizaton një njollë të ndyrë në fizionominë e madhe të tij prej gjeniu. Po dolëm në anën e Honores, ta mbrojmë ate, do të themi: «atij i falet, ai është i madh. Me veprat e tij të larta ka lajtur mëkatet ndaj hyjnisë së letërsisë dhe artit. Gabimi i tij na shërben si mësim për kohën e sotme». Po për kohën e sotme, mendova edhe unë përderisa nuk i futa duart në bibliotekën time për të nxjerrë ndonjë libër. Në pjesën e poshtme të minibibliotekës time kam ngjitur një etiketë ku shkruan «botime të reja». Libra të botuara nga Lidhja e Shkrimtarëve të Tiranës dhe ajo e Prishtinës. E ç`gjej aty: Poezi sa të duash, romane, novela, drama. Redaktorët e këtyre librave krejt do letararë të njohur të Kosovës dhe Albanisë. I mora të gjithë me radhë: hap njërën- bardhë, vetëm emri i autorit, shtëpisë botuese dhe redaktorit brenda, hap tjetrën edhe më keq vetëm redaktori, të tretën, të katërtën… e kështu me radhë, të gjitha bardhë. More këta ia kanë kaluar edhe Balzakut gjenial me mënyrën se si duan të pasurohen. Ata bile as ngjyrë nuk harxhojnë (përveç konsumimit të tepruar të emrave të tyre)!.

KONSUMIM I TEPRUAR I TITUJVE TË KRIJIMTARISË LETRARE
Njëzet e katër poetët e natës së Cyrihut, gazetari «antiplagjiator», shtëpitë botuese me redaktorët e tyre e deri dhe heshtja e dëmprurëse e kritikës përbëjnë një zinxhirë të rëndë në qafë të kulturës sonë. Pagëzimi i çdo mediokri me tituj letrarë u jep atyre të drejtë të prezentojnë krijimtarinë tonë në nivele të ndryshme, për të cilat nuk janë kompetente. Krahasimet e bëra më lart nuk janë kurgjë tjetër përpos një fotografi reale, e cila rezulton vetvetiu në një apel drejtuar çdo institucioni të mirëfilltë për të treguar kujdesin e duhur gjatë procesit të prezentimit tonë kulturor përballë botës dhe universit krijues si dhe vetëdijësimin e pseudokrijuesve që të heqin dorë nga pretendimet e tyre për ta përfaqësuar krijimtarinë tonë jashtë vendit. (1995)

Related

Bobitë, Kadare dhe prometheu

Nuk mund të jesh kundër këngës. As kundër Bob...

Shkrimtari si asocial

Roli i shkrimtarit «si instancë» pas rënies së komunizmit...

Shkrimtar interneti?

«Shkrimtar interneti», «shkrimtar letre», ç'janë këto etiketa? Sipas logjikës...

Cyberpoetika

Në World Wide Web tashmë bëjnë jetë krijimet e...

Pledoaje për kritikën letrare

«Nëse deri tani nuk u ka rënë vetë ndërmend...