Shqiptarët dhe Evropa

Kreatorët e strategjisë politike të Bashkësisë Evropiane, shqiptarët i kanë pozicionuar në rrathin e tretë të vendeve që do të pranoheshin në këtë Organizatë. Rrathi i tretë përbëhet nga popujt dhe vendet me identitet kulturor oriantalo-islam. Pse? Vërtet cili është identiteti kulturor i shqiptarëve? Si e ndjejnë ata veten? Cila është historia e tyre? Mbi të gjitha; kush janë shqiptarët? Këto janë pyetjet që duhet t`iu përgjigjen strategët e idesë së Evropës së Bashkuar, para se të pozicionojnë shqiptarët në njërin nga rrathet ekzistuese.

1. Ideja dhe Ndarja në baza ideologjike

Zanafilla e idealit për një Evropë të bashkuar është po aq e vjetër sa vetë kontinenti. Pas LDB-së, përkundër kontradiktave në mes të Francës degoliane dhe Anglisë kokëfortë që përpiqej me çdo kusht të marrë primatin në bashkësinë e ardhshme, u inaugurua vënia në realizim e projektit, ndoshta, më madhështor në historinë e kontinentit. Qysh në hapat e para u vërejt se në atë bashkësi do të përfshihet vetëm ajo pjesë e kontinentit që i përket «kulturës perendimore», mbi të gjitha, u inkuadruan vetëm ata popuj e kultura që nuk kishin të bëjnë me ideologjinë evro-aziatike, siç ishte komunizmi. Shikuar nga ky prizëm, Evropa u zvogëlua trefish dhe u nda në dy baza themelore ideologjike; në Evropë komuniste dhe kapitaliste. Ekzistenca e vijës ndarëse në hartë e bënte qesharak projektin dhe këmbëngulësinë e të dyja palëve për të marrë mbi vete pronësinë e Evropës. Natyrisht që të dyja anët fabrikonin aq sa mundeshin historiografi të fryera për të «dëshmuar» të drejtën historike «kulturore» dhe për të shpallur veten si etërit e pjesëve më të mëdha të kontinentit. Kështu ëndrra e Evropës së Bashkuar mbeti e parealizuar, ajo deri në mbarimin e luftës së ftohtë ishte e ndarë në dy blloqe.

2. Ndarja e Evropës në baza religjioni

Me ekzekutimin e diktatorit rumun Çaushesku, rënien e Murit të Berlinit dhe shthurrjen e perandorisë së kuqe; Bashkimin Sovjetik, bartësit- nëpër dekada- të përpjekjes për krijimin e një Evrope të Bashkuar (ku do të merrnin pjesë gjithë ata që më në fund kishin «kuptuar» vlerat e «kulturës së perëndimit») riaktualizuan edhe njëherë misionin historik të krijimit të një bashkësie të plotë evropiane. Si herat tjera, edhe kësaj radhe, kreatorët nuk përfillën parimin themelor të njohjes së identiteteve të shumta kulturore e etnike të atyre që duhet të merrnin pjesë në atë Bashkësi. Ose më saktë; bartësit e inicijativës përpiqen që fillimisht të antarësojnë popujt, për të cilët ata mendojnë se i takojnë vijës së parë të rrethit të ngushtë të «kulturës» perëndimore» siç janë vendet katoliko-protestante; Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Kroacia etj. e pastaj, duke u nisur nga pozitat e një fronti të fortë «perëndimor» të asimilojnë harkun e dytë të lidhjes ortodokse që përbëhet nga; Rumania, Bullgaria, Serbia me Greqinë si pione fleksibile e pakteve të mëdha. Faza e tretë i përket rekrutimit të vendeve baltike me Turqinë dhe Bosnjën në krye. Konkretisht: vendeve evropiane me besim islam.

Nëqoftëse pas LDB-së kreatorët e Evropës së Bashkuar, ndajtën kontinentin në dy pjesë, për shkak të përqëndrimit në faktorin ideologjik dhe mospërfilljes së domosdoshmërisë së akceptimit të identiteteve etnokulturore të popujve, kësaj radhe ata krijuan, nga dy evropë, tri syresh; Evropën katoliko-protestante, atë ortodokse dhe atë islame. Ideali për një bashkësi të njëmendtë evropiane iku edhe më larg se sa që ishte në fillimet e tij dhe kontinenti aktualisht mbetet i ndarë në baza religjioni.

Pse ndodhi kjo?

Një fakt konkret; shqiptarët!

3. Shqiptarët në harkun oriental?

Nuk janë të paktë ata studiues sipërfaqësor, po si këshilltarët shkencorë të BE-së, që shqiptarët i numërojnë në rethin e tretë që udhëhiqet nga Turqia, si popull me identitet kulturor islam. Popujt e të të ashtuqujaturës «kulturë» perëndimore kanë të drejtë të përziejnë idnetitetin etnokulturor të tyre me religjionin, sepse i takojnë inkuizicionit apo për shkak të lidhshmërisë tejet të fortë të etapave të zhvillimit të tyre në letërsi, art, shoqëri e ekonomi me Kishën a religjionin. Ata poashtu kanë të drejtë të vënë Turqinë dhe vendet e tjera në një lidhje të «identitetit islam», sepse e gjithë tradita dhe segmentet e tjera të kulturës së tyre kanë burrimin e drejtëpërdrejtë me religjionin dhe zhvillohen mbi bazat e fesë. Mirëpo është absurde të pozicionosh shqiptarët në një pakt, cilidoqoftë ai, pa njohur atë identitetin aq të përfolur kulturor të tyre.

4. Realiteti i një identiteti të refuzuar evropian

Siç do të shohim më poshtë, nga faktet konkrete, lirisht mund të thuhet se shqiptarët janë populli i vetëm në kontinentin e Evropës, që ka mbetur i paprekur nga paktet në fjalë, përkundër trysnive shekullore.

Vërtet cili është identiteti kulturor i shqiptarëve? Si e ndjejnë ata veten? Cilat është historia e tyre? Mbi të gjitha; kush janë shqiptarët? Këto janë pyetjet që duhet t`iu përgjigjen strategët e idesë së Evropës së Bashkuar, para se të pozicionojnë shqiptarët në njërin nga rrathet ekzistuese në dokumentet e tyre për integrimin e popujve në Bashkësi.

Për të definuar identitetin e një populli është i domosdoshëm procesi i njohjes, pra metoda e trajtimit të aspekteve të ndryshme përcaktuese si ai gjuhësor, historik, socio-politik etj.

a).Gjuha

Komponenti qëndror për përcaktimin e gjenëzës dhe lashtësisë së ekzistencës së një populli, padyshim që është gjuha. Pas studimeve të shumta, duke filluar nga shekulli XVII- XVIII, që janë bërë mbi gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj, nuk ka më asnjë dilemë se ajo i takon familjes së gjuhëve indo-evropiane. Gottfried Wilhelm von Leibniz (1646-1716) solli konstatimin e parë, të argumentuar shkencërisht, se shqipeja është një gjuhë e lidhur me latinishten dhe keltishten. Joseph Ritter von Xylander (1794-1854) në studimin e tij «Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren» (Frankfurt-1835) vijnë deri në përfundimin se «Gjuha shqipe, nuk ka marrë përkatësinë e saj evropiane për shkak të ndikimit të gjuhëve tjera evropiane, por ajo është njëra nga gjuhët bazë e themelore e gjuhëve të lashta evropiane». Edhe më konkretisht dhe që më vonë e deri në ditët e sotme mbeti si teori e pakontestueshme në shkencën e gjuhësisë, është ajo e Franc Bopp (1791-1867), i cili në librin e tij «Uber das Albanische und….» (Berlin 1855) shkruan: «Padyshim që gjuha shqipe i takon familjes së gjuhëve indoevropiane, mirëpo në bazat dhe elementet e saja përbërëse ajo nuk ka asnjë gjë të përbashkët me gjuhët sanskrite perëndimore të globit, kështu që ajo del si një gjuhë në vete, një degë e veçantë e familjes së gjuhëve indoevropiane». Me këto studime dhe qindra të tjera, të bërë në etapa të ndryshme kohore është vërtetuar shkencërisht se gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të lashta të kontinentit.

b). Gjeneza

I shtyrë nga faktografia e shkenctarëve të gjuhës historiani suedez Johan Thunmann (1746-1778), i cili atëkohë ishte duke ligjëruar si profesor i Filozofisë në Univerzitetin e Halles bëri përpjekjen e parë, duke i vënë vetes detyrën e shpjegimit të prejardhjes së një populli, për të cilin shumica e shkenctarëve të gjuhës ngulnin këmbë të jetë njëri nga popujt më të lashtë të kontinentit. Në librin e tij voluminoz «Hulumtime mbi historinë e popujve evrolindorë» (Leipzig 1774) kapitullin për shqiptarët e mbyll në këtë mënyrë: «Në historinë e tyre (të shqiptarëve) nuk kam gjetur asnjë gjurmë dyndjesh. Gjuha e tyre më ka dhënë fakte të mjaftueshme e të pamohueshme për një popull fqinj të grekëve dhe robër të Perandorisë Romake. Që të dyja bashkë, kokëfortësisht më dëshmojnë ilirët e vjetër». Tezën e Tunmann-it në lidhje me autoktoninë evropiane të shqiptarëve do ta përforcojë më vonë shkenctari Johann Georg von Hahn (1811-1869), i cili në kryeveprën e tij «Albanesische Studien» (Jena 1854), për herë të parë, nëpërmjet nomenklaturës gjeografike sjelle lidhshmërinë faktike ndërmjet iliriëve të lashtë dhe shqiptarëve të shekullit 19. Teori, e cila u akceptua nga të gjitha institutet e historisë në botë dhe deri më sot nuk është demantuar me ndonjë studim tjetër. Librat e historisë agjitativo-politike të popujve fqinj nga bota e shkencës vazhdimisht janë denoncuar si pamflete mitologjike pa ndonjë rëndësi ndriçimi faktik të historisë.

c). Historia dhe sundimet

Shaktrrimi i mbretërive ilire dhe hapja kancerike e perandorisë romake shkaktoi deformime të ndryshme në mbarë rajonin lindor të Evropës. Duke filluar që nga viti 200 para krishtit rajoni i sotëm i Ballkanit iu kishte nënshtruar romanizimit, kështu që rreth vitit 300 pas k. elementet e gjuhës latine kishin dëmtuar rëndë gjuhët e popujve ballkanikë, e sidomos atë të shqiptarëve të lashtë (Stadtmüller). E njejta gjë kishte ndodhur edhe me zakonet dhe besimin e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pas qindra viteve sundim të ashpër ishin rekrutuar në besimin katolik. Nga viti 395 e deri me ardhjen e turqive më 1365 në Ballkan (nëpërmjet të cilit synonin pushtimin e Evropës) pasardhësit e ilirëve iu nënshtruan Themas bizantine, e cila për qëllim kryesor kishte sjelljen e bindjes dhe besimit ortodoks. Pas romakëve dhe bizantëve, mbi kokën e shqiptarëve si sundues të tyre vijnë edhe turqit islamë, pastaj më në fund e deri sot (pjesërisht) sllavët e grekët. Rreth 500 vjet sundim romak, 970 vjet sundim bizantin, 547 vjet turqit e kështu me radhë. Nga kronistët e kohës romake mësojmë se fiset ilire kanë qenë më të ashprat në kundërshtimin e përhapjes së administratës së perandorisë, pra më të pabindurit, të cilët janë sanksionuar rëndë në çdo segment të jetë së tyre. Për kokëfortësinë tyre, për mos t`iu përshtatur religjioneve dhe administratave të huaja kronisti bizantin Michael Attaleiates (1034) shkruan; «Arvanitët janë njëri nga popujt më të çuditshëm, ata nuk i ka bindur Roma e as katolicizmi, nuk e dij se sa sukses do të kemi ne. Ata i mbahen ende origjinës së tyre pagane dhe nuk e braktisin vendin, por vetëm sillen rreth e rrotull në të njejtin vend». Se shqiptarët nuk kanë hequr duar nga rezistenca e tyre dëshmojnë edhe fragmentet nga libri i Ana Komnenos (bija e sundimtarit Alexios I. Komnenos) «Alexias» (1107-08) e cila flet për një principatë «arvanite» të udhëhequr nga Progoni që është quajtur «Arbanon». Principatë, që sipas historianit francez Alain Ducellier është shtrirë në mes të lumenjëve Mati dhe Devolli.

Në periudhën kur Bizanti zbeh sundimin, Ballkanit ia mësyjnë turqit. Shqiptarët sërish rezistojnë. Kulmi i rezistencës shqiptare është epoka e Gjergj Kastriotit, i cili nga shumë shkenctarë është trajtuar si personifikim i pabindshmërisë gjenetike shqiptare ndaj sundimeve të huja, duke mos pranuar tjetërsimin kulturor e të identitetit. Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skëndërbe është marrë si jeniçer qysh në fëmijërinë e tij të njomë, ai rritet me kulturë islamo-oriantale, shpallet si njëri nga gjeneralët më të famshëm të perandorisë osmane, hyjnë në moshë të thellë duke luftuar me shpatë në emër të Allahut e duke pushtuar vende në emër të tij, që më në fund për t`u kthyer në vendin e tij të vogël që nga Kruja bashkë me hungarezin Janosh Huniad të mbrojë Evropën nga sundimi osman, duke u bërë tmerri dhe frika e gjithë perandorisë osmane. Historia shqiptare, për ata që e njohin atë, është përplotë me personalitete të tilla. Kështu ka qenë deri në shpalljen e pavarësisë së një pjesë të vogël të tokave shqiptare më vitin 1912, kështu është edhe deri në ditët e sotme. Sundimtarët e shqiptarëve, në historinë e Ballkanit kanë qenë dhe janë më aktivët, mirëpo edhe rezistenca e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre «kulturor» (siç e praktikon fjalori i stomë i politikës së BE-së në trajtë të gabuar) evropian ka qenë më aktivi në krahasim me të tjerët.

d). Identiteti kulturor e politik nëpër shekuj

Studiuesi gjerman i ditëve tona Peter Bartl në librin e tij «Albanien»(Pullach, 1995) shkruan; «Romakët e as turqit e sllavët nuk patën mundësi që të thejnë unitetin dhe kontinuitetin etnokulturor të iliriëve apo shqiptarëve. Historia nuk na jep asnjë shembull që ndonjë rajon i veçantë të ketë humbur identitetin kulturor ilir apo shqiptar duke e zëvendësuar me atë të sunduesit. Bishofet romake, bizantine e më vonë turke e sllave nuk kanë pasur asnjë autoritet tek popullata. Shumica e autorëve, madje vërtetojnë se qytetet, përkundër ashpërsisë së regjimeve të sunduesve kanë mbetur si qendra kulturore të iliro-shqiptarëve. Mbi të gjitha veshja dhe punimet në keramikë demostrojnë qartas kontinuitetin në mes të ilirëve dhe shqiptarëve».

Për shkak të pamundësisë së organizimit të shkollave që do të ndihmonin në shkrimin e gjuhës që kanë folur ilirët e më vonë shqiptarët, ata kanë shkruar në gjuhën latine – atëbotë, pothuaj kjo ka qenë gjuhë zyrtare edhe për shumë popuj të tjerë evropianë. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët kanë qenë jashtë rrjedhave të zhvillimeve kulturore evropiane. Për këtë dëshmon paragrafi në librin «Directorium ad passagium faciendum» (1332) i Bishofit Gulielmus von Bar (që ka shkruar nën pseudonimin Brocardus) ku thuhet; «edhe pse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër nga latinishtja, ata shfrytëzojnë gjuhën latine në shkrimet e tyre». Se për cilat libra bën fjalë Brocardus, më së miri e dijnë kronistët turq (e osman) të cilët rrëfejnë për zhdukjen e çdo «libri e biblioteke djallëzore që ka penguar ardhjen në din e iman të shqiptarëve kokëfortë» si dhe historianët sllavë, që gjatë kohë janë përpjekur për të përvetësuar elemente të kulturave autoktone me qëllim për të dëshmuar «autoktonitetin» e tyre në kontinentin e Evropës». Librat për të cilat flet Brocardus nuk janë gjetur ende (falë «zotësisë së madhe» të historiantëve shqiptarë që me dekada janë marrë vetëm me partizanët), ndërkaq se një kulturë e tillë shkrimi e trajtimi të proceseve të kohës nga ana e shqiptarëve ka ekzistuar flasin këto emra autorësh botërisht të njohur; Gjon Gazulli (matematikan dhe astrolog 1400-1465), Marin Bekiçemi (profesor i Retorikës në Padovë 1468-1526), Nikolë Toma (Profesor i Filozofisë në Padovë 1456-1531) Mikel Maruli (Poet dhe Filozof që ka vdekur në v. 1500) Marin Barleti që botoi veprën mbi Skënderbeun në Romë më 1508 e deri tek Gjon Buzuku (1555) i veprës së njohur liturgjike në gjuhën shqipe «Meshari» (Messale 188 fq). Përveç Buzukut, i cili është marrë me shpjegimin e teksteve fetare për përdorim të përditshëm, autorët e tjerë, në veprat e tyre pasqyrojnë jetën e ilirëve dhe shqiptarëve, veçanarisht trajtojnë përkatësinë e tyre iliriko-shqiptare dhe kontributin në zhvillimet kulturore të Evropës.

Dijetarët që përmendëm më lartë dëshmojnë një kontinuitet të aftësisë dhe prezencës së shqiptarëve në zhvillimin e shkencave, me gjithë faktin, që ata e kanë pasur të pamundur të shkruajnë në gjuhën e tyre, përqëndrimi në pasqyrimin e jetës së ilirivë dhe shqiptarëve si dhe paralelisht, angazhimi i tyre për të shpjeguar fusha të ndryshme të shkencave universale flet shumë për përkatësinë kontinentale të tyre. Kryesorja në këtë çështje mbetet mosheqja duar e këtyre emrave (dhe shumë të tjerëve të zhdukur nëpër histori) nga identiteti kulturor i origjinës. Cështja tjetër interesante në këtë drejtim është; dijetarët shqiptarët, pavarësisht se në cilën gjuhë kanë shkruar kanë qenë autorë të drejtimeve të reja progresive brenda kulturave të gjuhës që kanë shkruar si dhe zhvillimeve kulturologjike në plan të përbotshëm. Ata kudo që kanë shkuar kanë sjellë kulturë: Mesihi nga Prishtina (1470-1513) njihet si krijues i artit poetik turk. Jaha Bej Dukagjini, autori i të famshmit «Divan», i cili bart edhe mbiemrin princëror të fisit të Dukagjinëve, konsiderohet edhe sot e kësaj dite si Homeri i perandorisë osmane. Koçi Begu (1650) i njohur nga teoricientët e sociologjisë moderne si «Monteskie turk», ka qenë promotori i parë që ka kontribuar në vënien e themeleve të para të mendimit mbi identitetin kulturor të popujve përbërës të perandorisë. Pas këtyre rradhiten edhe emra si Nazim Frakulla e Hasan Zyko Kamberi, të cilët përkundër disa shkrimeve jo interesante për traditën e letrave shqipe, kanë epe e vjersha tejet interesante.

Edhe këta autorë që kanë shkruar në arabishte, turqishte e persishte, përdorimin e gjuhës së huaj, apo më mirë thënë, krijimin në gjuhën e sundimtarit e kanë pasur si domosdoshmëri të kushtëzuar nga pozita sociale, politike, e sidomos të përhapjes së fjalës dhe mendimit të tyre në shërbim të emancipimit të perandorive të egërsuara. Për nga mentaliteti, pozita e reflektimit dhe trajtimit të problemeve kanë mbetur të origjinës me identitet etno-kulturor shqiptar, duke përdorur gjuhët e huaja si mjet depërtimi në psikën e sunduesve të asaj kohe. (I njejti problem në formë tjetër qëndron edhe sot: a mundet sot të depërtojë një shkrimtar i famshëm shqiptar apo i ndonjë populli a gjuhe tjetër në botë, pa u përkthyer ai në njërën nga gjuhët e «botës» si anglishtja, fërngjishtja, gjermanishtja e spanishtja? Jo. A përkthehet ndonjë autor në rast se qendrës së quajtur «perëndim» nuk i shkon për qejfi, e ndoshta ai autor për 123 gjuhë tjetër mund të jetë tejet interesant? Jo. Një shkrimtar minor shqiptar që shkruan në gjuhë të huaj, sot mund të bëhet shumë shpejt më i njohur se sa ndonjë shqiptar madhor që s`di të shkruaj në ndonjërën nga gjuhët sunduese të letrave botërore).

Tezën e shtruar më lartë se; shqiptarët e kanë përdorur gjuhën e huaj si mjet depërtimi në mendësinë e sundimtarëve dhe botës me qëllim të ruajtjes së identitetit të tyre kulturor e verifikon në mënyrë të mrekullueshme epoka e «Rilindjes Kombëtare», respektivisht figura qëndrore e saj (për nga aspekti kulturor) Sami Frashëri (1850-1904). Frashëri, i cili në vendlindjen e tij kishte qenë nxënës i shkollës së Koranit, e më vonë gjimnazist i shkollës greke Zosimea në Janinë, siç shihet nuk ka pasur ndonjë interes për t`iu bindur njëri apo tjetrit bllok siç kanë qenë islamizmi dhe ortodoksizmi. Qëllimi i tij do të shpalohet më vonë; pas mbarimit të gjimnazit ai shkon në Stamboll dhe punësohet në Zyrën e Shtypit Shtetëror të Stambollit; vite me radhë punon si kryredaktor i gazetave më të mëdha turke; shkruan drama dhe romane (duke u shpallur si romansieri i parë i letërsisë turke); bën studime nga fusha e shkencave të natyrës në gjuhën turke; paralelisht shkruan libra në gjuhën shqipe (të ndaluar atëkohë nga Sulltanët) për të ardhur deri tek vepra madhore e gjuhës shqipe «Shqipëria. Cka qenë, ç`është e ç`do të bëhetë. Mendime për shpëtimin e mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuarë». Libër që së pari herë u botua në Bukuresht më 1899 dhe që më vonë (1913) u botua në gjermanishte dhe në shumë gjuhë të tjera të botës. Turqit, të cilëve ai u kishte bërë romanin, shtypin dhe shkenca të ndryshme, as sot e kësaj dite nuk u është tharrë plaga e as që duan të pranojnë se Frashëri është ai që bëri programin themelor të shëmbjes së sundimit osman në atdheun e tij dhe në shumë vende të tjera. Se pikërisht Frashëri shkruajti manifestin për «shpëtimin e shqiptarëve dhe ndërtimin e një murri për mbrojtjen e Evropës perëndimore nga invazioni osman». Mbarë literatura e «Rilindjes», pavarësisht nga përkatësia fetare e autorëve, ka një apel; çlirimin e kombit shqiptar nga sunduesit e huaj. Në këtë epokë, nuk gjen më asnjë autorë të rëndësishëm si Buzuku, Muçizade, Zyko Kamberi apo ndonjë Sulejman Naibi që çante kokën për tekste fetare, liturgjike apo diçka tjetër; i gjithë potenciali intelektual, fizik e moral i Rilindasve ka qenë i koncentruar pastrimi i llogarive me pushtuesit oriental dhe kthimi në ushtrimin legal të kulturës së origjinës dhe identitetit të tyre nacional. Që nga shkrimet e Sami Frashërit perëndon koha e të shkruarit në gjuhë të huaja. Shqiptarët prej atyre momenteve rinisin misionin e pavarësimit. Pas një beteje shekullore të mbijetimit nga invazionet që vijnin herë nga oksidenti e herë nga orienti.

Padyshim që të dyja këto blloqe lanë gjurmë në kulturën e psikën e shqiptarëve si popull. Aq sa la edhe komunizmi pesdhjetë vjeçar ortodoks, i prirë nga rusët dhe sllavët në përgjithësi. Megjithkëtë nuk ka asnjë dëshmi që mund të demantojë faktin se asnjë segment i jetës kulturore shqiptare (gjuhë, letërsi, artet në përgjithësi, etnografi etj.) nuk u tjetërsua, por mbeti në kontinuitet të zhvillimit të trashëgimisë iliro-shqiptare, pra falë një rezistence të palodhshme nëpër shekuj, mbeti në kornizat e origjinës me një identitet të veçantë kulturor shqiptar. Atë që e pohojnë njëzëri të gjithë shkenctarët që kanë trajtuar tema mbi ekzistencën e qenies shqiptare.

Identiteti kulturor shqiptar, përkundër tyrsnive e shtypjeve, ka mbetur iliro-shqiptar pa përfillur tendencat e egra të sundimtarëve për të defomruar atë me elemente të kulturave apo religjioneve të tyre. Pushtimet e njëpasnjëshme kanë bërë të pamundshëm konsolidimin politik, me këtë natyrisht edhe atë kulturor të shqiptarëve. Rezistenca e tyre i ka mbrojtur ata nga tjetërsimi dhe i ka ruajtur nga «antarësimi» në njërin nga blloqet që sot ndajnë Evropën.

Lufta e dytë Botërore është një kapitull tjetër, që sa i përket viktimëzimit të popujve e kulturave rrënjët i kishte në Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës etj. Shqiptarët që në atë kongres ishin shpallur si popull që «duhet» të jetë në administrimin e dikujt. Nëse jo si popull pas status politik, atëherë si shtet (i përgjysmuar e ndarë) nën diktatin e njërit nga blloqet – tashmë ideologjike- të kontinentit. Fatkeqësi pas fatkeqësie, shqiptarët do të mbeten pjesë e hartës së kuqe. Askush nuk mund të akuzojë shqiptarët se vetë deshtën t`i bashkangjiten bllokut komunist. Për një gjë të tillë ata as që kishin aftësi vendosjeje; një grusht partizanësh fukarenj në krye me cigareshitësin Enver Hoxha që kishte dështuar shkollimin nuk mund të vetçlirohej Shqipëria, krijimi i armatës së kuqe në Shqipëri u bë nga anglezët e rusët, ndërkaq «çlirimi» u nënshkruajt diku në Paris a Londër, ashtu si Gjermania e kapitulluar që u ndaj në mes të perëndimorëve dhe rusëve. Një fat, sërish, i vulosur diku tjetër. Evropa edhe njëherë detyroi shqiptarët t`i nënshtrohen një sunduesi, me të cilin ata ishin njohur qindra vjet më herët.

Letërsia dhe artet e tjera u ndikuan në mënyrë të ashpër nga doktrina komuniste, sidomos në vitet e pasluftës. Duke filluar nga vitet e 60-ta filloi një rebelim i pritur i autorëve shqiptarë të të gjitha fushave kulturore, ata, përkundër injorimit për të satën herë nga oksidenti ose «perëndimi», nuk patën mundësi shpirtërore për t`u tjetërsuar dhe iu bashkangjitën procesit të zhvillimit të letrave baraz me botën jashtë perdes së hekurt komuniste. Sidomos në Letërsi shqiptarët e viteve shtatëdhjeta e deri më sot nuk dallojnë nga kolegët e tyre gjermanë, italianë, amerikanë, anglez etj. siç dallojnë, për shembull serbët, bullgarët, rumunët, etj.

5. Shqiptarët sot dhe përkatësia natyrore e tyre

Sado që të përpiqet dikush duke kërkuar ndonjë shkrimtar, poet, piktor të sotëm që në krijimtarinë e tij ka ndonjë vepër të lidhur ngushtë me njërin nga religjionet, apo kulturat që kanë sunduar me qindra vjet mbi ta, do ta ketë kot. Ndikimi nuk ekziston fare. Më e shumta që mund të gjejë dikush në letrat ose artet e sotme shqipe janë fragmentet hakmarrëse ndaj atyre që tentonin të zhdukin kulturën shiptare, që do të thotë një lloj akuze ndaj përbindëshve që për pasion kanë shuarjen e kulturave dhe identiteteve të popujve. Asnjë vepër (serioze) e ndonjë krijuesi shqiptar, qoftë letërsi apo publicistikë, nuk aludon në bashkimin me ndonjërën nga tre blloqet ekzistuese të Evropës. Kultura shqiptare, ashtu siç ka bërë edhe atëherë kur e ka pasur të pamundur të shkruajë në gjuhë të vetë, mbron identitetin e saj origjinal të veçantë dhe të pathyeshëm nga influencat e të huajve.

Bashkësia Evropiane dhe studiuesit-kreatorë të saj nuk e di se ku i marrin faktin për të pozicionuar shqiptarët si element i rrethit të tretë, pra i rrethit të botës islame. Në Historinë e re politike nuk mbahet mend që Shqipëria të ketë bërë ndonjë kushtetutë në emër të Muhametit nga Meka, të Jezu Krishtit nga Jeruzalemi apo Papës nga Roma, siç ka bërë Bosnja me haraçin në kurriz. Madje në krizën më të madhe që përshkohej me luftë të tmerrshme zhdukëse karshi shqiptarëve Kosova i drejtohej Evropës dhe «perëndimit» për ndihme duke konsideruar popujt e saj si bashkëkontinental edhe pse injorimi zgjati shumë dhe ofertat nga orienti e lindja ia zinin frymën asaj.

Duhet shqiptarët patjetër të rradhiten në njërin nga frontet e acarruara që ndajnë Evropën për t`u bërë temë diskutimi për antarësim në Bashkësinë Evropiane dhe NATO?

Faktet më lartë flasin për një popull me identitet kulturor që ka alergji ndaj shkrirjes në njërin nga paktet ekzistuese. Një kulturë që nuk ka bërë asnjëherë kompromis rreth identitetit dhe shpesh-herë nëpër histori ka qenë viktimë e mbrojtjes së origjinës së kulturave të kontinentit. Bashkësia Evropiane dhe strukturat e saja ose i pranojnë shqiptarët ashtu siç janë, pa marrë pjesë në paktet ekzistuese, si popull me identitet kulturor të vetin ose e lënë degë në vetë ashtu siç është gjuha shqipe, degë e veçantë në familjen e gjuhëve evropiane.

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...