Ka një murtajë që nuk i shkoqet kurrë njeriut. Mizogjinia është epidemia më konstante e kulturologjisë humane, e cila manifestohet më së therrshmi në arte dhe në diskurset intelektuale. A nuk janë këto të fundit ato sfera që duhet të luftonin për shkuljen e racizmave, mizogjinisë dhe virusëve të natyrës nga fryma njerëzore? Po duhej, por nuk e bëjnë. Pikërisht këtë mundohet ta shpalojë ky ese duke vënë në konkurrencë dy habitusë që do duhej të lexoheshin bashkë.
Në kohë të pandemisë dy kryevepra të vërdallen kujtesës: «Murtaja» e Alber Camus-së dhe «Sëmundja si metaforë» e Susan Sontag. Ashtu siç pritej, vepra e të parit u stërbotua miliona ekzemplarë. U përfol gjithandej. Gjendja e njëjtë u bartë edhe në letrarinë shqiptare. Albert Camus përmendet pothuaj në çdo të dytin tekst që mëton të lidhë pandeminë [si dukuri] me letërsinë, artet dhe mendimin intelektual mbi të, Susan Sontag nuk citohet fare në kontekst me pandeminë, as në kulturosferën kësulëbardhë e as në tjerat. Ose u përdor vetëm si fusnotë nga një revistë e specializuar franko-gjermane për filozofi sa për t’i polemizuar presidentit francez Emmanuel Macron.
Pse ndodhi kjo? Është romani i Camus-ë më adekuat se eseu i Sontag për ta përshkruar, diagnostikuar apo për ta ofruar si doracak për kolektivat gjatë paniqeve nga mortajat? Jo. Përkundrazi. Camus operon aty me mendësinë e Carl Schmitt-Dorotić-it që ndante botën në armiq dhe miq dhe mëson të shtypurit se si duhet të solidarizohen për ta hequr qafe sunduesin e huaj. E bukur kjo. Idealiste. Por sa është e nevojshme për gjitha ato shoqëri që nuk besojnë [si shumica] të gjenden në këtë modus algjerian të epokës së kolonializmit? Vepra e Susan Sontag është për këtë pjesë të botës, të vetëquajtur e lirë, shumë më adekuate, për shkak se nuk merret me kampet politike, ideologjitë, por me njeriun dhe shoqëritë në kohë «kolere». Nëse qeveritë, partitë dhe ideologjitë kanë interes më shumë që të shpartallohet Camus , i cili i përshtatet biopolitikës së tyre panoptike, orwelliane mbi robërit e tyre, pse elitat intelektuale të oksidentit postiluminist atëherë nuk e sollën në podium Susan Sontag? Ngase ishte e «campus»-it tjetër gjinor apo bëhet fjalë për diçka tjetër? Këtë tenton ta elaborojë ky ese.
ALBERT CAMUS
Gjithë bota flet për Albert Camus – in. Saherë në ndonjë cep të Globit të shpërthejë ndonjë pandemi, gazetat mbushin ballinat me portretin e franko – algjerianit elegant, në atë pozën me cigare në gojë duke lexuar gazetë. Ose jorrallë elozhi i profetit shoqërohet me atë fotografinë tjetër ku është duke bërë fizkulturë buzë dallgëve të ndonjë deti. Kryevepra e tij «Murtaja» është shkaku i ringjalljes së tij çdoherë kur kolektivat i kap frika nga ndonjë virus që nuk përfill hierarkitë (i)materiale të humanitetit. Në romanin formëdrame të ndarë në pesë pjesë dhe tridhjetë kapituj Camus sjell – sipas tij – «dokumentin letrar dhe historik, monumentin kundër çdo lloj terrori dhe dhune si dhe apelin për solidaritet shoqëror, kolektiv në kohë të tragjedive». Maksimë kjo fisnike, por duke e lexuar romanin apo duke shikuar versionin e tij të filmuar nga Luis Poenzo [1991] a nuk na fluturonin oreçast nëpërmend gjitha ato maksima kineze, babilonase, romake, postromake si obligatio in solidum, pacem in terris, të cilat kryemurgu i filozofisë kishtare Thomas Aquinas [1225-1274] i formuloi në më pak se sa një roman në apelin: «Ne kemi mësuar të fluturojmë si zogjtë, të notojmë si peshqit, mirëpo kemi çmësuar artin më të thjeshtë: të jetojmë si vëllezër» [*]? Shikuar për nga mesazhi moral që e vetëdeklaron autori, libri i tij nuk sjell ndonjë risi. Romani hyri në kanunin e letërsisë botërore si longseller për diçka tjetër. Aspekti i tij sociopolitik ishte dinamit për kohën: një autor francez mori anën e kryengritësve algjerian kundër kolonialistëve francez. Gjersa me empati të thellë përshkruan luftën e njeriut, familjes kolektivit kundër murtajës, me ashpërsi qortuese ai denoncon kolonët politikë e religjioz bashkë me kolaboruesit e tyre si kriminelë, kontrabandues dhe përfitues tragjedish njerëzore- ashtu siç edhe ishin. Në vendet me diktaturë të egër, me sundim të huaj libri mund të shërbej si doracak i përkryer për ndonjë «revolucion në kohë kolere», për t’i shkulur nga faqja e dheut me një të rrame dy pandemi përnjëherë.
Ndërkaq sa i përket njeriut që beson të jetojë në rende politike jo-diktatoriale, siç është shumica absolute e këtij të ashtuquajturit «oksidental», romani është dramë e bukur letrare për ta lexuar gjatë pushimeve ose kur bie shumë shi, por për pandeminë nuk të thotë më shumë se gjitha ato tashmë qindra romane e studime që janë bërë për njerëzit në kohë kolerash natyrore. Gjersa romani i Camus-ë mund të zëvendësohej me ndonjë libër tjetër, a mund të thuhet e njëjta gjë për «Sëmundja si metaforë» të Susan Sontag?
SUSAN SONTAG
Po të besonte Oscar Wilde në rrëfimet mitoreligjioze hindu-krishtere ai me siguri do të dëshironte të inkarnohej ose të ringjallej, jo në bretkosë apo më i bukur ose më i ri, por patjetër si femër. Dhe atë jo në çfarëdo femre, por me çdo kusht si Susan Sontag. Pse?
Sue – emri përkëdhelës i saj – qysh në moshën 19-vjeçare bëhet nënë. Më vonë studioi tek Leo Strauss, Paul Tillich, Jacob Taubes dhe kishte për miq personal Hannah Arendt-in, Herbert Marcuse-n, Thomas Mann-in e të kategorisë. Deri në vdekje jetoi bashkë me fotografen Annie Leibovitz. Me botimin e librit «Against Interpretation» [1966] ajo katapultoi veten në rreshtin e parë të teorikëve avangardë të SHBA-ve.
Nga postulati: «Interpretimi është hakmarrje e intelektit ndaj artit» u pa se i është nënshtruar dikutmit aq në modë asokohe «L’art pour l’art» [Artbërje në favor të tij – e jo të konsumit, ideologjisë, famës …]. Ajo la romane, pjesë teatri dhe shkrime për shumë tema apo gjithçka: ajo reflektoi për King Kong-un, për luftën, fénë, pornografinë, sëmundjen, pikturën; ishte e ftuara më e rregullt e Party – ve «dekadente» larteposhtë kontinenteve, lexohej me pasion nga Sartre, Barthes, Canetti, Brodsky, miqtë dhe armiqtë e saj jo të paktë; aktronte në to dhe prodhonte vetë filma. Vetëm Pierre Bourdieu-në e nervozonte herë pas here ngase edhe me jetë ia dëshmonte atë që ai refuzonte me ngulm ta pranojë: t’ia kishte huq-thellë me tezën e tij tek «Dallimet fine» [1979], ku stilin e jetës nuk e pranon si shprehje të personalitetit, por si produkt të strukturave sunduese në shoqëri.
Kjo mënyrë e jetës – sidomos qasja e saj omniseksuale dhe frekuentimi i salloneve të Jetset – it amerikan – shtyu plotë kritikë konservativ ta quajnë «kopje të zbehtë të dandit Oscar Wilde». Të njëjtët që pas publikimit te esesë «Notes on Camp» [1964] edhe e pandehnin si destruktore [dekonstruktiviste sipas zhargonit derridist ishte posepo] rendesh e moralesh dhe nxitëse festivalesh e trazirash hedoniste (= për çka kritikët mund t’i lavdërojmë për sensin e tyre profetik, pasi të formës ndodhën pak vite më vonë = Woodstock dhe tjerët). Në vitet e 70-a (është sot ndryshe?) edhe intelektuali më në modë, më progresiv simpatizonte me respekt intelektualen e tipit të Xhamiljes së Aitmatovit, e ato që silleshin si Lolita e Nabokovit, sipas tyre të përdala as që mund të ishin të tilla – intelektuale.
«SËMUNDJA SI METAFORË» [**]
14 vite më vonë, pas esesë së lartpërmendur që e bëri mondanisht yll intelektual dhe pas luftës me kancerin, botoi studimin «Sëmundja si metaforë» (1978 -1989). Aty ajo hulumton mënyrën se si shoqëritë formojnë perceptimet, qëndrimet dhe sjelljet ndaj sëmundjeve të veçanta dhe pandemive. Ngaqë ato, sëmundjet, çojnë në handikapimin apo shuarjen e njeriut/kolektivave domosdo ato dizajnohen me mite kulturore negative, alarmante. Sontag, duke marrë si shembuj metaforat mbi sida-n dhe kancerin shpalon aty stigmatizimet që u ndodhin të sëmurëve, paranojat me të cilat jetojnë të «shëndoshët» dhe biopolitikat totalokontroulluese që i sajojnë sistemet politike dhe shtetet, më shumë për të rikonfiguruar mentalitetet kolektive në favor të synimeve që kanë se sa për të shpëtuar masat nga sëmundjet dhe epidemitë. Kjo mund të lexohet fare qarte sipas Sontag-ut në retorikat militariste 1989] që shpërthejnë në këto raste. Retorika të llojit si: «Ne gjendemi në luftë me Virusin» [citat nga fjalimi i Emmanuel Macron në fillim të Corona-Pandemisë]. Nëse ka një luftë cilët janë ushtarët e armikut, kësaj radhe pandemisë (të sëmurit); kush është pra armiku (Kina, Amerikanët, Bill Gates) dhe cilët shpëtuesit (shteti, politikat, aparati, patriotët)?
Gjatë leximit të «Sëmundja si metaforë» nuk na shfaqen në mënyrë aq plastike skenat ku homo homini lupus est; as nuk gjejmë receta se si revolucionarët duhet që nëpërmjet solidaritetit të masave të indoktrinuara t’i rrëzojnë qeveritë [Camus], çka aty si qytetarë mësojmë janë përvojat e një qenieje që sillej me të dhe botën plotë urrejtje, ngase ishte e programuar me kodet kulturore të kohës së saj që përpjekjen për jetë ta ushtronte duke luftuar armiqësisht sëmundjen (e vetë) dhe duke kërkuar fajtorin tek Tjetri. Ajo ndoshta mbijetoi, mundi kancerin edhe nga fakti se në kulmin e sëmundjes hoqi dorë nga kjo mënyrë lufte (me urrejtje dhe në kërkim të fajtorëve) dhe shkroi librin që ne sot e trajtojmë këtu. Një kryevepër që nuk thotë se ç’vaksinë duhet prodhuar për ta vrarë virusin që do ta lë pas edhe ky virus, por iluminon të infektuarin, ende të painfektuarin, qytetarin, njeriun se si duhet të sillet që së paku në kulmin e dramave të tilla kolektive mos të bëhet viktime projektesh që s’çajnë kokën e as … për njerëzit dhe edhe në majëflakën e dramës ta ruaj njerëzinë.
SINTEZA
e këtij rrëfimi krahasues del e qartë. Sontag nuk është bedele politike, por e dekonstrukton të fundit, politikën me gjitha satelitet e saja, në favor të perceptimit sa më konstruktiv të sëmundjeve individuale që përbëjnë pastaj çdo morbiditet kolektiv. Vepra e Sontag është libri që duhet të aktualizohej në kohë pandemish, jo sepse është femër dhe ne duam të bëjmë kuota, porse diagnoza dhe kritika e saj është e kohës, fenomeneve, problemeve me të cilat përballen pikërisht sferat «oksidentale» e jo me ato që i trajton Camus. Historia e stilit «dhëmb për dhëmb» mund të përdoret për ushtritë e dukshme por jo për ato që as s’i sheh dot. Veçanërisht jo kur gjithë ulurijnë kundër dhunës – siç bëjnë elitat e ashtuquajtura postmoderne.
Nuk do ishte serioze që të pandehej se elitat intelektuale dhe industria e kulturës e përjashton me qëllim Susan Sontag ngase është femër. Nuk besojmë që kjo të ndodhë me plan, më shumë veprimi është automatik, «i natyrshëm». Njeriu është mësuar që sapo të plas lufta ta kërkoi heroin e jo heroinën. Dhe siç duket edhe kjo epokë nuk e ka ndërmend të reflektojë ndryshe. Ose po? Le të shpresojmë në pandeminë tjetër. ©GazetaMetro.
[*] Natyrisht jo edhe me motra.
[**] Në shqipe libri është botuar në një vit të panjohur nga Shtëpia e Librit "Korbi" në Tiranë dhe është përkthyer nga Zef Simoni.