«Raca» e superlativëve

Nëse doni që t’iu shpifen fjalët si «mision», «i famshëm», i «madhi», i «shenjtë», atëherë lexoni shqiptarët. Pra lexoni mediat dhe publikimet shqiptare dhe shëroheni njëherë e përherë nga epidemia e ekzagjerimit dhe superlativave.

Motivi për këtë tekst: Sot lexova rastësisht në një portal – i cili bën poza sikur të merret me gazetari, e bashkë me të edhe me diasporën, –  se kryeministri kosovar paska dhënë një intervistë tek një emision i famshëm i një televizioni të famshëm.

Në fakt bëhet fjalë për emisionin “Pardonnez – moi” të radiotelevizionit frankofon të Zvicrës (RTS).

Bëna një llogari: Në Zvicër jetojnë 20% frankofonë, pra  1.8 milionë nga gati 8 milionë banorët e vendit. Nga statistikat zyrtare dihet se shumica e zviceranëve frëngjisht folës shikojnë stacionet televizivë franceze. Për këtë  shkak pjesën më të madhe të deficitit, koncernit SRG SSR (Ndërmarrja semiprivate e radiotelevizioneve zvicerane) ia shkaktojnë stacionet teleivizive të Romandisë dhe ato të pjesës italike (Tiçiono). Jashtë shikuesve të vetë ky emision nuk njihet nga askush dhe askund: as në Zvicër, në Francë si ashtu ashtu jo e për mëtej as që bëhet fjalë.

Pse atëherë i famshmi në emisionin e famshëm të televizionit të famshëm?

Mirë, ata që më duan do më thonë: hajt ç’ a po merresh me vokabularin shtatzëne të atij portali kot. Dakord, ky është një shembull tejet banal, ama prit. Më duket se e gjitha gjuha shqipe po na del shtatzënë.

2.


«I madhi…gjeniu…i pathyeshmi», «Atdheu jonë i shenjtë», «Gjaku ynë i shenjtë», «misioni letrar i Hasan Delisë është….», «…ta bëjë gjuhën tonë të shenjtë», «gjaku ynë që nuk ndalet, hollohet, falet, nuk shndërrohet kurrë në urinë», «i famshmi natën, i famshmi ditën…» e kështu me radhë. Mendoj se, çdokush që lexon e di se superlativat i kemi specialitet.

Pse gjithë këto superlativa?

Ngase jemi të vetëdijshëm për superaftësitë tona gjenetike, sepse jemi racë përtej racës, më të bukurit, më të përsosurit, specie e veçantë? Një miniekskurs: Dorën në zemër, nuk them se kurrë nuk ia fus gjoksit tim me grusht duke i thënë vetes: he bal he, me ty nuk ka! Dhe krekosem si ata gjelat mbi gërmadhën e plehut. Veçanërisht në ato fazat e mia whyskiplote jo rralle ia prishja datën pasqyrës me kësisoj onanish.

Pra dimë të flasim vetëm me superlativa sepse jemi super-racë, apo sjellja jonë e këtillë ka ndonjë diagnozë tjetër?

3.

 Së pari bastisa ca libra të Historisë që i kemi shkruar vetë. Mbasandaj do të tjera që i kanë shkruar ata që urrejnë shqiptarët. Dhe së fundi ato që i kanë shkruar ata që nuk merren me dashuri, por me shkencë që bazohet në dy të parat. Sado burimi i mirë të jetë Historia nuk i hynë në punë pyetjes sime rreth fenomenit të superlativave. Për arsye se nuk ekziston ndonjë histori apo analizë foucault-iane mbi superracën tonë. S’ka studime nga etnologjia apo antropologjia sociale që do të më ndihmonin ta zbërthejë këtë zonë tejet dinamike të mentalitetit të plisbartësve.

Kërkova shpëtim në ato pak libra nga fusha e Psikologjisë, respektivisht Psikanalizës (më kanë mbetur nga një autokampanjë e dikurshme për ta shëruar veten nga indiferenca dhe megalomania). Dhe ja në bibliotekën time të varfër i gjeta tre libra interesantë; gjeta atë të  Georg Devereux «Frika dhe metoda» (1983), atë të Mario Erdheimit «Psikanaliza dhe Pavetëdija në kulturë» (1988) dhe më të mirën, librin me studime të Paul Parinit (ky ka qenë shumë i lidhur me ne) «Kontradikta në subjekt, studime etnopsikanalitike» (1983). Gëzimi qe jetëshkurtër. Mu thye pasqyra. E raca ime superlative u shndrrua në një megaklinikë përplotë pacientë. Përpjekjen time që epideminë shqiptare të superlativave ta shpjegojë si rezultat normal i një vetëbesimi të shëndoshë, domethënë respekti që kanë shqiptarët e mi ndaj vetes, kulturës dhe identitetit, ashtu siç më ofroi Paul Parin në një paragraf të tij, ma demoloi një diagnozë therrëse e Mario Erdheimit, i cili nga ky «grup normal» i përjashton «kulturat» në gjirin e të cilave masivisht identifikohen «personalitete më aftësi të supermenit». Të atillë si ky në këtë dialog:

Mirushi: A kishe mujt me udhëheq ministrinë e mbrojtjes, se pasha zotin te ti kam ma së shumti besim?

Bajrushi: Pse jo burrë. Kam qenë ushtar e di punët…

Mirushi: Jo ma mirë merre atë të Kulturës se ti je nervoz e po na shty në luftë.

Bajrushi: A e mban mend kur ta dhashë romanin «Dashuria e Talatit me Fitneten»?

Mirushi: Jo nuk më kujtohet.

Bajrushi: Hë bre burrë 8 a 9 vjet ishim. Prej atëherë për çdo natë pa e lexue nji libër nuk më ze gjumi.

Mirushi: Eee e di çka ti kishe bë më së miri.

Bajrushi: Hë (gojë e sy hapur).

Më së miri ky ta vizitojë psikiatrin do të thoshte Xhemushi. Si ka mundësi në një bisede të shkurtër njeriu t’ia besojë vetes gjithë këto aftësi. Pse nuk ka mundësi?

4.

Nga zori për të gjetur ndonjë ilustrim konkret e aktual, në websitin e KOHA Ditore gjeta shpëtimin. Ja përgjigjen se të tillë ka me divizione. Në kollumnën e saj aktuale Flaka Surroi shkruan:

«Kuvendi mbase është …është një konglomerat “përfaqësuesish” populli, të hunit e të konopit, të mbledhur falë simpative apo larjeve të borxheve të shefave të partive, apo të koalicioneve krejtësisht të pabesueshme dhe të papajtueshme për nga orientimi politik apo fatit që ua përshkruan Kushtetuta, duke ua rezervuar vendet — e që besojnë përnjëmend se i dinë të gjitha, e që, për fat të keq, e kanë autoritetin për të marrë vendime që prekin interesat e popullit, por i ruajnë të tyret dhe ato të shefave të tyre»

Flaka ka të drejtë, e ç’na thonë specialistët Parin, Devereux dhe Erdheim për shoqëritë ku Bajrushët janë tipi më i shpeshtë i përditshmërisë. Të tre janë të një mendimi si Flaka Surroi. Ja ç ‘indikatorësh na numërojnë për të sqaruar epideminë time të superlativave. Po i akumuloj llafet e tyre sa më shkurtë që të mundem:

Situata:

  1. Masat e tilla do të kenë gjatë të pushtuara, të nënçmuara, të nëpërkëmbura.
  2. Edhe në kushte tjera ato ndihen inferiore dhe bëjnë çmos t’ia dëshmojnë vetes se kanë vlera më të larta, më të lashta, më të qëndreshme se gjithë të tjerat.

Manifestimi:

  1. Kulturë: Lufta kundër ndjenjës së inferioritetit zhvillohet duke mbiçmuar deri në absurditet traditën, identitetin, ritet, zakonet.
  2. Gjuhë: Interkomunimi është i ngarkuar me superlativizma, të cilat janë pasojë e një projeksioni automatik.

Paradoksi:

  1. Karakteristikë e këtyre shoqërive është edhe qëndrimi gati skizofrenik i tyre: para të «huajit», të tjerëve ata kapin ekstremin tjetër dhe luajnë me kartën e viktimës që ka nevojë për mëshirë. Në këtë zonë ata kultivojnë megjithatë atë habitusin tjetër, të cilin ata rëndomtë e «luftojnë«. Këtë nuk e bëjnë për shkaqe materiale apo ideale, porse (instinktivisht) e dinë se  kanë nevojë për koekzistencë dhe nuk janë vërtet «supermenë».

5.

Tash e kuptoj më mirë Bajrushin, Mirushin dhe gjithë ata «t’hunit e t’konopit« që i përfol Flaka Surroi. E morra vesh punën e superlativizmave dhe ekzagjerimeve, sepse ato kriteret e atyre teorive lartë i plotësojmë pikë për pikë. Nuk do të bëhem më nervoz as më të «famshmit e të famshmeve» e as me të «shenjtit e katundeve». Nuk tallet njeriu me hallet shëndetësore të të tjerëve. E më hiç kur pacientët të vetët i ka.

Nga sot do kërkoj në bibliotekën time të varfër formula shërimi kundër epidemisë së superlativave. Ku ta dimë, ndoshta gjej diçka…

Bernë, 16.07.2014

Related

«Pellazgët» si prefiguratë teodik

Albin Kurti erdhi. Ende pa hyrë në zyrë, thonë...

Yolofëmijët në stupidinariumin e politikës

Deri në vitin 2054 bëjani hallin vetes disi, u...

Maqedonia antishqiptare apo vetëm gjeoracizëm?

Primatët politikë sabotuan shejntërimin e Nënë Terezës në Romë....

Atentatorët e shkollës

Kush i vrau shkollat shqipe në Maqedoni? Shteti, pushteti?...

Taksat dhe hipotekat e Maqedonisë

Pushteti në Shkup ka frikë. Nga vetvetja më së...