Vjeshtë në Venedik. Një turmë pëllumbash merr hov tërbueshëm nga Palazzo Agnusdio o dei quattro Evangelisti drejt Canal Grande-s. Turistë vërdallen gjithandej hutueshëm, sikur të kërkojnë – po si ata perëndimorët lumenjve indianë të Amerikës së mëvonshme – ndonjë copë ar ose një hektar dhé për jetë e për varr. I pa përlarë nga magjia e relikteve etruske, bizantine e napoleonike të Venedikut, turisti austriak Josef Breuer, ri kokulur në tarracën e Café Sorrento-s dhe lexon për të satën herë një copë letër të çuditshme, që mban firmën e një gruaje të panjohur me emrin Lou-Andreas Salomé. Është ndoshta zëri kumbues i perfektit të Venedikut Dante Di Serego Alighieri, shkaku – i cili me pompozitet teatralik prezanton vaporët e parë të motorizuar – që zgjon austriakun për të çuar kokën, për të zgurdulluar sytë dhe për t’u përballur me bukurinë eksituese të një dame që i ri gatitu para tavolinës. Lou Andreas Salomé, i thotë ajo me zë triumfal, dhe i zgjat dorën. Josef Breuer humb fuqinë, ul kokën dhe stërlexon edhe njëherë letrën e saj: «Duhet të bisedojmë për një çështje shumë të rëndësishme. Ardhmëria e filozofisë gjermane gjendet në rrezik (…)». Sapo merr guximin ta çojë kokën Josef Breuer, Lou ia shtrinë në tavolinë edhe një letër tjetër; atë të Richard Wagner-it drejtuar mikut të tij Friedrich Nietzsche.
1. PËRKTHIMET DHE KRITIKA
Emeritusi, shkrimtari dhe psikanalitiku i njohur amerikan Irvin David Yalom është autori i romanit «When Nietzsche Wept» (Kur Nietzsche qau, në versionin gjermanisht është «Dhe Nietzsche qau»), roman i cili që nga dita e daljes e deri sot popullon vitrinat e librarive të perëndimit me të njëjtin intensitet shitjeje si ditëve të para të botimit. Libri tashmë është botuar në shumë gjuhë. Ai është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese «Morava» (Kur qau Niçja, 2008). Dhe si shumica e përkthimeve letrare në gjuhën shqipe edhe ky ta shpif leximin.
Po u bazuam në përhapjen dhe përshtypjen e lexuesve të tij dhe në arsyetimin e çmimit për novelën më të mirë nga Commonwealth California, Romani tashmë ka fituar statutin e romanit klasik të shekullit 20-të. Ndërsa kritikët janë më me rezervë në këtë drejtim. Los Angeles Times sikur me zor tha se «Yalom është një rrëfyes i talentuar (kupto: ka dhuntinë) historish». Kritika në hapësirën gjermanofone- si zakonisht – e lavdëroi me qëllimin për të thënë se megjithatë nuk kemi të bëjmë me ndonjë nobelist të ardhshëm. Frankofonët si ashtu-ashtu vuajnë nga klisheja se amerikanët s’dinë të bëjnë letërsi të njëmendtë. Kritikët italianë u eksituan edhe më keq se Josef Breuer kur pa Lou Salomé-në, duke u përpjekur të potencojnë se gjithçka kulturore me përmasa universale nis nga Venediku apo Firence. Ndërsa austriakët, respektivisht vjenezët e nderuar deri në palcë me librin e Yalomit (i cili i organizon Nietzsches qëndrim në njërin nga sanatoriumet e qendrës austro-hungareze) shtypën 100 mijë kopje të romanit, i shpërndanë falas dhe ftuan Irvin D. Yalom në një turne leximi. Kritikët që konsiderohen (bashke me ata që shtyren si të tillë) si elita e gjykimit kompetent të letërsisë nuk shohin ndonjë arsye që t’i «bashkohen spektaklit«, siç tha njëri nga gurutë e kritikës gjermanofone.
SHKARKO TEKSTIN E PLOTË SI PDF
*Biografia
Irvin David Yalom është i lindur më 1931 në Washington DC. Është profesor i emeritus për Psikiatri në Universitetin e Standfordit. Yalom konsiderohet si përfaqësuesi (i gjallë) kryesor i psikoterapisë ekzistenciale. Në vitin 2009 fitoi çmimin ndërkombëtar «Sigmund Freud» për psikoterapi. Më shumë se për veprat e tij letrare ai është si autor i studimeve të ndryshme mbi psikanalizën.