Fiziologjia e akullit dhe vullkani estetik

Ka disa vite që nëpër galeri e institucione tjera të artit, në Zvicër dhe Francë, hasim punimet e piktorit shqiptar Gani Bytyçi. Piktura e të cilit ka hasur një jehonë pozitive në mediat e vendeve ku ai është duke ekspozuar. Bytyçi, i lindur në Arllat të Ferizajit dhe që nga opinioni njihet si gazetar i «Rilindjes» dhe «Kosovares», nga viti 1991 punon dhe jeton në Cyrih të Zvicrës.

Errësira mezi bën jetë në hapësirën ku e bardha e bën ligjin. Dhimbje, përplasje fatesh të detyruara të bashkëjtojnë me luftën, torturën. Nga kriza me e thellë e depresionit lind drita- shpëtimi i premtuar. Nga tymi i përdhosjes humane dalin shkëndijet e para të mirëkuptimit. Përdorim i realitetit si mjet për të ikur nga ai në një jetë ku e Bukura do të luante rolin e perëndisë.  Portrete qëllimisht të thyera. Karaktere të maskuara me të kuq. Qiej të hapur dhe jetë të mbyllura fatesh. Ndjenja jetëson çdo figurë të previligjuar brenda kornizave të pikturës. Kjo është gjendja e parë shpirtërore që të krijohet sapo t`i dalish përballë pikturës së Gani Bytiçit.

Cikli kushtuar Qenies (ku bënin pjesë mbi dhjetë punime) fillon nga përbashkimi i molekulave embrionale pas fekundimit e deri tek vdekja fizike e tij si konstrukt- nga bakteriet e trupit të vdekur të të cilit niset formimi i një qenie të re. Një lloj procedure artistike për të vënë në pah procesin e inkrearnimit (jashtë ligjeve të interpretimeve me karakter religjioz). Cikli tjetër, i punuar me një finesë dhe pastërti totale, çdonjëri për vete demostron spektrin e artistit mbi fenomene dhe ekzistenca të ndryshme në univers. Shenja të ndryshme zbulojnë rrugët komunikuese ndërmjet psikës sonë dhe faktorëve tjerë me të cilët ndajmë jetën në planet. Në mesin e punimeve të piktorit kosovar Gani Bytyçi njeriu gjendet i ballafaquar me vetveten, me të vërtetën mbi karakterin e tij. Ai aty konfrontohet edhe me lidhje të tjera misterioze për të cilat është i pavetëdijshëm si: rëndësia e ekzistencës së tij në teatrin e globit; rolin e tij; pasojat dhe konfliktet që prodhon prezenca e paformuar e tij; aty konfrontohet ai me realitetin se nuk njeh të Bukurën, prandaj e ka rëndë për të zbuluar atë. Mbitëgjitha në ekspozitën e Bytyçit njeriu ndeshet me forcën madhështore të së Bukurës në jetë, e cila mund ti shërbejë si nxitje dhe shtytje që ai të fillojë seriozisht të dashurojë jetën, flakë melankolinë dhe ti nënshtrohet pushtetit të mesazhit që sjell piktori; jeta mund të jetohet edhe ndryshe, sidomos kur ajo priret nga dashuria për të!

TEKNIKA

Përderisa në pikturat e para të Bytyçit vërrehet një derdhje spontane e ndjenjës nëpërmjet ngjyrave, në këto të tjerat (të cilat kalojnë numrin dyqind) shihet një gdhendje e idesë dhe ndjenjës në praktikë. Gjë që do të thotë se ai ka krijuar procedurën e tij personale për krijimin e një vepre artistike, duke e pjekur mirë idenë dhe duke ia gjetur asaj objektet e përshtatshme nëpërmjet të të cilave shprehet si dhe lidhshmërinë  dhe varrësinë e tyre të natyrshme në realitetin universal. Ky proces i ka mundësuar artistit që të ketë një raport tejet harmonik me ngjyrat si dhe ka edukuar temperamentin e tij që të zotërojë mjeshtrinë e mbajtjes së tyre nën kontrollë, që ato mos të përdhosen- siç ndodhë tek shumë krijues të tjerë.

Sa i përket teknikave Bytyçi, si duket nuk preferon mbetjen vetëm tek njëra prej tyre. Ai aq sa është i suksesshëm në punën me teknikën e tushit kinez aq është edhe në atë të vajit. E veçanta e tij qëndron edhe në kombinimin që ai e bën ndërmjet këtyre dy teknikave duke i sjellë ato në një harmoni, vërtet të arrirë si në planin artistik në përgjithësi dhe në atë stilistik në veçanti.

STILI

Në punimet e punuara me tushin kinez ku sundon e zeza e graduar bashkë me grinë në bashkëjetesë me dritën që shpesh na mashtron sikur të ishte e bardha, gjejmë një segment që na thotë sikur Bytyçi të ishte i frymëzuar nga shkolla e gardës së vjetër e surrealistëve amerikanë si Arshile Gorky  dhe Man Ray, ndërkaq në atë të vajit ku ngjyrat vazhdimisht gjenden në revolucion e sipër ai përbashkohet me një shkollë tjetër, mirëpo sërish amerikane, si ajo Ashcan e realizmit ekspresiv të Jackson Polloc-ut. Mund të manipulojmë se Bytyçi në këto dy shkolla ka gjetur inspirimin nxitës, mirëpo nuk mund të konstatojmë se ai u përkon vetëm atyre stileve, kështu që ato mbeten si elemente fragmentare në krijimtarinë e tij. Bytyçi ka arritur të hap portën e diçka të reje, diçka që është vetëm e tija dhe që ne e identifikojmë me origjinalen, individualitetin në art. Domethënë ai ka krijuar emrin e tij si piktor.

Në mbarrë opusin duket një tendencë për t`ia dhënë fronin lehtësisë që nëpërmjet asaj të sundojë e Bukura. Përshtatja e ngjyrave me domethënien e apelit artistik që bëjnë punimet e tij i japin Gani Bytyçit një formë të re trajtimi të vizioneve në art. Një metodë që i pamundëson atij që të identifikohet me ndojë stil të huaj, kështu duke nisur një rrugë të rëndë; kërkimin e rrugëve të reja në art. Dhe vetë ky kërkim e vë atë para një misioni përplot labirinthe, mirëpo fisnik.

TEMATIKA

Në aspektin e temës në artin e Bytyiçit, pa hamendje mund të thuhet se çdonjëra pikturë e tij është një temë në vete. Në opusin që kemi pasur në të dyja ekspozitat e tij personale nuk kemi gjetur ndonjë punim që nuk ka shkuar pa tjetrin. Nga ana tjetër ai ka arritur që ciklin e tij, ku bëjnë pjesë disa punime shumëtemëshe, ta vë në një kontinuitet aq të lidhshëm duke bërë kështu kryetemën. Një aksion të tillë Bytyçi e ka bërë në ciklin e tij «Portrete» (10 piktura). Piktura e parë quhet; Paralindja, e dyta; Konfrontimi (me jetën), e treta; Formimi (edukimi), e katërta; Acarrimi, e pesta; Lumturia, e gjashta; Tragjedia, e shtata; Agresiviteti, e teta; deformimi, e nënta; Shuarja dhe e dhjeta; Rilindja. Që nga piktura e parë «Paralindja»  në të cilën piktori ka vizatuar procesin e përbashkimit të embrioneve në barkun e nënës ku ka nisur krijimi i një qenieje e deri në pikturën «Deformimi» që simbolizon vdekjen e njeriut si qenie fizike me jetë të kufizuar, për të mbaruar në mesazhin e tij final me pikturën «Rilindja», me të cilën përshkruan gjurmën e artit të bukur në vetëdijen e kohës, Bytyçi arrijnë përkushtueshëm të trajtojë temën e ekzistencës së qenies Njeri  si dhe ecjes së tij nëpër të gjitha stacionet e jetës. Në këtë cikël ku ai bën një studim psikanalitik mbi njeriun nëpërmjet portreteve të punuara me teknika dhe ngjyra të ndryshme. Cdonjëri prej portreteve të piktorit përshkruan nga një fazë të jetës së njeriut dhe secili është i pavarur nga tjetri, mirëpo të gjithë janë në funksion të kryetemës; njeriu, jeta dhe arti.

Përveç njeriut si objekt studimi në artin e Bytyçit gjejmë edhe; natyrën; animalitetin; vullkanet etj. dhe mbi të gjitha  botëkuptimet e ngjyrosura të artistit ndaj artit, siç është rasti me ciklin e fundit të tij që udhëhiqet nga piktura «komunikime ndejnjash». Cikël i punuar me një finesë të këndshmë dhe që vë në pah rolin e ndjenjës gjatë ngritjes së raporteve me të gjithë faktorët përbërës të gjithësisë.

VIZIONI

Cka na thotë Gani Bytyçi me artin e tij? Cili është mesazhi e njëkohësisht dëshira e vizioni i tij? Jo pa qëllim në punimet e tij ai e favorizon figuracionin e krijuar me objekte e situata, të cilat ne (pa marrë parasyshë procesin e relatives në këtë kontekst) i kemi konceptuar si pozitive. Me vetëdije ai vazhdimisht e potencon dritën dhe bardhësinë mu në epiqendrën e hapësirës ku e zeza duket sikur të ketë pushtetin. Nëpërmjet atyre neoneve të ndritshme ai do që mos të diskriminojë të zezën, errësirën  vetëm për arsye se simbolizon zymtësinë në kokat tona, por e le atë të ketë primatin duke ia vënë një pikë të bardhë në mes, e cila simbolizon bukurinë që ka në zemër ajo. Pra ai e gjen të bukurën, e krijon të pamurin edhe në me të errësirës. Njëkohësisht duke u përpjekur që të na përcjell vizionin e tij, i cili mund të deshifrohet kështu; edhe në zemrën e tragjedisë, nëse duam dhe nëse dashurojmë jetën mund të gjejmë kompromision për të bashkëjtuar të qetë, në paqe, pa krime- në dashuri. Nëpërmjet ngjyrave të mbyllura ai na jep një pasqyrë të qartë mbi realitetin në të cilin gjendemi- ne qeniet humane, ndërsa porsa vijnë në shprehje ngjyrat e hapura bashkë me dritën në kombinim, hapen shtigjet udhërrëfyese me të cilat Bytyçi bën drejtimin ka duhet të ecim për të gjetur dashurinë, të bukurat e jetës, nëpërmjet artit të tij. Konstatojme se vizioni i piktorit shqiptar është; përqafimi i jetës me një dashuri të sinqertë me qëllim të sigurimit të paqes ndërnjerzore për të krijuar një bashkëjetesë në harmoni. Harmoni që më së shumti i nevojitet teatrit tragjikomik të globit!

Bio / Gani Bytyçi, është i lindur në Arllat të Ferizajit. Ka të mbaruar Fakultetin e Gjuhë dhe Letërsisë në Univerzitetin e Prishtinës. Pas mbarimit të studimeve ka punuar si arsimdhënës e më vonë, ashtu siç edhe njihet nga opinioni, ka punuar si gazetar i «Rilindjes» dhe «Kosovares» etj. Përveç pikturës, Bytyçi merret edhe me prozë e poezi. Që nga viti 1991 punon dhe jeton në Zürich të Zvicrës.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...