Qeveria kosovare nuk pranon akuzat e New York Times, Kosova të jetë tokë e pjellshme e Kalifatit. Jo se ajo nuk është, ngase është vendi me numrin më të madh të njerëzve atje, porse qeveria nuk i shpall dot luftë problemit. Pse jo? Kështu veprojnë vetëm qeveritë që kanë ndihmuar qëllimisht radikalizimin!
Ka vite që televizionet publike franceze, gjermane, italiane, britanike, zvicerane sjellin dokumentarë rreth rekrutimit masiv të mercenarëve kosovarë për në Kalifat. Deri më tani si qeveria ashtu edhe pjesët relevante të shoqërisë heshtën. Me botimin e një artikulli para disa ditëve në «New York Times» mirëpo duket sikur ndryshoi situata në këtë drejtim. Pse? Ngase artikulli i të së përditshmes prestigjioze amerikane u shpërnda me miliona dhe vazhdon të jetë artikulli më i lexuar në rrjete? Ky do të jetë shkaku. Sidomos pas publikimit të faktit se revista amerikane «The Atlantic» shpalli tekstin më të lexuar të javës dhe temën më të perceptuar në mediat ndërkombëtare u aktivizuan segmente të caktuara të qeverisë kosovare për të «korrigjuar» të vërtetën.
Çka ndodhi?
INDEKSONLINE botoi në artikull «redaksional» në të cilin thuhej se në Kosovë nuk ekziston radikalizmi islamopolitik, porse e gjitha qenka komplot i një rrjeti gazetarësh islamofobë të prirë nga ish presidentja Atifete Jahjaga, të cilët së bashku synojnë vjeljen e një fondi 20 milionë dollarësh nga SHBA-të me pretekstin «luftë kundër terrorizmit». Për autorët e tekstit nuk ekziston problemi por është fantom që dëmton imazhin e Kosovës.
Krahas publikimit të tekstit në rrjetet sociale dhe gjithandej veproi PETRIT SELIMI (PDK) me familje e miq për të kundërshtuar «rrëfimin» e NYT si të pavërtetë. Nga përmbajtja e reagimeve të Selimit sidomos në «twitter» u shfaq dyshimi ai të jetë autori i tekstit në «Indeksonline». Dhe nuk shkuan as disa minuta u zbuluan disa fotografi ku i vëllai i Selimit dukej në ahengje me pronarin e portalit ku u botua teksti. Dikush madje ishte i sigurte që këtë ta dijë edhe për nga «stili i tekstit» që është i dorës së dorës së djathtë të tashmë presidentit Thaçi, ngase sipas këtij burimi «Selimi është kryeagjitatori i pushtetit në lëshimin e dezinformatave dhe kundërkampanjave në favor të segmenteve të caktuara politike».
Kësaj kamapanje iu kundërvunë gazetarët e difamuar dhe gazeta Express. Në ndihmë të Selimit, versionit të tij NYT paska falsifikuar realitetin doli edhe ministri SKENDER HYSENI (LDK). Ky i akuzuar si koordinues i falangave për kriminalizimin e qëllimshëm të protestave të opozitës, pasi nuk paska arrestuar kurrë hedhësit e filmuar të molotovëve, sipas kundërshtarëve, bëri si kolegu i tij, duke mos u marrë me faktet e trajtuara nga gazeta e madhe në fjalë, por i lëshoi ca parulla koti.
Po cili është realiteti?
Çka shkroi NYT?
NEW YORK TIMES shkroi, përfolur kondenzueshëm këto:
- Në Kosovë rreth 240 xhamive të ndërtuara pas luftës, shumicën i kanë financuar sauditët. Shumica prej tyre përhapin vehabizmin – ideologjinë konzervative që dominon Arabinë Saudite.
- Paratë dhe ndikimi saudian e kanë kthyer vendin e dikurshëm tolerant në një burim të ekstremizmit islam dhe të xhihadistëve.
- Në dy vitet e fundit në Kosovë janë identifikuar 314 persona të lidhur me radikalët, mes tyre edhe me sulmet vetëvrasëse, prej të cilëve 44 gra dhe 28 fëmijë.
- «Ata promovojnë Islamin politik», thotë Fatos Makolli, drejtori i policisë antiterrorizëm në Kosovë, duke shtuar se ata financojnë edhe literaturë selefiste.
- Pas dy vite investigim janë arrestuar 14 imamë, akuzuar 67 persona dhe mbyllur 19 organizata myslimane, të dyshuara për mbështetje të terrorizmit dhe që nuk kanë qenë konform Kushtetutës.
VERIFIKIMI – 1. A është e vërtetë se sauditët kanë financuar ndërtimin e xhamive në Kosovë? A është e vërtetë se që nga çlirimi i Kosovës e këndej është shfaqur një divizion imamësh vehabistë si për nga përmbajtja e ligjëratave ashtu edhe për nga veshja dhe dukja?
- A është e vërtetë se veç pas hyrjes së ndikimit të këtyre rrymave, nëpërmjet financimeve dhe asistencës saudite dhe Diyanetit turk nisi radikalizimi i segmenteve të caktuara fetare?
- A është e vërtetë se mbi 300 vetat e shkuar në luftën e Shamit u rekrutuan nga imamët dhe eksponentët e kësaj rryme, apo i dërgoi pushteti se ndryshe kush?
- Gënjen policia e Kosovës, respektivisht drejtori i policisë Makolli se këto rryma promovojnë islamin e Kalifatit?
- A është e vërtetë se u arrestuan 14 imamë, u akuzuan 67 persona dhe u mbyllën 19 organizata të inkriminuara?
Çka paska shpikur New York Times që Petrit Selimi dhe Skënder Hyseni e quajnë kampanjë kundër imazhit të Kosovës? Gjitha këto që i sjell gazeta janë fakte të dëshmueshme në çdo moment.
Po nuk është problemi tek e vërteta, se ajo është ashtu siç e ka përshkruar minimalshëm gazeta amerikane. Problemi është diku tjetër.
«Segmente të qeverisë aktuale si duket duan ta çadresojnë problemin si fabrikim i ndonjë grupi komplotist» për ta shpëtuar veten, thotë një njohës i mirë i temës në Prishtinë dhe «Përndryshe qeveria do ta pranonte dukurinë dhe do të zotohej se do të luftojë me këmbëngulje tendencat e tilla». Logjike duke, ngase është dinamikë e njohur: Vetëm qeveritë që nuk janë vetë njollosura në biznese të këtilla premtojnë luftë, ato të zhyturat vetë deri në fyt në paudhë të tilla deri në fund adresojnë fajin tjetërkah. Ndërsyerja e Petrit e Selimit me kampanja të këtilla duket t’u jap të drejtë akuzuesve që konsiderojnë qeverinë kosovare bashkëfajtore në radikalizimin e shoqërisë drejt Kalifatit. Sjella e koalicionit ditëve të fundit, me shpifje dhe ikje nga përgjegjësia fatkeqësisht e forcon këtë tezë!