Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i fortë i historisë së arteve për shkak se me një biografi të vetme rrëfen gjithë historinë kulturore, antropologjike, etike të humanitetit.
1.
“Vetëm edhe koka ka mbetur zonjë. Shtypni, ndihmoni birin tuaj që ta shohë dritën e botës”, i bërtet mamia Madelaine-s. Dhe ja çasti i çlirimit: sytë e lindëses përballen me maminë e shndërruar në pikturën e famshme “Ulërima” të oslonezit Edvard Munch.
“Është i vdekur”? Jo. Edhe më keq.
“Zot ke mëshirë për ne”, pëshpëritin gati pa zë tri gratë e përballura me qenien më të shëmtuar që ua kanë zënë sytë ndonjëherë.
“Ta mbysim. Si ashtu është kufomë e gjallë. Vdekja vetë”, propozon nëna.
“Kisha e konsideron krim aktin qoftë edhe si ide”, i thotë prifti Mansart Madelaine-s së hutuar e kokëkthyer nga frika mos vjell sa ta shoh shëmtesën që sapo ka lindur.
Si ta quajmë – pyet prifti duke u vërdallë hutueshëm dhomës. “Si ju. Pagëzojeni Erik”.
Kështu “përshëndetet” ardhja e Erikut në këtë botë, respektivisht në fshatin Bosherville të Francës së vitit 1831. Bëhet fjalë për atë Erik që në moshën e tij madhore do të hyjë në historinë e personazheve më monumentale të letërsisë, muzikës, filmit dhe arkitekturës si Fantomi i Operës “Garnier” të Parisit.
2.
Vërtet ka ndodhur gjithë kjo skenë tragjike apo s’është hiçgjë tjetër përpos sajesë e shkrimtares britanike, Susan Kay (Phantom: 1990)? Ka jetuar vërtet Fantomi i Operës apo është konstrukt imagjinar i babait, shpikësit të tij, shkrimtarit francez Gaston Leroux (Le fantôme de l’opera: 1910)? I fundit, romanin e tij e hap me fjalinë: “Fantomi i operës vërtet ka ekzistuar”. Susan Kay e letrarizon, monumentalizon shkëlqyeshëm personazhin, mirëpo nuk vë dot dorën në zjarr për të dëshmuar kundër apo pro ekzistencës së “përbindëshit që me varkë pati lundruar ujërave pesë kate nëndhé të operës parisiene”. Ndërkaq, historianët nuk i shkoqen rrëfimit të tyre: fantomi nuk ka ekzistuar fare, ai është pjellë e fantazisë së artistëve për t’i çshpjeguar, fshehur disi aksidentet e shumta që ndodhnin teatrit (një llambë vret njërin nga teknikët e të ngjashme). Kur kihet parasysh fuqia e perceptimit, ndikimit dhe përmbajtjes së personazhit të fantomit, diskursi rreth (mos)qenies reale të tij duket fare sekondar: Që nga viti 1915 e deri më sot Fantomi vazhdon të jetë brumi i dhjetëra filmave, muzikaleve dhe zhanreve të tjera të arteve: Richard Stilgoe, Andrew Lloyd Weber, Mauri Yeston e shumë yje të tjerë të teatrit muzikal shpërthyen botës për shkak të maskës aq të njohur të lugatit të katakombeve të operës “Garnier”. Susan Kay salloneve mondane të letërsisë hyri jo me “Mbretëreshën” (2005) apo “Letrat për Sarën” (2003) por po ashtu me Erikun e shëmtuar. Nils Chrisander, Claude Rains, Robert Englund mbahen mend edhe sot ngase aktruan fantomin.
Ku qëndron çelësi i këtij suksesi? Pse të jetë fantomi i shëmtuar nga Boshervilli – sikur pak t’i kishte proza, drama, tragjedia – aq tundues e tronditës saqë të ndikojë si personazhi më monumental nga shekulli 19 e deri sot?
3.
Zëri i tij pushton. Ai zhdrynos eksplodueshëm edhe zonën më të hermetizuar të mendësisë melankolike të Bosherville-t. Sa herë kënga e tij shpërthen përtej dritareve të dhomëburgut çdo fshatar shndërrohet në transferues fushash të parezistueshme akustike, secili subjekt ndihet të rrezitet ndër diellin e Apollonit, ngrohet me energjinë e atij Zoti të dritës, shërimit, pastërtisë, artit suprem. Ai zë që lëkund me forcë çdo atom del nga po ai konstrukt që askush nuk donë as ta parafytyrojë. As e ëma e tij.
“Mami”, lut Eriku të ëmën si në zor duke shtrirë duart mbi tavolinë, “Mami, për ditëlindje dua dy puthje”!
O tmerr! Madelaine ia plas vajit. Sillet si e përdhosur nëpër dhomë; i acarohet fytyra:
“Kurrë, kurrë në jetë nuk duhet ta kërkosh një gjë të tillë. Kurrë më”
“Pse, pse qan”, pyet pesëvjeçari naiv. Po ai djalosh që tashmë ka një profesor privat arkitekture, është gjeni në muzikë, magji, teologji dhe shkenca të tjera nuk e kupton një gjë aq të thjeshtë, nuk ia kap dot truri pse të jetë paputhshëm! I paprekshëm edhe për atë që e ka lindur.
Ik tërbueshëm. Mbyllet në dhomë. Jo gjatë. Pas disa minutave del në majë të shkallëve. Pa maskën që e bart që nga ditët e para të jetës së tij.
Madelaine: “Ik në dhomë”.
Eriku: “Nuk e vë më maskën, kam dhimbje në fytyrë”.
Madelaine: “Ikë në dhomë dhe mos dil kurrë më pa maskë jashtë. Kurrë”.
Eriku: “Pse?”
Ja pse. Për herë të parë Eriku sheh veten në pasqyrë, të cilën e bën copë përtokë.
Dikur natën, atëherë kur sundon errësira totale Eriku vjedhurazi i hyn në dhomë së ëmës: “Mami pse munden pasqyrat të bëjnë magji. Nga erdhi ai përbindëshi aty. Nuk fle dot se ai më del vazhdimisht parasysh. Kam frikë mami”.
Eriku ende nuk e kupton se në pasqyrë ishte vetë ai, fytyra e tij e shëmtuar.
4.
Si ka mundësi që nga një shëmtirë e tillë të burojë ai zë, ajo muzikë gjeniale? Muzikologët dhe filozofët në refren do na thonë se “Tragjedia lind nga fryma e muzikës” (Nietzsche) ose se “Muzika është një fushë demoniake” siç na ligjëron gjatë gjithë lekturës “Doktor Fausti” i Thomas Mann-it të inspiruar nga purokrishteri Kierkegaard. Edhe gjenet mund të thirren në asistencë për ta dekoduar dramën: kompetencën muzikale Eriku e fiton qysh atje, në hapësirën paranatale. A nuk muzikonte tërë kohën Madelaine, ajo që me çdo kusht donte të bëhej Priamdona e operës së Parisit? Qysh të re fare i ati i saj, arkitekti i madh i Rouenit e trajtonte si princeshën e pakontestueshme të operave mondane. Arkitekti i madh i ati i Madelaine-s? Po. A nuk është Eriku gjeni edhe në arkitekturë saqë çmend edhe profesorët më me nam të Parisit? Po Vdekja, ajo të cilën Madelaine, prifti Mansart, Maria, mamia dhe gjithë të tjerët e shihnin në fytyrën e Erikut, nga erdhi ajo? Edhe me të Eriku përballet qysh në sferën paranatale: Prindit e Madelaine vdesin nga kolera dhe burri i saj, Charles, po ashtu derisa kjo ishte shtatzënë. E dukshme kristalshëm linja rreth temave dhe kahut se drejt cilës finale ec rrëfimi, çelësin e të cilit do ta gjejmë në fund, atje në katakombet e mistershme të operës Garnier prej ku Fantomi do ta drejtojë botën e artit. Natën Eriku azilon pyjeve të Borsheville-t. Pranë vetes gjithmonë ka Sally-n, qenin, specien e vetme që nuk e kthen kokën prapa kur ai heq maskën. Një grup fshatarësh të tërbuar e kërkojnë dhe gjejnë në pyll. Në zënkë, të egërsuarit primitivë të fshatit ia vrasin qenin.
Që kur prifti Mansart i thotë: “Sally nuk do të jetë në qiell ngase kafshët nuk kanë shpirt”, për Erikun vdes Zoti. I tërbuar nga ky “fakt” demolon çdo gjë dhe ikën nga shtëpia sapo merr vesh se dashnori i së ëmës do ta mbyllë në një internat. Rrugëve kapet nga një grup ciganësh, të cilët e mbyllin në kafaz dhe e ekspozojnë ngado si përbindësh. Spektatorët e gjuajnë me gurrë, gjësende, njësoj si abrahamitët gjatë përpjekjes për ta vrarë djallin. Edhe nga kafazi vazhdon të mësojë gjithçka të mundshme, çdo trik, hipnozën, magjinë. Po nga kafazi lind edhe vrasësi: Një natë kur shefi i bandës së ciganëve Javert do ta dhunojë seksualisht ky e mbyt, e vret, e vdes sa ora. Që këtej vrasjet do të shpeshtohen. Nga njëra anë pasi çuditërisht e ndien veten sikur të mbushet me një jetë plus kur vret dhe nga ana tjetër ngase shpesh kufomat do të jenë rruga e vetme e mbijetesës së tij.
Ikën nga ciganët dhe përfundon në Itali. Atje angazhohet nga gurëpunuesi (si Charles, i ati) Giovanni dhe pas një kohe të shkurtër shkëlqen si kryemjeshtër i rajonit.
E s’ka si të jetë ndryshe: sa më shumë që rritet fantomi me maskë aq më tepër i afrohet dashurisë. Luciana, e bija e mjeshtrit Giovanni është marrëzisht e dashuruar në të, respektivisht në duart dhe zërin e tij. E lut ta heqë maskën. Tragjedia e paraprogramuar: kur ajo sheh fytyrën e Erikut bie nga ballkoni, vdes. Njësoj si nga Borsheville ikën Eriku, kësaj radhe drejt orientit: atje në Persi, angazhohet si magjistar dhe ekspozues në oborrin e perandorit, të cilit ia ndërton në fund një pallat me dyer të fshehta, dhoma torturimi dhe lloj-lloj hapësirash perverse. Është Daroga nga Manzenderan (një këshilltar i Shahut, më vonë brenda rrëfimit i njohur si Persiani) që ia shpëton jetën, ky e njofton se Shahu është duke vrarë çdo njeri që ka punuar në ndërtimin e pallatit. Kthehet në Europë për ta shkatërruar shtëpinë e lindjes. Nuk e bën nga respekti ndaj së ëmës që ndërkohë, tri ditë para ardhjes së tij, paska vdekur.
Rastësisht zbulon një konkurs për ndërtimin e operës së Parisit. Vendos ta bëjë atë kushtuar së ëmës së tij.
6.
Si të vepronte ndryshe një qenie përjetësisht e refuzuar? Kjo dilemë është vetë historia e etikës. Patjetër edhe estetikës: kush edukoi qenien humane t’i përcaktojë vetes parime, kritere se ç’duhet konsideruar të bukur, çka të shëmtuar, të pështirë, se cila fytyrë duhet të vuloset blasfemia vetë e cila të dashurohet si ajo e engjëllit sykaltër siç e vizatonin italianët e renesancës së tyre? Si reagohet sot karshi fytyrëkufomave institucioneve për të handikapuar? Si reagohet sot ndaj gjithë atyre ndryshe, tjerëve që nuk duken patjetër si Rita Ora, Heidi Klum ose Yurena Rodrigez? Jo ndoshta me atë intensitet përjashtimi si në shekullin e 19, por ekskluzioni vazhdon dhe në esencë nuk dallon as në postmodernë. Këto tema e dilema të njëjta i nxit që nga vitet e njëzeta të shekullit të kaluar e deri sot sa herë që të dalë në skenë fantomi i operës.
Personazhi i “Fantomit të Operës” jeton zhurmshëm edhe sot e për mot, duke shkaktuar tërmete gjithandej kulturosferave, gjuhëve e shoqërive, për arsye se është përherë aktiv, prek nervin jo vetëm të arteve, por edhe të çdo sfere tjetër humane.
7.
Cili mund të ishte ilaçi për shërimin e një përbindëshi, vrasësi? Sipas versionit rrëfyes të Gaston Leroux – i cili për dallim nga Kay, rrëfen vetëm historinë e gjashtë muajve të fundit të fantomit – Eriku arrin të intrigojë me kërcënime mega-arkitektin Garnier që ai ta ndërtojë operën sipas udhëzimeve të tij. Ndërtohet opera, pjesa e dukshme e së cilës nuk do ta bëjë historinë, por katet e saja nëndhese, atje ku do të jetojë fantomi dhe prej ku do t’i dirigjojë drejtorët e shumtë, të cilët i instalon dhe heq sipas tekave të tij. Dhe një ditë, gjatë një shfaqjeje, nga lozha e rezervuar enkas për “vdekjen e kuqe“, fantomin, Eriku sheh se një 21-vjeçare e bukur kërcen aq lehtë, aq bukur mbi dysheme, ajo balerina Christine Daaé ia turbullon botën, ia fut frikën brenda vetes të jetë domiciluar ndonjë vullkan që mezi pret të plasë. Pasi ikën e shtrihet në dhomën-katakomb të tij ndien një proces të trupit të tij që gjithë jetën e ka luftuar: njerëzimin, humanizmin, rrahjen e zemrës, dashurimin në dikë, diçka. Kërcen i tmerruar: Kurrë Luacianë më! Eh sikur të ishte vërtet aq i gjithëpushtetshëm siç besonte. Përballë dy monarkive, edhe në kulmin e tërbimit ai dështoi gjithmonë: karshi artit dhe dashurisë edhe fantomi i trajnuar me gjitha të këqijat edhe mjeshtëritë dorëzohej si një kalama që ia fut vajit. Si ta pushtojë Christinën se? Me zërin e tij natyrisht. Muzika, a nuk thanë se është ajo sfera demoniake që hipnotizon? Kështu edhe ndodh Christine Daaé çmendet pas vox mirabilisi që vjen nga nëntoka e operës. Ajo dikur edhe arrin të dashurohet në Erikun. Romanca e tjetërson fantomin. Susan Kay e rrëfen njerëzimin e tij deri në finale; deri në vdekjen nga zemra e thyer, kur Christine megjithatë vendos të vazhdojë me të fejuarin e saj e jo me maskën e nëntokës së operës Garnier të Parisit.
8.
Rekapitullim: Eriku lind me një fytyrë të shëmtuar. Ai refuzohet, përjashtohet, paragjykohet, ndëshkohet për pamjen e tij. I ikën botës. Kriminalizohet deri në atë shkallë saqë vret duke ndier kënaqësi. Paralelisht ndërton si gjeni i arkitekturës pallate, pajiset me dije e njohje nga të gjitha shkencat e mundshme, vret me dashuri dhe vritet nga dashuria. I pastër, i fuqishëm dhe e vetmja urë që e mban gjallë me shpresën se megjithatë do ta gjejë një shpëtim në këtë botë është zëri i tij, tonarti, muzika, të cilën e ka të lindur, nëpërmjet së cilit detyron botën ta përjetojë tundueshëm edhe kur bota këmbë e kokë tenton ta shporë qenien e tij. Ky është çelësi që bën të amshueshëm personazhin e fantomit të operës, Erikut: Arti nëpërmjet vetëm të të cilit mund të shkelet altarëve të dashurisë ndërhumane, tolerancës, respektimit të tjetrit pavarësisht ngjyrës, racës, kulturës që ai sjell me vete. Personazhi i fantomit të operës është fascinumi më i fortë i historisë së arteve për shkak se me një biografi të vetme rrëfen gjithë historinë kulturore, antropologjike, etike të humanitetit. Ai është akumulatori i rënieve dhe ngritjeve të kulturës së humanitetit. Është pasqyra e historisë së humanitetit; ajo pasqyrë ku politikat, shtetet, historitë përballen me fytyrën e tyre të shëmtuar, të bukur, gjeniale, kriminele ose triumfuese. Prandaj sa herë del ai në skenë nxit botën të ridiskutojë vlerat e saja.