Protektorët dhe pacientët

Këta që i çojnë shqiptarët në të njëjtin hiatus – atë të dështimit të përhershëm sepse nuk kanë lëvizur fare dhe po erdhi një ditë të ikë protektorati ata të papërgatitur do t’i ngjiten pas.

PROBLEMI: Afera “Jabllanoviç” dhe çështja “Trepça” ri-imponojnë pyetjen: çfarë protektorati është Kosova? Dy perceptime kryesore duken të kristalizuara:

PËRCEPTIMI I PARË: LVV (krahu i majtë i shoqërisë) e përjeton dhe denoncon ndikimin dhe operimin e të huajve, kryesisht të amerikanëve, si kolonializëm klasik.

Vizatimin që kjo parti ia bën këtij relacioni nuk dallon nga ato që na i sjell historia kur përshkruan protektoratin mbi republikën osmane, respektivisht sundimin britanik mbi Sulltanatin e Egjiptit të vitit 1914. Me një dallim: historia faktëzon se 22 vjet më vonë britanikët tërhiqen përfundimisht nga administrimi i Egjiptit e LVV nuk beson se kjo do të ndodhë ndonjëherë dhe si fakt për hipotezën sugjeron makutërinë neoimperiale, e cila pa sukses dashka ta maskojë kolonializimin me globalizimin dhe mundësitë tjera psikopolitike të postmodernës. Thjeshtë përkthyer: vetëm pardesyja qenka e modës, ndërsa kolonizatorët janë të njëjtët.

PERCEPTIMI I DYTË prezencën e të huajve e konsideron si garant dhe ruajtës të «lirisë së fituar». Ashtu siç është vetë etimologjia e termit nga latinishtja; protegere = mbrojtje. Ky lloj reflektimi dhe perceptimi buron nga kronika faktike e historisë dhe tashmërisë së vendit. Pa ndihmën e aleatëve, me gjithë këmbëngulësinë dhe heroizmin e tyre, vendorët vetë nuk do ta bënin pavarësinë. Ose do të ishin duke luftuar diversançe ende maleve të djegura të tyre ashtu siç mbijetojnë të mpirë armata të shumta popujsh të shtypur anekënd globit edhe sot e kësaj dite. Përveç kësaj kjo pjesë (dominantja) beson thellë se shteti i Kosovës pa të huajt do të fundosej në anarki dhe në mos as që do të ekzistonte gjatë.

ANALIZA falsifikueshëm na spikat dy tipa mentalitetesh. Rrejshëm sepse perceptimi i parë është prodhim i një demagogjie partiake, hierarkia e së cilës instrumentalizon impulset romantike, iluzionare të militantëve të saj për të krijuar paralelizma akronike dhe absurde me portretin e një imperatori klasik i cili nuk ekziston si i tillë. Demagogjinë e cullakëros edhe paradoksi tjetër:

Partia sulmon ekspansionin e njërës anë dhe paralelisht mbron ekspansionin tjetër të kuazinternacionales islame duke u përpjekur ta shes si politikë të saj për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. LVV falsifikon optikën e vartësve të saj duke ua zëvendësuar sunduesin serb, atë kolonialobritanik e tjerë të së shkuarës qëllimisht më këtë të protektorit të sotëm, i cili nga shumica absolute (kategoria e dytë perceptuese) dëshirohet, kërkohet dhe trajtohet si i domosdoshëm.

Përderisa kategoria e parë këtë narrativë e bën për qëllime manipulimi të masave në favor të agjendës së vetë politike e ku ta dimë se çka tjetër, e dyta sheh veten (kosovarët) si «Dobby» në romanet shtatëvolumëshe «Harry Potter» të shkrimtares Joanne K. Rowling. «Hauselfi» Dobby (= shqiptarët) është i përlarë nga sëmundja auto-agresive që çon në lëndime e plagime të rënda të vetvetes, kështu që saherë nuk është nën kontroll të sunudesit të tij Harry Potter (= ndërkombëtarëve) ua fut mureve me kokë, hidhet nga pallatet fantastike për të mbytur veten e të ngjashme. Kjo kategori, ku bëjnë pjesë edhe elitat politike, kulturore, intelektuale domethënë kanë frikë nga vetvetja, shohin veten si pacientë, të paaftë për të menaxhuar me shtetin, lirinë dhe jetën e tyre. Arsye kanë plotë. Ajo që ende duhet të sqarohet është se a percepton kjo kategori veten vetëm përkohësisht kështu apo përgjithmonë.

Pas shtatë viteve kosovare në protektorat është herët të synohet diç tjetër kur kemi parasysh se gjermanët edhe pas 14 viteve deklaronin: «faktikisht ne jemi një protektorat i SHBA-ve»

(Kryetari i Komisionit për politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Kurt-Georg Kiesinger, 1958). Egjiptasit pas 22 viteve druanin se do të përballen me probleme të rënda sapo të tërhiqen britanikët nga menaxhimi i politikës së tyre të jashtme kështu duke i lutur të mbeten si instruktorë.

KONKLUZIONE – Të dyja rastet lartë – Gjermania dhe Egjipti – mirëpo dallonin shumë nga tipi i protektoratit kosovar. Formalisht edhe sepse protektorët janë shumë të defragmentuar, pa koncept të qartë, pa linjë, e pavendosur dhe shpesh e njëanshme (BE).

Si gjermanët ashtu edhe Egjiptianët protektoratet e tyre britanikë-amerikanë nuk i perceptonin as si mjekë e as si imperatorë, kolonializatorë por si mbështetës të shtetit të tyre që do të thoshte; ndërtim intensiv, përfitim nga të huajt në konsolidimin e stabilitetit dhe demokracive të tyre. Prandaj Gjermania u bë sërish superfuqi e egjiptasit bën shtet që dikur e diktatorizuan dhe shembën vetë.

Rasti i Trepçës, Jabllanoviçit dhe protestat janë shembulli më tipik i këtyre dy mendësive. Askush nuk i detyroi kosovarët ta fusin në qeveri një njeri që nuk e njeh shtetin. Në mos këta e kanë mbrojtur para ndërkombëtarëve duke dashur ta paraqesin si tribut të servilitetit të tyre që nuk ua kërkoi kush. Askush nga ndërkombëtarët nuk përzihet (edhe nëse po ndonjë segment duhet refuzuar) se si qeveria e Kosovës do të menaxhojë pasurinë e saj qoftë edhe në kontest me banorët ku shtrihen korporatat.

Problem këtë nuk e bëjnë të huajt, por vetë politika e vendit që proteston me parulla «Trepça është e jona» atëherë kur askush nuk u tha nga të huajt se nuk qenka e juaja dhe se vetë qeveria kundër së cilës protestohet thotë nuk e lëshojmë nga duart. Kush thotë se Trepça nuk është kosovare – serbët! Protesta pra thotë mos na e merrni se është e jona, çka legjitimon implikueshëm kërkesën serbe si relevante.

Kosova është protektorat dhe ky nuk është problemi, problem janë «Hauselfi»-të, dobbyt të dy kategorive që përshkruam lartë.

Këta që i çojnë shqiptarët në të njëjtin hiatus – atë të dështimit të përhershëm sepse nuk kanë lëvizur fare dhe po erdhi një ditë të ikë protektorati ata të papërgatitur do t’i ngjiten pas.

Related

Letrat e First Husband-it 

Prindon Sadriu nuk e ka me tjerët. Ai vuan....

Homofilët, homofobët dhe deviatorët

Homofilët diskriminohen. Lufta e tyre është e arsyeshme dhe do ketë...

Forca enigmatike e një kulture

Është komplet e kuptueshme që njerëzit lodhen duke luftuar...

Kanti dhe imperativi i zvarranikut

Ti mund të jesh, arsyeja, vullneti i lirë dhe...

Metafora e «derrit të lumtur»

(Kushtuar derrave të lumtur të kulturosferës shqiptare: pushteteve politike,...