Ec diçka mirë në shoqëritë shqiptare? Asgjë – thotë gati çdo artikull, opinion, libër ku mund ta bastisim gjendjen e frymës intelektuale. Janë autorët dhe publicistët shqiptarë kryepesimistët e globit apo vërtet Fortuna, ajo perëndesha romake e fatit dhe lumturisë t’ua ketë suprimuar të drejtën e harésë? Kështu duket saherë që udhëton shkronjave shqipe, gati përherë ta dhurojnë parafytyrimin e dyluftimit ndërmjet Azezelit dhe të bukurës Fortunë, luftë që mbaron çdoherë ngjashëm: Demoni i shkretëtirës zgërdhihet mbi perëndeshën e shkoqur copë.
Shoqëritë shqiptare nuk janë për t’i imituar. Në plotë sfera janë e keqja e vetes. E keqja më e madhe nuk është fakti se janë kështu si janë, por se u mungojnë alternativat serioze për ndryshim. Pse e si?!
TEORITË – Diogenes nga Sinopa predikonte demolimin e strukturave të Poleiseve dhe kthimin e shoqërisë në lirinë absolute të natyrës. Nuk gjeti përkrahje dhe nuk dimë saktë se si e mendonte kiniku i Sinopës jetën bashkë me ujqit e Leviathanit. Lidhje s’kemi as se ku i identifikoi më vonë historiani Georg Adler (1863 – 1908) sekuncat paraprirëse konceptuale të anarkizmit tek Zenon-i i Kition-it? Këtë vijë e konceptoi skeletshëm me filozofinë e tij aforistike Freidrich Nietzsche, i konsideruari Ati i nihilizmit. Ky dinte më shumë se antikasit. Nietzsche fillimisht kërkonte «zhvlerësimin e të gjitha vlerave», atyre negative dhe pozitive, ngase vetëm pas një katarsisi të plotë do të mundej të krijohej dhe edukohej «një racë e lartë e përbërë nga mbinjerëz». Si të bëhej konkretisht kjo punë? Çka të bëhej me «parazitët e shoqërisë», me «të sëmurët që vegjetojnë të varur nga praktikat e mjekëve dhe spitaleve» (Në: «Idhujt e muzgut» V.6 F.134)? Karakteri aforistik i filozofisë niçeane nuk është ai që zgjatet shumë për të shpjeguar. Nazistët thanë ta kenë kap filozofinë dhe dinë se si realizohet ëndrra: Duke masakruar botën.
Karl Marksi tha se nuk ka nevojë dalja në natyrë e as mposhtja e të gjitha vlerave, por diktatura: proletariati vendos për gjithçka dhe gjithë bëhen njëjtë. E ata që nuk duan me proletariatin çka? Godwin, Proudhon, Thoreau, Bakunin, Kropotkin, Glodman e deri tek Ward-i i sotëm të alivanosin me arsye se pse Marksi dhe komunizmi s’ia vlejnë fare sa i përket lirisë dhe në vend të koncepteve progresive reale na kënaqën me shaka.
Exkurs I – NJERIU I REVOLTUAR: Rushiti futi doktoratën në trastë, hodhi ofertën e Universitetit të Zürich-ut për të punuar si hulumtues shkencor dhe udhëtoi për në Kosovë. Neomarksisti aktiv e tip revolucionari u nis ta realizoj ëndrrën e tij; t’i ndihmojë atdheut – që ia lanë prindit trashëgimi – të tij në rimëkëmbje. U bë mësues në fshatin e të parëve. Në një shkollë pa dritare, me libra mësimi nga koha e Jugosllavisë dhe në një fshat ku vajzat i mbyllnin me shami nëpër shtëpi. Iu bashkua një organizate gatiluftarake. I shkruajti disa artikuj akuzues kundër qeverisë. Demonstroi saherë që mundi rrugëve të Prishtinës. U arrestua. Një herë përfundoi në spital. I zhgënjyer nga politika e korruptuar dhe numri simbolik i demonstrantëve mblodhi plaçkat dhe u kthye në Zvicër.
EKSTREMISTËT DHE SHAKAXHINJTË: Filippo Tomasso Marinetti nuk i kuptoi anarkasitët, mirëpo Nietzschen po. Përmbysja e të gjitha vlerave duhej bërë. Artet, muzetë, kultura duhet bërë hi: të gjitha mite të rrejshme dhe pleh. Një kulturë e re duhej. Marinetti ua kaloi të gjithëve sepse shkroi diçka praktike: manifestin futurist! U bë arkitektura, piktura,muzika, letërsia. Me këto u bë edhe fashizmi i Duçes.
- Hugo Ball, Tristan Tzara, Marcel Janco dhe Hans Arp nuk e bënë të njëjtin gabim, këtyre nuk iu interesoi se çka pastaj, por të përqeshin, banalizojnë, difamojnë ekzistuesen, historiken duke u tallur si mozomakeq. Dadaizmi jeton edhe sot: Qerreti, Shkëndija, Arian Cani dhe miqtë e këtyre na zbavisin.
Eksurs II – OPORTUNISTI – Mikut virtual të Rushitit, Beqës mezi ia pranuan doktoraturën e bërë lesh në Londër. Po me të njëjtën ëndërr si miku i tij u nis drejt mëmëdheut. Atje i kish disa shokë të babait. I shkroi dy tre artikuj për të bëmat e mëdha të popullit, universitetit, luftës e «hyqymetit» dhe brenda disa muajve u bë profesor i sociologjisë, këshilltar i kryeministrit, drejtor i radios shtetërore dhe nuk ndalet së veshuri me tituj e medalje.
Ekskurs III – NEOROMANTIKU – Avgustini pasi u lodh në ekzil duke bërë biznes mblodhi paret dhe shkoi në qytetin e lindjes. Gjatë qëndrimit dyzetvjeçar në Gjermani kishte mësuar shumë se si ecë demokracia, shteti, ligji. Hapi një bankë. Shiste mend gjithandej se si funksionon shteti, politika. Ndërtoi ca hotele. I humbi të gjitha. Falimentoi. Dhe i rra ndërmend: se në ekzil kishte qene klient e jo themelues e drejtues banke. U kthye në Gjermani si antipatrioti më i madh që e gjen mbi këtë tokë.
Ekskurs IV: PRAGMATIKJA –Motra e Rushitit, Ilirja nuk dëgjoi të vëllain që mos të kthehet. Lëshoi vendin e punës si shefe e një supermarketi dhe më në fund realizoi ëndrrën e saj për të punuar si mësuese, pasi në Zvicër, përkundër shkollimit nuk kishte gjetur vend pune. U bë mësuese. Në zemër e prekën gjitha ato vajza që shkonin kulteve fetare por jo në shkollë. Vizitoi katunde, qytete dhe konstatoi se dukuria ishte masive. Ditë e natë mendonte se ç’mund të kontribuojë në këtë drejtim. Shënoi, krahasoi dhe bëri një koncept për ndihmimin e vajzave të fshatit. E shkroi një libër me shembuj e alternativa konkrete. Libri pati eho në media dhe projekti i saj respektohet.
KRITIKA KOT –Intelektualët me plis fatkeqësisht nuk veprojnë si Ilirja, por gjithandej nihilistë, revolucionarë të tipit të Rushitit që akuzojnë, kritikojnë, dinë gjithçka dhe? Të pakët ofrojnë sisteme o të dështuara mijëra herë o të pazbatueshëm në kushtet shqiptare. Grupin tjetër poaq të madh sa të parët e përbejnë tipat si Beqa të cilët vegjetojnë me oportunizmin e tyre egoist. Grupin e katërt e përbëjnë neoromantikët si Avgustini që veç ulërijnë se kanë jetuar diku ku gjithçka mjaltë e rregull ka, mirëpo që as me një fjali s’dinë ta artikulojnë të përjetuarën.
Nëpërmjet këtyre karaktereve fiktive që përbëjnë shumicën (jo të masave por të «elitës») nuk ec asnjë shoqëri përpara. Përkundrazi saherë që del diçka pozitive ta sjell parasysh Jakobin që ngatërrohet me engjëllin sapo e sheh si në pikturën e Gauguin-it (piktura lart). Kritikat, akuzat nga njerëz që nuk e kanë zgjidhjen konkrete në xhep janë mëma e depresionit shoqëror. Të fundës nuk i duhen mohues absolut, as shakaxhinj, as snobë, por mendje që nuk demonizojnë çdo gjë sikur të kënaqeshin me të këqijat se ndryshe s’kanë me ç’të merren. Objektivët i duhen tranzicionit jo depresivët.