Serbët e veriut janë më të torturuarit e Kosovës. Jo nga shumica por nga shteti i tyre amë, i cili i keqpërdor për strategjira politike që s’kanë asfare të bëjnë me fatin e tyre. Përkundrazi ata përdoren kundër ardhmërisë së tyre.
Aty ku mitet janë kuptimi i ekzistencës zor e ka arsyeja.
Qytetarët serbë në Kosovë janë viktimë e supremacisë së kamufluar që me tonelata iu mbërrin nga Beogradi. Për çdo ditë. Korrierët herë janë me kollare qeveritare, herë si kapo të pamëshirshëm të nëntokës e çdo të diele veshur zi me uniformën e manastireve reliopolitike pa perëndi. Që të gjithë me të njëjtën urdhërese nën sqetull: „Kosova është zemra e Serbisë“! Dhe serbi i rëndomtë kosovar mbulon gojën me dorë për të mos e tradhtuar zëri: „Kosova është bërë varri i Serbisë“: Aty la eshtrat regjimi i Millosheviqit, aty serbët jetojnë në një autogeto të kontrolluar nga gënjeshtra dhe krimi, aty frika dhe urrejtja janë fryma dhe grahma e një popullate të ngujuar. Dhe serbët në Serbi e dinë se sa më afër Kosovës të rrinë aq më larg Evropës do të jenë, të izoluar dhe pa asnjë shans prosperiteti.
„Të rinjtë me mend kanë ikë qëmoti. Ata që lindën e u rritën këtu. Të rinjtë e ardhur nga Nishi, Llazarevci, Valjeva nuk janë tanët dhe janë me detyrë. Ne pleqtë dhe ata pak që kanë mbetur lehtë na mbysin po nuk bëmë si na thonë, po s’ua dhamë çka kemi, ditën, jetën“, na thotë Milica plakë që ka ardhur në Prishtinë ta vizitojë vajzën e martuar me një ndërkombëtar dhe duke fshirë lotët: „Kur i dhunuan shqiptarët i lanë edhe të ikin, ndërsa ne as të ikim nuk na lënë“.
Çdo luftë, thonë, i „hanë” së pari të vetët. Kjo e serbëve, nëse dëgjojmë Milicën plakë, para se t’i „hajë“i torturon deri në pakufi, të vetët.
STRATEGJIA E BEOGRADIT – Prognozat apokaliptike të pesimistëve dhe ekstremistëve nuk dolën. Si për inatin e tyre kosovarët e portretuar gjithandej si hakmarrësit më të egër të Evropës (riaktualizimi i këtij imazhi u bë edhe vetë nga autorët e përkthyer shqiptarë) falën jo vetëm deklarativisht por edhe në vepër. Pogromet nuk ndodhën. Përkundrazi edhe përtej veriut serbët jetojnë të lirë, marrin pjesë në qeveri dhe ndihmohen më shumë se çdo minoritet tjetër në Kosovë. Askush korridoreve diplomatike sot më nuk mohon faktin paradoksal se qeveria kosovare – çka edhe acaron ekstremistët e të dyja anëve – është shumë më e sinqertë dhe më reale ndaj pakicës serbe në Kosovë se sa vetë qeveria e tyre, e cila si duket përdor krejtësisht një strategji tjetër, jo atë të mbrojtjes së pakicës së saj në veriun kosovar, por më shumë atë të futjes borxh të BE-së. „Ne sakrifikojmë kaq shumë, pra zemrën tonë për Evropë, prandaj …“kështu u thonë atyre të Brukselit serbët „sa herë që flasin për afate e subvencione e njëjta këngë“, na thotë me ironi njëri nga diplomatët gjerman në Bruksel.
REALPOLITIKA – Me këtë strategji serbët besokan të mbajnë nën presion jo vetëm Kosovën por edhe organizatat supranacionale e sidomos BE-në. „Taktika e tyre dihet. Ata humbin kohë. Ne nuk jemi aq naivë siç mendojnë në Ballkan“, na thotë analizueshëm po i njëjti diplomat dhe „të vetmit humbës në këtë lojë janë serbët të cilëve iu vonohet integrimi në BE“. E shqiptarët? Kosova? Ashton dhe BE tashmë gjenden nën presion intensiv të zgjedhin problemin, përndryshe plani B i veriantlantikëve do të jetë shumë më pak pozitiv për serbët, sidomos atyre që jetojnë në Kosovë.
Serbët kosovarë të veriut nuk kanë forca reformiste brenda vetes, të cilat do të demaskonin politikën tredimensionale (nëpërmjet politikës, krimit të organizuar dhe religjionit) në favor të strategjisë ekskluzivisht për interesa të Beogradit e jo vërtet për mbrojtjen e tyre nga kosovarët. Mbetet obligim dhe detyrë e serbëve përtej lumit Ibër që bëjnë çmos për deinstrumentalizimin e bashkëetnikëve të tyre nga loja e pasinqertë beogradase. Për t’i shpëtuar ata qytetarë kosovarë nga diskriminimi dhe torturimi që u vjen nga një shtet i huaj.