Triumfuan demokracia, elektorati dhe mediat e jo partitë. Ato gjenden në provimin më të rëndë si kurrë më parë në rajon. Pse?
Nëse do të provosh njerëzit jepu pushtet: këtë maksimë e përdorën kosovarët dy muajve të fundit. Partitë – jo si dikur me parulla koti – u detyruan të djersiten dhe të nxjerrin nga trutë dhe stomaku edhe idenë më të fshehur për ta dëshmuar veten sa më konkretisht që është e mundur. Shumica e mediave kësaj radhe nuk bënë agjendat dhe synimet e ndonjë partie (përveç dy a tri të njohurave me qëndrimet e anshme të tyre) por ato të elektoratit. Eskponentët e partive u ndoqën gjithandej. As intrigën më të vogël nuk qenë në gjendje ta bëjnë larg syve të mediave. Transparencë deri në asht, djegëse madje edhe vendosëse për fatin e ndonjë kandidati.
Kjo është demokracia e vërtetë në terren dhe praktikë.
Për t‘u gëzuar Kosova. Ama jo partitë. Ato për shumë shkaqe duhet të vajtojnë sepse si asnjëherë më parë gjenden përballë një provimi që nuk e kalojnë dot.
Elektorat gjenial! Media në kulmin e detyrës profesionale! Vetëm militantët mediave sociale dështuan keq: nuk munguan as revolet (që aludonin në suicidin e Isa Mustafës) akuza të rënda në çdo drejtim e për çdo kundërshtar, motivi më i shpeshtë portretues ishte ai i mafiozit, krimineleit – pa asnjë fije argumenti – dhe arrogancë me tonelata duke përcjellur mesazhe njerëzish nxitës, shpifës, madje edhe fashistë.
VV
Vetëvendosje humbi gjithandej. Fitoi Prishtinën. Çka donë të thotë kjo? Ajo para se të marrë shansin për të luajtur në nivel vendor duhet ta kalojë provimin më të rëndë që mund ta ketë një parti. Ta administrojë kryeqytetin ndryshe si deri tani. Jo për një vit por as për 10 vjet Shpend Ahmeti nuk do të mundet të realizojë ato që premtoi. Nuk ka kapacitete intelektuale, resurse humane e as parti që do t’ia ofronte ndonjë infrastrukturë të besueshme. Përveç kësaj intensiteti i kulturës protestuese mund t’i kthehet në bumerang partisë e nëse e redukton atë edhe një minus më shumë.
Realiteti kancelarive të kryeqytetit nuk përputhet me idetë e ndonjë pasionanti jashtë tyre. Aty janë kontrata dhe marrëveshje që Shpend Ahmeti nuk mund t’i anulojë pa sheklur ligjin dhe pa përfunduar në fiasko. Partia e tij në kuvendin e qytetit është minoritet. Për shumçka rreth Prishtinës vendos edhe Qeveria.
Dhe megjithëkëto Prishtina do ta ketë një problem edhe më serioz: Gjakovën!
E pikërisht këto bllokada kapitale Shpend Ahmeti dhe partia e tij nuk i komunikuan sa duhet. Parndaj vaji „po na bllokojnë“ dhe nuk do të ndez. Dhe VV ka gjasa – nëse nuk ndez trutë turbo – të ikë nga skena politikë ose të ndrrojë kompelt strukturat dhe hierarkinë.
LDK
Partia e Ibrahim Rugovës jo që humbi Prishtinën por mori edhe një leksion aq të qartë si rrallëkurrë. Ashtu siç na tha një i LDK-së: „koha e divizionit të vjetër të funksionarëve bashkë me trashëgimtarët e tyre aktivë perëndoi. Sidomos ata me hipoteka të kaluara duhet ta shpëtojnë LDK-në duke u larguar“. Mesazhi i tij: LDK duhet ta pastrojë veten nëse donë të mbetet edhe më tej parti e madhe.
Çdo parti që udhëheqë shumë komuna nuk e le pa u komprometuar. Kjo do t’i ndodhë edhe LDK-së. As disciplina më e hekurt nuk e shpëton dot.
PDK
Partia që mësë shumti la eshtrat qyteteve është PDK. Ashtu edhe siç pritej. Partia që ia tejkalon edhe klubit më famoz të dandive për nga arroganca, nepotizmi, toleranca ndaj krimit dhe snobizmi tash e tutje do të mobilizojë qiell e tokë për të dëshmuar veten se nuk është më e keqe se tjerat që menaxhojnë miniqeveritë e tyre. Dhe do t’ia dalë. Resurset humane (ashtu siç janë megjithatë më të stërvituar se tjerat), rrjetet, dhe burimet financiare i ka. Dhe po korrigjoi kursin e deritanishëm, nëse ajo përdor trurin si duhet, ajo në zgjedhjet nacionale do të na zhgënjejë e befasojë duke mbetur e fortë siç doli zgjedhjeve të fundit. Ndryshe do të përfundojë aty ku është: në klub narcistësh që më së paku i nevojiten Kosovës.
AAK
Tash do të kenë kuptuar eksponentët prirës të partisë së Ramush Haradinajt se oportunizmi jotransparent në kohë krizash është njejtë me vetëhapjen e varrit politik. Strategjia e instaluar – për koinçidencë me aderimin e Blerim Shalës, të njihur si i tillë – viteve të fundit e orientimit vetëm për të bashkëlujatur me çdo kusht brenda pushtetit edhe kur bën sikur të jesh jasht ty ka vetëm një rezultat, këtë që doli: defaktorizimin dhe rënien pa shpëtim drejt anonimitetit. Gjykuar nga drejtimi, resurset intelektuale dhe perspektiva – në bazë të kësaj që është – kësaj partie do t’i nevojiten edhe dekada ose një mrrekulli për ta regjeneruar veten.
AKR
Kushdo që ka ndjekur mirë dhe kujdesshëm paraqitjet e këtij subjekti e ka kuptuar planin e Bexhet Pacollit që nëpërmjet Gjakovës ta përlajë Kosovën (jo ta marrë se nuk duket të jetë qëllimi i tij, madje del më modest se sa që mundet). Dhe do t’i ndezë. Gjakova për një kohë shumë të shkurtër do të shndrrohet në qendër të shumëçkaje, sidomos e Industrisë dhe biznesit. Për Prishtinën kjo do të jetë fatale. E fundit do të ruralizohet edhe më shumë se sa që është. Poqëse kjo parti arrin të mobilizojë resurse intelektuale, të mundet të distancohet apo të bind masat se nuk ka pretendime të orientalizojë Kosovën ekonomikisht, të bëjë trenasparente biografinë e shefit të saj duke marrë qëndrime edhe për çështje politike të prekshme të shoqërisë, dhe biografisë së deritanishme – yjetjanë me të. Dhe për të arritur këtë nuk mjaftojnë vetëm paret, por parasëgjithash trutë.
Nga ky reflektim i shkurtë shihet se asnjëra parti nuk ka asnjë arsye të shpresojë se do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Elektorati duket t’i ketë „arestuar për t’u mbrojtur“ në liri dhe vetëm më të mirët do të mbijetojnë në zgjedhjet që vijnë. Ata që do të dinë të punojnë pa korrupsion, pa nepotizëm, ata që do të munden të integrojnë të paintegruarit, dhe ata që do të dëshmojnë se para çdo interesi të tyre është ai i vendit.
Elektorat i mençur, pra!