Jo vetëm mediat dhe politikanët bartin përgjegjësi për mënyrën tonë shpesh të egër të komunikimit publik, por të gjithë. Gazetat kanë nevojë për kapital, politikanët për vota e ne për të shkarkuar frustrimet ose… Përpjekje për ta përshkruar një problem: problemin e kulturës së komunikimit shqiptar.
1.
Shkruhet se islandezët e vjetër (930-1262) pritën me vite deri sa primatët e tyre gjetën vendin më akustik për ta shpallur atë si Althing (Kuvend). Þingvellir – sot parku nacional afër Reykjavík-ut – quhej kodrina ku u vendos Lögberg (mali i gjyqësisë) dhe prej ku Lögsögumaður –i (shpallësi i vendimeve) komunikonte me masën. Në Kuvend merrnin rreth 5 mijë njerëz pjesë. Kushtin më themelor që duhej ta plotësonte çdo pjesmarrës ishte dëgjimi pa ndërhyrje. Keq kalonte ndonjëri nga ata që harronte të përsëris fjalë për fjale atë që kishte dëgjuar. Sepse për islandezët e vjetër, që kalonin dy javë në kuvend, ishte e një rëndësie kapitale që vendimet të kuptohen dhe shpërndahen drejtë, pa keqkuptime– kështu historiani Björn Björnsson në studimin e tij « Þingvellir», 1984.
Kanë lexuar islandezët e vjetër gjithë ato teori nga shkenca e psikologjisë dhe ajo e komunikimit për të ditur se qenia humane mezikapë sa e si duhet atë që dëgjon/lexon? Kanë ditur ata se njeriu bën jetën e skllavit të paragjykimeve, keqperceptimit dhe keqinterpretimit të botës dhe jetës? Jo, nuk ka mundësi që ata të kenë studiuar shkenca. I sigurt është fakti se ata kanë zbuluar qëherët se baza e çdo interaksioni social është kultura e dëgjimit të përqendruar e mëpastaj shprehja.
2.
Si komunikojnë shqiptarët? A keni pasur përshtypjen ndonjëherë të jemi një temperament përherë nën diktatin e emfazës retorike: sapo hapim gojën, mprehim lapsin shprehemi si armiqtë më kategorik të çdo lloj eufemizmi, duam të kuptohemi drejtë nga të tjerët, egër, brutalisht, ashtu siç edhe ndiejmë. Nëse aksidentalisht na shfaqet ndonjë autor, bashkëbisedues apo politikan që para se të vitrinizojë dhëmbët, pushon ca sekonda, dhe ne kuptojmë se është i asaj «racës» që nuk flet pa vënë në përdorim instrumentin e relativizimit menjëherë kualifikojmë: as mashkull as femër! E stampojmë si frymë e mendje transvestiti. Oportunist. S’na pëlqen. Nuk na trazon ndjenjat. Duam ligjërues kategorik. Të atillë që nuk diskutojnë, udhëzues duam, të atillë që preras dinë të thonë se si duhet të marrë frymë populli, Zoti, qeveria dhe bota.
Pse ? Së pari sepse jemi njerëz dhe së dyti për shkak se kështu na kanë mësuar. Ku e kemi fjalën? Ndonjë shembull nga përvoja:
3.
I lëmë teoritë. Asnjëra prej tyre nuk njeh temperamentin shqiptar më mirë se ne. Hulumtojmë shqiptarçe. Ia bëjmë si islandezët e shekullit dhjetë.
Parafytyrojmë një skenë: katër shqiptarë në një tavolinë. Njëri prej tyre ka gazetë me vete. Titulli kryesor është marrë nga një kollumnë që titullohet «Kryeministri hajn». Na intereson se si do të reagojnë katër lexuesit, dëgjuesit, perceptuesit e lajmeve. Po i emërojmë personazhet tanë, u japim emra që të na duken konkretë:
Blerimi (i skuqur dhe i nervozuar me titullin): Aiii këto gazetat as ia vlen të lexohen më. Vetëm shpifin.
Bashkimi (i hutuar): Pse bre ç’ka po thotë, a e lexove a? Kush e ka shkruar bre? Apapa po le pash Zotin se kjo gazetarja i ka kërkuar post kryeministrit dhe tash nxjerr zjarr, helm e vrer. Vetë i ka fajet: ka rrejt se ka diplomë Amerike e as shkollën e mesme se kish kry. Po hajt le bre burrë.
Halili (buzëqeshur dhe në formë): Paj burrë pse bëhesh nervoz krejt hajna janë.
Hyseni (indiferent): Leni bre ato punë shihni pash Zotin kamerieren, kuku…!
Pas njëzet minutave acarojnë fjalët Blerimi dhe Bashkimi (vëllezër) me Halilin saqë ndërhyn policia. Hyseni shpëton situatën e nuk ndodh më e keqja. Falë kryeministrit aktual Blerimi dhe Bashkimi kanë poste të mira dhe status të rregulluar social. Për shkak të kryeministrit Halili i partisë tjetër ka mbetur sokaqeve. Titulli «Kryeministri hajn« nga të tre merret si kod, si mesazh për veprim. Dy të parët e mbrojnë apriori – pa lexuar komentin – kryeministrin sepse e ndiejnë si detyrë morale. I treti e sulmon shefin e qeverisë sepse nuk reagon dot ndryshe kur kemi parasysh pozitën e tij. Që të tre reagojnë konform natyrës së species së tyre humane. Kështu sillen sepse janë njerëz. Gjithë njerëzit e kësaj bote reagojnë kështu. Kështu do të sillen njerëzit gjithmonë deri sa të mos jenë robotë.
4.
Çfarë do të ndodhte sikur gazeta të shkruante: «Akuza të rënda ndaj kryeministrit» ose së paku titulli të kishte një pikëpyetje në fund të fjalisë, pra «Kryeministri hajn?». Madje edhe një pikëçuditje do t’i shkonte mirë. A do të ishin ngatërruar protagonistët aq sa të plaçkisnin me budallallëkun e tyre arkat e shtetit? Varret nga niveli dhe karakteri i individëve. S’ka garanci. Ndoshta, po të mos ishte titulli absolut por ndërmjetësues (në stilin e së folurës indirekte: thonë se kryeministri është i korruptuar, ose ai është i korruptuar sepse ndryshe ekspertët, hulumtimet nuk shpjegojnë dot burimin e kapitalit të tij) ngatërrestaret do të kishin kapur gazetën së pari ta lexojnë e pastaj të diskutonin. Ndoshta leximi do t’iu merrte aq energji saqë do t’ia mësynin shtëpisë për tu kacafytur me flinë, piten apo «samunin». Po që se gazeta do të argumentonte pasurinë e pashpjegueshme të kryeministrit do të mbeteshin pa fjalë edhe vetë avokatët e tij, sepse do t’iu mungonte arsenali fakteve për të sqaruar se prej nga, një njeri që para se të ishte kryeministër apo ministër nuk kishte asnjë qindarkë, tash ka vila në vend, në Monako, firma gjithandej Evropës, nga rroga e tij? Edhe nëse gazeta «ndjen», «dinë» për të pabërat e X ose të Y ajo nuk është instanca juridike që vendos për fajësinë apo shfajësinë e dikujt.
5.
E gjetëm fajtorin? Janë mediat fajtore si bartëse të përgjegjësisë për përhapjen e kulturës së komunikimit? Janë politikanët fajtorë që flasin vetëm me paragjykime e shpifje? Jo patjetër vetëm ata. Gjendemi në rreth. Këtu ka hy dreqi – i thonë popullorçe. Gazetat kanë nevojë për kapital, respektivisht lexues politikanët për vota e ne na duhen arsye që t’i shkarkojmë frustrimet tona apo ta mbrojmë pozitën e dhuruar sociale. Të gjithë janë akterë integral dhe të barabartë, pra kultivatorë të një komunikimi të keq sepse nuk iu përmbahen rregullave elementare të komunikimit; nuk dëgjojnë për të vlerësuar, për të gjetur zgjidhjen, por për të shporrur sa më shpejtë në eter paragjykimin, mllefin dhe atë nga çdonjëra pozitë; nga ajo e qytetarit, gazetarit, politikanit, mësuesit, bujkut e kështu deri në kategorinë e fundit.
U tha: njeriu si individ është qenie e ngarkuar me emocione dhe nuk ka ende medikament që neutralizon atë si të tillë (as që shpresojmë në një qenie të zhveshur emocionalisht!). Ndoshta për këtë arsye islandezët aq herët janë mbledhur në Thingvellir-in (parlament) e tyre dhe kanë ushtruar dëgjimin e përqendruar dhe diskutimin vetëm në sajë të fakteve. Ata qysh në shekullin e dhjetë i kanë caktuar rregullat dhe ligjet se çka lejohet publikisht (para atyre 5 mijë kuvendarëve – masës) e çka jo. Se ku lejohet një stil i tillë, si ky komunikimi shqiptar, e ku ai është afektiv, i panevojshëm dhe madje dëmefabrikues?
Edhe pse 11 shekuj më vonë, ndoshta ende nuk është vonë që edhe shqiptarët t’i bëjnë ca rregulla në këtë drejtim. Si thoni?