Historia e «plotë» evropiane – shqiptarët në hënë?

HISTORIOGRAFIA EVROPIANE PAS VITIT 1945- Rezistenca hungareze dhe «Pranvera e Pragës» trajtohen si cezura që vunë në dridhje sistemet komuniste të Evropës së Kuqe. Lëvizjet masive shqiptare të 68-ës dhe Pranvera e 81-it nuk figurojnë askund? Pse?  Çka janë ato? Asnjë historian perëndimor nuk ka dëgjuar gjë për to. Pse të ishte ndryshe kur as historianët shqiptarë si duket nuk dinë më shumë për ato ngjarje.

1.

U bëni gati njëzet vite që laboratorët e shumtë universitarë në Evropën Perëndimore kanë filluar ta rishkruajnë historinë e re të Evropës. Përveç synimit të historianëve të sotëm që ta zhveshin historinë nga çdo lloj eurocentrizmi të trashëguar nga klasa e historianëve të para dhe pas luftës së dytë botërore, këtë ndërmarrje e motivuan edhe një seri arsyesh tjera: Pas rënies së komunizmit  u hapën arkiva dhe u shpaluan dokumente që hapën rrugë interpretimesh ndryshe nga versionet e etabluara sidomos rreth anatomisë së komunizmit të diktatorëve. Studiuesit prirës të hapësirave ku fliten gjermanishtja, frëngjishtja dhe anglishtja filluan të botojnë histori të «plota» të kontinentit. Duke nënvizuar qëllimisht faktin e të qenurit gjithëpërfshirëse, pra edhe të atyre pjesëve të Evropës që deri atëherë kishin mbetur jashtë optikës së historianëve perëndimorë për shkaqe të izolimeve të ndryshme të shoqërive që gjendeshin nën diktaturën e komunizmit.

2.

I pari në këtë plan doli Eric Hobsbawm me veprën e tij  «The Age of Extremes: the short twentieth century, 1914-1991» (Epoka e ekstremeve: Histori e shkurtë e shekullit 20), të botuar më 1994. Për herë të parë në mënyrë fare të pamjaftueshme por me karakter iniciues flitet për vendet e bllokut të majtë dhe rolin e shoqërive të tyre civile në demolimin e diktaturave. Hobsbawm – ndoshta edhe për shkak të botëkuptimeve të tija ultrakomuniste – nuk hyn më thellë në etapat e rëndësishme historike të vendeve të lindjes, etapa të cila në mënyrë tejet faktografike mund të paralelizohen dhe lëvizjet dhe cezurat globale e evropiane të ndërmjet viteve1968 dhe 1989.

Një hap më tej në këtë drejtim bën historiani tashmë i ndjerë Tony Judt në librin e tij «Postwar. A History of Europe since 1945 (2005) (Paslufta: një histori e Evropës nga 1945). Në kapitullin e VII ku autori trajton «konfliktin kulturor» liberalizëm-komunizëm përshkruan në mënyrë më të gjerë se sa «zakonshëm» në historitë tjera mbi Evropën e «plotë», rolin dhe rëndësinë elitave hungareze, çeke dhe sipërfaqësisht kroate kundër sistemeve komuniste. Aty flitet për rezistencën hungareze, «pranverën e Pragës» dhe lëvizje tjera të këtij lloji që i ndërlidh me lëvizjet e 68-ës të perëndimit.

Vepra e tretë klasike dhe që del më e kompletuar dhe shkencërisht më serioze se dy të parat është ajo e Archie Brown që u botua më 2009 fillimisht në gjermanishte me titullin «Aufstieg und Fall der Kommunismus» dhe muaj më vonë në gjuhën origjinale «The Rise and Fall of Communism» (Ngritja dhe rënia e komunizmit). Mund pa hamendje të thuhet se kemi të bëjmë me një nga veprat më të kompletuara dhe shkencërisht më të dokumentuarat që janë botuar deri më tani mbi atë pjesë të Evropës të lënë pasdore deri sot, pra me Historinë e Evropës joperëndimore. Qoftë në kapitullin 9 ashtu edhe në atë 12 ku Brown përshkruan komunizmat në Shqipërinë e Enver Hoxhës  dhe atë të Josip Broz Titos nuk përfill në mënyrë analitike lëvizjet e brendshme antidiktatoriale nga ana e shqiptarëve apo kosovarëve, por flet vetëm për ato kroate. Lëvizjet çeke dhe ato hungareze i pasqyron në sajë të ngjarjeve konkrete të atyre viteve.

Njohësit e historiografisë së hapësirave të gjuhëve «kryesore» të Evropës e dinë se deri tani – në mesin e atyre dhjetëra historive kontinentale të botuara deri tani – asnjëri historian nuk vë theks në rolin e shqiptarëve gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj.

Teza se studiuesit e universiteteve perëndimorë ndoshta edhe për shkaqe komoditeti nuk bëjnë gjueti pas burimeve në ndonjë «cep të Ballkanit» mund të qëndrojë, thjeshtë edhe nga praktika e njohur dhe e mërzitshme e kompilimeve nga studimet e krijuara njëherë nga do shkencëtarë që kanë bërë punë në terren dhe atë para shumë dekadave, megjithatë injorimin nuk duhet banalizuar vetëm me shpjegime të këtij lloji.

3.

Jo rrallë na ka rënë të dëgjojmë nga historianë perëndimorë justifikimin: Kontributi i shqiptarëve gjatë luftës së ftohtë e sidomos në cezurat 1968-1989 nuk është gjithaq domethënës. Këtë lloj justifikimi e thotë dikush që nuk njeh historinë e ish-Jugosllavisë. Se në Shqipëri rezistencat janë të izoluara dhe nëse mund të flitet për një të tillë atëherë ajo ka të bëjë me një rezistencë elite që nuk dallon nga ato të Bullgarisë, Rumanisë, Kubës e Kinës, ama ta përdorësh një lloj justifikimi kur bëhet fjalë për zhvillimet historike në ish-Jugosllavi është më shumë se mosdije dhe injorim i qëllimshëm dhe flet për një historiografi me selektime të dyshimta. Nëse  flasim në lidhje me rezistencën shqiptare dhe kosovare brenda ish-Jugosllavisë (detyrë e historianit nuk është të japë kualifikime rreth ideologjisë, motiveve dhe strukturave të rezistencës, por fenomenit dhe efektit të saj), atëherë kuptojmë se autorët e Historisë së Plotë të Evropës ose kanë harruar vijat e sakta të gjeografisë së kontinentit ose kanë ndonjë alergji që duhet ta shërojnë për hir të shkencës. Sepse janë pikërisht shqiptarët ata që pikërisht në vitin 1968, 1981 dhe 1989 prijnë cezurat përbrenda sistemit jugosllav e që spekulojmë se kanë pasur më shumë se sa efekt simbolik jo vetëm brenda Jugosllavisë (tek sllovenët, kroatët), por edhe përtej kufijve të saj. Le të jetë ndryshe, mirëpo gjykimi apriori se ato kanë qenë të parëndësishme, flet për një përjashtim të padenjë.

4.

Natyrisht se edhe teza erëpaushalle «të tjerët të respektojnë aq sa respekton veten» qëndron. Çka bën historiografia shqiptare ose specialistët që merren me të jashtë vendeve që dikur gjendeshin në Jugosllavi? Se çka bëjnë Historianët shqiptarë dihet. Asgjë. Jo në këtë drejtim. Në Evropën perëndimore tashmë ka do politologë dhe studiues  që kanë dëshmuar se dinë të bëjnë shkencë. Shpresojmë se një ditë të jenë këta që do të mbarojnë studimet e tyre mbi etnonacionalizmin shqiptar (sipas kombit të imagjinuar të Benedickt Andersonit) dhe do të vendosin për të kontribuar në krijimin e një historie vërtet të «plotë» evropiane, ku edhe roli shqiptar nuk do të anashkalohej.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...