Puritani, perversion apo hile

ARTET NË KAFAZ II /Në asnjë doracak, studim apo përmbledhje mbi shkencat, artet, historinë, blegtorinë, bagëtinë e bujqësinë universale nuk figuron ndonjë përfaqësues drejtimi, pjesëmarrës grupi apo rastësisht i përmenduri me origjinë nga sferat ku ekziston shqiptari.

 As në studimet ende ngjyrëpatharë mbi letërsinë e sotme nuk zë vend kush me plis ndër 500-ët e parë: as Kadare e mos kërko tjerë! Në artet pamore vetëm shqiptarët trumbetueshëm e me naze sa herë që e përmendin e quajnë Ibrahim Kodrën bosin e kubizmit. Italianët ia mobilizojnë tepër rrallë emër e vepër vetëm kur duan të promovojnë të veten. Ua bëjnë shqiptarëve me hile?

Padyshim se edhe ky aspekt nuk është «La Pucelle d’Orléans» (virgjëresha e O) në demokracinë e vlerave. Për shembull në studimet historike të djeshme e të sotme: shqiptarët anashkalohen, përheshten qoftë edhe episodeve ku ata kanë luajtur rol jo vetëm modest në kuadër të cezurave globale.

Kryesisht me fajin e tjerëve (shikuar hapësirat anglo-, gjermano-, franko- e hispanofone), të cilët sa herë që mobilizojnë shkencëtarë nga i gjithë kontinenti a globi për ta përpiluar ndonjë «Histori Evrope» apo «Histori bote» se ç’harrojnë me kënaqësi t’i ftojnë edhe shqiptarët të kontribuojnë për shkencë, për histori.

Dhe për të qenë deri në fund korrekt: natyrisht se edhe këtu një copë të fajit e kanë në shtëpi! Sepse do pak herë-herë kur janë grishur e kanë bërë pilaf hartimin, të pabotueshëm, kështu duke ua djegur biletën apriori edhe atyre me autoritet ende të paprishur.

A mund ta çajmë fajin në dysh kështu si në fushën e shkencave edhe në atë të arteve pamore, skenike dhe të letrave?

Pyetjes: pse shqiptarët aq rëndë e hiç nuk bëjnë pjesë në konkurrencën universale të arteve, çdo trajtesë i përgjigjet me fjalinë e fundit të romanit „Effi Briest“ të Theodore Fontane; «Ah Luizë lere… ajo është një fushë shumë e gjerë». Kështu e mbyllin edhe shqiptarët çdo temë që nuk iu pëlqen. Sidomos kur ato kanë të bëjnë me tema që ua gërvishtin krenarinë ballkanasve hiperkrenarë. Ose kur temat rrezikojnë të prodhojnë argumente që çojnë drejt një vetëmodestie, përulësie pozitive ndaj vetes dhe tjerëve.

II

Pasi që përmendëm tashmë Fontane-n e vazhdojmë me të dhe kolegët e tij. Rusi Lew Nikolajewitsch Tolstoi shkroi «Ana Kareninën» pothuaj në të njëjtën kohë kur gjermani Fontane shkroi «Effi Briest»-in dhe francezi Gustav Flaubert «Madame Bovary»-n.

Që të tre konsiderohen si vënësit e temës letrare të shekullit 19-të. Përveç motivit për të përshkruar kurorëshkeljen e grave – konform mendësisë patriarkale të kohës – të tre shkencërisht konsiderohen si vulëvënës të epokës së realizmit, e cila do të hidhet në erë nga novelisti anglez D.H. Lawrence, respektivisht «Lady Chatterley» e tij, e cila aventurën seksuale me një rojtar pylli e konsideron më pak besëprishje se sa kënaqësi të natyrshme. Që shkëputja të bëhet edhe dramatike në skenë shfaqet i censuruari, francezi «Charles Baudelaire» me «Les Lesbiennes» (më vonë të rititulluar si «Lulet e së keqes»).

Urës për përtej, duke hapur modernën, marshon katërshja; irlandezi James Joyce me «Ulysses», francezi Marcel Proust me «Në kërkim të kohës së humbur», austro-zvicerani Robert Musil me «Njeriun pa veti» dhe hebreu gjermanofon Franz Kafka me «Procesin» e tij.

Prusti bashkë me personazhin e tij homoseksual Baron de Charlus ia bën epin të famshmes «Belle Époque» duke vizatuar mondanitetin e salloneve, hoteleve dhe klubeve si realiteti antikonzervativ kah rrugëton bota. Joyce e dedomicilon Odiseun në Dublin dhe rrëfen ëndrrat seksuale të shërbëtores së tij jofiktive Nora Barnacle me të cilën gjendej në lidhje intime, në epilogun e tij 2500 fjalësh pa pikë e presje.

Njëjtë e vret një epokë edhe Musil bashkë me Kakaninë e tij (siç e quante monarkinë austro-hungareze). Kafka ia bën «Procesin» botës që sjellin të parët ose siç thoshte kritiku dhe esteti i majtë Georg Lukàcs «e vret kapitalizmin e saponisur djallëzor e modern duke ia zhveshur fytyrën dhe pasojat që sjell».

Camus, Beckett, Eco na shoqërojnë në postmodernë dhe në histori herë pritshëm e herë ekspres duke dëshmuar me çdo shkronjë se pa Ana Kareninën nuk rrëfehet as curriculumi i lieteratit të Houelluebec-ut Bruno i cili masturbon kinemave duke shikuar filma porno e as ai i profetit Elia të Paolo Coleho-s.

Shikuar sipërfaqësisht këtë eksurzion tonin epokave dhe modave që na sjell historia e letërsisë do të kërcejmë me zbulimin: E qartë, e dimë se kah duhet ecur; nga puritania drejt perversionit.

Lirisë absolute të njeriut sidomos në sferat më intime të tij. Ndoshta kjo edhe do të jetë arsyeja (po spekulojmë) që aq në trend – që nga Kadareja e deri tek më i riu – është shpalimi erotik, pornografik si bosht i krijimit në artet shqiptare.

Pse atëherë asnjëri nuk doli përtej gardhit të kulturosferave shqiptare dhe asnjëri nuk ka asnjë shans të hyjë në kanonin universal të arteve edhe pse u përkthye apo u bartë me ekspozita gjithandej globit? Ha – do na bërtasin: Kemi Kadarenë dhe do të tjerë!

Ne u flasim me histori: arti që depërton vetëm për lexues të specializuar, krizave ideologjike dhe modave të ndonjë kooperimi interkulturor nuk jeton aq gjatë sa vëllezërit Karamazov, zonja Bovary, Godoja apo edhe ai njeriu pa fytyrë i Musil-it. Na vjen keq por kështu është.

Ku qëndron problemi? Edhe grekët e provuan. Në fillim të viteve të 90-ta qeveria greke dhe institucionet e saj kulturore e nisën një kampanjë ofensive afirmimi. Duke e riaktualizuar trashëgiminë antike ata- autorë dhe piktorë të rinj – përkthyen e ekspozuan qindra vepra Evropës e tej atlantikut.

Rezultati: kot. Arti nuk bëhet me zor. As shqiptarët nuk e bëjnë dot me zor që të lidhen tematikisht, intelektualisht e stilistikisht me krijimtarinë universale të epokës. Nuk i duan muzat? Nuk kanë asnjë autor me potencial që po u përkthye përlan botën? Apo ka ndonjë tjetër fshehtësi?

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...