ARTET NË KAFAZ III / Esenë „Puritania“ e përmbyllëm me pyetjet: Pse deri më tani shqiptarët nuk kanë mundur të lidhen, as tematikisht, as intelektualisht e stilistikisht me krijimtarinë universale të epokës? Nuk i duan muzat? Nuk kanë asnjë autor me potencial që po u përkthye përlan botën? Apo ka ndonjë tjetër fshehtësi?
Eseja shkaktoi një keqkuptim: Lexues të ndryshëm reaguan duke kundërshtuar tezën e mosimpaktit të shqipeve në kulturën universale dhe si fakte sollën emra të ndryshëm të suksesshëm nga fusha e muzikës, fotografisë, pikturës, skulpturës dhe padyshim në atë të letërsisë duke shkruar me megashkronja emrin e Kadaresë. Me të drejtë. Vërtet qëndron fakti se autorë e artistë të ndryshëm shqiptarë kanë sukses dhe kanë depërtuar në kulturosfera të caktuara të botës.
Mirëpo eseja «Artet në kafaz« as që diskutonte temën e prezencës së arteve të sotme e të djeshme shqiptare në gazetat, ceremonitë dhe katalogët komercialë të kohës. Ai hulumtoi t’i përgjigjet pyetjes se pse asnjë autor shqiptar nuk është objekt i asnjë kanoni universal shkrimtarësh, artistësh e shkencëtarësh? Megjithatë duhet të jemi vetëkritikë: teza nuk ka dalë mjaftueshëm e argumentuar. Prandaj edhe njëherë dhe me tri shembuj nga fusha e shkencës (historia), letërsisë dhe arteve do të përpiqemi ta ilustrojmë, respektivisht materializojmë me fakte tezën.
HISTORIA – Në tre veprat kryesore që konsiderohen si studimet aktuale më të kompletuara mbi historinë e botës dhe Evropës janë «Epoka e ekstremeve» e Eric Hobsbawm-it, «Historia e Evropës nga 1945 e deri sot» e Tony Judt-it dhe «Ngritja dhe rënia e komunizmit» e Archie Brown. Këto tri vepra janë të rëndësishme edhe për faktin sepse konsiderohen të parat që kanë kyçur me objektivitet dhe pa tendenca edhe atë Evropën përtej Londrës – Parisit – Berlinit – Romës dhe sjellin për herë të parë një Evropë të plotë. Këtë afirmim studimet në fjalë e fituan sidomos për periudhën e luftës së ftohtë, sepse për së pari herë regjistrojnë «pranverat» çeke, hungareze e të ngjashme dhe rolin e tyre në rikonfigurimin gjeopolitik të botës. Shqiptarët? Po përmendet sipërfaqësisht e pa rëndësi dy tre herë Enver Hoxha dhe asgjë tjetër.
Kur i shkruam njërit nga autorët e studimeve në fjalë, zyra e Profesorit të merituar i Oxford-it Archi Brown, i cili në përpilimin e veprës ka pasur një brigadë doktorantësh dhe hulumtuesish nga e gjithë bota na shkroi: «Shqiptarët? Ne kemi punuar me historitë tashmë të provuara për nga objektiviteti shkencor, me dokumente burimore dhe historitë e vendeve, na vjen keq që studimet shqiptare nuk plotësonin as kushtet minimale, tek arkivat që kërkonim nuk na lanë dhe literatura tjetër nuk flet ende për periudhën që hulumtonim ne». Troç.
Njëjtë na thanë edhe sajuesit e «Historisë së Evropës – nga fillimet e deri në shekullin 21» (Delouche: 2011), e cila është e përpiluar nga 15 historian të njohur të kontinentit dhe që pranohet si referencë nga shkollat perëndimore – natyrisht pa serbë, kroatë, shqiptarë, bullgarë e të ngjashëm. Natyrisht se historitë e tilla nuk i shkojnë aspak titullit se nuk e kanë gati gjysmën e Evropës, mirëpo empati dhe mirëkuptim për ta, po, kemi!
ARTET – Ish-drejtori i «New York Academy of Art» dhe profesori i vizatimit në Oxford Stephen Farthing botoi në vitin 2010 «Art dhe whole story» (Historia e plotë e arteve nga zanafilla e deri sot). Studimi i përpiluar nga 41 autorë dhe ekspertë të arteve konsiderohet si nga doracakët më të kompletuar shkencorë të kohës.
Ka ndonjë piktor, dizajner, skulptor e të ngjashëm aty? Jo. Ashtu si në të gjitha historitë tjera të botuara që nga fillimi i shekullit 19 e deri sot. «Jeni përballur ndonjëherë me punime shqiptarësh»? e pyesim Farthing «Po si jo» na thotë ai dhe na përmend ca emra nga «historia» dhe disa që i ka parë galerive të Evropës sidomos dhe punime të tillësh që shpesh ia kanë fryrë kutinë postare. Po ku është problemi? «Pyetni ata 40 shkencëtarët që kanë punuar në përpilimin e botimeve që kemi nxjerrë deri tani». Për çka t’i pyesim? E gjithë bota ua bën me hile shqiptarëve?
LETËRSIA – Në asnjërin kanon universal mbi letërsinë antike, mesjetare, rilindëse, iluministe, klasike, romantike, moderne e të sotme nuk e gjen ndonjë shqiptar, as aksidentalisht. Situata ka ndryshuar në kanonet më të reja dhe që merren edhe me letërsinë e sotme: në listat që nuk kufizohen vetëm në 30, 50 shkrimtarët më të mirë, por me zemërgjerësi bastisin për ta rrumbullakuar 100-in iu qesh fati edhe shqiptarëve dhe në disa prej tyre përmendet prozatori gjirokastrit Ismail Kadare.
Ndërsa tek ata që madje tubojnë edhe nga 1001 libra për ta nisur katalogun me veprën monumentale orientale Alf Laila Wa Laila (Origjinal, ndërsa e njohur si 1001 e netëve) e jo nga Epi i Gilgameshit si rëndom siç bën profesori i University of Sussex Peter Boxall atëherë Kadare madje prezantohet edhe me tre romane. Joseriozë dalin katalogë të tillë (edhe pse me 150 bashkëpunëtorë) sepse ndër njëmijëshen ka edhe autorë për të cilët shumica e shkencëtarëve të letërsisë betohen se as këtë shekull nuk do ta mbijetojnë.
Kjo është gjendje faktike. Nga kjo situatë rrodhi teza e esesë së kaluar. Tash sërish na mbeten hapur pyetjet: Është Kadare porta dhe shqiptarët së shpejti do të popullojnë kanonet universale të arteve, shkencës, sepse kanë kapur epokën «jo vetëm politikisht», por edhe kulturalisht? Apo një diskurs rreth kësaj teme, për të kërkuar arsyet ku ngecim e çka kemi është më se i domosdoshëm. Po pse nuk zhvillohet ky diskurs? – Vazhdojmë të shtunën tjetër!