Gastromisioni

BE NË ZGJEDHJET KOSOVARE / Deklarata preliminare e BE MVZ është joprofesionale, e fiksuar dhe skandaloze. Ajo të krijon përshtypjen sikur vëzhguesit të kenë operuar nga ndonjë vend tjetër e jo nga Kosova.

Misioni i Bashkimit Europian për vëzhgimin e zgjedhjeve (matej: BE MVZ) u shpërndau mediave vendore «Deklaratën preliminare» për zgjedhjet e fundit komunale në Kosovë. Motoja e deklaratës është «një hap përpara për demokracinë në Kosovë». Deklarata tetëfaqësh përpiqet të jetë rezyme objektive e procesit zgjedhor komunave të Kosovës.

Misionet e natyrës vëzhguese të zgjedhjeve në vendet e tranzicionit dhe atyre politikisht të sapo pluralizuara janë të rëndësisë së madhe për zhvillimin e demokracisë nëpër to. Pa asistencën e suprainstitucioneve si BE MVZ konsolidimi do të ishte edhe shumë më problematik, më i pamundshëm, këtë e dëshmojnë madje edhe shumë vende tashmë në BE si Rumania, Sllovakia, Bullgaria e vende të tjera të rajonit.

Si zakonisht interesi dhe sensibiliteti i vendorëve ndaj deklaratave e raporteve që mbajnë siglën dhe flamurin e BE-së është i madh, prandaj edhe merren serioze, në një mënyrë si vlerësim orientues. Autorët e raportit do ta dinë këtë përgjegjësi që kanë. Ata janë të vetëdijshëm se – folur me teorinë e Jürgen Habermass-it të komunikimit si veprim social –çdo teori, deklarim është i prirë nga një interes i caktuar, që në demokraci duhet të jetë sa më transparent, racional, profesional, sepse gjithherë apriori kërkon të pranohet si i vërtetë, i saktë. Cili është interesi i ose sa e saktë, objektiv, profesional dhe e vërtetë është deklarata e BE MVZ –së?

DEKLARATA

përmbledhjen hyrëse [Fq.1] deklarata përqendrohet në historinë, aktet politike që rezultuan zgjedhjet. Veriu (etnia serbe), respektivisht Mitrovica hap raportin. Vazhdojnë të gjykohen si të besueshme presionet, frikësimet, ryshfetet ndaj nxënësve, mësimdhënëse dhe shtresave tjera shoqërore (shumica shqiptare). Pason një parasqarim për ekzistencën e të gjitha mundësive ligjore që Kosova teorikisht ofron për zgjedhje të lira dhe të barabarta, mirëpo që në praktikë dolën joefektive, sepse kyçja e votuesve të jashtëm (Serbi, Mali i Zi) nuk ishte ajo që duhej. Përmbledhja përfundon me preferencën e RTK-së për PDK-në dhe se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) shqyrtoi ankesat?

E njëjta vijë hap edhe konstatimet preliminare  [2]: zgjedhjet kanë qenë interesante sepse në zgjedhje u integruan edhe komunat serbe Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku. Në paragrafin e fundit brenda «Informacionit të përgjithshëm» listohen Partitë në mbrojtje të komunave që kanë administruar para këtij votimi. Edhe humor ka, si përfundimi është se: «në Graçanicë, në zgjedhje mori pjesë edhe një̈ iniciativë e re qytetare, Aleanca e Serbëve të Kosovës (SKS) dhe se shumë përfaqësues të partive politike këto zgjedhje i konsideronin si test para zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Kosovës».

Që nga paragrafi i «Kornizës ligjore» deri te ai «Regjistrimit të kandidatëve» [2-5] deklarata ekspozon procedurën, ligjet dhe mundësitë e participimit politik të individëve, etnive, grupeve dhe partive në garat politike. Analiza në lidhje më ambientin e fushatës [2-5] privilegjon tre momente: kritikën ndaj kryeministrit Thaçi dhe premtimet e tij milionëshe në komunat ku agjitoi për partinë, vrasjen e një eksponenti të AAK-së dhe «aferave» rreth hyrjes, mos-hyrjes dhe qëndrimit të qeveritarëve serbë në Kosovë [6].

Mediat [6] paskan respektuar ndarjen e kohës barabartë për gjithë garuesit politikë. Problemet që sugjeron deklarata: Kërcënimin ndaj medias (Kosova Sot); animi i RTK-së publike kah PDK dhe kritika e tepruar e KTV dhe gazetës KD ndaj partisë në pushtet. E mira: TV21 ka bërë punën mirë. Poashtu TV Most dhe RTK2.

Pasojnë paragrafët për kontestet, divizionet e vëzhguesve, numërimin dhe punën e organeve sanksionuese. [7-8]

KRITIKA

Deklarata ka shkaktuar nervozë. Ajo krijuaka përshtypjen se Kosova përbëhet vetëm nga serbët dhe veriu i Mitrovicës. Këtë përshtypje nuk e kanë vetëm shqiptarët përtej urës që ndan qytetin e apostrofuar por edhe te vetë serbët e rajoneve tjera, na thotë njëri nga politikanët serbë të Gjilanit. Disa nga analistët madje akuzojnë edhe më rëndë: vëzhguesit kanë vënë si moto «demokracia një hap përpara» mirëpo qëllimisht nuk e argumentojnë atë, përkundrazi e sabotojnë duke përzgjedhur si momentume finale paragrafësh ndonjë aksident, që jo patjetër ka të bëjë me zgjedhjet si të tilla; duke ripotencuar ryshfetet, presionet ende të pa materializuara me fakte; duke privilegjuar para qëllimisht raste të izoluara për ta krijuar një pasqyrë apo sugjerim sikur suksesi që e lavdëruan Zhbogar dhe vetë shefi i misionit të vëzhguesve si farsë, si show të kosovarë për tu hy në qejf ndërkombëtarëve.

Kritika edhe më djegëse vjen nga mediat. Shumica e tyre ndihen të fyer, qëllimisht të diskriminuar. Radhitjen e vetëm të disa mediave, madje duke i trajtuar vetëm nëse kanë qenë viktima, ose për ta nxjerrë si më pozitiven për një të caktuar që më së paku ka luajtur rol brenda hapësirës mediale gjatë zgjedhjeve (qoftë nga kualiteti apo volumi) është një anësi joserioze e BE MVZ ose një e tillë që qëllimisht adreson fokusin tek jo reprezentativet me synimin për të mohuar rolin konstruktiv të mediave gjatë zgjedhjeve. Në pikëpyetje vihet edhe kompetenca e kryeanalistit (të vetëm të huaj) të misionit për media.  «Juristi i diplomuar në Comenius Universitetin e Bratislavës, i cili ose nuk ekziston në ranking-listat e universiteteve ose figuron në vendin e 765 (The World University Ranking 2012 – 2013) qoftë për nga përgatitja profesionale e qoftë për nga përvoja si pjesëtar i OJQ-së MEMO98 që analizon gazetat sllovake që nga Nový Čas, Pravda e deri tek Karpatenblatt nuk mund ti bëjë ballë dinamikës së mediave kosovare që janë ndër më aktivet e rajonit», kështu na tha njëri nga botuesit e frustruar, i cili nuk zbutej as me faktet se Godorsky ka bërë analizë mediash edhe në Gjeorgji, Serbi dhe ka trajnuar gazetarët në Shqipëri. «Nuk janë vende ku mund të mbledhësh përvojë për të gjykuar mediat dhe demokracinë kosovare», vazhdon ai duke kritikuar edhe Misionin, i cili tallet me inteligjencën e kosovarëve kur nuk rekruton ekspertë e analistë më kompetentë.

Botuesi i acaruar ndoshta nuk dinë ndoshta një fakt: «Stafi tetëantarësh i analizuesve të mediave përbehet nga 7 ekspertë vendorë» na siguron zëdhënësja e misionit Florence Marchal dhe propozon që të kihet kujdes se «raporti» është «deklaratë preliminare» e jo raport definitiv, i cili pritet të dalë në janar të vitit që vjen. «Aty do të jetë analiza e kompletuar» na siguron ajo në telefon.

«Megjithatë zotimi i zonjës Marchal nuk e justifikon deklaratën e bërë shumë keq. Ndoshta është bërë e tillë për t’i nxitur kosovarët të bëjnë edhe më mirë, mirëpo kështu siç është ai është aksidental», thotë Felix Knull njëri nga ekspertët e Institutit «Transparenca» për analizimin e mediave të Evropës Juglindore me seli Zvicër (Grupi i përbërë nga 28 shkencëtare të vendeve të ndryshme ka dy muaj që analizon lajmet, raportet, debatet e mediave kosovare në kontekst me zgjedhjet dhe që pretendon në mars të vitit që vjen të dalë me një studim voluminoz). Ai shton «Autorët e deklaratës është dashur të vendosin ose të japin vetëm deklarata të përgjithshme ose të përmendin të gjithë që kanë analizuar pa bërë kështu vlerësime jopërfundimtare. E sidomos jo në këtë formë kaq të paushalizuar, sepse rëndom deklaratat preliminare nëse jo tjetër ato tradhtojnë vijat kryesore se në ç ‘drejtim ecë analiza përfundimtare, e vijat që ka hedhur ajo janë të paqëndrueshme».

ANALIZA

Kritika se deklarata del e fiksuar në «Veriun» dhe pakicën serbe duke harruar pjesën tjetër të Kosovës qëndron. Ose BE MVZ ka harruar ta bëjë të qartë se nuk monitoron zgjedhjet kosovare, por mbikëqyr komunat problematike serbe (ku misioni vetë pati probleme të rënda dhe për çka nuk flet fare deklarata). Edhe pandehja që misioni të merret me historinë politike të marrëveshjes – që nuk e paska detyrë – dhe ligjet si teori mëtepër se me terrenin, zhvillimin konkret të zgjedhjeve nuk është e shpikur – gjithmonë me bazë deklaratën. Nuk demantohet dot as vërejtja ndaj misionit, të fusë, potencojë e nënvizojë parimisht rastet e izoluara edhe atëherë kur ato nuk kanë të bëjnë fare me detyrën e misionit.

Konstatimet rreth mediave dalin – kështu siç janë – tepër problematike. Florence Marshal vetë në telefon na e tha që përveç të përfolurave ekspertët e stafit për mediat kanë analizuar edhe KlanKosovën, Radiot dhe të përditshmet e papërmendura. Vlerësimi RTV21 të ketë qenë më i balancuari, duke folur vetëm negativisht për tjerët manifeston distancën e madhe ndërmjet «ekspertëve» dhe asaj që ndodhi e ndodh realisht në mediat kosovare; të thuash se RTK anon për PDK për shkak të prezencës së kryeministrit, pa përmendur se është televizion publik me detyrimin për të ndjekur protokollin dhe se KTV nuk e ka një detyrim të tillë është akt më shumë se tendencioz. Dhe jo vetëm tendencioz por kontradikta brenda deklaratës shkallmon profesionalitetin: thuhet se mediat iu përmbajtën barazisë kohore dhe prezantimit të barabartë të garuesve (sepse kështu ishte); mirëpo nuk thuhet se jo editorialet e mediave dominonin (se nuk ishin fare) por debatet polemike ndërmjet partive, të cilat çdo analisti të shkolluar drejt në media ia pamundësojnë gjetjen e materialit shkencor për ta shpallur një media të anshme. Më shumë se gjithçka tjetër duket sikur analizuesit e mediave të kenë bërë copy & paste raporte gazetash që kanë përfolur zgjedhjet disa vite më parë.

Deklarata kështu si doli është skandaloze. Ajo është përpiluar ara-mara, më shumë si aktlirim njerëzish të lodhur nga një detyrë e zorshme në një vend të komplikuar. Ndryshe nuk del një fjali si kjo: «Përkundër faktit se këto ishin zgjedhje lokale, në to mbizotëruan çështjet nacionale» dhe ata që kanë ndjekur zgjedhjet mund të pyeten se çka nënkuptojnë ekspertët e misionit me nacionale?

Tash serish tek pyetja e inspiruar nga Jürgen Habermass: cili është motivi, interesi i një „raporti“ të tillë? Nuk spekulojmë. Çka dimë është se ai nuk është i saktë, as objektiv as profesional!

Të shpresojmë që eksperti zviceran i institutit «transparenca» të mos ketë të drejtë kur tha se deklarata nuk është raporti përfundimtar vetë, mirëpo është rezymeja e gjithë asaj çka kanë menduar e mendojnë të bëjnë nesër autorët e saj, atëherë… le ta presim!

 

 

 

Related

Çibani gjerman në trurin shqiptar

Merkel zgjodhi Beogradin si qendrën nga ku i dha...

Albin Kurti si projeksion i një mentaliteti në huti

Asgjë sot nuk bëhet më pa projekt. Intelektuali që...

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur...

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

Testamenti i Milladinit

Rama tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis...