Stresorët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 1 / / Opinionbërësit mediave shqiptare sillen sikur jo vetëm ta kenë studiuar por edhe ta kenë përjetuar personalisht zhvillimin kulturologjik të humanitetit.  Në fakt më shumë përballemi më një shumicë „intelektualësh“ stresorë se me të atillë me tru të kërcënuar ndonjëherë nga brisku i Ockhamit.

„Foli Arifikmet AbdylMenafi. Urime, urime, urime!“ – kjo është motoja e aktorit negotinas Xhevdet Jashari në komedinë seriale „O sa mirë“ me Enver Petrovcin dhe Koçe Devolen. Komedia pa hamendje mund të përjetohet edhe si ekspozitë e funksionimit të mendësive shqiptare. Enkas Arifikmeti. Figura që hahariset, duke parodizuar mëdhesën parakulturore ku banon qenia semifeudale, naive, simpatike, ajo figurë me tirq e cila kur hynë në interaksion shpërfaq dytësorin omniprezent brenda socialitetit shqiptar – Inkubusin me fëmijët; arkaikun, autoritarin, snobin, egocentrikun, narcisin me nënën e tyre; Dominaren.

Ku në realitet përballemi më së shpeshti me këtë figurë sa komike aq edhe të padurueshme, me këtë tip dykëmbëshi që nuk dinë të flas e as të shkruaj pa na torturuar me refrenin „fola unë, unë“ dhe me sy e vesh gyporë pret të bëhemi sirenë konfirmimi: urime, urime, urime? Mos atë e hasim të numërt sidomos aty ku trajtohen temat që lidhen me res publica -n: në media? Po. Të ashtuquajturit „opinionistë“ akuzohen të jenë grupi ku kanë gjetur shtëpinë fëmijët e Inkubusit dhe Dominares.

Pse ky (para)gjykim dhe sa i drejtë mund të jetë ai?

KATEGORITË – Në analizë kyçim (gazetat, televizionet, radiot) mediat, të cilat biznes nuk e kanë vetëm distribuimin e informatave – të gjitha pra – por veçohen edhe me tendencën e të qenurit tribunë ndikimi në proceset shoqërore. Për nga volumi i opinionistivë, në këtë kontekst, prijnë printmediat, ndërsa për nga efekti dhe ndikimi televizionet duket të kenë fjalën. Parasysh kemi të gjitha mediat e Kosovës dhe Shqipërisë.

Grupi i respublica-ntëve mund të degëzohet në katër kategori:

REDAKTORËT E MEDIAVE – Kjo subgrupë përmbledh në vete ata që kanë kryer gazetarinë apo gjuhën e letërsinë. Në krahasim me kategoritë tjera këta „opinionistë“ janë më abstinentë karshi megatemave dhe dinë të përqendrohen lokalizueshëm në temën që trajtojnë, pra pa u katandisur zonave për të cilat nuk janë kompetentë. 2. Më të shpeshtit mediave shqiptare janë bërë (viteve të fundit) OPINIONISTËT ME DETYRË. Autorë të ngarkuar e obliguar nga partia, organizata, lobi, doktrina ideologjia për të masivizuar perspektivën monodimensionale të tyre rreth dukurive, problemeve dhe sferave të ndryshme të shoqërisë. Është kategoria detyrueshëm dhe automatikisht më transparentja e mendimit publik. Kategoria e tretë janë PUBLICISTËT E LIRË: aktivistë, profesionistë fushash të ndryshme brenda shoqërisë civile që japin mendimin e tyre duke shfrytëzuar fjalën e lirë ose mundësitë e reja të shprehjes publike. Dhe grupin e katërt e kanë të parët: ALLROUNDER –ët që edhe konsiderohen si analistë, specialistë, opinionistë me ndikim në mendësinë kolektive.

ANALIZA – Në kushtet e mediave shqiptare ende nuk janë krijuar linjat e nevojshme profesionale ndërmjet zhanreve të gazetarisë. Shumica e gazetarëve dhe redaktorëve luajnë rolin e gjithabërësve – qoftë ngase kushtet ekonomike janë siç janë e qoftë nga natyra gjithandej hundëfutëse e të zanatit. Pavarësisht nga kapacitetet dhe talentet. Kjo vërdallje, ky mospërqëndrim nuk lejon specializim. Prandaj një numër i madh i gazetarëve dhe redaktorëve (ndër ta profesionistë të mirë) pensionohen atyre korridoreve monotone të publicistikës shqiptare pa ua mësuar kush emrin si duhet. Opinionistët me detyrë janë kategoria më me pak ndikim, madje edhe atëherë kur ndër ta ka autorë të mirë, mirëpo që çdo tekst u lexohet gjithmonë me të njëjtën titull: në emër të partisë! Publicistët e lirë janë problem në vete: pjesa dërrmuese e tyre, në kushtet e mediave normale as që do të botohej. Të paktët, të cilët mediat bëjnë mirë që i botojnë sikur t’i ndjek frika e shuarjes duke botuar sa më shumë që është e mundur, rend e pa rend, për tu zhdukur dikur sikur të mos kishin qenë.  Kjo kategori fabrikon edhe një telash tjetër që ka të bëjë me vendet e punës: për shkak numrit të madh të voluntaristëve botuesit punësojnë më pak redaktorë e gazetarë se sa është nevoja, paguajnë keq, nuk i lënë redaktorët të shkoqen nga desku dhe ofrojnë pas asnjë kompensim mendim për grithke, gjithçka dhe në çdo kohë.

Për temën që trajtojmë tre kategoritë e mësipërme  – ndër të cilët ka edhe autorë të shkëlqyeshëm – të gjitha bashkë megjithatë nuk janë alfakafshët e mendimit publik shqiptarë, por allrounder-ët. Alfat pra i gjejmë në kategorinë e katërt, në atë allrounder-ve, ndër të cilët ka kollumnistë, botues, kryeredaktorë, publicistë dhe që perceptohen si bërës, farkues, intelektualë dhe stimulatorë të opinionit publik– matur edhe nga intensiteti i reagimit ndaj opinioneve të tyre.

DIAGNOZA – Të gjitha kategoritë e kanë një të përbashkët: autorët iu drejtohen lexuesve të tyre nga pozita „foli Arifikmet AbdylMenafi“, nga froni i arkaikut snob, nga instanca morale, kompetente, me një gjuhë shpesh të sojit të aktgjykimeve sovjetike, ku argumentet, procedurat, s’kanë çka kërkojnë. Ky ves – që te tre kategoritë e para është nuk ndez se nuk ndikon – egërsohet të kryeopinionistët, të cilët të lënë përshtypjen sikur jo ta kenë studiuar, por edhe ta kenë bërë vetë historinë e qytetërimit, politikën, sociologjinë, filozofinë, mjekësinë, astronominë, matematikën. Nga analiza, krahasimi, verifikimi i teksteve të shumicës së „eruditëve të popullit“ që aq shpesh hidhërohen kur masat nuk ua bëjnë idetë libër të shenjtë, program jete e funksionimi, mësojmë se kemi të bëjmë me një kategori intelektualisht të shpifur, pa thelb që më shumë shkruan, pak ose hiç lexon, nuk mëson dhe veçse nuk eksplodon nga tendenca për ta mësuar shoqërinë si ta flakë mizërinë. Pyetjes se pse intelektualisht të shpifur e japin tekstet e tyre: asnjëherë ose më pak se rrallë mëson për kauzalitetin e çështjes që trajtojnë; nga erdhi, pse është, nga kaloi, por gjithmonë tregojnë se problemi duhet të zgjidhet, pa treguar si, kur, pse. Një ligjërim i këtillë publik publicistësh me tru asnjëherë të kërcënuar nga brisku i Ockhamit nuk kanë se si ofrojnë modele, alternativa për progresin e shoqërisë, përkundrazi ato janë në funksion të stresorëve (*nga Hans Seyle dhe etabluar në gjermanishte = faktorë që tensionojnë në aspektin psikik dhe fizik) të përditshëm të masave.

Kjo është gjendja, tash dilema: pse masat ndikohen nga stresorët, inkubusët e jo nga redaktorët, komentuesit, profesionistët dhe kollumnistët që mendimin e japin me modesti pasi t’i kenë shtruar të gjitha faktet, anët pozitive, negative, origjinën e çështjes që publikojnë? Sepse kështu i kanë trajnuar me dekada po të njëjtat: mediat! Ato kërkojnë suksesin nëpërmjet elektrizimit, skandalizimit e jo nëpërmjet iluminimit, prandaj edhe kriza e tyre.

Related

Pedagogët

Nota me pare. Profesorë që me dekada nuk kanë bërë update në dije. Pedagogët nuk respektohen më si dikur. Pse? Në ç’situatë gjenden shkollat shqiptare?

Serbët

Serbët e veriut janë më të torturuarit e Kosovës. Jo nga shumica por nga shteti i tyre amë, i cili i keqpërdor për strategjira politike që s’kanë asfare të bëjnë me fatin e tyre. Përkundrazi ata përdoren kundër ardhmërisë së tyre.

Katolikët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 3 / Po të...

Myslimanët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 2 / Myslimanët janë komuniteti më i madh religjioz ndër shqiptarë. Dhe më i pandehuri të sabotojë rrugën sekulare dhe proevropiane të Kosovës. Ata heshtin. Vetëm radikalët e tyre flasin.

Embassy of the USA

Psikografi primatësh III - Organizatat dhe institucionet 7 /...