Taksat dhe hipotekat e Maqedonisë

60

Pushteti në Shkup ka frikë. Nga vetvetja më së shumti. Ai është i frustruar, prandaj agresiv – si shumica e qeverive ballkanike. Nga Gjermania dhe Afrika e Jugut një propozim për shërim: ballafaqohuni me realitetin e djeshëm e të sotëm, pranoni veten ashtu siç jeni dhe hyni me dinjitet në civilitet!

Qeveria në Shkup sillet arrogante. Ajo në Prishtinë ndjek shembullin e saj. E dyta nuk ka ndoshta si të reagojë ndryshe ndaj një pushteti fqinj të cilit qëmoti përmendoret ia kanë bllokuar udhën për në realitet. Kontesti më i ri ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës manifeston thershëm papjekurinë, arrogancën, instabilititetin dhe frikën që mbizotëron ndërmjet shteteve ballkanike. Edhe atëherë kur ata irritojnë kamerat me buzëqeshjet e tyre, përsërbrendi dridhen o nga inati o nga frika. Se pse është kështu – pakashumë dihet! Historia më e re e popujve ballkanikë është njëkohësisht edhe kronika më brutale e kokëngrënies reciproke, respektivisht pasionit për ta asgjësuar tjetrin. Për fatin e tyre të mirë shqiptarët nuk e bartin mbi supe hipotekën të jenë përpjekur të mbysin të tjerët ose për të qenë më të saktë: për shkak të pamundësisë dhe rrethanave ata nuk kanë mundur të realizojnë në praktikë ca nga ëndrrat e tyre poashtu makabre. Nomenklaturat timoniere të shtetit të sotëm të Maqedonisë po. Ato kanë qenë dhe janë ende të hipnotizuara nga ideja e sigurimit të ekzistencës nëpërmjet defaktorizimit, linçimit dhe tëhuajësimit të të tjerëve. Dhe pikërisht kjo është esenca e fatalitetit të tyre.

Arsyet që rezultojnë në «përleshje» të herëpashershme ndërmjet ballkanasve janë të shumta, mirëpo si shkëndije e çdo përflakjeje duket të jetë mosgatishmëria e këtyre vendeve për ta pranuar veten ashtu siç janë, pa atë dekorin e kamufluar mitologjik, vetësakralizues dhe artificial. Republika ende e paemër më në jug të Ballkanit del të jetë arketipi i shtetit të përkohshëm, i sistemit politik si projekt eksperimentesh që s’mund të kenë jetë të gjatë. Ndryshe si të kuptohen fërkimet e fundit me Kosovën. Përtej simboleve të retorikës aktuale, nxitëse, të «miellit», «grurit» dhe «taksave», mirëpo problemi kosovare-maqedonas është shumë më i thellë dhe do të shfaqet saherë që pushtetet e dy vendeve t’iu afrohen zgjedhjeve apo saherë që ato të mos dinë se me çka duhet zbavitur opinionin publik.

MAQEDONIA – MË BRUTALJA
Deri në amnestimin e fundit – në prag të lejimit të pluralizmit (1990) – të të burgosurve politikë Maqedonia kishte burgjet plotë me shqiptarë që vuanin dënimet për shkak të aktiviteteve të tyre kryesisht për «Kosovën Republikë». Pas Serbisë Maqedonia ka qenë republika jugosllave që më së egërti ka zhvilluar ndjekjen e «nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit» prokosovar. Madje ajo ka shkuar edhe shumë më larg se Serbia me sanksione kolektive ndaj popullatës së etnisë shqiptare: ka qenë ma aktivja në dëbimin e organizuar të shqiptarëve për në Turqi (vitet e 70-ta) dhe faljen e pronave të tyre pjestarëve të minioriteteve greke, serbe dhe bullgare (në shenjë rezistencë ndaj kësaj politike edhe sot e kësaj dite shumë fshatra shqiptare nuk lejojnë emigrimin as nga katundi në katund); disa herë (1980 – 1989) ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat e mesme; ka pasur aksione për rrëzimin e murreve të shtëpive shqiptare (1985-1989) në shenjë provokimi; askund tjetër në Jugosllavi nuk ka qenë më shumë se në atë Republikë e ndaluar çdo lloj literature shqiptare, e tillë që do të vetëdijësonte masat me rrënjët e tyre si dhe diskriminime të panumërueshme të këtij lloji. 

Për ç’arsye sillej Maqedonia ndaj shqiptarëve vendorë aq brutalisht? Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk kemi madje nevojë ta kërkojmë në histori, sepse atë mund ta argumentojmë me aktualitet, megjithatë do fjali parahyrëse historike i japin edhe më shumë kuptim problemit.

HISTORIA E NJË PARANOJE
Në histori as që diskutohet më gjenealogjia e republikës së Maqedonisë. Dokumentet nuk lënë asnjë vend për spekulim: Maqedonia del si projekt i drejtpërdrejte i marrëveshjes Tito – Dimitrov për një federatë ballkanike me dominancë shtetesh/ republikash me origjinë sllave (projekt i penguar nga Stalini). Në realizim e sipër të këtij projekti nis edhe fabrikimi i dhunshëm i qytetarëve të «kombit maqedonas». Shqiptarët janë – si në çdo etapë tjetër – etnia më përdhunuar në këtë drejtim; shumicës iu ndryshohen emrat duke ua shtuar prapashtesën ovski. Dhe jo vetëm atyre: edhe romëve, bullgarëve (nga solidaritetit) dhe etnive tjera. Kështu që brenda një shoqërie më multietnike në rajon kamuflohet një shumicë etnike e paqenë. 

Sot, jo vetëm shqiptarët ortodoksë e ata deri dje të deklaruar vetëm si myslimanë a turq kërkojnë të drejtat e tyre në origjinë dhe kulturë, por edhe tjerët, ata që «pa» dhunë kanë «konvertuar» në radhët e «kombit» të ri; bullgarët sidomos, grekët, serbët dhe të tjerët. Është ky proces që ka alarmuar rëndë pushtetin në Shkup, i cili – në raportet e tij të sigurisë – paragjykon që Prishtina (paranojë!) të jetë promotorja e këtij procesi që paska për qëllim demolimin dhe albanizimin e demografisë së Maqedonisë. E në fakt vende tjera janë në veprim konkret për të çshqiptarizuar strukturat civile dhe demografinë e këtij vendi.

PROPOZIMI I HOLM SUNDHAUSEN-IT
Shikuar në këtë kontekst, reagimet e Republikës ende të paemër ndërkombëtarisht janë disi të kuptueshme. Ajo përjeton abortin më të rëndë politik mbas konstruktimit të saj në vitet e 50-ta të shekullit të shkuar. Është e pasigurt në ardhmërinë e saj. Kjo situatë do ta sjellë atë vazhdimisht në rolin e provokatores edhe për rajonin nëse ajo nuk vendos të merret me shqyrtimit e të kaluarës së saj. Dhe jo vetëm ajo.

Historiani jo i paanshëm dhe jo gjithaq korrekt në interpretimin e burimeve historike Holm Sundhausen, në librin e tij të fundit «Jugosllavia dhe shtetet pasuese të saj 1943 – 2011» [2012] e parashtron një pyetje tejet interesante: Pse vendet ballkanike – aq të ngatërruara ndërmjet veti – nuk ndoqën shembullin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe Afrikës së Jugut pas Aparteidit për «zbardhjen e së vërtetës gjatë kohës së diktaturave dhe luftërave»? Konkretisht Sundhaussen aludon në «Komisionin (afrikan) për gjetjen e së vërtetës» në Johannesburg, i cili ka mandatin për të nxitur, mbikëqyrur dhe zhvilluar projekte që kanë të bëjnë me gjykimin e së kaluarës së njerëzve, partive dhe organizatave gjatë kohës së Aparteidit. Pse një gjë e tillë nuk e cë në Ballkan? Kjo ndoshta ka të bëjë me faktin se elitat pushtetare atje janë kontinuitet i atyre që sunduan në «komunizëm». Së paku burokracitë janë në duar të gjeneratave të vjetra. 

Jo pak shkencëtare, analistë dhe ekspertë të Ballkanit mirëpo pikërisht në këtë hap – në gatishmërinë për tu përballur me realitetin e shkuar – shohin mundësinë e vetme dhe të sinqertë drejt një pajtimi të mundshëm intersocial dhe ndërshtetëror në gadishull. Politologët për më tepër janë të mendimit se vetëm pas një ndriçimi të sinqertë të së kaluarës dhe përgjegjësive vendet ballkanike mund të nisin procesin e njëmendtë të demokratizimit të tyre. 

Ata mendojnë kështu sepse kanë precedentë si dëshmi. Përveç kësaj sjellja e shteteve ballkanike në këtë drejtim e dehë dhe deliron edhe vetë absurdin: kur kihet parasysh se të gjithë kanë marrë pjesë aktive (si serbët, maqedonasit, ashtu edhe kroatët, sllovenët dhe shqiptarët) në ndërtimin e Jugosllavisë dhe zhvillimin e luftërave, atëherë çmimi për shpëlarjen e kërkuar është qesharak përballë shtigjeve që hapen drejt demokracive qytetare e jo etnonacionale.

SIMBOLET E FRUSTRIMIT
Mielli, gruri dhe taksat janë vetëm simbole të një frustrimi të thellë. Janë tendencë për t’iu ikur problemeve themelore me të cilat nuk donë të ballafaqohet as Shkupi zyrtar, po as Prishtina, Beogradi dhe shumica e pushteteve ballkanike. Përveç kësaj ato janë operatorë të shkëlqyeshëm që vënë në aksion popullzimin në favor të çdo sezoni elektoral.

Natyrisht se është lehtë që pyetjes së Sundhaussen t’i përgjigjesh me spekulimin standard: Qeveritë nuk duan komisione të lustrimit historik, sepse janë vetë të involvuara në krimet e djeshme, mirëpo vetë fakti se as nga shoqëritë e tyre civile nuk kërkohet zëshëm një ndërmarrje e tillë të memecon dhe të le të vegjetosh i habitur.