Morfologjia e cyberinjorancës

Vdiq letra, rroftë interneti? Jo, thonë ekspertët dhe shkencëtarët. Konkurrenca ndërmjet mjeteve të informimit dhe transferimit të dijes nuk është problemi, por injoranca humane e cila emancipimin me inovacionet e përjeton gjithmonë si Apokalipsë. Historia e një histerie. 

Cyber-futuristët e subvencionuar nga Apple, Microsoft & Co. si dhe militantët e Open Source iniciativave (në rënie) qëmoti kanë festuar pasmodernën si epokë të Cybernautit. Motivet janë komerciale dhe ideologjike. Shfaqja e internetit trazoi thellë jo vetëm të moshuarit refraktarë por hutoi në veçanti industrinë e dijes, atë të librit, të gazetave, autorët dhe bibliofilët. Përderisa ekonomistët, menaxherët dhe bankat ende nuk kanë gjetur ishullin ku pa hektikë, të çliruar nga frika difuze do të reflektonin për ndonjë strategji si të reduktonin tjetërsimin, vjedhjen dhe përhumbjen e kapitalit fizik kanaleve virusale virtuale, filozofët dhe historianët pozojnë cool dhe s’thonë më shumë se: «Déjà-vu. Për ne debati ka përfunduar»! Edhe avokatët, censorët dhe policitë besojnë që më në fund të njohin mjetet efektive për t’i burgëtuar në karantinë cyberkriminelët dhe hakerët. Këto sinjale mirëpo jo gjithandej relaksojnë. Histeria dhe tonet apokaliptike ende nuk janë mbytur sa duhet.

DEBATI SHQIP
Edhe në letrat shqiptare qysh herët ka filluar diskutimi publik rreth rolit dhe «pasojave» të internetit. Assesi me atë energji, kualitet dhe fabrikim teorish si në gjuhët tjera, mirëpo ka ndodhur. Janë botuar dhjetëra artikuj e trajtesa rreth kësaj çështjeje. Vendimi i të së përditshmes prishtinase «Express» që të heq dorë nga letra ringjalli diskutimin e nevojshëm, vitrinëzoi pozitën dhe nivelin e reflektimit të intelektualëve shqiptarë mbi këtë proces: ai doli aktual dhe analog me konstatimet mondanisht të afirmuara mbi këtë temë. Diskutimi i fundit në «Zona e debatit» të Baton Haxhiut e dëshmoi këtë. Dilemat dhe tezat pragmatike të Astrit Gashit dhe sinteza, konform rezultateve aktuale empirike nga shkenca dhe filozofia «universale» e Artan Muhaxhirit ofruan postulatet bazike për debatim. Paskëtaj shohim se a do të trajtohet edhe më thellë çështja e përdorimit të internetit apo jo. Ngase pyetja: si sillet «hommo cyberius»-i shqiptar brenda realitetit virtual, kërkon megjithatë përgjigje specifike.
Përtej hapësirave shqiptare debati shumëvjeçar rreth rolit dhe fuqisë së internetit ka ndarë mendësinë (globale) në tre drejtime kryesore. Pesimistët vajtojnë, cyberfuturistët duartrokasin, ndërsa shkencëtarët kanë dorëzuar teoritë dhe sintezat.

EVOKIMET E PESIMISTËVE
Sipas pesimistëve radikalë interneti prish socialitetin sepse ka shndërruar njeriun në zombi imobil. Cybernautët luftojnë me peshën, vetminë dhe me antidepresiva përpiqen ta zbusin sistemin e hiperelektrizuar dhe agresiv nervor. Ka kohë që spitalet perëndimore kanë hapur reparte për sëmundjen më të re: «pathological internet use», kështu diagnoza për përdoruesit eksesiv të Internetit. Jo pak publicistë dhe filozofë kanë botuar libra e teori me teza si; «Interneti – fabrika të stupiditetit», «makina për banalizimin e dijes» ose «hapësira e injorancës dhe deformimit kulturor». Antropologët dhe sociologët akuzojnë rrjetet sociale dhe industrinë teknologjike të fabrikojë në seri gjenerata që s’dinë më asnjë gjuhë ta shkruajnë si duhet (sms-generation); të bllokojnë humanitetin nga lëvizja e domosdoshme në natyrë dhe të ketë pamundësuar kontaktet jetike e fizike të individit me shoqërinë. Sekte të ndryshme nateditë mbajnë ceremoni e luten në pritje të blakcout-it digjital. Pedagogët kanë gjetur fajtorin e debilizimit të nxënësve dhe studentëve të tyre: interneti!

TEORITË DHE CYBERFUTURISTËT
Ekonomi amerikan Jeremy Rifkin me veprat e tij «The End of Work» (1995) dhe «The Age of Access» (2000) ushqeu i pari panikun. Në librin e parë «dokumentoi» se përkundër rritjes ekonomike vendet e punës avullohen (për shkak të kompjuterizimit) dhe në veprën e dytë me tezën se aksesi në idetë (informatat), mallrat dhe shërbimet është aq i lehtë, i tjetërsueshëm dhe falas saqë ekziston rreziku i deformimit kulturor të identiteteve të veçanta. Nga kjo ide, ky alarm i Jeremy Rifkin mbi globalizmin digjital dhe paskapitalist si dhe atë të «modernes së dytë» të teorikut gjerman Heinrich Klotz (Moderna – Pasmoderna – Moderna e dytë; 1999) ideologët e digjitalizimit global arnuan «teorinë» mbi varrimin e paevitueshëm të letrës si mjet primitiv komunikimi (koincidon me parullën e drejtuesve të gazetës «Express»). Në konto të kësaj prognoze natyrisht se shkoi edhe paniku i printmediave dhe industrisë së librit, të cilat u bënë viktima të prognozave euforike mbi revolucionin digjital.

HISTERI DHE INJORANCË
Revolucioni digjital ka ndodhur. Dhe ka përpirë çdo kënd të globit. Sërish i urti nga Piemonti Umberto Eco solli kryepoentën: «A do të ishte holokausti i mundshëm po të ekzistonte që atëherë interneti? Dyshoj!» (Paris:2009). Këtë rol sot askush më nuk ia mohon internetit: fuqinë e mobilizimit nëpërmjet rrjeteve globale sociale. Për gamën e problemeve që shtrojnë pesimistët si: trashja, depresionet, banalizimi i dijes, etj. një përgjigje adekuate ka megafilozofi koreano-gjerman Byung-Chul Han (Hiperkulturaliteti – Kultura dhe globalizimi: 2005): «Në fillimet e çdo inovacioni me përmasa globale, historikisht kanë ndodhur të njëjtat dilema, debate dhe në fund janë sjellë përfundime identike: absolutisht kontestin nuk e përbën konkurrenca ndërmjet mediave të printuara dhe atyre digjitale, problemi ka të bëjë me injorancën e humanitetit që deri sa ia gjen vendin të resë vajton pa arsye për të «vjetrat». Rezultatet e dhjetëra kongreseve shkencore, hulumtimeve disavjeçare mbi mediat dhe internetin materializojnë tezat Hani-it dhe ofrojnë simetrinë empirike të gjendjes aktuale . Libri vazhdon të mbajë primatin: edhe tek e gjenerata më e re dhe atë jo vetëm si mjet studimi por edhe si «ishull relaksimi e emancipimi». Gazetat serioze – së paku për hapësirën gjermanofolëse dhe atë frankofone ekzistojnë statistika konkrete – tashmë kanë rikthyer dhe stabilizuar tirazhin. Ato që e kanë pësuar keq janë gazetat bulevardeske të të gjitha hapësirave.
«Të kishim kuptuar qysh më herët se jo ne duhet të vallëzonim sipas internetit, por anasjelltas meqë kualiteti dhe besueshmëria është e jona, besoj do të kishim më pak dëme gjatë euforisë», na thotë njëri nga menaxherët e gazetës zvicerane NZZ. Eksperti Alexander Otto ( Homo Digitalis – Evolucioni digjital: 2013) madje beson se me krijimin e kartave globale juridike rreth përdorimit apo shpërdorimit të përmbajtjeve digjitale do të ndryshoj shumëçka, respektivisht do përdoret ashtu siç e kanë nevojë njerëzit e jo si botë paralele e kësaj që kemi.

Dosja:

Wikimania
Cybermobbing
Cyberpoetika

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...