PSIKOGRAFI PRIMATËSH (II) / Hashim Thaçi. Qëmoti ky emër na duket të jetë magnet që adopton dhe natyralizon çdo epitet të mundshëm negativ. Nuk mungojnë as sakralizimet. Miqtë ndërkombëtare (ende) nuk e japin. Madje as atëherë kur ca prokurorë ndërkombëtare besojnë ta kenë identifikuar si kapon e nëntokës së gadishullit.
Varësit e quajnë profet, kundërshtarët shohin në të një despot dhe kriminel. Ithtarët e festojnë, opozitarët bëjnë çmos që ta rrëzojnë. Nuk është kjo historia e çdo lideri politik? Po. Megjithatë rrallë në historinë e kosovarëve ka ndodhur që pjesët kryesore të shoqërisë kaq shkabshëm t’i vërsulen të vetit. Çfarë ka ndodhur me atë drenicakun trim që i instalohej Adem Jasharit përqafueshëm e armatosur? Ç’u bë me simpatikun e Allbright-it, të cilin për disa vite jo vetëm hiperbolikët, por edhe pesimistët, nihilistët dhe moderatët e pranuan si njërin nga akterët pozitivë të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës?
GJARPSHËM MAJAVE
Nga Broja ikë në Prishtinë për të studiuar historinë. Që si student manifeston vullnetin dhe synimin për të prirë. Bëhet shef i një grupi ilegal studentësh të UP-së. Si shumë të rinj e të reja edhe Thaçi ikë nga vendi. Në Shqipëri ia zë diellin kryetarit të atëhershëm Sali Berisha, i cili ndez furgonët për ta arrestuar. Hashimi ik edhe më larg. Në Zvicër e presin «shokët» e LPK-së, me udhëzimet e të cilëve kishte vepruar qysh si student. Sapo Zvicra ia njeh azilin Hashim Thaçi nis të lëviz dhe pastrojë binarët e trenave të Dietikonit. Sa herë që i jepet mundësia dëgjon ligjërata të lira në Universitetin e Zürich-ut. Në kuadër të LPK-së nuk eksponohet asnjëherë ideologjikisht. As që e kishte atë: ideologjinë. Thaçi vepronte sikur të mos i interesonin metodat, doktrinat dhe mjetet, por vetëm finalja pragmatike: serbët jashtë dhe tjerat shohim.
Në Zvicër lidhet me amerikanët dhe ca shërbime tjera perëndimore. Nis karriera e tij si ndërlidhës dhe koordinator ndërmjet grupeve çlirimtare në Kosovë dhe mentorëve të tij ndërkombëtarë. Qëkëtej Thaçi iu «nënshtrohet» organizatave shqiptare perëndimit dhe grupeve të terrenit jo për të mësuar ç’ duan ata, por për t’i shfrytëzuar në realizimin e «Masterplanit» të vizatuar krejtësisht diku larg Kosovës.
PERESTROJKA E NJËSHIT
Pas luftës vjen pushteti. Përkundër asistencës nga perëndimorët për të organizuar resurset e nevojshme për shtetin Hashim Thaçi zgjedh një rrugë tjetër: mobilizon miqtë; vesh me poste ish – cimerët e tij të studimeve dhe ia paguan borxhin çdo emigranti ku ka pirë çaj duke ia punësuar ndonjë trashëgimtar si ambasador a diplomat. Këtë – siç u pa më vonë – nuk e bëri i prirë nga parimi i besueshmërisë, por për të futur nën kontroll sa më tepër struktura të shtetit. Sidomos pas «perestrojkës» që bëri në PDK, duke suspenduar timonierët tjerë të luftës, Hashim Thaçi jo vetëm që sillet ashtu, por duket se edhe beson të jetë Janusi i Kosovës, po si ai Zoti për të cilin thuhej të ishte Njëshi absolut i jetës dhe vdekjes së romakëve.
Është vërejtur se sa më shumë liri veprimi t’i lënë mentorët aq më shumë qeveria e tij zhytet në kaos, korrupsion dhe kërdisje tjera të këtij lloji. Me asistencën e miqve të huaj Hashim Thaçi diti «ta bëj luftën». Fillimisht nga mosdija e më vonë nga mendjemadhësia nuk arriti derimëtani të mësoj se si menaxhohet me lirinë. Në vend të shtetit i rezultoi një konglomerat detashmentesh, të cilat klientelizmin, nepotizmin dhe korrupsionin kanë biznesin themelor të ekzistencës.
ANALIZA: Në çështjet patriotike: i vendosur, moderat. Në politikë: autokrat brenda, njeri i kompromisit jashtë, jep vetëm kur mendon se do ta fitojë trefishin. As liberal as marksist, për nga komunikimi, sjelljet dhe veprat më shumë manist. Jashtë shtetit: luan kartën e të qenurit me ndikim rajonalisht, pa sukses. Ethosi: areligjioz, kryesisht oportunist. Diagnoza: Nuk është burrështetas.
NOTA JONË (për pozitën aktuale): Pamjaftueshëm!