Wikimania

Wikipedia – enciklopedia më e absorbuar e planetit ka revolucionarizuar perceptimin human ndaj dijes. Për të mirë apo për të keq? Historia kontroverse e një biblioteke pa libra.

Denis Diderot, Jean-Baptiste d’Alambert, Ben Kovitz dhe Larry Sanger: katër emra, dy epoka dhe një ideal. Dy të parët janë iluministët francezë të shekullit 18 që bënë Enciklopedinë e parë. Dy të fundit na sollën para 12 viteve Wikipedian. Që të gjithë synonin përhapjen e dijes.

Gjersa Diderot, d’Alambert me kompani hoqën të zitë e ullirit derisa i sajuan 72000 artikuj shkencorë, Kovitz dhe Sanger gjithë problemin e zgjodhë nduke përtypur steaks-a në një restorant nobël të San Diegos, gjatë një darke më 2 janar të vitit 2001: jo librat, arkivat dhe dijetarët – siç bënë «pararendësit» e tyre – do të jenë burimi i enciklopedisë së shekullit 21, por «Netcitizen»-ët, ata pra që dinë të përdorin internetin. Qëketej kjo kategori do të kujdeset për distribuimin dhe administrimin e dijes.

«Dija nuk është për në ankand», kështu thonë profesorët e kërcënuar të perëndimit. Në universitete dhe media serioze ende vlejnë rregulloret për (mos)përdorimin e Wikipedias si burim për citim a referencë. Histeri e tepruar?

UNIVERSALISTËT SHQIPTARË

Habitemi, shtangemi, mbetemi gojëhapur kur na bie të lexojmë serinë e kollumnave të ndonjë opinionisti shqiptar; para një jave përfoli paradigmat në historiografi, pardje citoi Nietzsche-n, Arendt-in, Judt-in, Ash-in, Gellner-in, Anderson-in, dje përshkroi anatominë e sistemeve politike, sot me shembuj atipikë nga letërsia botërore kërkon korrekturën e domosdoshme në mendësinë shqiptare si parakusht për ta kuptuar demokracinë, liberalizmin, nacionalizmin, patriarkalizmin. Nga ku gjithë ky erudicion që përbashkon «aq harmonishëm» shkencat si historinë dhe politologjinë, filozofinë, letërsinë, psikologjinë dhe psikanalizën? Kemi të bëjmë me ndonjë «Genius universalis» ose na u rishfaqën Polyhistor-ët, siç do t’i quanin grekët e vjetër? Të atillë që kanë mbaruar së lexuari e konfirmuari gjithçka e tashmë shkruajnë vetëm post factum? Jo. Edhe analiza më sipërfaqësore e teksteve do të na zhgënjejë, sepse: nuk kemi të bëjmë me universalistë iluminatorë, madje as me kondenzues dhe transferues modest e banalë tekstesh nga gjuhë të huaja, por përballemi me absorbues të egër dhe distributorë aktivë të «dijes» nga online-enciklopedia Wikipedia.

SKANDALET

Mijëra reagime dhe fyerje mori gazetari Hiawatha Bray i gazetës «Boston Globe» (2004) kur shkroi: «Sigurisht se Wikipedia është e popullarizuar. Madje më shumë se sa duhet, sepse asaj i mungon vetia qendrore e një enciklopedie tradicionale: Besueshmëria! Përderisa enciklopeditë tradicionale përpilohen nga ekspertë të fushave përkatëse, tekstet e të cilëve i redaktojnë dhe kontrollojnë lektorët po ashtu specialistë, në Wikipedia shkruan çdo njeri që e ndjen veten si ekspert». Bray u shpall antidemokrati i radhës dhe u krahasua me kundërshtarët e Dideroit dhe d’Alamberit, të cilët këmbeduar luftonin kundër masivizimit të dijes.

Tre vjet më vonë skandali «Essjay» i dha të drejtë Bray-t të difamuar përtoke. Në shkurt të 2007 gazeta «New Yorker» zbuloi identitetin e rrejshëm të njërit nga Community Manager-ët dhe përgjegjësit të «Arbitration Committee» (Instanca që vendos se cili informacion është burim i qëndrueshëm), i cili gjatë një konflikti me një universitet paraqitej si doktor i shkencave teologjike dhe profesor në një Universitet të Amerikës lindore. Në fakt «Essjay» ishte student (24 vjeçar) i semestrit të parë në një fakultet juridik dhe punonte si ndihmës në një praksë avokatësh. I njëjti kishte vendosur ose përpiluar mbi 20 mijë artikuj të edicionit anglisht të Wikipedias. Përkundër zotimit të projektbartësve se «editorët» do të identifikohen Wikipedia u ndalua si referencë nga një numër i konsiderueshëm mediash dhe universitetesh.

STUDIMI

Njëri nga studimet deri më tani më të afirmuara mbi karakterin e Wikipedias mbetet ai i profesorit të Universitetit Albany të New York-ut P. D. Magnus. Rezultatet e studimit disavjeçar epistemologu i botoi në revistën «Episteme» (Viti 6, Nr. 1, Faqe 74-90) nën titullin «On Trusting Wikipedia». Faciti: «Wikipedia nuk e plotëson asnjë kriter të vetëm që shërben për verifikimin e dijes, prandaj dhe nuk mund të përdoret si burim i besueshëm». Magnus – studimi i të cilit nuk ka përjetuar falsicitet as nga prindit e tezës «pjesëmarrja e sa më shumë kokave rit kualitetin e dijes» – nuk beson se ndonjëherë enciklopeditë e tilla do ta arrijnë atë besueshmëri që kanë bibliotekat dhe enciklopeditë klasike. Me të drejtë të moshuarit e tipit të Umberto Eco-s humbin orë duke u vërdallë bibliotekave dhe duke refuzuar kategorikisht Wikipedia-n?

STUPIDEDIA SHQIP

Jo vetëm Wikipedia por interneti në përgjithësi ka banalizuar rëndë statusin e dijes. Përveç kësaj W3 dhe Web 2.0 kanë ndikuar që plagjiatura, keqcitimi dhe tjetërsimi të bëhet aq neveritës saqë jo pak specialistë të shkencave të ndryshme kanë krijuar alergji ndaj internetit. Ashtu siç mund t’i bëhen averzion çdo specialisti shqiptar gazetat dhe portalet shqiptare ku citatet, përfolja dhe referencat janë tmerr që ta shkaktojnë epilepsinë. Sheshazi shihet se autori as ato dhjetë libra që ka në shqip nuk i ka konsultuar kur flet për paradigma, biografi, fenomene, filozofi e probleme.

Kjo përshtypje nuk krijohet vetëm atëherë kur zbulojmë se autorëve u mungon background-i i nevojshëm akademik (kjo nuk implikon se ndonjë që nuk ka kryer shkollë nuk mund të jetë Genius Universalis) porse lehtë e identifikojmë burimin, wikipedian, dhe sapo përvishemi ta gjejmë qëndrueshmërinë e paralelitetit brenda krahasimit të ekspozuar na del parasysh ai «Essjay» duke fërkuar hundën pas ndonjë avokati nervoz. Në të shumtën e rasteve jo vetëm konteksti është falsifikuar deri në asht, por shumica e citateve dhe paradigmave janë e kundërta e asaj që sugjeron cituesi për ta mbështetur tezën e tij.

ALTERNATIVA

Në botën gjermanofolëse janë të rralla ato universitete që mbyllin njërin sy kur vërejnë të jetë konsumuar Wikipedia gjatë ndonjë punimi shkencor. Pjesën dërrmuese të mediave serioze të kësaj hapësire i shpëton sistemi se si punësojnë redaktorët dhe gazetarët: specialisti i ekonomisë është shef i rubrikës që merret me ekonominë, ashtu ai i politikës, letërsisë, historisë e kështu me radhë. Kjo nuk do të thotë se madje as Jürg Habermas nuk guxon të botojë reflektimet mbi tema që kërkojnë dije universale. Ky po. Ama jo gjithkush, jo çdo user që di të (keq)përdor Wikipedian.

Related

Filoborati këshillon Demë Gogën

Kosova është model sepse refuzon nacionalizmin evropian dhe për...

Hyrje në «izm»-ologji

Sa logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi»,...

Jeta dhe vepra e hiçit

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider...

Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave...

Topopatët, bionikët dhe sekserët

Në mungesë të historisë si shkencë, romanet e publicistëve...