Politika e mutacioneve kozmetike

Partitë politike kosovare nuk janë as të majta e as të djathta. Ani çka janë pra ato? Nuk dimë. As ato vetë nuk e dinë. Vetëm liderët e dimë çka janë: kandidatë potencial për t’ia zënë vendin Stalinit. Prijnë shefat e PDK-së.

Majtas, djathtas drejt qendrës. Kështu ecë njeriu i lirë për atje ku donë. Po ç’ bën ai nëse djathtas, majtas, drejt dhe në qendër presin kërcënueshëm brigada tiranësh për ta shtrirë përtoke? Në çdo drejtim të navigimit historik, shqiptarët e kanë pasur rrugën të bllokuar nga sundues, të cilët në emër të ndonjë ideologjie kanë justifikuar brutalitetin e përditshëm kundër lirisë dhe qenies së ballkanasit kësulëbore.
Që njeriu shqiptar të kalonte barrikadat, i pamasakruar, duhej të dëshmonte se është asimiluar me mendësinë e udhëbllokuesve. Pamarrëparasysh se e ç’ karakteri ishte ideologjia. Përndryshe bëhej kufoma e radhës për në galerinë e miteve.

TRADITA E MENDIMIT POLITIK

Po studiuam historinë e mendimit politik shqiptar, respektivisht po analizuam veprimet politike të elitave shqiptare nëpër kohë do të kolidojmë me një pluralitet konceptesh që na pamundëson rreshtimin e tyre në ndonjë ideologji të veçantë. Po shkundëm qëndrimet e tyre në relacion me temat si kombi, atdheu, populli, nga thesi dhe varret na kërcejnë konservativë, patriotë, ultranacionalistë, nuk mungojnë as minimusolinë e prohitlerë; atëherë kur qëndrimet e të njëjtave elita i bastisim në relacion ekonominë dhe socialitetin e masave habitemi duke u pyetur në mos Karl Marx-i, Friedrich Engels-i janë inspiruar nga elitat shqiptare.

Rekapitullojmë: tek shqiptarët nuk ekziston tradita e mendimit politik të majtë apo të djathtë; këto ideologji politike metepër janë përdorur si mjet rezistence aktive, oportuniste për çështje ekzistence (elitat) ose si mjet për të maskuar diktaturën (Enver Hoxha dhe despotët tjerë të këtij lloji), kurse masat shqiptare deri vonë as që kanë pasur mundësi të frymojnë e lere më të praktikojnë jetën majtas apo djathtas (analfabetizmi dhe diktaturat).

Kjo është tradita ose historia e mendimit politik shqiptar në raport me megaideologjitë e epokave që shkuan. Si është puna sot?

AS DJATHTAS AS MAJTAS

Qëherët kryeredaktori i gazetës Express (Manipulimi ideologjik, 14.08.2009) Leonard Kerquki analizoi se: «konceptet vetëm të Djathta apo vetëm të Majta nuk mund të implementohen në Kosovë […]». Këtë tezë autori e formulon duke pasur jo vetëm historinë e mendimit politik shqiptar, por më shumë duke argumentuar nga terreni, aktualiteti dhe atë pa pasur nevojë për referencë në paradigmat universale mbi natyrën e organizatave politike në kushte të globalizimit. «Politikanët e kanë për obligim që t’ua sqarojnë qytetarëve këta terma, e jo të manipulojnë me mungesën e njohurive të njerëzve», kështu atëherë Kerquki, kërkesë që edhe pse e shkruar katër vjet më parë mund t’i parashtrohet sot, pa asnjë ndryshim partisë në pushtet, sidomos pas emigrimit mental të shefave të saj në të djathtë.

ÇKA LEXOJNË EKSPERTËT E PDK?

Ndërkohë nuk ekziston asnjë politolog, sociolog dhe filozof serioz në botë që pranon ndarjen shablonike të spektrit politik në të majtë e të djathtë. Asnjë parti politike që vepron brenda demokracisë dhe pluralizmit parlamentar nuk mund të dëshmojë «higjienën» absolute ideologjike. Përkundrazi: Edhe partitë me shtabet më të ideologjizuara tashmë janë bindur se groposen si formacion me përmasat e një sekti nëse ndalojnë fraksionet ideologjikisht kontradiktore brenda vetes. Kur kemi parasysh këto, pra paradigmat shkencore dhe përvojën faktike mbi natyrën e partive politike dhe mungesën e traditës në mendimin politik shqiptar në të majtë apo të djathtë; ku bazohet atëherë PDK ose ndonjë parti tjetër shqiptare, kosovare për ta kualifikuar veten në ndonjërin prej këtyre taborëve të spektrit klasik politik?

PDK habiti të gjithë. E më së shumti veten. Në konventën e saj ajo tamtamshëm deklaroi se është e djathtë. Gjë që nuk është. S’mund të jetë – as për nga «tradita» e as për nga përbërja e saj. Pse?

HISTORIA E NJË «KONVERTIMI»

Mediat u hutuan me të drejtë pyesnin se çka nënkupton PDK me «nofkën» e saj më të re. E para, për arsye se nën mantelin e këtij spektri politik sot fshehen (verbalisht) që nga liberali i moderuar e deri tek fashisti më i egër dhe e dyta mediat u shtangën pasi kishin besuar se pjesa dërrmuese e bazës dhe hierarkisë drejtuese të partisë në fjalë përbëhet nga postenveristë, paramarksistë dhe socialdemokratë të fraksionit nacional-popullist.

Të paparashtruara mbeten pyetjet esenciale: Cilat kuvende të degëve të kësaj partie kërkuan që partia të shpallet e djathtë? Sa zgjati debati me bazën? Cilët ekspertë të kësaj partie hulumtuan bindjet e fraksioneve dhe të anëtarësisë për të konstatuar se konvertimi ideologjik është modifikuar aq thellë saqë një parti e perceptuar gjithmonë si e majtë në esencë qenka e djathtë? Na ka shpëtuar diçka nga mutacionet e kësaj partie apo qëndron ajo anekdota që tingëllon banale, mirëpo reale: Shefi me miqtë e tij në majën e partisë kanë vendosur një riorientim të tillë, pa përfill bazën? E kanë bërë këtë për shkak të transformimit të tyre në oligarkë apo sepse kanë frikë se dikush kërkon prej tyre ta mësojnë përmendsh Manifestin Komunist. Mendojnë ata se për të qenë i djathtë mjaftojnë parullat për mbrojtjen e Preshëves, për madhështinë e Skënderbeut dhe trimërinë e komandantëve joideologjikë të luftës së fundit?

EKSKLUZIONISTËT DHE DEMOKRACIA

Më shumë se manipulimi (si metodë standarde e partive) e frikshme rishfaqet metoda se si kjo parti operon brenda demokracisë kosovare. Me proklamimin formurdhëri «nga sot jemi të djathtë» ajo nuk shpalon vetëm mungesën e mendimit intelektual (historik dhe aktual), por në thelb dëshmon të jetë një parti e diktatit që apriori përjashton fraksionet brenda vetes, çka implikon suspendimin intern dhe ekstern të kulturës demokratike. Partia përjashton madje edhe veten sepse eliminon praktikisht edhe vetë strukturën e saj. Historikisht kështu kanë vepruar shtabet e prira nga Stalini dhe imitantët e tij të shumtë majtas dhe djathtas. Edhe vetëm si mutacion kozmetik për manipulimin e radhës, kjo aventurë e PDK-së legjitimon një shembull më shumë se destruktiv për demokracinë kosovare.

 

Related

Homazh për qenin e lirë kosovar

Kushtuar qenit që e shkeli ithtari i një partie...

Atentati permanent ndaj fuqisë 4-t

Në një anketë të një gazete, pyetjes se a...

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë...

Dispozitivi i hixhabit

Sërish hixhabi si kauzë publike. Kërkesa kësaj radhe, përveç...

Milicia e kultit

Kurti premtoi ndryshim krejt e drejt. Dhe ndryshimi vërtet...