Gëzim Aliu përbashkon koncepte letrare në funksion të një eksperimenti të rëndë: duke u nisur nga linja e ekzistencialistëve tradicionalësi Kafka, Buzzati, Sartri me kompani futë lehtë lexuesin në orgjitë epshore, doloreske, nabokoviane dhe e përplas atë pranë këmbëve të absurdit, jo atij beketist (sepse në këtë stad recipienti tashmë ka çelësin), por një absurdi tjetër, atij darvinist, të paarmatosur përballë vetes cullak ashtu siç e njeh veten pa tesha dhe kur është vetëm: Njeri!
Gjithandej vdekja. Djalli dhe njeriu provojnë ligësinë, tradhtinë, dashurinë, dhimbjen, seksin, tjetërsimin dhe alkiminë për të fituar një copë vend në librin e bardhë e të fundit të shkrimtarit që jo shkronjat dhe fjalitë por paragjykimi i masës ia shkruan historitë. Njeriu vdes, ringjallet për ta dhunuar jetën edhe njëherë dhe në momentin para ngjitjes në majën e Mount Everest-it epshor e ndiesor shuhet përgjithmonë.Dhe vdekja e tij nuk ka të bëjë me njeriun tashmë kufomë, por më shumë ajo rri ndër ne që dhëmbëmprehur ta nisë ceremoninë për terrorizimin e të gjallëve.
Këtyre sferave të ekzistencës humane bën ekskursionin e tij të radhës shkrimtari kosovar Gëzim Aliu. Pas romanit të suksesshëm «Në klubin e të shëmtuarve», përmbledhja me tregime «Libri i fundit» që na sjell shtëpia botuese prishtinase PA është vepra e dytë me prozë e autorit.
II.
Si funksionon turma? Kush do ta përjetojë të gjallë teorinë deri tash të pathyeshme të Gustave Le Bon-it (Psikologjia e masave, Paris 1895) e lexon tregimin e parë të Gëzim Aliut «Libri i fundit» [9-15]. Aty recipienti mëson mbi fuqinë magnetike të iluzionit dhe uzinën se ku dhe për çka prodhohet ai; jo «shkrimtari i madh» është fajtor që qytetarët e mbretërisë bien në depresion dhe mezi presin ta marrin çelësin për të hapur kutinë e metaltë në të cilën gjendet libri, por masat që kanë krijuar iluzionin në kuti të gjendet kryevepra e të gjitha kohëve.
Me këtë tregim hapës të librit autori i bën kritikë therëse përpjekjes së kotë humane për ta gjetur një të vërtetë absolute, e cila nuk duket të jetë hiçgjë tjetër përveçse iluzion i vetëprodhuar për ta fituar betejën gjatë dyluftimit me vdekjen (Djallin e kam fqinj të parë, 33-42). Po zëvendësuam Shkrimtarin (logosi, «në fillim ishte fjala») me një lloj perëndie me këmbë përmbi tokë, po ta pranojmë shkrimin e tij si një udhëzim praktik (besimi) do të na plasin sytë nga bardhësia e librit, që jo se ai nuk na ofron të vërtetën absolute (shpëtimin), por as shkronja në vete nuk përmban.
Nga ky stad zhgënjyes braktis autori sferën e jashtme humane për tu zhytur brenda trupit të tij. Prej nga thellësia e brendshme shpirtërore dhe psikike «raporton» [23-31] Gëzim Aliu se si duket në praktikë lufta individuale, nëpër çfarë stacionesh ferrsjellëse kalon njeriu gjatë përpjekjes së tij për të mbrojtur iluzionet nga shpatat e realitetit. Dhe ky, realiteti shfaqet aq i ligë [17-22] saqë as tjetërsimi me eliksir nuk ta alkimon përditshmërinë.
Ditemdrekë të paraqitet vdekja duke të thënë se ia ka çarë kokën (udhëtim 61-66) kujtesës tënde fëmijërore. Sapo të kalon zi-a të fiksohet ideja e ikjes nga vetmia (Kokrra e zezë, 69-72) dhe të shndërron femrën e parë që sheh m sy në mjetin më të përshtatshëm për të hy në socialitet. Si në ëndërr vret vetminë duke prekur thellë alter-gjininë dhe pikërisht atëherë të saboton Erosi (Mona Liza, 83-84) dhe me pantallonate bëra lloç, ende pa të zënë gjumi [79-81] vdekja kësaj radhe me maskë ta jep një thikë në dorë për t’i bërë atentat dashurisë e pastaj me dy plumba në ballë të çon në bardhësi (Akt, 75-77). Njerëzit ndezin televizorët për të harruar deri në vdekjen e radhës (Lugina e harresës 85-86).
III.
Gëzim Aliu përbashkon koncepte letrare në funksion të një eksperimenti të rëndë: duke u nisur nga linja e ekzistencialistëve tradicionalësi Kafka, Buzzati, Sartri me kompani futë lehtë lexuesin në orgjitë epshore, doloreske, nabokoviane dhe e përplas atë pranë këmbëve të absurdit, jo atij beketist (sepse në këtë stad recipienti tashmë ka çelësin), por një absurdi tjetër, atij darvinist, të paarmatosur përballë vetes cullak ashtu siç e njeh veten pa tesha dhe kur është vetëm: Njeri!
Rezultati i eksperimentit?
Nëpërmjet një gjuhe jopedante dhe skenave që nuk e kalojnë vijën e kuqe ndërmjet erotikes dhe pornografikes si dhe një settingu (vendi, koha dhe shoqëria)kulturor lokal Gëzim Aliu iu ngjitet integritetshëm temave universale, të cilat domicilin e kanë në shpirtin, veprimin dhe mendjen e qenies humane në tërësi. Është një kozmos i pasur letrar që nëpërmjet kaosit të natyrshëm të qenies njerëzore qëllimisht implikon triumfin e Erosit, në atë mënyrë bohemike, sikur të na qortonte: pse çka na mbetet tjetër?
Eksperimenti ka ndezur mjaft suksesshëm!